Gazetari Bledian Koka, në emisionin Log. në News24, tha drejtorët në bashkitë e vendit nuk emërohen nga kryetarët e bashkive, por nga interesat e bandave lokale. Ai përmendi rastin e drejtorit të Ujësjellësit në Elbasan, i cili kishte firmosur tendera për klanin e Suel Çelës, ndërsa pas hetimit të SPAK-ut u shkarkua pa pasoja të mëtejshme.
Sipas Kokës, largimet e fundit të drejtorëve nuk janë shqetësim për kryeministrin Rama, por janë rezultat i një ridimensionimi të influencës së bandave në qytete si Vlorë, Fier dhe Elbasan, ku balancat e pushtetit kriminal po ndryshojnë.
Ai e quajti situatën si “republikë e drejtorëve” dhe kritikoi mungesën e reagimit ndaj paralajmërimeve të deputetit Petro Koçi, i cili ka folur hapur për ndikimin e bandave në emërimet në pushtetin vendor.
Bledian Koka: Kjo është republika e drejtorëve. Problemi është se nga lindi? Besoj se drejtorët në bashki nuk janë zgjedhur nga kryetari i bashkisë por nga interesat e bandave të zonës. Dhe për ta ilustruar këtë që po them, para dy muajsh isha në Elbasan në emisionin e koleges Klodiana Lala, ishte rasti kur drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit kishte firmosur tendera pa fund për atë që njihet si klani i Suel Çelës në Elbasan. Dhe çfarë ndodhi? Bëri hetimin SPAK, u hoq drejtori dhe sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Rasti i Elbasanit është pasqyrimi se çfarë ndodh me pushtetin vendor, sidomos në zonat problematike.
Ka qenë edhe vetë Petro Koçi që ngriti problemin e republikës së drejtorëve, madje foli edhe me emra, pse nuk u reflektua? Këta drejtorët që u larguan nuk janë shqetësim të Ramës, është një rideminsionim që bandat kanë në zonat përkatëse, qoftë në Vlorë, Fier, Elbasan e të tjerë. Thjesht ka ndryshuar balanca e bandave në këto qytete.