• Kontakt
Wednesday, July 9, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Prona, gjyqet dhe krimi i organizuar/ Ana e errët e Ksamilit

10:00 : 09/07/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Lexo edhe:

VIDEO/ Ina Zhupa në Ksamil: “Maldivet e Europës” u kthyen në një kosh plehrash

10 vjet gjyqe për gjuajtjen e Ramës me vezë, ish-studentët kërkojnë drejtësi

Si është tjetërsuar pasuria publike në një nga zonat më të lakmuara bregdetare të Shqipërisë, përmes dokumenteve të falsifikuara, vendimeve të dyshimta gjyqësore dhe një shteti që mbyll sytë teksa prona përfundon në duar të krimit të organizuar.

Nga Lindita Çela

Në fillim të viteve ’80, Ksamili ishte një nga rezervatet më të mëdha të kafshëve të egra në Shqipëri, i mbushur me derra, çakej dhe kaproj, ndërsa rruga për të shkuar aty kalonte nëpër një tunel të krijuar natyrshëm nga portokallet dhe ullinjtë. Në këtë qytezë, e ndërtuar mbi bazën e punës vullnetare nga e gjithë Shqipëria, jetonin rreth 500 familje, shumica e të cilave nuk kishin banesa fikse, por banonin në kapanonet e ngritura për vullnetarët.

Ishte një parajsë mbi tokën shqiptare, ndaj dhe qeveria e Aleksandër Meksit, duke parë potencialin turistik të zonës, vendosi të mos zbatojë ligjin për ndarjen e tokës për anëtarët e ndërmarrjes bujqësore të fermës së Ksamilit, me arsyetimin se ajo do të përdorej për projekte madhore turistike.

I ndarë në 96 parcela virtuale pa kufij realë në terren, të dhëna dikur nga Mbretëria e Zogut për familje gjirokastrite, Ksamili është kthyer në qytezën ku zor se gjen kënd që nuk është dyerve të gjykatës, qoftë ky pretendent për t’u shpallur pronar, apo dhe i shpallur “investitor strategjik” nga qeveria.

Përgjatë 35 viteve, ajo që dikur quhej “perla e jugut” është zhytur në paligjshmëri, kaos dhe shëmti urbane. Ndërtime të shëmtuara, mungesë uji, rrjet i degraduar kanalizimesh dhe plazhe të zaptuara janë pasojat më të dukshme, ndërsa dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë një histori mafioze që nis me kultet fetare, sekserët e tokave, policët që marrin para për të lejuar ndërtime, drejtorë legalizimesh dhe hipotekash që zhvatin çdo gjë, e gjykata shqiptare që certifikojnë me lehtësi vendime tapish, duke e kthyer Ksamilin në një qytezë ku krimi i organizuar dhe interesat politike kanë lënë vulën e tyre të shëmtisë.

Prona, gjyqet dhe krimi i organizuar

Fshati i Ksamilit

Pas më shumë se 20 vitesh të kaluara mes dyerve të gjykatave dhe zyrave të hipotekave, Lirika Çoçoli përjetoi një ndjesi çlirimi në maj të vitit 2022, kur hodhi firmën për shitjen e rreth 20 hektarëve tokë në Ksamil, një sipërfaqe e konsiderueshme buzë detit, pranë zonës së njohur si “Pema e Thatë” dhe resortit luksoz Arameras.

Për të finalizuar shitjen, ajo kishte arritur të bindte edhe 33 trashëgimtarët e tjerë të Sulo Hysen Çoçolit, një ish-bej i njohur i zonës, të firmosnin dokumentacionin përkatës. Frika se nuk do të arrinin kurrë të gëzonin pronën e të parëve, i bashkoi të gjithë në një qëllim të përbashkët.

Edhe pse trashëgimtarët kishin fituar të drejtën e pronësisë përmes vendimeve gjyqësore, një pjesë e konsiderueshme prej 1320 hektarësh që ata pretendojnë se i përkiste stërgjyshit të tyre, nuk mund të regjistrohej në emrat e tyre për shkak të refuzimit të zyrës lokale të kadastrës në Sarandë.

Dokumentet tregojnë se mes palëve, institucioneve vendore dhe Avokaturës së Shtetit janë zhvilluar dhjetëra padi e kundërpadi, deri në korrik të vitit 2014, kur trashëgimtarët siguruan një titull ekzekutiv për regjistrimin e pronës.

“Prej vitesh nuk ia dolëm ta regjistronim, ndërkohë që prona jonë filloi edhe të zaptohej jo vetëm nga njerëz me pushtet, por dhe nga ndërtime pa leje,” – tha për “shteg.org”, një prej trashëgimtarëve të këtij fisi, Edlira Barbullushi.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, autoritetet zvarritën shqyrtimin e çështjes për më shumë se një dekadë, duke pretenduar për mbivendosje pronash.

“Na thoshin se kishte mbivendosje, ndaj nuk mund të regjistrohej prona. Në fund, nuk na mbeti tjetër veçse ta shisnim,” – tregon Lirika Çoçoli.

I vetmi që pranoi të merrte përsipër zgjidhjen e problemit me institucionet shtetërore ishte Klajdi Merkaj, një ndërtues i ri, atëherë i konsideruar i suksesshëm në sektorin e ndërtimit.

Kompania e tij, “Merkaj Invest”, kishte siguruar leje ndërtimi në disa nga zonat më të lakmuara të Tiranës, me projekte me vlera miliona euro.

“Ata morën përsipër që brenda një periudhe të ekzekutonin vendimin e gjykatës, të nxirrnin certifikatat e pasurive për të gjithë trashëgimtarët, ndaj edhe ne nënshkruam kontratën e porosisë duke i përcaktuar mirë kushtet,” – thotë Lirika.

Sipas kontratës së porosisë që trashëgimtarët nënshkruan me kompaninë, Merkaj merrte përsipër ekzekutimin e vendimit gjyqësor, nxjerrjen e certifikatave të pasurisë dhe përfundimin e procesit të regjistrimit brenda gjashtë muajve. Pagesa për tokën u caktua në 45 euro/m².

Megjithatë, sipas dëshmisë së Edlira Barbullushit, vlera reale e përfituar nga shitja ishte sa gjysma e çmimit të dakortësuar.

Pas kontratës, dyert e zyrës së kadastrës në Sarandë, të mbyllura për më shumë se një dekadë, u hapën brenda pak muajsh.

“Duke qenë se nuk e regjistronim dot, nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta shisnim, edhe pse çmimi i dakortësuar në kontratë në të vërtetë përfundoi sa gjysma e tij,” – tregon Barbullushi.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se Klajdi Merkaj ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Franc dhe Hajdar Çopjes, dy vëllezër të njohur në botën e krimit, të akuzuar për vrasje me pagesë, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas vendimeve të gjykatës dhe komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, Merkaj identifikohet si personi që menaxhonte vlera të mëdha monetare “cash” për llogari të Franc Gergely (Çopja), duke bërë transferime nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Në biseda me Franc Çopjen, Merkaj e informonte rregullisht për ecurinë e projekteve dhe kërkonte shuma të mëdha parash për “të lëvizur punët”.

“Shtetasi Klajdi Merkaj evidentohet si një nga personat e besuar që mban dhe menaxhon vlera monetare të konsiderueshme cash për llogari të shtetasit Franc Gergely,” – thuhet në vendimin e gjykatës.

Klajdi e informonte Çopjen për ecurinë e projekteve dhe i kërkonte shuma të konsiderueshme parash sa herë i dilte nevoja.

“Për të dy vendet jemi konsumuar lart për t’u realizu. Kemi marrë ok,” – i shkruan ai Franc Çopjes, ndërkohë që komunikimet e tyre u bënë pjesë e një dosjeje të zgjeruar të Gjykatës së Posaçme mbi organizatën “Çopja”.

Prokuroria e Posaçme deklaron se vetëm gjatë vitit 2022, organizata ka transferuar rreth 7.5 milionë euro në Shqipëri përmes strukturave financiare të sofistikuara që synonin pastrimin e parave të drogës përmes investimeve në ndërtim.

Prona prej 20 hektarësh në Ksamil, me tu regjistruar nga kadastra shtetërore, u shit me një vlerë prej 18 milionë eurosh.

“Na e zaptonin, nuk kishim mundësi ta mbronim më. E shitëm sepse nuk kishim zgjidhje tjetër,” – u shpreh një prej trashëgimtarëve Çoçoli për “shteg.org”.

Blerësi rezulton të jetë Endri Merkaj, binjaku i Klajdit, i cili mori në pronësi kompaninë “Merkaj 3” sh.p.k., e themeluar në vitin 2013 me aktivitet tregtar në shitjen e gomave. Aktualisht, kompania ka kaluar në sektorin e ndërtimit.

Endri Merkaj nuk iu përgjigj kërkesës së “shteg.org” për koment deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa prona në fjalë nuk figuron në listën e pasurive të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me vëllezërit Çopja.

“Çështja është në fazë hetimi dhe për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të bëhen publike më shumë informacione,” – deklaroi Prokuroria e Posaçme.

Trashëgimtarët e Sulo Çoçolit nuk janë të vetmit që kanë gjetur “zgjidhje” përmes personave që garantojnë firmosje të dokumenteve në institucionet shtetërore.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “shteg.org” në Ksamil janë me qindra procese gjyqësore të hapura mes trashëgimtarëve të ish-çifligarëve dhe “pronarëve” të rinj që janë shpallur të tillë me dokumente të falsifikuara dhe të legalizuara nga vendime gjykatash apo komisione të kthimit të pronave.

Ka dyshime se mijëra hektarë tokë në Ksamil janë tjetërsuar nëpërmjet falsifikimeve.

Aq e madhe është katrahura, sa ish-kryetari i taks-forcës së Qeverisë Rama, Alket Hyseni, deklaroi se shteti duhet të marr detin për të kompensuar “pronarët” e shpallur me vendime gjykatash.

“Ksamili është 1320 hektarë. Për të mbuluar të gjithë ‘pronarët’, na duhen 3 mijë hektarë, pra duhet të hyjmë në det. Tani kanë marrë edhe Parkun e Butrintit,” – deklaroi Hyseni në cilësinë e kryetarit të taks-forcës së kabinetit të parë të qeverisë Rama.

“Pika e vogël” që po fundos Ksamilin

Bashkim Dulaj

Rreth 33 vjet më parë, Bashkim Dulaj u vendos në kodrën e Manastirit, në hyrje të qytezës së Ksamilit. Asokohe, në këtë zonë të izoluar, shtëpitë e banimit numëroheshin me gishta, ndërsa i vetmi objekt i mbetur ishte një repart i braktisur ushtarak.

Me punë të ndershme dhe kursime nga emigracioni, Dulaj ndërtoi një shtëpi për familjen e tij. Legalizimi i saj u bë bashkë me 500 metra katrorë tokë, ndërsa ai ruan ende çdo dokument dhe pagesë që ka bërë në emër të shtetit për të drejtën e pronësisë. Sot, ai jeton aty me fëmijët dhe familjen.

Lagjja e Manastirit numëron mbi 200 shtëpi, të ndërtuara nga banorë të ardhur kryesisht nga zonat përreth. Pjesa më e madhe e tyre nuk zotëron dokumente pronësie, përveç faturave të legalizimit.

“Ne prisnim të merrnim tapitë e shtëpive, sepse kemi paguar çdo gjë sipas ligjit. Por më pas mësuam se procesi ishte pezulluar me urdhër nga lart,” – thotë Bashkimi.

Pak prej tyre kanë arritur të marrin certifikata pronësie, ndonëse u janë bërë premtime të përsëritura në çdo cikël zgjedhor.

Ndërkohë që banorët kërkonin zgjidhje nga institucionet, qeveria në Tiranë kishte plane të tjera për këtë zonë të lakmuar buzë detit, një nga pjesët më të vlerësuara të bregdetit shqiptar.

Në vitin 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi një projekt zhvillimor me vlerë 28 milionë euro: “Ksamil Seaside Resort & Residential – The Mirrors, Faza I”, i financuar nga shoqëria “Premium Finance Invest”.

Resorti është i parashikuara të zhvillohet në një sipërfaqe prej 139.358 m2 ku do të ndërtohen vileta dy katëshe me një sipërfaqe ndërtimi 32.575 m2.

Kompania projektuese – Projekti “Ksamil Seaside Resort & Residential – The Mirrors”
Kompania projektuese – Projekti “Ksamil Seaside Resort & Residential – The Mirrors”

Dokumentet tregojnë se vendimi u mor në të njëjtën periudhë kur banorët e Manastirit u informuan për pezullimin e procesit të certifikimit të pronave të tyre, ndërsa pronarët i ofruan institucioneve lokale edhe objektet që sipas tyre ishin ndërtuar në mënyrë informale.

Projekti për ndërtimin e resortit është firmosur nga ish-ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Edi Rama, ndërsa prona që do të ndërtohet resorti figuron të jetë Ilirjana Demiraj Çoçoli, një prej trashëgimtareve të familjes Çoçoli.

Për ironi, ndërkohë që një pjesë e qeverisë mbështeste projektin dhe e konsideronte si zhvillim strategjik turistik, një pjesë tjetër e saj përballej në gjykatë me po të njëjtët trashëgimtarë për pronësinë e tokave në zonë.

Avokatura e Shtetit, bashkë me zyrat lokale, është përfshirë në një proces të gjatë gjyqësor ndaj trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit, të cilët pretendojnë pronësinë mbi një sipërfaqe prej 1.320 hektarësh në Ksamil.

Sipas tyre, toka e trashëguar përfshin kufijtë “nga njëra anë deti, nga ana tjetër lumi Vivar, liqeni i Djallanit dhe kullota pranë Manastirit të Shën Gjergjit”.

Proceset gjyqësore janë zhvilluar mbi vendime të Komisionit Vendor të Kthimit të Pronave në Qarkun Vlorë, dhënë në vitet 2006–2007. Avokatura e Shtetit ka kundërshtuar vendimet, duke pretenduar se janë dhënë në shkelje të ligjit dhe cenojnë pronësinë shtetërore.

Sipas dokumenteve të Arkivit Shtetëror, Avokatura ka pretenduar bashkëpronësi të tokave të përfshira dhe ka listuar një sërë ligjesh të shkelura, përfshirë ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit” dhe ligjin “Për rezervat ujore”.

“Prona ndodhet në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit dhe përfshin edhe bregun e detit, çka e bën vendimin e komisionit të pavlefshëm,” – thuhet në një nga paditë e Avokaturës.

Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve, Avokatura e Shtetit e ka humbur betejën në Gjykatën e Lartë. Ironikisht, një nga përfitueset kryesore të këtij vendimi është pikërisht Ilirjana Demiraj Çoçoli, trashëgimtare dhe pronare e tokës mbi të cilën do të ndërtohet resorti luksoz në plazhin e Pasqyrave.

Ish-ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e ka cilësuar ndërtimin e këtij resorti si një “pikë të vogël” të projektit zhvillimor të turizmit në Ksamil. Por për banorët, kjo “pikë” po shndërrohet në fundin e shtëpive të tyre.

Sipas dëshmive, kompania që ka marrë lejen e ndërtimit ka vendosur tabela me planin e projektit pikërisht në zonën ku ndodhen banesat aktuale të banorëve të Manastirit.

Ky veprim ka shkaktuar protesta dhe frikë të përhapur mes familjeve, të cilat, megjithëse nuk janë zyrtarisht të njoftuar për ndonjë vendim për shembje, ndihen të kërcënuar nga çdo zhvillim i mëtejshëm.

“Tabelat janë sinjali i parë se do të humbasim shtëpitë dhe jetën që kemi ndërtuar me mund në këto vite,” – deklaruan ata për “shteg.org”.

Dokumentet tregojnë se, të paktën 19 banesa në Manastir janë evidentuar si ndërtime in-formale për të cilën është kërkuar shembja e banesave nga IKM-të apo mos vijimi i procedurave të legalizimit nga strukturat lokale në Sarandë.

Të gjithë të kërcënuar

Kryeministri Edi Rama me Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij Carla Bruni

Në fillimverën e vitit 2019, Ksamil u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare kur ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij Carla Bruni qëndruan në një resort luksoz në zonë, ndërsa Bruni mbajti një koncert në Teatrin Antik të Butrintit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës.

Më 22 qershor, Kryeministri Edi Rama publikoi qëndrimin e çiftit presidencial në rrjetet sociale, duke e cilësuar eventin si “foto e ditës” ndërsa pamjet tregonin momente relaksimi mes dy familjeve. Media zbuloi se çifti presidencial francez qëndroi në resortin “Kep Merli” e që nga ajo kohë, personazhe të njohur si vajza e Presidentit të Bashkuara të Amerikës, Ivanka Trump apo edhe Mira Murati janë përfolur se kanë pushuar aty, ndërsa gjiri i Ksamilit është cilësuar nga shumë si një prej më të bukurve në vend, shpesh i krahasuar me “Maldivet Shqiptare”.

Pavarësisht luksit që gëzojnë personazhet e famshëm dhe privatësisë që ofron resorti me 63 vila, dokumentet tregojnë një realitet tjetër.

Banorët e Manastirit nuk janë të vetmit që ndihen të “kërcënuar” nga vendimet e gjykatave që njohin dhe u rikthejnë pronat me dokumente të kontestueshme.

Projekti i vlerësuar nga qeveria si “investim strategjik” në turizëm, rezulton të ketë mbivendosje me pronat e rikthyera të trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit.

Për këto prona, Avokatura e Shtetit ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për ligjshmërinë e akteve, nëpërmjet të cilave ndër vite janë dhënë vendime nga zyrat lokale për kthimin dhe kompensimin e pronave, të cilat më pas janë ligjëruar me vendime gjykate.

Resorti Kep Merli

Dokumentet tregojnë se gjiri ku është miratuar leja e ndërtimit, në maj të vitit 2005 ishte pronë shtetërore, ndaj kompanisë iu dha statusi “person i stimuluar”.

Ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2009, për “rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat e zhvillimit të turizmit”, i dhanë të drejtë subjekteve që kishin këtë status të kalonin pronësinë dhe të privatizonin truallin me të cilin më herët kishin nënshkruar marrëveshje me shtetin shqiptar. Kjo e drejtë parashikohet edhe në rastin kur mbi truallin zonë e stimuluar ka pronarë të cilët janë njohur si të tillë pas vendimit të dhënies së statusit “person i stimuluar”.

Shoqëria që qëndron pas resortit turistik “Kep Merlit” aplikoi për privatizimin e truallit ku ishte ngritur resorti, ku sipas vendimeve gjyqësore, një sipërfaqe prej 210.469 m² i ishte njohur trashëgimtarëve Çoçoli.

Një vendim qeverisë Rama dhënë më 2015 hapi rrugën privatizimit të pronës duke miratuar edhe shpronësimin e trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit për këtë sipërfaqe.

Por, pavarësisht vendimit te qeverisë, procesi u ndërpre papritur. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezulloi procedurën e privatizimit pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

Në 2021 kur ASHK vijoi me lëshimin e faturës për blerjen e tokës u konstatua se kishte pasaktësi në mënyrën e llogaritjes se çmimit dhe në rilevimin topografik të zonës, pa-saktësi këto të konstatuara edhe nga Drejtoria e Apelimit dhe Bashkëqeverisjes.

Në tetor të 2021 një vendim i dalë nga ky institucion urdhëron ASHK-në të përmirësojë regjistrin kadastral dhe të vijojë procedurat e kalimit të pronësisë, por nuk është ekzekutuar nga kadastra lokale.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi gjetjet e “shteg.org” lidhur me çështjet e regjistrimit të pasurive në Ksamil.

Ndërkohë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila në shtator të vitit 2019 i akordoi kompanisë statusin e investitorit strategjik për realizimin e projektit “Kep Merli Eco Resort”, me një vlerë të parashikuar prej 78 milionë euro dhe një sipërfaqe prej 250 mijë metrash katrorë, sqaroi për “shteg.org” se kompetencat për çështjet e regjistrimin e pasurisë i përkasin ASHK-së, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë zhvilluese deklaruan se statusi i investitorit strategjik ka qenë më shumë formal sesa funksional.

“Procedura e dhënies së statusit të investitorit strategjik nuk ka qenë as efektive dhe as funksionale në praktikë për një projekt të përmasave dhe kompleksitetit të ‘Kep Merli’. Ai është trajtuar më tepër si një formulë teorike në letër sesa si një mekanizëm real dhe i zbatueshëm që ofron përfitime konkrete, mbështetje institucionale apo përshpejtim të proceseve administrative,” – u shpreh kompania për “shteg.org”.

Ligji për investimet strategjike, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2015, synonte të nxitë investimet në turizëm dhe sektorë të tjerë të prioritarë për zhvillimin ekonomik.

Çdo investim mbi 5 milionë euro, që krijon të paktën 80 vende pune, përfiton këtë status dhe përfshin mbështetje infrastrukturore nga shteti, si lidhje energjetike, ujësjellës, kanalizime dhe rrugë.

Të dhënat tregojnë se përfitimet më të mëdha nga këto procedura të thjeshtuara dhe të përshpejtuara i kanë marrë një grusht biznesmenësh vendas.

Fillimisht, afati për aplikim për statusin përfundonte në dhjetor 2018, por është shtyrë disa herë.

Në mars 2024, afati u shty sërish deri më 31 dhjetor, mes debateve të forta politike dhe mungesës së kuorumit parlamentar.

Një studim i organizatës “Qëndresa Qytetare” në vitin 2021 tregoi se shumica e investimeve të miratuara ishin vendase, të fokusuara në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, ndërsa transparenca dhe përfshirja e komuniteteve lokale ka qenë thuajse inekzistente.

Ekspertë dhe përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar ligjin si mjet që lehtëson shpronësimet dhe krijon presion ndaj pronarëve legjitimë, duke favorizuar kompani të lidhura me interesat qeveritare.

Për më tepër, kritikohet fakti që ligji ndërhyn në marrëdhëniet mes pronarëve privatë dhe investitorëve, duke ushtruar presion mbi pronarët për të pranuar marrëveshje, pasi në të kundërtën, shteti mund të ndërhyjë me shpronësime, shpesh për një vlerë më të ulët sesa ajo e tregut.

Një pronë fantazmë në zemër të Ksamilit

Zona më e frekuentuar në Ksamil

Ndërsa banorët e Manastirit përballen me vendime të diskutueshme që u rrezikojnë pronat, një tjetër histori në Ksamil hedh dritë mbi mënyrën se si prona publike është përvetësuar përmes dokumentesh të dyshimta, aktesh noteriale dhe vendimesh gjyqësore të kontestuara.

Në maj të vitit 2006, një shtetas me emrin Rebani Bocai i dha Kryegjyshatës Botërore Bektashiane një shumë prej 2 miliardë lekësh për të blerë një pronë në Ksamil që, sipas pretendimeve të kryegjyshatës, i përkiste asaj. Në kontratën e nënshkruar mes tij dhe Komitetit Bektashian, përfaqësuar nga Baba Besnik Fekushi, thuhet se pagesa u krye jashtë zyrës noteriale. Vetëm tre muaj më vonë, Bocai nënshkroi një kontratë të dytë, kësaj here marrëveshje qiraje për të njëjtën pronë, me vlerë 100 mijë dollarë për një afat 99-vjeçar, që do të paguhej në dy këste.

Bëhej fjalë për një sipërfaqe prej 137 hektarësh kullotë në Ksamil, një tokë dikur e përbashkët mes familjeve të mëdha gjirokastrite dhe institucioneve fetare, siç është “Teqeja e Zallit”. Secili prej tyre kishte një pjesë të caktuar të kësaj pasurie virtuale. Fjala vjen “Teqeja e Zallit” kishte 6/96 dikush tjetër 2/96 e kështu me radhë. Ata merrnin të ardhurat nga administrimi i këtyre kullotave të cilat ende nuk kishin kufij në terren, por vetëm sipërfaqe virtuale.

Në korrik të vitit 2006, një vendim i Gjykatës së Sarandës e njohu pronën në fjalë si pronësi të Teqesë, bazuar në një “zotim” të vitit 1927 sipas të cilit sipërfaqja ishte blerë nga Zylejha dhe Hanëme Riza Çoçoli.

Pavarësisht se dokumentet e zyrave të pronave përfshinin plot 8 vendime kontradiktore, prona në vitin 2009 u regjistrua përfundimisht në emër të Kryegjyshatës Bektashiane.

Pas regjistrimit, prona u nda dhe një pjesë e saj, rreth 250.000 m², përfundoi në duart e Rebani Bocait. Aty nisi një seri shitjesh me ritëm të shpejtë: toka kalonte nga një emër në tjetrin, përmes kontratave, garancive bankare, noterëve dhe regjistrimeve zyrtare.

Pjesë të pronës iu shitën shoqërisë “Dola” sh.p.k., “Ksamil Investment”, u përdorën për garanci në Union Bank, kaluan në pronësi të bankës Credins dhe madje përfunduan edhe tek përmbarues privatë.

Emra të tjerë si Bujar Nurka, Shkëlqim Beshiri, Rahman Selmanllari, Erion dhe Dashnor Cenokaci dolën si pronarët e radhës të tokës që fillimisht nuk ekzistonte.

Sipas një vendimi të vitit 2012, edhe vetë Bocait iu shpronësua një pjesë e tokës, që më pas kaloi në emër të palëve të tjera.

Banorët që jetonin në ato troje, shpesh pa dokumente, nisën të merrnin njoftime qiraje nga persona të panjohur. Disa protestuan, të tjerë u ankuan në komuna, shumë heshtën.

Komuna e Ksamilit nisi një betejë ligjore, kërkoi pavlefshmërinë e vendimit nr. 188, nisi kallëzim penal dhe përmes një relacioni drejtuar KLD-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë, pretendoi se toka ishte publike, se dokumentet ishin false dhe vendimet ishin marrë në shkelje të çdo ligji.

Petrit Aliaj ishte gjyqtari që gjatë viteve 2006–2009 firmosi katër vendime që e njohën tokën si pronë të Kryegjyshatës. Vendimet e tij filluan me një sipërfaqe të vogël, por përmes interpretimesh gjyqësore dhe pa asnjë hetim të thelluar mbi origjinën e dokumenteve, ai e zgjeroi pronën deri në 137.5 hektarë.

Pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2013, Gjykata dënoi tre zyrtarë të AKKP-së Petraq Puleri (1 vit e 6 muaj burg), Besnik Dine dhe Emiljana Pandazo (me nga 6 muaj) për shpërdorim detyre.

Edhe pse çështja penale provoi se prona ishte përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, vendimi i kthimit të pronës nuk u shfuqizua.

Përpjekjet e dështuara të qeverisë

Në kuadër të nismave për të ndalur abuzimin me tokat publike, qeveria “Rama” ngriti një task-forcë për verifikimin e vendimeve të dyshimta. Por prona e përfituar nga Kryegjyshata mbeti e paprekur.

As konkluzionet e grupit të punës të drejtuar nga Kryeministri nuk mjaftuan për të rrëzuar zinxhirin e falsifikimeve që qëndronte në bazë të pronësisë.

Më 30 maj 2018, Gjykata e Sarandës, me trup gjykues të përbërë nga Pëllumb Vehbi, Pashk Gjaci dhe Sokol Pina, rrëzoi padinë e ngritur nga Këshilli i Ministrave ndaj Kryegjyshatës.

Avokatura e Shtetit solli prova që tregonin se dokumenti i vitit 1927, mbi të cilin bazohej pronësia, ishte fals. Në të thuhej se toka ishte blerë nga dy vajzat e Riza Çoçolit, Zylejha dhe Hanëme.

Por një verifikim në regjistrat civilë vërtetoi se Çoçoli kishte vetëm një vajzë dhe një djalë, Selfo Çoçoli. Personazhet e aktit noterial rezultonin të sajuar.

Megjithatë, gjykata refuzoi të marrë në shqyrtim vërtetësinë e dokumentit, duke argumentuar se “njohja e pavërtetësisë së këtij dokumenti nuk është objekt i drejtpërdrejtë i këtij gjykimi.” një dokument i lëshuar nga Zyra e Hipotekës në Delvinë në vitin 1996, që i njihte pronësinë Kryegjyshatës, nuk ekziston më.

ZVRPP Sarandë konfirmoi se nuk figuron në asnjë inventar dhe nuk gjendet në librat hipotekorë.

Gjykata e justifikoi këtë mungesë duke cituar djegien e arkivit të Hipotekës së Delvinës gjatë trazirave të vitit 1997 dhe e quajti të pabazuar çdo pretendim për falsifikim.

“Gabimet e nëpunësve nuk mund të interpretohen si falsifikim. Mungesa e dokumenteve nuk është provë për pavlefshmëri,” thuhet në vendim.

Aktualisht, çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, ku Avokatura e Shtetit ka paraqitur ankim.

Ndërkohë, banorët e zonës që jetojnë në tokat e pretenduara nga Kryegjyshata janë të përfshirë në procese të ndara për të mbrojtur pronat e tyre. Por mungesa e një regjistri të qartë gjyqësor, mbivendosja e titujve dhe precedentët kontradiktorë e bëjnë pothuajse të pamundur ndjekjen e plotë të të gjithë çështjes.

Institucionet heshtin, ndërsa një pronë publike është ndarë, shitur dhe kthyer në një pasuri me pronësi të diskutueshme që sfidon çdo koncept të shtetit ligjor.

Nga një vend i ngritur me punë vullnetare në vitet ’80, Ksamili sot është kthyer në një qendër kaotike, ku ligji, pronësia dhe interesi publik janë deformuar nga abuzimi, korrupsioni dhe marrëveshjet në prapaskenë.

Qyteza e dikurshme është sot një makth për të gjithë: për ata që kanë zaptuar, për ata që janë mashtruar, për ish-pronarët që kanë mashtruar dhe janë mashtruar, dhe për turistët që në vend të “Maldivëve të Evropës” gjejnë një fshat ku krimi i organizuar dhe interesat politike kanë lënë vulën e tyre të shëmtisë.

/Shteg.org

Etiketa: ana e erretgjyqeKep MerliKsamilipeonaresorte

Lajme të lidhura

AKTUALITET

VIDEO/ Ina Zhupa në Ksamil: “Maldivet e Europës” u kthyen në një kosh plehrash

11:05 : 06/05/2025
AKTUALITET

10 vjet gjyqe për gjuajtjen e Ramës me vezë, ish-studentët kërkojnë drejtësi

16:01 : 07/03/2025
AKTUALITET

Po iu merret uji për t’ua çuar “strategjikëve” në Dhërmi, banorët e Tragjasit dalin në protestë

14:38 : 05/02/2025
AKTUALITET

Akt i rëndë vandalizmi, dëmtohen ikonat në kishën e Ksamilit

21:20 : 01/02/2025
AKTUALITET

150 mijë gjyqe të bllokuara! Kërkohet ndryshim i ligjit për të futur në gjykata këshilltarët ligjorë

20:02 : 18/01/2025
BOTA

Avokatët e Donald Trump i kërkojnë gjykatësit në Nju Jork të ndalë dhënien e dënimit

21:42 : 06/01/2025
Para

BBC: Vdekja misterioze e ministrit rus shërben si paralajmërim për elitën politike!

TË GJITHA

Renis Dobra u ndoq me makinë nga Burreli në Ulëz, sekuestrohen pamjet e kamerave

17:51 : 09/07/2025

Raporti i BE-së “shkund” Ramën, Nesho: Europa është ngopur me propagandën

17:46 : 09/07/2025

Tirana përforcon mesfushën, klubi njofton afrimin e pestë në merkato

17:37 : 09/07/2025

Po përgatiste sulme terroriste, arrestohet një boshnjak në Gjermani

17:36 : 09/07/2025

Veliaj u la në burg, avokatët ndërkombëtarë: Po shkelen të drejtat procedurale

17:24 : 09/07/2025

WizzAir mban peng shqiptarët, prej 2 orësh të bllokuar në avion

17:19 : 09/07/2025

CNN publikon audion ekskluzive: Trump kërcënoi Putinin me bombardimin e Moskës

17:12 : 09/07/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com