UEFA ka rrëzuar këtë të hënë ankesën e paraqitur nga Real Madridi në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj lojtarëve Antonio Rüdiger, Kylian Mbappé dhe Dani Ceballos, të cilat kishin ardhur pas ndeshjes së kthimit ndaj Atlético Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, e zhvilluar në mars.
Institucioni europian ka konfirmuar gjithashtu edhe gjobën ndaj klubit madrilen për sjelljen e një pjese të tifozëve gjatë përballjes kundër Arsenalit në Londër.
Rüdiger, Mbappé dhe Ceballos janë gjobitur përkatësisht me 40.000, 30.000 dhe 20.000 euro për “shkelje të rregullave themelore të sjelljes së denjë”, sipas nenit 11.2.b të rregullores disiplinore të UEFA-s.
Këto sanksione vijnë pas ankesës së Atlético Madridit për gjestet e lojtarëve të Realit pas përfundimit të derbit.
Mbrojtësi gjerman u dënua për gjestin me dorë në qafë, ndërsa sulmuesi francez u gjobit për provokime ndaj tifozëve kundërshtarë. Edhe Dani Ceballos u ndëshkua për një sjellje të ngjashme.
Përveç gjobave, Rüdiger dhe Mbappé janë pezulluar me nga një ndeshje në kompeticionet e UEFA-s, por ky pezullim është me kusht për një vit dhe do të ekzekutohet vetëm në rast përsëritjeje të shkeljes.
Në vendimin e saj, UEFA ka theksuar se nuk ka arsye për të anuluar vendimet e marra nga Komiteti i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës më 4 prill, duke sqaruar se “ankesa e paraqitur nga Real Madrid C.F. është rrëzuar.
Si rrjedhojë, vendimi i Komitetit mbetet në fuqi.”
Nga ana tjetër, UEFA ka bërë të ditur se nuk është hapur asnjë procedurë disiplinore ndaj Vinícius Júnior, pavarësisht se ai u përmend nga tifozëria kundërshtare gjatë atij derbi.
Rasti i incidentit racist në “Emirates Stadium”
Gjithashtu, Komiteti i njëjtë ka konfirmuar një dënim tjetër për Real Madridin për një ngjarje të ndodhur gjatë ndeshjes së parë çerekfinale ndaj Arsenalit, më 8 prill, në Londër.
Në atë takim, një tifoz i Real Madridit kreu një përshëndetje naziste, një akt i cilësuar si sjellje raciste sipas nenit 14.2 të rregullores disiplinore të UEFA-s.
Për këtë incident, Real Madrid është gjobitur me 15.000 euro dhe i është ndaluar shitja e biletave për tifozët e tij në ndeshjen e radhës si mysafir në kompeticionet europiane.
Megjithatë, edhe ky dënim është pezulluar me kusht për një vit dhe do të hyjë në fuqi vetëm në rast përsëritjeje të shkeljes.