Në bregdetin shqiptar, përdorimi i pakontrolluar i motorëve të ujit (jet ski) po kthehet në kërcënim serioz për pushuesit. Mungesa e kontrolleve, licencave dhe edukimit mbi sigurinë, bashkë me prioritetin që u jepet fitimeve, ka sjellë aksidente fatale. Ekspertët kërkojnë masa urgjente: rregulla strikte, inspektime, trajnime dhe bashkëpunim institucional, për ta bërë turizmin detar të sigurt.
Në bregdetin e Sarandës, buzë detit e shqetësuar një mama priste gjithë ankth të birin, i cili sapo kishte marrë me qira një motor uji, 120 euro për 30 minuta për të ngarë një mjet të rrezikshëm. I riu ishte ngjitur për herë të parë në një mjet ujor, pa përvojë dhe pa kontroll, rrezikonte veten e pushuesit aty pranë!
Në kulmin e sezonit turistik, kur plazhet mbushen me pushues dhe deti kthehet në argëtim për ata që shijojnë ditët me diell, rreziku jo pak herë gjendet aty pranë.
Në vitet e fundit, dhe sidomos këtë verë, motorët e ujit, të njohur si Jet Ski, janë kthyer në një burim serioz rreziku në bregdetin shqiptar. Kjo për shkak të mungesës së kontrollit, përdorimit të pakujdesshëm dhe shpeshherë nga persona të papajisur me njohuritë bazë të drejtimit të tyre.
Këto arsye kanë bërë që këta individë ta shndërrojnë detin nga një hapësirë çlodhjeje në një territor të pasigurt.
Përdorimi i mjeteve ujore, veçanërisht Jet Skive, gomoneve apo varkave të vogla, janë kthyer në një atraksion turistik të përmasave të mëdha, por edhe një mjet fitimi i shpejtë i sektorit të turizmit.
Megjithatë, janë rritur me shqetësim edhe numri i aksidenteve dhe fatkeqësive. Incidentet fatale, plagosjet dhe dëmtimet e rënda kanë nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sigurinë ujore.
Sinjalizo ka komunikuar me Policinë Kufitare, e cila tregon se që në nisje të këtij sezoni u regjistruan 3 aksidente detare, ku njëri prej tyre për fat të keq përfundoi me pasoja tragjike, duke shkaktuar vdekje dhe 3 të dëmtuar.
Ekspertët tregojnë se cilat janë disa nga shkaqet e këtyre aksidenteve: së pari, përdorimi i paautorizuar i motorëve të ujit.
Fatjon Softa, njohës i sigurisë ujore, thotë se shumë aksidente shkaktohen nga përdorimi i Jet Skive pa licencë, të cilat përdoren nga persona që nuk kanë njohuri për drejtimin dhe protokollet elementare të sigurisë.
Gjithashtu, mungesa e një “libri regjistrimi” që dokumenton lejen për drejtimin dhe verifikimin e përshkruar nga ligji, e bën të pamundur gjurmimin dhe përgjegjësimin e atyre që i posedojnë këto mjete.
Përdorimi i alkoolit dhe lëndëve narkotike është një tjetër shkak që mund të kthehet në rrezik.
Kontrollet rutinë për alkoolin dhe substancat e ndaluara te drejtuesit e mjeteve ujore janë të pakta, dhe mungojnë sanksionet efektive për shkelësit. Eksperti Softa i konsideron këto rreziqe si dobësi fleksibile në sigurinë ujore, që kur përzihen me mungesën e kontrollit institucional, krijojnë një ambient përshtatës për aksidente.
Mosnjohja e sigurisë ujore dhe protokolleve.
Shqipëria vuajti në të kaluarën nga mungesa e edukimit lidhur me sigurinë në ujë, veçanërisht te të rinjtë dhe vizitorët e huaj që nuk njihnin protokollet. Kjo neglizhencë shfrytëzohet edhe nga operatorët turistikë, të cilët shpesh i japin përparësi aspektit ekonomik ndaj mekanizmave të sigurisë, duke anashkaluar pajisjet dhe instruktorët e kualifikuar.
Po ashtu, në një pjesë të bregdetit ende ka mungesa të rojeve bregdetare apo dhe pajisje mbikëqyrjeje.
Ligje të forta dhe zbatueshmëri e dobët
Edhe pse Shqipëria ka një kornizë të qartë ligjore, si për shembull ligji për menaxhimin e plazheve, rregullore për ndarjen e zonave ujore dhe udhëzime të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, zbatimi është i fragmentuar. Jo pak herë mungesa e koordinimit mes Policisë Kufitare, pushtetit vendor dhe aktorëve lokalë e sektorëve të tjerë pengon reagimin efektiv.
Ndarja e përgjegjësive midis aktorëve, si Policia Kufitare për kontrollet teknike dhe ligjore, pushteti vendor sa i takon logjistikës bregdetare dhe operatorët turistikë, shpesh sjell mungesë koordinimi. Nuk ekzistojnë platforma të përbashkëta apo baza të centralizuara për menaxhimin e situatave emergjente në ujë.
Kjo e bën edhe më të vështirë shmangien e aksidenteve apo minimizimin e tyre.
Në nisje të këtij sezoni turistik, bregdeti shqiptar u përgjak. Më 2 qershor 2025, një aksident tragjik në Durrës bëri që mjeti të humbasë kontrollin dhe një shtetas 34-vjeçar nga Anglia (O.S.) humbi jetën, ndërsa një tjetër, V.B., 31 vjeçe, mbijetoi por ishte në gjendje shoku. Po ashtu, një tjetër ngjarje u shënua pak ditë më vonë, por këtë herë pa pasoja në jetë. Referuar operacioneve policore,
Policia Kufitare raportoi në 2025: 128 masa administrative, 80 mjete lundruese të bllokuara, 1,241 mjete të kontrolluara. Krahasuar me 2024: 93 masa, 70 mjete të bllokuara dhe 1,162 mjete të kontrolluara.
Kjo tregon një intensifikim të kontrollit dhe patrullimit, por fatkeqësisht jo edhe reduktim me shpejtësi të aksidenteve me pasojë vdekje.
Rritja e turizmit me hapa tejet të shpejtë ka vënë në pah edhe mungesën e përvojës që vendi ynë ka në përballimin e sfidave që sjell ngritja e sektorit të turizmit. Menaxhimi i një sërë elementeve është dhe prova që kanë institucionet, bizneset dhe shoqëria.
Shifrat e mbledhura nga Sinjalizo nga aktorët kryesorë siç është Ministria e Turizmit apo Policia tregojnë se prej vitit 2023 janë certifikuar rreth 170 operatorë turistikë në shërbime ujore, si surf, zhytje, motor uji, etj.
Kjo solli dhe krijimin e një sektori të dedikuar siç është Policia Kufitare, e cila ka një flotë të dedikuar patrullimi përgjatë vijës bregdetare, me 35 mjete lundruese (Jet Ski) dhe 105 punonjës të trajnuar. Ky mekanizëm i krijuar dy vitet e fundit u duk se pati rezultate vitin e shkuar, duke qenë se nuk pati fatalitete në det gjatë vitit 2024, por për fat të keq ky sezon tregoi që nuk është e mjaftueshme.
Kështu që, krahas kësaj flote, janë vendosur radarë në Dhërmi dhe Shëngjin, kamera dite/nate, dronë dhe sisteme kontrolli biometrike për dokumentacionin.
Po ashtu, nënkryetari i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, tregon se janë vendosur bobat e ujit, deri tek distanca ku lejohet të notohet, dhe aty nuk mund të futen mjetet lundruese, duke bërë që pushuesit të jenë të sigurt. Himara duket se është treguar tejet e rreptë ndaj aksidenteve ujore, pas ngjarjes tragjike që helikat e një varke shkaktuan vdekjen e një vogëlusheje që po lahej buzë bregut.
Sezoni turistik përballë sfidave
Përmirësimi i problematikave, apo të rreziqeve që kanosen, fillimisht nis nga shoqëria. Përgjegjshmëria duhet të jetë tek çdo qytetar, nga ai që merr për t’u argëtuar një mjet të tillë deri tek ai që zhvillon një aktivitet të tillë.
Zbatimi i ligjit duhet të jetë parësor për të gjithë.
Për fat të keq, edhe kur ekzistojnë udhëzime dhe bashkëpunim institucional, realiteti përshkruhet me vonesa, pritje dhe shpesh interesi ekonomik e sfidon, duke bërë që paratë të joshin më shumë se siguria e vetë jetës.
Në disa plazhe vërehet dëshira dhe përpikëmëria për të respektuar rregullat, por nuk ka standarde të njëjta të prodhimit të rregullave për distancën nga bregu, shpejtësinë, përdorimin e jelekëve, etj.
Rrjedhimisht, turistët e huaj, operatorët dhe të rinjtë veprojnë sipas logjikës së tyre, jo pak herë që bie ndesh me ligjin!
Megjithatë, ndërgjegjësimi publik, sidomos për turistët e huaj që nuk njohin rregullat vendase dhe kanë pak informacion për rreziqet dhe protokollet pothuajse të panjohura, është i domosdoshëm dhe jetik.
Ekspertët rekomandojnë një sërë elementesh që të përmirësohet ky peizazh.
Duke nisur nga shtimi i kontrolleve bregdetare, apo i rojeve të vijës nga Velipoja në Ksamil, trajnime të vazhdueshme dhe përdorimi i certifikimeve ndërkombëtare. Po ashtu, me rëndësi është dhe përcaktimi vizual i zonave: për not, për lundrim, për hyrje-dalje të motorëve apo mjeteve të tjera lundruese.
Një tjetër element është vendosja e korridoreve për hyrje e dalje të mjeteve dhe distanca sigurie nga bregu.
Kryesore janë inspektimet, si kontrolli i autorizimeve, alkoolit dhe drogës, gjoba të rrepta për abuzuesit dhe operatorët. Në vijueshmëri duhet të rritet edhe informimi dhe edukimi i të rinjve mbi rreziqet e mosdisiplinës në ujë.
Është e rëndësishme që të ketë një koordinim midis Policisë Kufitare, Emergjencës Civile, bashkive, Ministrisë së Turizmit dhe operatorëve. Po ashtu, nuk duhen lejuar fëmijët pa mbikëqyrje pranë ujit. Vetë pushuesit duhet të kenë kujdes për distancën e duhur nga mjetet motorike. Duhen shmangur manovrat dhe kërcimet e papritura.
Aksidentet ujore në Shqipëri vijnë nga një sërë shkaqesh, që nisin nga shoqëria e vijojnë tek institucionet përkatëse. Edhe pse janë bërë përparime, veçanërisht nga viti 2023 e më tej, boshllëqet në përputhshmërinë e ligjit, sinjalistikë, rojet bregdetare dhe ndërgjegjësimin publik bëjnë që mjetet ujore të vijojnë të mbeten rrezik në sezon.
Për të garantuar që sezoni veror të mos kthehet në sezon tragjik, është tejet i nevojshëm implementimi i menjëhershëm i reformave të listuara: nga trajnimet e rojeve bregdetare, sinjalistika standarde, inspektimet rigoroze dhe ndërtimi i një bashkëpunimi të frytshëm të gjithë aktorëve të përfshirë.
Vetëm kështu do të mund të shndërrojmë mjetet ujore nga burim aksidentesh në instrumente argëtimi të sigurt, në përputhje me aspiratën e Shqipërisë për një turizëm detar modern, të qëndrueshëm dhe pa viktima.
/ Denada Jushi – ACQJ