Ligji për investimet strategjike është kundërshtuar prej vitesh nga forcat politike opozitare, e së fundi dhe nga institucionet ndërkombëtare të vendeve partnere me Shqipërinë: Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Janë 3 projekte të cilat kanë marrë këtë status në mbledhjen e datës 10 prill të këtij viti, 1 muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Një nga pronaret e televizionit kombëtar Top Chanel, Lorela Hoxha ka përfituar statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë” për projektin “Anima”. Projekti do të zhvillohet nga kompania “Anima Con” në pronësi të zonjës Hoxha dhe “EB Construction” në pronësi të Ilir Bregasit.
Në këtë investim parashikohet ndërtimi i një kompleksi multifunksional në fushën e hotelerisë, shërbimeve dhe rezidencave të banimit, në zonën e qendrës së kryeqytetit. Ndërtimi do të kapë një vlerë investimi prej 55.6 milion euro dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9600 metra katrorë, ku 7900 metra katrorë janë në pronësi të subjekteve aplikuese përmes kontratave të sipërmarrjes dhe 1700 metra të tjerë janë në fazë negocimi me pronarët e truallit.
Investitorët kanë kërkuar procedurë të asistuar për të marrë me afate të përshpejtuara lejet dhe licencat për të nisur punimet e projektit.
“Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet subjekteve aplikues dhe projektit të investimit “ANIMA” për një periudhë 3 vjeçare. Duke qenë se subjektet aplikues në zbatim të legjislacionit të investimeve strategjike, kërkojnë si masë mbështetëse vetëm asistimin me procedurë të përshpejtuar, ngarkohen subjektet aplikues që brenda 9 muajve nga njohja me këtë vendim të vendosin në dispozicion të Sekretariatit Teknik dokumentacionin e plotë dhe të përditësuar të pasurive që preken nga ky investim dhe të kontratave të disponimit të pronave me palët private”, thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Kompania EB Construction është themeluar në vitin 2019 dhe ka aktivitet në fushën e ndërtimit, bujqësisë dhe shitjes së energjisë elektrike. Të ardhurat e saj për vitin 2023 kapën vlerën 3.1 milion euro, ndërsa firma në pronësi të Lorela Hoxhës është regjistruar në vitin 2022 dhe ka një kapital me vlerë 1 mijë euro dhe zero të ardhura.
Kompanitë nuk përmbushin kushtin për të qenë investitore strategjike, pasi të ardhurat e vitit të fundit, ose vlera e kapitalit të tyre duhet të ishte 10% e shumë së investimit, çka i korrespondon shifrës 5.5 milion euro. Megjithatë rregullat e vendosura në aktet nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike lënë të hapur mundësinë për të lënë garanci bankare për kapitalin e investimit.
Dhënia e statusit strategjik për ndërtime rezidenciale që janë jashtë tagrit të ligjit për investime strategjike, i cili ka të përcaktuar fushën e turizmit, sektorin energjetik dhe minerar, infrastrukturën, mbetjet urbane, turizmin, bujqësinë dhe zonat e teknologjisë për zhvillim, e bën të diskutueshme dhënien e këtij statusi për ambiente banimi, ku kriterin e plotëson vetëm hoteli që do të ndërtohet.
Familja Hoxha e cila ka në zotërim një nga televizionet më të mëdha në Shqipëri nuk është e vetmja që ka marrë statusin “Investitor Strategjik”, familja Dulaku po ashtu pronare e televizionit Vizion Plus, ka marrë dy herë këtë status për projektin e ndërtimit në plazhin e Dhërmiut “Gone Perivol” me vlerë investimi 32.5 milion euro dhe për projektin turistik “San Pietro”.
Edhe familja Frangaj, pronare e televizionit kombëtar Klan ka blerë hotelin White Roads, një investim strategjik i shpallur në vitin 2022 kur aplikoi për marrjen e këtij statusi kompania Gjikuria. Aleksandër Frangaj ka marrë pronësinë e hotelit me 150 dhoma, restorante dhe qendër SPA në datën 24 prill të këtij viti.
Fillimisht kompania Gjikuria në pronësi të Milo dhe Florenc Gjikurisë, përfitoi 9157 m2 tokë shtetërore në vijën bregdetare të Gjilekës pranë fshatit Dhërmi. Kjo pronë u morr me qira 1 euro për 99 vjet. Në total sipërfaqja që do të ndërtohet është 12,157 m2 dhe vetëm 3000 m2 ishin pronë private e kompanisë që në projekt është zotuar të investojë 10 milionë euro.
Më 29 gusht të 2022, Këshilli i Ministrave autorizoi transferimin e zonës kadastrale 1739 për pasurinë truall, pronar i së cilës është shteti shqiptar, në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike dhe më pas kjo tokë është vendosur në dispozicion të këtij projekti.
Një tjetër status investitor strategjik është miratuar për projektin “Grand Hotel Borsh” i cili ka marrë më parë statusin “special” për shkak të brandit Radisson Hospitality Belgium dhe tashmë kërkon marrjen e të drejtës për të shfrytëzuar vijën bregdetare në zonën e Borshit për 30 vjet.
Në zonën e Korçës, përmes statusit Investitor Strategjik me procedurë të asistuar ka përfituar 10 mijë m2 truall kompania “Investment and Development Albania” në datën 1 shkurt të vitit 2023. Green House Korça do të jetë emri i hotelit me 5 yje, ku parashikohet një kapacitet me 94 dhoma, restorante dhe SPA me vlerë investimi 18.1 milion euro.
Miratimi i këtij statusi është bërë për një kompani e cila është krijuar në vitin 2019 , por që nuk rezulton të ketë patur aktivitet të lartë tregtar.
“Projekti zë një sipërfaqe totale prej 10,000 m², në Zonën Kadastrale 8561 përfshihet në Zonën me Përparësi Zhvillimin e Turizmit. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të propozuar në Këshillin e Ministrave vendimin për vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore për realizimin e projektit të investimit strategjik “Green House Korça Resort”, thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Fillimisht aksionerë të kësaj kompanie rezultojnë të jenë Gerian Kuka me 30% të kuotave, Ilir Shtufi me 30% dhe Agim Zeqo 40%. Pas marrjes së statusit Investitor Strategjik, aksionet i kalojnë Agim Zeqos, nuk dihet nëse kjo procedurë është bërë me miratimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, por deri më sot nuk ka asnjë vendim të tillë.
Hije dyshimi shtohen mbi këtë procedurë për shkak se dhënia e statusit është bërë kur aksionerë kanë qenë Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi, i pari ka qenë i hetuar në dosjen e SPAK të hetimit të ish zv-kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa disa projekte të z.Shtufi dhe z.Zeqo si kulla Mount of Tirana janë kallzuar nga Partia Demokratike në Prokurorinë e Posaçme, e cila ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur hetimet paraprake për këtë projekt.
Thithja e kapitaleve të huaja përmes ligjit të investimeve strategjike, mbeti e shkruar vetëm në relacionin shoqërues të projektligjit gjatë miratimit dhe ashtu duket se mbetën dhe efektet që do të prodhonte kjo nisëm.
Shumica e projekteve që janë miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike janë në fushën e turizmit, 40 projekte nga 53 që kanë marrë statusin special ‘strategjik’ në total. 6 të tjera janë në sektorin e bujqësisë, 4 në industri dhe 3 në energji.
/Emisioni “Kronos”
Rama shpall Lori Hoxhën “investitore strategjike”. Pronarja e Top Channel, kompleks në Tiranë