Udhëtimet me charter, që kushtojnë dhjetra mijëra euro, të kryeministrit të vendit me të ardhurat më të pakta për frymë në Europë, janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në vendin tonë. Shkak u bë një raportim i pak ditëve më parë, ku mediat publikuan videon teksa Edi Rama zbriste nga një avion privat në aeroportin Schiphol-it të Hagës, për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.
Bëhet fjalë për një avion charter të tipit “Gulfstream Aerospace G-IVSP” me regjistrimin “TC-EMR”, që sipas raportimeve mediatike kushton minimalisht 35 mijë euro vetëm vajtje dhe me prenotim rreth një muaj para. Por, mbetej mister se kush e kishte paguar këtë udhëtim kaq të kushtueshlm të kreut të qeverisë.
E pyetur nga BIRN se sa kishte shpenzuar qeveria për udhëtimin e Ramës drejt Hagës, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se edhe ky udhëtim ishte mbuluar nga marrëveshja kuadër që Kryeministria ka me kompaninë private, “Air Albania”.
“Kryeministria nuk ka paguar ndonjëherë dhe nuk paguan për chartera, por ka një marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania, në një shumë vjetore mesatare të shpenzimeve vjetore të kryeministrit në vitet paraardhëse,” tha MIA në një përgjigje me shkrim.
“Arsyeja e marrjes së avionëve të ndryshëm nga kompania Air Albania lidhet me periudhat kur avioni qeveritar ALBANIA është në mirëmbajtje teknike. Dhe në këto raste është kompania Air Albania që merr masa, duke vendosur në dispozicion avionë të tjerë,” – shtohet në përgjigje.
Lidhur me këtë përgjigje nga ana e Kryeministrisë ka ardhur një reagim nga gazetarja e ekonomisë Ola Xama, përmes një postimi në rrjetet sociale, e cila rikujton një përgjigje të vetë Edi Ramës për udhëtimet e tij me avion privat.
Sipas gazetares, Rama ka deklaruar se ka një marrëveshje me kompaninë “Air Albania”, ku kjo e fundit përfiton publicitet dhe klientelë nga kryeministri, ndërsa kreu i qeverisë shpenzimet për udhëtimet luksoze.
“Sipas të dhënave të Drejtorisë së Thesarit, mes Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania apo ortakëve të saj (Turkish Airlines, MDN Investiment dhe Albcontrol), nuk ka asnjë pagesë për shërbimin e fluturimit që kompania i ofron kryeministrit Edi Rama.
Teza më e mundshme është një shpjegim që ka dhënë vetë z.Rama dikur, kur ka thënë se ka lidhur një marrëveshje promocionale me kompaninë, ku Air Albania përfiton publicitet e klientelë, ndërsa kryeminsitri mbulon shpenzimet për udhëtimet luksoze.” – shkruan gazetarja.
Nisur nga kjo deklaratë Ola Xama shtron më tej pyetjen se pse Edi Rama nuk e ka deklaruar këtë marrëveshje në Deklaratën Vjetore të Pasurisë dhe Interesave Privatë. Ajo sjell rastin e kryebashkiakut të New York-ut, i cili është akuzuar për ryshfet, pasi kishte marrë bileta të klasit “business” nga kompania “Turkish Airlines”.
“Një vit më parë, për një rast të ngjashëm kryebashkiaku i New York ,Eric Adams, është akuzuar zyrtarisht nga prokuroria për rryshfet pasi ka marrë bileta të klasit “business” e ku për koicidencë pala që i ka ofruar ka qënë kompania Turkish Airlines.” – shkruan gazetarja.
Xama thekson edhe faktin se kompania “Air Albania”, në bilancin e saj rezulton me humbje të vazhdueshme që prej vitit 2019 dhe pse ky rast i mundshëm i konfliktit të interesit nuk hetohet nga SPAK dhe ILDKPKI.
“Po të shohësh të dhënat financiare të shoqërisë Air Albania, sheh se kompania rezulton me humbje të vazhdueshme prej vitit 2019 deri në fund të 2024. Humbjet kapin vlerën 52 milion USD dhe kalojnë me 1000 herë vlerën e kapitalit.
Pra, ‘de facto’ kompania është në faliment! Po t’i shtojmë kësaj shifre dhe 53 milion USD detyrime që ka ndaj palëve të treta, gropa financiare e Air Albania arrin në 105 milion USD.
Atëherë çfarë ka përfituar kjo firmë nga promovimi që i ka bërë kryeministri Edi Rama pasi nuk ka asnjë teori ekonomike që të shpejgojë rritjen e buxhetit të marketingut kur gropa financiare thellohet?!
Si ka mundësi që asnjë nga institucionet e pavaruara si ILDKPKI dhe SPAK nuk hetojnë një konflikt të mundshëm interesi dhe nuk shtrojnë këto pyetje?” – përfundon gazetarja postimin e saj.
Air Albania, që nga momenti i themelimit e deri më sot nuk ka bërë publike në asnjë moment bilancet ekonomike. Por edhe ortakët shqiptarë, si Albcontrol dhe MDN Investimet, nuk kanë bërë publike të dhënat financiare të kësaj kompanie. Po ashtu as Autoriteti i Aviacionit Civil, edhe pse e ka përgjgejësi, nuk e ka monitoruar shëndetin financiar të Air Albania.
Ndërsa, Turkish Airlines, ka bërë publike të gjitha humbjet dhe detyrimet e Air Albania nga viti 2019-2024, ku rezulton se në total janë 105 milionë dollarë humbje dhe borxhe të kompanisë shqiptare vetëm për Turkish Airlines.
Edi Rama është akuzuar disa herë nga opozita për udhëtime të kushtueshme me avionë privat charter, madje në vitin 2023, mazhoranca socialiste refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mbi udhëtimet e kryeministrit dhe se kush i ka mbuluar shpenzimet.
Që prej vitit 2020, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit të Edi Ramës mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Airbus A319-100′. Aeroplani i konfigurimit ‘Vip’ mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë. Sipas të dhënave që ka bërë më herët publike Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kjo e fundit faturohet nga Air Albania për 25 orë fluturimi në vit dhe pjesën tjetër “marrësi i shërbimit e përfiton me tarifë zero”.