Ardon Jashari dëshiron të veshë fanellën e Milanit. Klubi kuqezi, që ndërkohë ka përshpejtuar negociatat për të mbyllur transferimin e Samuele Ricci-t, është në bisedime me Club Brugge për mesfushorin zviceran. Deri tani, ofertat e Milanit nuk kanë bindur, pasi klubi belg kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Sipas raportimeve të fundit nga gazetari Matteo Moretto, Jashari u ka komunikuar drejtuesve të Club Brugge dëshirën e tij për t’u transferuar te Milani. Ky qëndrim ishte i njohur prej kohësh, por tashmë është bërë zyrtar, gjë që mund të ndryshojë rrjedhën e negociatave.
Klubi belg, pasi ka refuzuar dy oferta të Milanit, është në pritje të një propozimi të ri që të kalojë shumën prej rreth 32 milionë eurosh (përfshirë bonuset), që deri tani ka qenë oferta më e lartë e kuqezinjve.