Milot Rashica mund të largohet nga Turqia në merkaton e verës.
Ylli kosovar kaloi një sezon pozitiv me Besiktasin dhe ai mund ta bëjë një hap të madh në javët në vazhdim.
Në fakt, mediat turke raportojnë se përfaqësuesi kosovar mund të përfundojë në Serie A në sezonin 2025-2026.
Më saktësisht, thuhet se Genoa ka bërë ofertë zyrtare për ish-futbollistin e Vitesses, Werder Bremenit, Norwich Cityt e Galatasarayt.
Klubi italian i ka bërë gati 8 milionë euro për kartonin e anësorit ofensiv, ndërsa gjiganti turk duket se i kërkon të paktën 9 milionë.
Pra, palët janë shumë afër mes ofertës dhe kërkesës. Rashica, pas eksperiencave në Bundesligë e në Premierligë, mund të rikthehet në një ligë tjetër të fortë evropiane, më saktësisht në Serie A.
28-vjeçari i ka zhvilluar 41 ndeshje me Besiktasin në sezonin 2024-2025 duke realizuar 5 gola dhe duke i bërë 12 asistime në të gjitha garat.
Vushtrriasi ka kontratë me klubin nga Stambolli deri në vitin 2027, por nuk përjashtohet mundësia që të largohet prej aty në këtë verë.