• Kontakt
Friday, June 13, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Skandali/ Më pak ushqim dhe në godina të amortizuara, fëmijëve të jetimoreve po iu rrezikohet shëndeti

20:43 : 12/06/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE, SOCIALE

Kur një fëmijë vjen në jetë e qara që kumbon anembanë është thirrja për kujdes prindëror. Por jo të gjithë prindërit mund t’u përkushtohen të vegjëlve të tyre dhe jo të gjithë fëmijët rriten pranë gjirit të ngrohtë të familjes. Të dorëzuar përballë vështirësive ekonomike dhe sociale, prindërit e braktisin fëmijën duke e lënë në jetimore. Ndryshe nga këta prindër, shteti nuk i braktis kurrë sepse asnjëherë nuk ka qenë pranë tyre.

Angjela Radovani, drejtoreshë në “Shtëpia e Fëmijës” në Shkodër po ndjek në gjykatën e Shkallës parë Shkodër, një gjyq, ku nëna ka braktisur një fëmijë të sapolidnur për ta bërë zyrtarisht pjesë të shtëpisë së fëmijës shprehet që po shkelet interesi me i lartë i fëmijës.

“Kemi një tejzgjatje të seancave, një proces që ka shumë muaj që ka vazhduar. Fëmija është 16 muajsh dhe vazhdon qëndron tek ne për shkak të burokracive dhe të vlerësimit se ca është më e mira për këtë fëmijë.”- u shpreh Radovani.

Streha për fëmijët pa kujdes prindëror kthehet në një kështjellë që i mbron nga ftohtësia dhe rreziqet e botës së jashtme, por mungesa e prindërve ngre pyetje të vështira, që askush nuk mund t’i përgjigjet.

“Kur realizohen birësime, vijnë dhe më drejtohen mua, po mua kur do ma gjesh një mami?”- tha Angjela Rodovani.

Lexo edhe:

VIDEO/ Zbulohet “çerdhja e ferrit” në Itali, mes fëmijëve të keqtrajtuar edhe shqiptarë

Shtohen fëmijët alergjik në Shqipëri, mjekja: Mos u vetëmjekoni

Në episodin e sotëm, emisioni “Vetting” do të evidentojë problematikat kryesore me të cilat hasen jetimët, kur shteti në vend që të gjejë zgjidhjen më të mirë, birësimin, kthehet në një makinë burokratike, vonesat e të cilës bien mbi zhvillimin e fëmijës. Jo vetëm kaq, por fëmijët në çdo jetimore sot kanë ushqim më pak se dje, sepse Shërbimi Social Shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kanë bërë indeksimin e çmimeve.

Gjykata e Shkodrës zvarrit vendimin për foshnjën

Qendra e Fëmijëve në Shkodër, e cila përkujdeset për fëmijët e braktisur apo që kanë humbur të dy prindërit, për rastet e shumë prej foshnjeve ndiqen procedurat ligjore sepse që në momentin e lindjes së tyre, shumë prej tyre janë lënë në maternitet. Mungesa e mbështetjes, varfëria, papunësia apo edhe probleme të tjera personale bëjnë që shumë nëna të detyrohen të braktisin fëmijët, duke i lënë ata në duart e institucioneve shëndetësore dhe rezidenciale.

“Ne dimë që fëmijët lindin dhe braktisen që në maternitet. Foshnjat sapo kanë ardhur në jetë rriten nuk i marrin në lënie aty dhe pastaj ata i përkasin një zinxhiri të tërë hallkash dhe institucioneve për të marrë dhe kujdesur për ta”- shprehet Suela Koçibellinj.

“Kemi mbivendosje të elementëve ekonomik dhe social të shëndetit mendor, por jo vetëm çështje ekonomike. Janë gjithmonë për arsye të thella sociale, për arsye se nënat, na ka ndodhur të jenë dhe nëna të një rrethi që ushtrojnë prostitucion dhe është zgjedhje e tyre apo presion i jashtëm që fëmija të braktiset dhe të vazhdojë ciklin dhe rrethin vicioz në të cilin janë. Ashtu siç kemi dhe nëna të shëndetshme që me vetëdije dhe ftohtësi marrin një vendim që fëmija duhet të vendoset në institucion sepse nuk kanë kushte të rrisë fëmijën. Ashtu siç ka nëna që po lindin fëmijët vetëm për hir të bonusit të bebes.”- tregoi për Vetting, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës.

Qendrat rezidenciale janë zgjidhja e fundit ku fëmijët mund të gjejnë përkujdesje, edukim dhe mbështetje të të gjitha formave, emocionale, psikologjike dhe ekonomike. Këta jetim i përjetojnë të gjitha llojet e emocioneve në një moshë të vogël, pavarësisht se nuk dinë t’i përshkruajnë. Të vetmit me të cilët i ndajnë janë kujdestarët dhe të ngjashmit e tyre, fëmijët e tjerë. Në qendrën e Shkodrës janë të akomoduar 19 fëmijë që rriten, luajnë e gëzojnë me njëri-tjetrin.

“Rutina është si në familje. Nëse në një familje nis rutina me mëngjesin apo me përgatitjen për në shkollë apo në kopshtin me daljen e prindërve për në punë, e njëjta gjë është dhe këtu te ne, veçse është në një numër shumë më të madh.”- tha Rodovani.

Me një oborr të madh dhe shumë lodra të shpërndara kudo, fëmijët kalojnë disa orë të ditës duke luajtur me njëri-tjetrin. Por prej disa muajsh, fati i një fëmije 16 muajsh po vonohet pasi Gjykata e Shkodrës nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për këtë foshnje.

“Harrojmë vetëm një gjë, që këtu më e rëndësishmja është fëmija. Fëmija është interesi më i lartë i një qeverie, i një ndërmjetësi social.” -u shpreh Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranë.

“Ne vazhdimisht çojmë zërin, argumentojmë, dhe sjellim të gjitha provat tona që ky është një rast që duhet t’i jepet drejtim dhe nga gjykata nuk po mirëkuptohemi. Nuk po vlerësohet qasja dhe përkujdesja jonë drejt fëmijës, por po vendoset fokusi drejt nënës biologjike.”- u shpreh Angjela Radovani.

Aktualisht fëmija ndodhet në jetimore, por sipas Drejtoreshës Angjela Radovani kësaj çështje i duhet dhënë një zgjidhje sa më shpejt për të mos e privuar fëmijën nga akomodimi në një familje të re.

“Ajo që ne vërejmë ose që unë mund të referoj si problematikë konkrete në lidhje me rastin është se vazhdimisht po vazhdojnë seance pas seance, fillimisht me pretekstin se nëna biologjike nuk po merr dijeninë, pasi që është pjesë e procedurës që nëna duhet të marrë dijeni mbi procesin, por dhe në rastin që ka marrë dijeni për procesin dhe ka konfirmuar dhe në prezencë të gjykatës që ka dijeni për datën, prapë janë shtyrë seanca që ajo të thirret, të pritet dhe të vijë të dëgjohet. Për mua është shkelje procedurale”- tha Angjela Radovani .

“Nga praktika dhe nga terreni shpeshherë janë prindërit rrezikshmëria më e lartë për fëmijën e tyre. Pra ne kemi raste të evidentuara ku fëmija është i detyruar të jetojë me nënën e cila mund të jetë e paaftë të përkujdeset për këtë fëmijë.”- shprehet Suela Koçibellinj.

“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Shkodër për këtë rast, ku edhe seanca është shtyrë Korrikun e ardhshëm, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës, Angjela Radovani, shprehet e zhgënjyer nga institucionet sepse procesi gjyqësor për deklarimin e braktisjes nga ana e tyre si palë kërkuese, është hapur në korrik të vitit 2024 dhe aktualisht jemi në qershor të vitit 2025 dhe vazhdojnë me seancat gjyqësorë.

Shteti ua “pakëson” ushqimin jetimëve

Në të gjitha jetimoret në Shqipëri, kryesisht të fëmijët 0-6 vjeç procesi i ushqimit është më i vështirë sepse ka foshnje, të cilat kanë nevojë për ushqim special dhe ky proces është më i komplikuar. Faktikisht ka fëmijë që janë ndarë nga nëna dhe procesi i ushqimit me gji dhe për këta fëmijë duhet qumësht special.

Ushqimi kërkohet orar pa orar dhe nuk dihet se sa fëmijë mund të jenë në strehë pasi disa vijnë drejtpërdrejt nga materniteti.

“Produktet tona të ndara në 6 apo 7 lot-e dhe unë duhet të gjurmoj nga pas 6 apo 7 operatorë. Ku nëse njëri vonon, të sjellë njëri bukën, qumështin, djathin, vezën. Ne jemi në një zinxhir problematikash ku ai fëmija i vogël nuk do me dit shumë te kjo pjesë. Ai do me dit nëse në drekë do të marrë kaloritë dhe ushqimin e duhur, por jo nëse operatori nuk ka punuar apo nuk ka ardhur në kohën e duhur.”- tha për emisionin “Vetting” drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës.

Prej më shumë se 5 vitesh, Qeveria shqiptare nuk ka indeksuar kuotën financiare për ushqyerjen e foshnjeve dhe fëmijëve në jetimore, që në vetvete është një skandal. Sipas drejtoreshës Radovani buxheti është i pamjaftueshëm për nevojat e fëmijëve. “Buxheti vjetor është 44 milionë lekë të vjetra, ku janë të përfshira shërbimet operative si pagat e punonjësve, pagesa për drita dhe ujë, blerje ushqimesh dhe blerje materiale pastrimi”- tha ajo.

Janë me qindra faqe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ndalen te ky problem pasi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lënë të njëjtin buxhet për ushqimin, ndërkohë që çmimet e ushqimeve brenda 5 viteve janë dyfishuar.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbështetet edhe nga monitorimet e Avokatit të Popullit, që shprehet se të gjitha jetimoret kanë të njëjtën kuotë shpenzimesh për fëmijët e vegjël për ushqimet. “Është rritur kuota e fëmijëve, janë rritur çmimet në treg, por kjo nuk është reflektuar në rritjen e buxhetit gjë që na vendos në vështirësi.”– shprehet Radovani.

Në dhjetor 2022, Ministria e Shëndetësisë do të nxirrte urdhëzimin 662, për një ndryshim në udhëzimin nr. 689 të vitit 2018, për nivelin e kuotave të shpenzimeve për ushqime në institucionet publike rezidenciale e komunitarë të përkujdesjes shoqërore. Ky ndryshim i kalonte përgjegjësinë Shërbimit Social Shtetëror për indeksimin e çmimeve të ushqimeve vit pas viti, institucion i cili aktualisht prej dhjetorit 2022 ka përgjegjësi për mosrealizimin e kësaj kuote për fëmijët.

Në këtë rast, përgjegjësi ka edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që duhet të miratojë kuotën e shpenzimeve për ushqimet pasi është pjesë e buxhetit të saj. “Për ekzaminime mjekësore, analiza janë vetëm 15 mijë lekë të reja. Qoftë për analiza rutinë të përfituesve dhe aktualisht janë 19 përfitues ne nuk mbërrijmë me aq buxhet, imagjino nëse kemi nevojë për një test alergjie a për një analizë më specifike. Analizat që shpesh ne bëjmë kur drejtojmë dokumentat në Komitetin e Birësimeve siç juanë për hepatitin për gjak apo çdo nevojë tjetër, mundohena me këtë 15 mijë lekë të reja. Mendoj që është një buxhet i pamjaftueshëm” shprehet drejtoresha e “Shtëpisë së fëmijës 0-5 vjec” Shkodër, Angjela Radovani.

E gjitha kjo procedurë burokratike në pamje të parë fsheh një detaj shumë të rëndësishëm. Praktikisht ky udhëzim merr fuqi nga Vendimi i Këshillit të Ministrave me Nr. 518, datë 4.9.2018 për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror Komunitar e Rezidencial, sipas pikës 71, “nivelet e kuotave të shpenzimeve të përkujdesit shoqëror në institucionet publike rezidenciale dhe komunitare indeksohen çdo vit sipas indeksit të çmimeve të konsumit, nëngrupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”.

Në fakt, duke mos u indeksuar këto cmime, ulet buxheti për këto investime që të përqendrohet në seksione të tjera dhe të mos harrojmë. Ky indeksim nuk është vetëm për fëmijët, por për të gjitha llojet e qendrave rezidenciale për përkujdesje në të gjithë Shqipërinë.

Këto janë kuotat aktuale:

Për fëmijët 0-3 vjeç në masën 360 lekë

4-5 vjeç në masën 400 lekë

6-11 vjeç në masën 490 lekë

11-15 vjeç në masën 600 lekë

15-18 vjeç në masën 600 lekë

Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë marrjen e masave të menjëhershme për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike dhe private për fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç.

Indeksimi është vetëm njëri prej problemeve, pasi jetimoret përballen edhe me burokraci në sigurimin e ushqimit në kohë.

Këto institucione kanë varësi të dyfishtë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale dhe nga Bashkia. “Varësia jonë është e dyfishtë, buxheti është i Ministrisë, ndërsa organika dhe godina është varësi e Bashkisë. Domethënë Bashkia ka tagrin të punësojë apo largojë nga puna stafin dhe pjesën e godinës, ministria ka buxhetin” shprehet Radovani.

Kjo ndarje e tillë i bën më të vështira proceset e ndarjes së ushqimit një maratonë burokratike. Problemet me tenderat e ushqimeve janë seriozë pasi lidhen drejtpërdrejt me ushqyerjen dhe vonesat tashmë i paraprijnë situatave nga më të ndryshmet.

“Shoh një tejzgjatje të procedurave gjë që kjo grupmoshë, mosha 0-5 ka nevoja e dinamika që ndryshojnë vazhdimisht dhe ne nuk mund të presim burokracira të tilla. Nëse i referohemi vitit konkret ne jemi në qershor të vitit 2025 dhe akoma nuk kemi kontratat e lidhura përsa I përket ushqimeve që domethënë shohim një zgjatje të procedurës.”- shprehet drejtoresha e Shtëpisë së fëmijëve në Shkodër.

Qendra e Fëmijëve Shkodër ka një buxhet vjetor prej 44 milionë lekësh të vjetra të cilat përdoren për pagat e punonjësve, ushqime, ujë, drita, materiale pastrimi dhe të tjera të domosdoshme. Ky buxhet kaq i vogël i kufizon përgjegjësitë e institucionit që të kryejnë aktivitete si eskursione, që fëmijët të ndihen të lirë dhe të shohin përtej portës që qëndron gjithnjë e mbyllur.

“Mendoj që duhet menduar diçka nga shteti minimumin për transportin. Ne si institucion duhet të kemi një automjet në dispozicion, qoftë për emergjenca, qoftë për nevoja ne duhet të kemi akses. Ajo që më shpesh kemi vështirësi është kur ndodhemi përpara emergjencave mjekësore sepse jo çdo nevojë për fëmijën është ashtu siç parashikohet nëpërmjet rekomandimeve shtetërore. Mosha e fëmijëve tonë nuk të jep kohën të procedosh nëpërmjet hallkave të institucioneve shtetërore dhe ne detyrohemi t’i drejtohemi shërbimeve private” -theksoi Radovani.

Ndarja e buxhetit në zëra nuk është bërë për shëndetësinë, ç’ka sjell vështirësi ekonomike dhe emocionale për kujdestarët apo drejtuesit e institucionit.

Për vitin 2025, fondi për emergjencat shëndetësore është shumë i ulët, ku përfshihen analizat apo vitaminat për arsye se fëmijët janë në moshën më delikate dhe kërkojnë përkujdesjen maksimale.

“Aktualisht, këtë vit kemi vetëm 60 mijë lekë të reja, sepse për shkak të buxhetit që nuk na mjafton, jemi detyruar të reduktojmë vlerën e medikamenteve.” u shpreh drejtoresha Radovani.

Godinat jetimoreve janë të vjetra dhe problematike! Ekspertja: Fëmijët s’mund të rritën në ambiente me lagështi apo me myk

Disa nga godinat e jetimoreve janë të vjetra, kanë shërbime të ruajtura nga e kaluara dhe pavarësisht se janë bërë ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës, ato rezultojnë të pamjaftueshme dhe në ndonjë rast nuk sigurojnë mirëqenien e fëmijëve. Disa nga këto godina janë “Lulet e Vogla” Korçë dhe ato në Durrës, ku kjo e fundit ndahet në dy vende me destinacione të ndryshme.

Shtëpia e Foshnjës “Lulet e Vogla” Korçë, është një Institucion i Shërbimit të Përkujdesjes Publike në varësi të dyfishtë të Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bashkisë Korçë. E ndërtuar para 50 vitesh, kjo godinë është nën pronësinë e Bashkisë Korçë si drejtoria e përgjithshme pronës publike, por kjo e fundit duket se nuk ka bërë asnjë monitorim të gjendjes së banesës për sigurinë e foshnjave të vogla të lënë nga familjarët nën përkujdesjen e institucioneve.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, pavarësisht vjetërsisë së godinës dhe faktit që brenda saj strehohen fëmijë të vegjël pa përkujdesje prindërore, Bashkia Korçë, në cilësinë e pronarit nuk ka kryer asnjë procedurë për auditimin teknik të objektit, i cili do të duhej të vlerësonte gjendjen e tij strukturore dhe kapacitetin mbajtës.

“Nëse ne kemi të bëjmë me godina që janë të amortizuara në këtë pikë që rrezikojnë dhe jetën e fëmijës. Një godinë e cila ka lagështirë është një godinë e cila ka dhe myk brenda dhe kjo e vështirëson rritjen e fëmijës, shton edhe sëmundje tek fëmija” u shpreh për “Vetting” Suela Koçibellinj.

Probleme me vjetërsinë paraqesin edhe dy godinat për fëmijët në Durrës. Këto ndërtesa patën dëmtime të lehta nga tërmeti i nëntorit 2019, të cilat janë rikonstruktuar nga Bashkia Durrës. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, përsëri në korridoret dhe disa mjedise në godinën e Shkozetit u konstatua se kishte lagështirë të dukshme, e cila dëmton sistemin e frymëmarrjes të fëmijëve.

“Ajo ç’ka unë dua të veçoj është që përpos jetimoreve që mbartin fëmijët e vegjël 0-3 apo 3-6 vjec jetimoret e tjera janë të përziera, disi duke mos mbajtur në brendësi të tyre fëmijë tërësisht jetim, por edhe fëmijë social të cilët i strehojnë aty. Nuk është një rakordim i duhur që fëmijët social të përfshihen me fëmijët jetim.”- u shpreh Lulzim Resuli, kryetar i Shoqatës Jetimëve të Shqipërisë.

Përgjatë vitit 2020 në “Lulet e vogla”, Korçë kanë punuar 7 punonjës, ndërkohë që në këtë rezidencë ka pasur gjithsej 19 fëmijë, numër i cili ka rënë dukshëm ndër vite jo për shkak të birësimit.

Pavarësisht se ka vetëm një fëmijë në institucion, ai do të vazhdojë të funksionojë në këto kushte sepse do të rimodelohet në “Shërbim Mbështetës për Fëmijët dhe Familjes”. Ky informacion iu vendos “Vetting” në dispozicion me anë të një kërkese për informacion nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili listoi shërbimet që do të ofrohen si shërbim emergjencës për fëmijët në nevojë. Por nuk ka plan për fëmijët rezidentë dhe as për transformimin e institucionit.

Sipas Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës, Korça dhe Vlora janë dy institucionet të cilat janë drejt ndryshimit të tipologjisë së shërbimit, jo më një institucion rezidencial por me shërbim komunitar që do t’u vijë në ndihmë fëmijëve apo dhe prindërve të tyre.

“Lulet e Vogla” Korçë financohet ekonomikisht nga Bashkia Korçë, tarifat e përcaktuara për birësimet dhe nga donatorë të ndryshëm. Këto të ardhura shpërndahen për punonjësit, ushqime apo nevoja të tjera për fëmijët. Çdo vit është çelur thirrja për dhurime monetare nga qytetarët apo bizneset për të shtuar një kat në godinë, por pavarësisht të ardhurave të arkëtuaram Bashkia Korçë nuk ka kryer asnjë punim duke ngritur dyshime për qëllimin e vërtetë të thirrjes.

Procesi i deinstitucionalizimit po funksionon vetëm në drejtim të largimit të fëmijëve rezident drejt institucioneve të tjera rezidenciale dhe për efekte birësimi e jo për arsye të kthimit të këtyre fëmijëve në familjet e tyre biologjike ose në familje kujdestare. Dështimi me deinstitucionalizimin lidhet jo vetëm më Qendrën në Korçë, por edhe me qendrën në Durrës, ku fëmijët numri i fëmijëve ka ardhur në rritje. Ky fakt dëshmohet nga dokumentet e siguruara nga Avokati i Popullit, që shpjegon edhe shkaqet.

“Kur kujtoj të vetmen gjë që para 2021 mund të ishin sa gishtat e dorës të punësuar në administratën publike që vinin nga ky komunitet, sot ke 765 raste që janë të rinj pa kujdesin prindëror, janë të rinj me kujdesin e njërit prind që sot janë pjesë e administratës publike”- u shpreh për “Vetting” Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se në disa institucione mungon figura e psikologut, e infermierit dhe është e nevojshme shtimi i stafit me kujdestarë për të plotësuar nevojat në përmirësimin e shërbimit. Këta fëmijë në pamundësi integrimi në shoqëritë përkatëse migrojnë dhe emigrojnë me qëllim përshtatjen, por përballen me ngjarje që lënë gjurmë tronditëse për ta, bien pre e trafikimit.

Handikapin ligjor për fëmijët e braktisur: Nga 20 mijë jetimë, vetëm 1 mijë e kanë përfituar nga statusi!

A e dini se 97-98% e fëmijëve jetimë në Shqipëri nuk e kanë të njohur zyrtarisht statusin e jetimit?

Në këtë mënyrë, këta fëmijë humbasin të drejtën për mbështetje nga shteti. Vit pas viti me shumicë të thjeshtë votash ndryshohen ligje dhe akte nënligjore, por një ligj që nuk ka ndryshuar që prej datës së miratimit të tij është ai i statusit të jetimit. Ky ligj i miratuar që prej vitit 1996 nuk ka ndryshuar pavarësisht pabarazive që shkakton për jetimët.f

“Aktualisht ekziston ligji i vitit 1996 që është për fëmijët jetim, ligji i statusit të jetimëve dhe duhet thënë që ky ligj i denigron 95% të fëmijëve jetim” – shprehet Lulzim Resuli.

Sipas ligjit Nr.8153, datë 31.10.1996, statusin e jetimit e përfitojnë personat me moshë nga 0-25 vjeç të lindur jashtë martese, që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit apo janë të braktisur dhe ata që me vendim të formës së prerë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton.

Fëmijët e të pafatëve marrin një status që i pengon rrugëtimin në shoqëritë paragjykuese, statusin e jetimit. Por në të vërtetë nuk janë jetim vetëm këta fëmijë, janë edhe ata të cilëve u ka ndërruar jetë njëri nga prindërit.

Lulzim Resuli, Kryetari Shoqatës Kombëtare te Jetimeve Shqipëri për “Vetting” u shpreh se “një fëmijë që i ka të dy prindërit, por nuk ka marrë atë “Po”, quhet jetim. Një fëmijë i cili e ka humbur prindin e vet, I ka ndërruar jetë babai nuk quhet jetim. Ky handikap i madh ligjor na ka lënë jashtë një kategori prej 95% të jetimëve”.

Përpos rraskapitjes emocionale, fëmija dhe prindi që jeton, përballen me vështirësi të shumta ekonomike dhe shoqërore që i ndjekin hap pas hapi. Sipas monitorimit të Shërbimit Social Shtetëror rezultoi se mbi 35 mijë familje janë konsideruar familje në nevojë, prej të cilave rreth 8 mijë janë konsideruar familje ekstremisht të varfra.

“Ne po punojmë dhe me ligjin që është ligji për statusin e jetimit. Është një ligj që nuk ka pasur asnjë ndryshim gjatë 10 viteve të fundit dhe një ekip po punohet që ky ligj 81/53 që është për statusin e jetimit të jetë një ligj i ndryshuar dhe ta quajmë ndryshe si një ligj të kujdestarisë. Çdo fëmijë që është nën kujdesin e njërit prind të ketë një trajtim preferencial pagese, të mbështetjes ekonomike, por edhe të gjithë benefiteve të tjera të shumëfishuara.”- u shpreh Drejtori Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës.

Varfëria e kalon kufirin ekonomik kur nis të prekë marrëdhëniet njerëzore dhe është pasojë e politikave keqqeverisëse të cilat pasi normalizohen e zhysin individin nën një sistem nga, i cili s’ka më mundësi të dalë, kjo sepse tashmë qëllim është mbijetesa.

Në një shtet të së drejtës do të kishin përparësi politikat sociale, por në Shqipërinë e tre dekadave të fundit qytetarët janë lënë në gjendje të mjerueshme ekonomike, e pandashmërisht sociale dhe kulturore.

“Varfëria ekonomike është e lidhur me të gjitha llojet, formë te varfërisë për këtë fëmijë në të ardhmen. Kështu që në këtë pikë duhet të parashikohet që divorci është një fenomen i pranishëm dhe i shtuar shumë në 5 vjecarin e fundit dhe kemi nevojë të kemi masa mbështetëse për këto familje pas divorcit.” – tha aktivistja e njohur Suela Koçibellinj.

Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 2019, jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre do të përfitojnë masë të ndihmës ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj. Kjo shumë të ardhurash është asgjë veçse një politikë e ndërmarrë për t’u justifikuar që i ndihmojnë qytetarët në nevojë, por në të vërtetë 3 mijë lekë nuk janë të mjaftueshme as për mbijetesë.

Diferenca mes fëmijëve jetimë që nuk e kanë statusin dhe atyre që njihen ligjërisht si jetimë, është se këta të fundit nëse janë nën përkujdesjen e prindit përfitojnë një shumë prej 10 mijë lekësh të reja në muaj. Shteti duket se e sheh qytetarin e tij si qenie të pandashme nga varfëria, pa të cilën nuk mund të frymojë, dhe kështu ia “lehtëson” rrugëtimin jetësor duke e mbytur në mjerim, sepse 10 mijë lekë të reja janë të pamjaftueshme për të siguruar jetesën.

“Ne flasim që nga 2022 buxheti për ndihmën ekonomike për të gjithë fëmijët pa kujdes prindëror është trefishuar, pra nga një pagesë që merrnin në tre mijë lekë të reja, është çuar në 10 mijë lekë të reja.”- shprehet Muharremi.

Në Shqipëri ndodhen 9 qendra të shërbimit rezidencial për fëmijët jetimë të cilat ofrojnë mundësinë e rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror numri i fëmijëve ndër vite në qendra me shërbim rezidencial ka qenë mbi 500 fëmijë ku vetëm përgjatë vitit 2024 statusin e jetimit e kanë përfituar 255 persona. Jetimët janë dërguar në këto qendra sociale që të jetojnë në kushte të mira dhe të kenë mundësi përshtatjeje në shoqëri, por duhen krijuar kushtet për emancipimin ekonomik për mbarë shoqërisë që të preken dhe jetimët.

“Aktualisht në Shqipëri mund të ekzistojnë mbi 20 mijë fëmijë jetim, ndërsa në bazë të ligjit kanë të drejtën të quhen 200, 300 deri në 1000 fëmijë në një afat kohor prej 16 apo 20 vitesh, që kanë marrë statusin e jetimit.”- theksoi Kryetari Shoqatës Kombëtare te Jetimeve Shqipëri.

“Sot mendoj që kemi më pak jetimë në institucione por jo nuk ka ulur numrin e jetimëve në total në Shqipëri. Sot kemi arsye të tjera sociale dhe demografike që e kanë shtuar faktorin se pse ne sot kemi jetim të cilët ndoshta nuk janë strehuar në institucione por gjithsesi janë jetim.”- tha për Vetting, Suela Kocibellinj.

Dështimi i qeverisë me Deinstitucionalizimin

Në momentin që një fëmijë gjendet brenda jetimores, problemet më të rëndësishme si siguria dhe ushqimi janë zgjidhur, por tashmë me zhvillimin e fëmijës paralelisht zhvillohet një problem madhor, dhënia e një modeli.

“Një fëmijë po rritet në kushtet e institucionit, po rritet në një jetë kolektive, me 18 apo 1 përfitues trë tjerë, po rriten me disa figura që janë me turne që ikin dhe vijnë dhe po rriten pa modelin e familjes” u shpreh Angjela Radovani.

Qendra e Fëmijëve në Shkodër akomodon fëmijët të grupmoshës 0 deri në 5 vjec dhe pasi mbushin moshën ata dërgohen në një qendër tjetër, larg fëmijëve apo kujdestarëve me të cilët janë rritur. Por vetë kalimi nga një institucion në tjetrin nuk ndikon pozitivisht te fëmija.

“Aktualisht unë kam në institucion një të mitur 7 vjeç i cili ka dhe vëllain 4 vjeç dhe nëse ne këto i ndajmë normalisht do të shkaktojmë një traumë tjetër tek fëmijët. Po flas për dy vëllezër lidhja e të cilëve është aq e forta sa ata nuk flenë dot pa njëri-tjetrin, nuk ushqehen dot nëse vëllai tjetër nuk ushqehet” dëftoi Radovani.

Kjo pasi qëllimi është që ky fëmijë të rikthehet te familja kur prindërit i kanë sjellë për arsye ekonomike te Qendra ose të birësohen te një familje e re. “Në fakt ka plot çifte që duan të birësojnë, ka plot kërkesa”- u shpreh për “Vetting” drejtoresha e qendrës rezidenciale për fëmijët e moshës 0-5 vjec.

Në vitin 2020, Qeveria Shqiptare do të miratonte planin kombëtar të deinstitucionalizimit 2020-2022 që kishte si synim eliminimin e institucionalizimit të fëmijëve në këto qendra. Ajo që ka qenë probleme para 5 vitesh, qëndron edhe sot. Të dhënat e siguruara nga ky plan zbulojnë se problemet janë të shumta. Është vetë qeveria, e cila pranon se efektet e institucionalizimit për fëmijët madje edhe kur institucionet në fjalë kanë kushte të mira materiale dhe staf të kualifikuar, mund të përfshijnë shëndet të dobët fizik, vonesa të rënda zhvillimi, si dhe dëme potencialisht të pakthyeshme psikologjike.

Sipas planit kombëtar të deinstitucionalizimit 2020-2022, shërbimet aktuale të ofruara në institucionet rezidenciale janë fokusuar te përkujdesja fizike dhe jo te zhvillimi individual. Në thelb, deinstitucionalizimi nuk është mbyllje institucionesh, por mënyrë e re për të menduar kujdesin për më të pambrojturit, me theks tek jeta, jo vetëm mbijetesa. Një problem që evidentohet nga vet qeveria është fakti se programet dhe shërbimet në institucionet aktuale rezidenciale janë ngritur për t’i shërbyer fëmijëve jetimë biologjike dhe jo fëmijëve të abuzuar, shfrytëzuar, neglizhuar apo me sjellje të dëmshme.

Varfëria është një ndër elementët, që përmendet shumë pak në këto probleme, kur në fakt një nga arsyet është se disa prindër nuk kanë mundësi financiare.

Në raportin e monitorimit nga Avokati i Popullit vendoset theksi te problemet financiare që kanë prindërit dhe sugjerohet një paketë financiare, që fëmijët të mos ndahen nga prindërit për shkak të këtyre arsyeve. Ky raport i publikuar në vitin 2024 evidenton gjetje, që rrëzojnë propagandën qeveritare. Shtyrja e afatit kohor për zbatimin e planit të deinstitucionalizimit është një element që tregon vështirësinë e këtij procesi, që është një dështim, kostoja e të cilit bie mbi të ardhmen e fëmijëve me nevoja. Sipas raporteve zyrtare, deinstitucionalizimi ka funksionuar vetëm në drejtim të largimit të fëmijëve në

institucione të tjera përkujdesjeje rezidenciale për fëmijët e moshës shkollore dhe për efekt birësimi, e jo për arsye të kthimit të tyre në familjet biologjike ose familjet kujdestare të fuqizuara ekonomikisht.

Kalimi i fëmijëve nga një institucion në një tjetër, larg familjeve biologjike, pra në qytete të tjera të Shqipërisë, krijon probleme ekonomike e sociale dhe vështirësi në komunikimin e kujdestarisë së fëmijës. Rezultatet e dobëta evidentohen edhe përgjatë vitit 2024, ku numri i rikthimeve në familje biologjike është ë fëmijë dhe ky numër është ulur krahasuar me vitet më parë.

Shteti pengon birësimin

Për të realizuar deinstitucionalizimin duhet të funksionojë birësimi, që është etapa finale e sigurimit të të ardhmes për një fëmijë nga jetimorja. Në një vend ku fëmijët e braktisur kanë nevojë për më shumë sesa vetëm strehë, kanë nevojë për dashuri, siguri dhe të ardhme, shteti shqiptar, siç rezulton nga vetë auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka dështuar në mënyrë sistematike të garantojë të drejtat e tyre më themelore. Procesi i birësimit, që në vetvete duhet të përfaqësojë një dritë shprese, është i përshkruar nga boshllëqe ligjore, mungesë transparence dhe paaftësi institucionale për të garantuar interesin më të lartë të fëmijës.

“Procesi i birësimit për ato fëmijë që u jepet mundësia është bekim! Historia dhe eksperienca më ka treguar që jo gjithmonë, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe me procesin e birësimit, duhet të filtrojmë shumë mirë familjet birësuese.” – tha Rodovani.

Disa nga mangësitë ligjore janë thelbësore pasi mungon një kufi maksimal për moshën e birësuesve, nuk ekzistojnë kritere të qarta ekonomike dhe nuk përcaktohet qëndrueshmëria martesore si kusht për birësim. Në Shqipëri, përgjegjës për këtë proces është Komiteti Shqiptar i Birësimeve, i cili është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Ky institucion është krijuar në vitin 1993 dhe pothuajse në 3 dekada numri i fëmijëve të birësuar është 1755. Numri relativisht i ulët është tregues se vet procedura e birësimit ka probleme ligjore pasi vetë Komiteti operon pa strategji të qartë, pa monitorim të efektshëm dhe me burime buxhetore minimale, vetëm 0.14% e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë. Edhe pse janë licencuar agjenci të huaja për birësim ndërkombëtar, procesi i kontrollit dhe mbikëqyrjes së tyre mbetet i vakët, duke hapur rrugë për keqpërdorim dhe mungesë llogaridhënieje.

Auditi vëren edhe raste konkrete si ai i një të miture, e cila u birësua dhe më pas u rikthye sërish në institucion, duke dëshmuar qartë se sistemi nuk funksionon dhe fëmijët shpesh përfundojnë si produkte të një procedure, jo si njerëz me të drejta.

Kur institucionet që kanë detyrën ligjore për të mbrojtur më të pambrojturit janë vetë pjesë e problemit, atëherë dëshmia bëhet e rëndë dhe e padiskutueshme, shteti shqiptar nuk mendon për jetimët. Ky konkluzion nxirret nga analiza e dokumenteve zyrtare të vetë shtetit, raporte që vërtetojnë mungesën e vullnetit, buxhetit, përkushtimit dhe mbi të gjitha, humanizmit./ VETTING

Etiketa: fëmijëjetimoreklshministria e shendetesisendertesaushqim

Lajme të lidhura

AKTUALITET

VIDEO/ Zbulohet “çerdhja e ferrit” në Itali, mes fëmijëve të keqtrajtuar edhe shqiptarë

19:25 : 13/06/2025
AKTUALITET

Shtohen fëmijët alergjik në Shqipëri, mjekja: Mos u vetëmjekoni

18:22 : 13/06/2025
AKTUALITET

Probleme mendore tek fëmijët/ Studimi: Vërehen tek 14 për qind e të vegjëlve

19:58 : 11/06/2025
SHENDETI

Temperaturat e larta/ Rreth 30 fëmijë paraqiten në ditë tek pediatri

19:27 : 11/06/2025
AKTUALITET

50% e fëmijëve në Shqipëri vuajnë nga anemia, shkak kequshqyerja

17:14 : 09/06/2025
AKTUALITET

Minierat/ Raporti i KLSH: Strategjia e mangët pa indikatorë matës të sektorit

15:18 : 09/06/2025
Para

Mijëra besimtarë në pelegrinazhin Shna Ndout në Laç, të pranishëm nga të gjitha trevat

TË GJITHA

Aktakuzë ndaj 34 personave lidhur me zjarrin vdekjeprurës në Koçan

20:15 : 13/06/2025

5 skenarët e hakmarrjes së Iranit: Nga një sulm i drejtpërdrejtë në Tel Aviv deri te sulmet mbi fushat e naftës

20:10 : 13/06/2025

Vdekja e Davide Astorit, Gjykata dënon me burg tre mjekë

20:08 : 13/06/2025

Vuçiç: Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës

19:58 : 13/06/2025

Vranë shqiptarin në stacionin e metrosë në Londër, shpallen fajtorë dy të rinjtë/ EMRAT

19:44 : 13/06/2025

Fluks në qendrën shëndetësore verore në Shëngjin

19:40 : 13/06/2025

Milan i “dashuruar” me shqiptarët, Tare këmbëngul për Xhakën dhe Ardon Jasharin

19:38 : 13/06/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com