Me 238 vota, Brunilda Laboviti është Presidentja e re e Urdhrit të Psikologut, një organ i krijuar me ligj në vitin 2017, pjesë e të cilit janë 1600 psikologë në rang vendi. Këto ishin zgjedhjet e dyta në këtë urdhër, pasi ky proces u zhvillua edhe në vitin 2024, por pa sukses.
Që prej themelimit të këtij Urdhri e deri më sot, Presidentja dhe personazhi kryesor që e ka drejtuar urdhërin është Valbona Treska, një psikologe e njohur e cila ka bërë të mundur që Urdhri në këto vite të sigurojë edhe akreditime ndërkombëtare të një rëndësie të veçantë.
Por përtej mantelit të arritjeve, drejtimi i Urdhrit nga Treska është përballur me kundërshtime dhe denoncime të shumta, që lidhen me mënyrën sesi është drejtuar Urdhri prej saj. Të 1600 anëtarët që janë pjesë e Urdhrit janë të lirë të marrin në trajnimet që organizon Urdhri, që më pas të kenë mundësi të punësohen pranë institucioneve përkatëse, ku një pjesë e rëndësishme e interesimit të vetë psikologëve është brenda sistemit të drejtësisë.
Vlerat e trajnimeve pranë Urdhrit nisin nga 35 mijë lekë e deri në 150 mijë lekë të reja.
Por pikërisht këtu ka nisur edhe debati. Brenda Urdhërit ka dy kampe që veprojnë aktualisht. Një që është grupi i themelueses Valbona Treska dhe grupi kundërshtar që e akuzon për praktika të padrejta, për uzurpim të urdhërit, emërime në punë jashtë çdo kriteri dhe për mostransparencë të parave që UP mbledh çdo vit nga trajnimet apo nga institucionet përmes projekteve që ky Urdhër merr.
Por çfarë ndodhi më 5 qershor? ZËRI ka siguruar edhe një moment të papublikuar më parë në asnjë media, ku kuptohet përplasja mes psikologëve dhe Këshillit Drejtues dhe grupit të Treskës.
Siç dëgjohet edhe në video, ata i akuzojnë këshillin drejtues për abuzim.
“ Më jep përgjigje këtu në sy të të gjithëve. Je anëtar i këshillit të Përgjithshëm, ju duhet të mbroni interesat tona, ju duhet të mbroni interesat e mia personale. Nuk jam këtu për shaka”.
“Ju na katandisët që ne kemi pakënaqësi, sepse asnjëherë nuk u dëgjua zëri ynë. Na hodhët në rrugë, na keni hedhur në rruge. Shyqyr që ka gjykata që na ka dhënë të drejtë”.
“Ju jeni hajdutë, ju aty jeni hajdutë”.
Këto janë disa nga akuzat e psikologëve të cilët janë të indinjuar nga pagesat për trajnime ndërkohë që përzgjedhja sërish bëhet selektive dhe janë të tjerë psikologë ata që dërgohen nëpër institucione e sidomos në sistemin e drejtësisë.
Votimi u zhvillua edhe në praninë e përfaqësuesve të Ministrive, të cilit ishin thjesht spektaktorë në një proces te i cili janë thjesht vëzhguesë.
“Atë ditë te Asambleja, kemi parë çudira. Mafie për një copë vendi pune.”-tha një nga psikologët që mori pjesë në votim, në anonimat për ZËRI.
“Psikologët e drejtësisë bëjnë namin, aty është leku, aty është fokusi. Në vitin 2017, u bë rregullorja që duhet të merret një licensë kush do të punojë në këtë profil. Kuotat e larta dhe kreditet gjatë viteve, si duket kanë krijuar pakënaqësi. Në Asamble mësuam se edhe shumë nga psikologët e famshëm që dalin në ekrane, minimalisht nuk kanë as licensë”-u shpreh më tej burimi, që shpjegon një fenomen të dyshimtë brenda Urdhrit. Lufta për të qenë psikolog pranë institucioneve të drejtësisë, duke nisur që nga Komisariatet e deri në gjykata dhe procese penale, ku janë psikologët që kanë një rol të rëndësishëm në dënimin dhe trajtimin e qytetarëve në këto procese.
Ndryshe nga perceptimi publik se psikologët janë ata që fokusin e kanë te fëmijët, në Shqipëri është e kundërta.
“Me pak fjalë, një zë i lartë që duhet të ishte për psikologun shkollor, pasi aty duhet të jetë fokusi te fëmijët, se fëmijët janë e ardhmja, këtu te ne, është e kundërta. Fokusi tek drejtësia”-shton burimi duke qeshur nga zhvillimet në UP.
ZËRI kontaktoi me presidenten aktuale, znj.Treska, e cila deklaron se derisa të shprehen organet përkatëse të Urdhrit, ajo do të vazhdojë të jetë në detyrë. “U bënë zgjedhjet në datën 5, nuk ka patur probleme procesi zgjedhor. Gjithçka shkoi mirë dhe nuk kishte kontestime. Zgjedhjet janë bërë por deri më tani nuk janë certifikuar nga organet përkatëse. Nuk e di përse zonja Laboviti erdhi sot. Nuk mund të lëshohet zyra pa u certifikuar rezultati”-tha ajo.
E pyetur për vlefshmërinë e kuorumit, Treska tha se nuk është në pozicionin e duhur për të dhënë një mendim të prerë por tha se regjistri i anëtarësisë është publik dhe janë 1480 anëtarë. “Regjistri është publik. Nuk më takon mua të them nëse zgjedhjet kishin ose jo kuorumin e nevojshëm, por anëtarësia ka 1480 anëtarë, tani zgjedhjet u bënë, ishin të rregullta, se nuk vijnë njerëzit nuk është faji i Treskës”-u shpreh Presidentja në detyrë.
Asaj që burimet e ZËRI e theksojnë se lufta për pagesat e trajnimeve ka në thelb luftën për sistemin e psikologëve në sistemin penal, e përforcon edhe një deklaratë e psikologes Denada Toçe. Toçe thotë se thelbi i problemit është ‘paraja’. Toçe thotë se lista e anëtarësisë nuk rezulton askund, ndërkohë që trajnimet edhe pse Gjykata është shprehur pro psikologëve, që këto trajnime të kryhen edhe në vende të tjera, me pagesa të tjera, Urdhri nuk e zbaton si vendim, duke bërë që paratë të mblidhen në një dorë e cila as nuk merr më mundimin për të bërë transparencë se ku shkojnë.
“Sapo kanë përfunduar zgjedhjet e Urdhrit të Psikologut. Ka 451 votues. Nuk mund të deklarojmë dot as fitues për anëtarë Këshilli dhe as fitues të Presidentit. Kemi 451 pjesëmarrës që kanë votuar dhe nuk plotësojnë kuorumin. Zgjedhjet janë të pavlefshme
Problematika ka ekzistuar që në krye të procesit zgjedhor. Në fillim duhet të numërosh sa anëtarë aktivë janë pjesëmarrës. Në thelb bazohet që duhet të numërosh anëtarët pjesëmarrës. Nëse nuk ka kuorum nuk hapet procesi.
Sipas të dhënave që na kanë ardhur, u tha nga Sekretarja e Përgjithshme, kandidatja për Presidente. Zonja Anëtare Këshilli, ka hequr me të drejtë vote kandidatin e tretë. Ajo deklaroi 1500 anëtarë. Nuk figuron lista e regjistrimit të anëtarve.
Presidentja është shumë e rëndësishme, sepse rëndësia me të cilën ka ardhur, është rëndësi abuzimi. Njerëzit për lekë e për lavdi… Gjithmonë bëhet fjalë për para. Njerëzit hanë kokat për para. Kjo është mafia më e sofistikuar, sepse ka të bëjë me njerëz të shkolluar. Në vend që trajnimet e psikologëve të ofrohen nga insitucionet kompetente, e mori monopolizimin Urdhri i Psikologut që afirmonte ato shoqata dhe organizata, një prej të cilave ështe e saja, të cilat marrin dhe drejtojnë trajnimet në mënyrë të monopolizuar. Është fituar në gjykatë që ta bëjnë edhe institucione të tjera dhe nuk është bërë në zbatim. Kjo është ta bësh psikologun të pamend. Paratë shkojnë të Urdhri i Psikologut dhe speicialistët që orientojnë trajnimet”, shtoi Toçe e pyetur disa ditë më parë të Ylli Rakipi në TPZ.
Çfarë do të ndodhë tani? Ajo që është e qartë, është se përplasja nuk mbaron me 5 qershorin. Në fakt, ajo sapo ka hyrë në një fazë të re, ku besueshmëria e një institucioni që duhet të garantonte etikën dhe shëndetin mendor të shoqërisë, ka rënë pre e interesave meskine.
Grupi i Valbona Treskës refuzon ta njohë rezultatin, duke argumentuar se procesi nuk ka kuorumin e nevojshëm, ndërkohë që grupi i Brunilda Labovitit pret të marrë zyrtarisht drejtimin, duke e konsideruar votimin legjitim dhe duke u përgatitur për të ushtruar autoritetin si Presidente.
Por në thelb, problemi nuk është vetëm tek zgjedhjet. Ato nuk e ndryshojnë dot akuzën se trajnimet e psikologëve janë në monopol, apo se qasja në sistemin penal është preferenciale dhe e diktuar nga rregullat e caktuara nga kupola e Urdhërit.
Ajo që po ndodh është një “luftë për pushtet” e mbuluar por e zhveshur nga çdo standard etik që vetë psikologët duhej të mishëronin.
Nëse situata vazhdon kështu, rreziku është që të gjitha licensat dhe trajnimet e psikologëve shqiptarë të shihen me pikëpyetje. A mund të jetë normaliteti i ri ky, që teksa qytetarët kërkojnë ndihmë psikologjike në një sistem që ka vetë nevojë për terapi?/ZËRI