Policia e Vlorës ka vënë në pranga 46-vjeçarin me inicialet M. M., banues në Tiranë, pasi dyshohet se furnizonte me kokainë frekuentuesit e lokaleve të natës në zonën turistike të Dhërmiut.
I dyshuari u kap në flagrancë në ambientet ku qëndronte në Drimadhes, ku pas kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi: 126 doza kokainë të gatshme për shitje, 136 400 lekë cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal dhe jë peshore elektronike, që përdorej për ndarjen e lëndës narkotike në doza.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjeje, kryesisht në lokalet e natës në zonën bregdetare të Dhërmiut, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, operacionin policor të koduar “Reset”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
M. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte ky shtetas, në Drimadhes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, 136 400 lekë të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një peshore elektronike.”– njofton policia.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje.