Emisioni “Vetting”
Arsimi është shtylla më e rëndësishme në përparimin e shoqërisë njerëzore. Investimi në këtë sektor dhe edukimi i brezave të rinj automatikisht siguron shoqëri më të fortë dhe shtet me mirëqenie më të lartë.
Por në vendin tonë, sidomos në zonat më të largëta, ku edhe monitorimi nga institucionet dhe aktorët mediatik është më i ulët, fondet që shkojnë për arsimin janë një histori aferash me qindra miliona lekë.
Në fakt, dështimi me sistemin arsimor tregon qartë një problem madhor me bashkitë, të cilat janë kthyer në një thes që mbledhin fondet publike për tua shpërndarë kompanive të lidhura me pushtetin.
Një nga këto bashki është Vau i Dejës, e cila së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të mënyrës se si menaxhohen këto fonde. Mënyra se si menaxhohen burimet financiare lidhet drejtpërdrejt me kushtet dhe mundësinë që ofron komuniteti për familjet.
Tenderi për shkollën, i paracaktuar
Teksa qyteti ka një histori të pasur që lidhet me traditën dhe zakonet, godina e bashkisë qëndron në majë të kodrës si simbol i pushtetit dhe largësisë nga hallet dhe problemet e banorëve. Dalëngadalë kjo godinë po transformohet në një model se si keqmenaxhimi dhe aferat shkatërrojnë jo vetëm projektet publike, por minojnë edhe të ardhmen.
Gjithçka ka nisur në nëntor 2022, kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të skualifikonte të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tenderin “Rikonstruksion i shkollës + ndërtim palestre, Mjedë” me fond limit 108 milionë lekë.
Nga gara do të eliminoheshin kompanitë “Ndërtuesi 2014” shpk & “Nika” shpk, “SMO Vataksi” shpk, “Alko Impex General Construtcion” shpk, “Gentian Horieti” person fizik dhe bashkimi i operatorëve “B93II” shpk & “Shëndelli” shpk & “Altec” shpk. Një ditë pas skualifikimit të të gjitha kompanive, bashkia do të anulonte tenderin, por në 14 nëntor 2022, konsorciumi i kompanive “B93II” shpk & “Shëndelli” shpk & “Altec” shpk do të bënin ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Kujtojmë se oferta e paraqitur nga ky bashkim kompanish ishte 88.8 milionë lekë dhe më ekonomikja nga të gjitha ofertat, por Komisioni vendosi ta skualifikojë. Në 23 dhjetor 2022, Komisioni i Prokurimit Publik i kryesuar nga Jonaid Myzyri nuk do ta pranonte ankesën e bashkimit të kompanive, duke i hapur rrugën Bashkisë me anulimin e procedurës.
Por çfarë ndodhi më pas?
Në prill 2023, Bashkia do të rishpallte përsëri tenderin për rikonstruksionin e shkollës dhe ndërtimin e palestrës në Mjedë me fond limit rreth 1 milion euro. Në garë do të merrnin pjesë gjashtë kompani, por fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “LODI CONSTRUCTION” shpk, “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2T” shpk me ofertë 99 milionë lekë.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike Dhurata Çupi, tenderat publikë kanë shumë prapaskena.
“Kontratat janë disafish të fryra. Ka situacione mbi fondin limit apo mbi çmimet reale disafish që do të thotë se ka një fond për kontratën, ka një fond që do të fitojë operatori, ka dhe një fond tjetër për ryshfetin dhe kjo duket sikur është kthyer në një procedurë të pranuar, situacione disafish të fryra që është edhe një nga abuzimet kryesore”, tha deputetja Çupi për “Vetting”.
Pas kompanive fshihet një rrjet individësh me lidhje të forta politike si Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi.
Kompanitë “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2T” shpk janë ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore në gjithë Shqipërinë, me total kontratash mbi 100 milionë euro gjatë viteve të fundit.
Në rastin konkret, jo vetëm që ata kanë përfituar, por edhe kanë tejkaluar kufirin e lejuar, një situatë që tashmë për të cilën institucionet e drejtësisë duhet të nisin hetimet për shpërdorim detyre nga drejtuesi i bashkisë, Kristjan Shkreli.
Sipas të dhënave të siguruara nga “Vetting”, në këtë rast është evidentuar një dëm ekonomik prej 4,4 milionë lekësh për punime të pakryera duke shkelur kontratën. Këto para nuk janë shpenzuar për interesin e fëmijëve, por kanë avulluar duke ngritur dyshime për korrupsion.
Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, më së shumti tenderat publikë janë të paracaktuar.
“Më së shumti tenderat publikë janë të paracaktuar, pra kjo është një nga treguesit e mëdhenj të abuzimeve të cilët në vetëvete kur paracaktohen natyrisht që nuk janë projekte të suksesshme pasi nuk bazohen mbi interesa të mirëfillta ekonomike por mbi interesa të atyre që kërkojnë t’i përfitojnë këto lloji fondesh”, tha Gjokutaj për “Vetting”.
Ankesa për kriteret penguese dhe diskriminuese
VETTING ka siguruar dokumentin e ankesës së kompanisë “B93 II”, drejtuar bashkisë dhe Komisionit të Prokurimit Publik më 11 prill 2023. Ankesa kundërshtonte përmbajtjen e dokumentacionit të tenderit dhe kriteret e vlerësimit, duke denoncuar vendosjen e kushteve të cilat, sipas tyre, ishin penguese dhe në kundërshtim me ligjin.
Në qendër të diskutimit ishte kërkesa për disponimin e një “vinç eskavatori”, për të cilin kompania pretendonte se funksioni i tij mbulohej nga pajisje të tjera tashmë të përfshira në listë, si autovinçi dhe eskavatori. Kërkesa për këtë mjet specifik, sipas tyre, ishte e pajustifikuar dhe synonte të përjashtonte operatorë të caktuar.
Kompania “B93 II” kërkoi rishikimin e kritereve duke theksuar se ato binin ndesh me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, veçanërisht parimet e konkurrencës së lirë, trajtimit të barabartë dhe mospërdorimit të kushteve diskriminuese.
Në mbështetje të saj, kompania sillte në vëmendje edhe nenin 63 të ligjit nr. 9643/2006, që garanton të drejtën e çdo subjekti të interesuar për të kërkuar modifikimin e dokumentacionit të tenderit. Kujtojmë se neni 2 i po këtij ligji përcakton qëllimin e tij efikasitet në prokurim, mirëpërdorim të fondeve publike, nxitje të konkurrencës dhe transparencë.
Sipas platformës “Open Procurement.al”, një shërbim nga AIS, ky tender është klasifikuar me flamur të kuq, një sinjal alarmi për praktika të dyshimta dhe indicie për korrupsion duke favorizuar kompaninë fituese. Ky vlerësim tregon mungesë të garës reale dhe një nivel të lartë rreziku për paracaktimin e fituesit.
KLSH nxjerr zbuluar marifetet me rritjen e kostos së tenderave!
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kemi shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik gjatë periudhës 2022–2023, me pasoja financiare që kalojnë vlerën e 15 milionë lekëve, në dëm të buxhetit të shtetit. Në qendër të këtyre abuzimeve është tenderi për “Rikonstruksionin e shkollës dhe ndërtimin e palestrës” në fshatin Mjedë.
Në rastin e shkollës “Hasan Meti”, nuk është fjala për një investim që dështoi, por kemi indicie për një mashtrim të planifikuar mirë. Kompanitë nuk kanë marrë thjesht një kontratë. Kanë marrë më shumë para se sa lejohet, duke përfituar në mënyrë të paligjshme mbi kurrizin e fëmijëve dhe komunitetit lokal.
Që në fazën e parë të procedurës, janë skualifikuar operatorët që ofruan çmime dukshëm më të ulëta se fituesi, duke ngritur dyshime për favorizim të qëllimshëm. Bashkimi i operatorëve “ASI-2A CO” & “2Z KONSTRUKSION” paraqiti një ofertë prej 93 milionë lekësh ose 25 milionë lekë më pak se oferta fituese. Të njëjtin fat pati edhe bashkimi i operatorëve “ED KONSTRUKSION” & “LIS KONSTRUKSION”, me një ofertë prej 89 milionë lekësh, duke ofruar një kursim prej 30 milionë lekësh për shtetin. Pavarësisht këtyre ofertave shumë më të favorshme, autoriteti kontraktor vendosi të shpallte fitues kompaninë që kërkonte më shumë para.
Sipas auditit, Bashkia Vau i Dejës ka lidhur kontratën me një vlerë që tejkalon ofertën fituese me 2.7 milionë lekë, në kundërshtim të plotë me shtojcën 2 të dokumenteve të tenderit.
Bashkimi i kompanive fituese ofroi 116.3 milionë lekë me TVSH, por kontrata përfundimtare u lidh në vlerën 119 milionë lekë me TVSH gjatë kohës që institucioni drejtohet nga kryetari Kristjan Shkreli. Ky ndryshim i paligjshëm është cilësuar nga auditi si rritje artificiale e vlerës së kontratës, pas shpalljes së fituesit.
Për më tepër, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se skualifikimi i padrejtë i operatorëve me oferta më të ulëta ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 13 milionë lekësh ose 130 mijë euro, një shifër që i shtohet faturës së shkeljeve të kësaj procedure.
Në këtë tender, kompania “LODI CONSTRUCTION” shpk ka përfituar dy herë TVSH për të njëjtin artikull: “pajisje elektrike dhe ndriçim rrugor”, me një përfitim të dyfishtë prej 850 mijë lekësh, duke rritur kështu vlerën e shpenzimeve artificialisht dhe në mënyrë të paligjshme.
Drejtoresha pranon se punimet nuk kanë përfunduar
Kjo që shikoni është shkolla “Hasan Meti”, ku shihet qartë se kemi dëmtim të tubacioneve duke përmbytur pjesërisht sheshin, ku luajnë fëmijët që mund të kthehet në një vatër infeksioni. Nga informacionet në terren stafi i “Vetting” ka zbuluar se kjo shkollë nuk punon sistemi i furnizimit me ujë dhe akoma nuk kanë mbaruar këto punime.
Për të kuptuar më shumë rreth punimeve, “Vetting” u përpoq të lidhej me drejtuesin e institucionit. Drejtoresha e shkollës deklaroi se punimet nuk janë mbyllur.
“Ju keni filmuar përjashta. Unë kam dashur të bëj aktivitet dhe nuk më kanë lejuar, pa bërë inaugurimi i shkollës nuk mundet. Sa të kryejnë punimet ata që kanë investuar dhe pastaj hajdeni të filmoni. Jo investimet nuk kanë përfunduar”, u shpreh drejtoresha e shkollës “Hasan Meti”.
Sipas ekspertit Gjokutaj, pjesa e transparencës së munguar është ajo çfarë e humbet të gjithë këtë aspekt dhe ajo çfarë bashkitë në fakt duhet të bënin.
“Të gjitha këto fonde duhet të kishin një kontroll, një mirëmenaxhim dhe një përgjegjshmëri e lartë publike e cila na mungon. Integriteti i procesit ka çeduar dhe ka kaluar në një nivel që na bënë të jetojmë këtë lloji mënyre sesi e kemi sot”, u shpreh eksperti Gjokutaj për “Vetting”.
Por problemet me tenderin lidhen edhe me mbikqyrjen, konkretisht me tenderin e zhvilluar më 12 qershor 2023. Vetëm 10 ditë më pas, Bashkia shpalli fituese kompaninë “Engineering Consulting Group” me një ofertë 1.2 milionë lekë.
Një nga kompanitë pjesëmarrëse, “Miki Consulting”, me administrator Gjeto Dukaj, paraqiti ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke pretenduar se “Engineering Consulting Group” nuk përmbushte kriteret ligjore. Sipas ankesës, oferta e shpallur fituese ishte nën vlerën minimale të lejuar, çka e bën këtë shpallje fituese jo vetëm të padrejtë, por edhe të paligjshme.
Por një kontratë tjetër me probleme që lidhet me të njëjtën kompani është tenderi për “Përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale në proces legalizimi”, i mbajtur më 6 tetor 2022.
Edhe në këtë rast, përsëri fitues do të shpallej kompania ALKO-IMPEX General Construction” me administrator Arbër Abazim, nip i ish-deputetit të PS-së, Sadri Abazi, me një ofertë prej 22.5 milionë lekësh. Çuditërisht, të katra kompanitë e tjera u skualifikuan që në fazën e parë, duke i hapur rrugën kompanisë nën administrim e nipit të ish deputetit Sadri Abazi.
Një nga ofertat e skualifikuara, bashkimi i operatorëve “B92 II” & “Shendelli”, kishte ofruar më pak – vetëm 22 milionë lekë, por u përjashtua. Përfaqësuesi i kompanisë “B93 II”, Ardit Licaj, dorëzoi ankesë për mosdakordësi në përzgjedhjen e fituesit.
Por problemet nuk mbarojnë me kaq. Sipas një auditimi, rezulton se në zbatim janë konstatuar volum punimesh të pakryera, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
Sipas audituese Meri Lika, në lidhje sesi duhet të veprohet me tenderat, çështje thelbësore është kostimi i tyre.
“Kur hetohen tenderat, në lidhje me abuzimet duhet parë si është bërë kostoja e tij, si ka dalë ky çmim. Çmimi që ka dalë në tender, si është ky çmim në krahasim me të tjerët dhe si e bënë një punë një privat” tha për “Vetting” audituesja Lika.
Bashkia e Vaut të Dejës dha miliona lekë në tender për pikë grumbullimi për fermerët, por përfundoi për ‘djegie’ plehrash!
Zona e Vaut të Dejës ka një veprimtari të gjerë në bujqësi dhe kjo ka krijuar nevojën që fshatarët dhe fermerët të dorëzojnë produktet bujqësore në një pikë grumbullimi. Ajo mundësi që duhet të ishte një avantazh për banorët e zonës, të cilët janë të varur nga puna në bujqësi, është kthyer në një mundësi për zyrtarët e lartë për të abuzuar me detyrën.
Në tetor 2022, Bashkia do të shpallte tenderin për “Ndërtimin e pikës së grumbullimit për produktet bujqësore në Vau i Dejës” me fond limit 28.7 milionë lekë.
Fitues u shpall kompania « KOMBEAS », me administratorë Astrit Nabolli dhe Mhill Ndreca me vlerë 25 milionë lekë ose 250 mijë euro.
Ndërkohë, kompania “Ndërtuesi 2014” kishte ofruar vetëm 22.7 milionë lekë, çka do të përfaqësonte një kursim prej rreth 3 milionë lekësh për buxhetin publik. Por për arsye të pasqaruara, kjo kompani u skualifikua për një gabim teknik të emërtimit në marrëveshjen e bashkëpunimit, një devijim minimal, që sipas ligjit mund të kërkohej për sqarim nga bashkia pas shpalljes së fituesit.
Por “Vetting” ka zbuluar një abuzim akoma më të rëndë me pikën e grumbullimit. Rrugës duke shkuar te pika e grumbullimit të produkteve bujqësore “Vetting” konstatoi se nga një pikë e grumbullimit të produkteve bujqësore, ky vend është kthyer në një pikë të grumbullimit të mbetjeve. Madje mund të themi që dora e njeriut rreth e qark ka eliminuar mbetjet nëpërmjet procesit të djegies, gjë e cila rrit amortizimin e godinës, njëkohësisht duke ndotur edhe zonën.
Nga verifikimet në terren rezultoi se godina është ndërtuar në fshatin Kosmaç, një zonë periferike që ndodhet shumë larg serave të fermerëve.
Godina ndodhet në një vend ku rruga është me baltë dhe gropa. Në dyert e kësaj pike grumbullimi shikon plehra të shumta të përhapura në çdo cep dhe bimësi e cila tregon se aty nuk grumbullohen produkte bujqësore. Një vend i shkretuar ku paratë u shpërdoruan dhe dyert e kësaj ndërtese janë të kyçura prej shumë kohësh. Madje disa nga xhamat janë thyer dhe uji ka filluar të pikojë duke sjellë rrezik serioz për dëmtimin e godinës.
Sipas ekspertit të ekonomisë Eduard Gjokutaj, problemet lidhen me arsyet këto projekte nuk motivohen mbi interesat e qytetarëve, por mbi interesa të ngushta politike partiake por edhe interesa të grupeve të caktuara.
“Për këtë arsye kemi edhe atë çfarë vjen, e cila ndodh jo në interesat që ka prioritet publikun, por në interesin e politikës afat shkurtër. Kjo sjell një efekt të përcaktuar në perceptim, por nuk sjell atë që lidhet me qëndrueshmërinë e projekteve dhe vijueshmërinë e tyre në funksion të ekonomisë”, u shpreh eksperti Gjokutaj.
Jashtë kamerave fermerët shprehen se ky investim ka qenë thjesht për të përfituar pushtetarët dhe jo në interes të fermerëve, të cilët prodhimet e tyre i nxjerrin për shitje në qendër të fshatit. Për sa i përket pikës së grumbullimit të produkteve bujqësore shprehen të zhgënjyer. Disa prej fermerëve nuk kanë dëgjuar për këtë investim, i cili është gjysmak dhe nuk iu ka ardhur në ndihmë fermerëve. Dështimi i këtij projekti që ka marrë miliona lekë është pranuar edhe nga drejtuesi i kësaj pike grumbullimi.
“Për momentin nuk ka hyrë në funksion, kemi pritur të marrim një fond tjetër për të bërë dhomat, por për momentin nuk është në funksion. Unë punoj aty, kemi bërë një aplikim dhe ishallah po e na e subvencionon qeveria. Do ta shoh me kryetarin e bashkisë, punë tre muajsh” u shpreh drejtuesi i pikës së grumbullimit për “Vetting”.
Nga verifikimet rezulton se nuk është vënë akoma në funksion edhe pse është krijuar një ndërmarrje varësie (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) nga Bashkia Vau i Dejës, duke rezultuar si investim pa eficencë për këtë bashki.
Në këtë projekt mungojnë investimet më të rëndësishme, siç janë dhomat frigoriferike. Rezulton se Bashkia Vau i Dejës e ka patur në dorë mundësinë për të bërë dhoma frigoriferike, nëpërmjet detyrës së projektimit, pasi projekti është lënë në dorën e zbatuesit (me çelësa në dorë). Në dosjen teknike del në pah se nuk ka asnjë aprovim të projekt zbatimit nga Bashkia.
Kjo do të thotë që Bashkia e Vaut të Dejës mund ti kërkonte sipërmarrësit që të përfshiheshin në projekt edhe dhomat frigoriferike. Duke qenë se ky objekt nuk është në funksion, nxitimi për ta bërë sa më shpejt, ka dalë i gabuar. Ndërkohë që bashkia ka patur edhe fonde për t’i bërë dhomat frigoriferike, përderisa ka prokuruar fonde për punime publike edhe në vitin 2023, edhe në vitin 2024.
“Vetting” zbuloi punime të pakryera në vlerën 2.4 milionë lekë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar arkëtimin e kësaj shume si dëm ekonomik ndaj buxhetit publik. Për këtë projekt janë mbajtur përgjegjës kryetari i bashkisë dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Sipas deputetes Dhurata Çupi, do të duhet që ndëshkueshmëria të jetë permanente dhe të jetë në mënyrë të vazhdueshme.
“Ka procedura prokurimi që në momentin që denoncohen duhet të kapen në flagrancë sepse në momentin që lidhet kontrata ka pasoja. Kapja në flagrancë nga organet hetimore është një nga procedurat më eficente mendoj unë në ndalimin e këtij abuzimi”, u shpreh deputetja Çupi për “Vetting”.
Tenderi i dyshimtë i blerjes së karburantit nga Bashkia e Vaut të Dejës! Si iu la tenderi “Gega Oil”, konkurrenti “Sefa” tërhoqi ofertën më të ulët!
Një tjetër tender me probleme është ai për “blerje karburanti” për vitin 2023 me fond limit 20 milionë lekë nga Bashkia Vau i Dejës.
Kompanitë fituese “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA paraqitën ofertën 20 milionë lekë me normë fitimi 20 lekë për litër.
Ndërkohë kompania tjetër ”SEFA” shpk kishte një propozim më ekonomik për buxhetin e bashkisë, me vlerë oferte me marzh 17 lekë/litër, por u tërhoq nga gara duke lënë në tavolinë vetëm “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA.
Gjatë fazës së vlerësimit të ofertave rezulton se kompania “Sefa” ka paraqitur një kërkesë për tërheqje nga oferta. Ndërkohë që kompania ka paraqitur një dokument si sigurim oferte pranë kompanisë së sigurimeve me nr. serie 0141939, më datë 20 korrik 2023 në shumën 404 mijë lekë për llogari të Bashkisë Vau i Dejës.
Nga verifikimi i dokumentacionit konstatohet se kjo shumë nuk është transferuar në llogarinë e Bashkisë Vau i Dejës dhe nuk është kërkuar nga kjo e fundit.
Pra, shuma prej 404 mijë lekësh përbën dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Vau i Dejës. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto veprime janë në kundërshtim me VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, neni 30, pika 6.
Bashkia e Vaut të Dejës nuk ka dokumentuar llogaritjen e vlerës së kontratës pasi nuk dokumentohet dhe argumentohet sasia e karburantit mbi të cilën është hartuar fondi limit. Veprime këto të cilat nuk janë në përputhje me ligjin “Për prokurimin publik”.
Shembujt e mësipërm nuk janë të rastësishëm. Në Shqipëri mungesa e konkurrencës së vërtetë në tendera është bërë rregull, duke eliminuar sistematikisht ofertat më të lira dhe duke favorizuar kompani të lidhura politikisht.
Në rastin e rikonstruksionit të shkollës në Mjedë, mbikëqyrjes së punimeve, infrastrukturës në zonat informale dhe pikës së grumbullimit, Bashkia Vau i Dejës ka shpërblyer kompani që ofrojnë çmime më të larta, duke shkelur parimin themelor të prokurimeve, ekonomicitetin dhe eficiencën.
Nëse do të ndiqeshin procedurat korrekte, vetëm nga dy tenderët e parë do të kishin kursyer miliona lekë, që mund të ishin investuar për shërbime për qytetarët.
Por realiteti në terren është tjetër, taksat që u vilen shqiptarëve kthehen në pronë private, ndahen sipas interesave politike dhe klienteliste, duke u bërë një mall i shitur në dëm të interesit publik.