Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI) ka miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtura dy ditët e fundit në Abixhan të Bregut të Fildishtë një rezolutë të propozuar nga Partia Demokratike, sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë me dije Sali Berisha gjatë një konference për mediat, ku tha se farsa elektorale në Shqipëri mori një ndëshkim madhor ndërkombëtar, teksa shtoi se rezoluta mbështetet në raportin paraprak të OSBE/ODIHR.
Përmes rezolutës të titulluar “Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”, IDC-CDI shprehin shqetësim të thellë se zgjedhjet e 11 Majit ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit.
Në të përmenden presioni ndaj votuesve, kontrolli i mediave nga partia në pushtet, përdorimi i burimeve shtetërore dhe institucioneve publike, mbylljen e TikTok apo pandëshkueshmërinë nga ana e institucioneve të drejtësisë.
Po ashtu, rezoluta e miratuar nga IDC-CDI kërkon që të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHT dhe të krijohet një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja që sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
Sali Berisha: Farsa elektorale 11 Maj 2025 në Shqipëri mori një ndëshkim madhor ndërkombëtar nga organizata politike më e madhe në botë e partive të qendërs dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës, e cila grupon së bashku 108 parti politike nga të gjithë kontinentet dhe që ka se sesion të saj në kontinentin evropian, Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj. Kjo organizatë botërore në konferencën e asamblesë të përgjithshme të saj, të mbledhur dy ditët e fundit në Abixhan, kryeqytetin e Bregut të Fildishtë, miratoi me unanimitet të plotë, pa asnjë kundërshtim, rezolutën për farsën elektorale të 11 Majit në Shqipëri. Në këtë rezolutë, Internacionalja Demokrate e Qendrës denoncon botërisht atë që ndodhi me një 11 Maj në farsën e vendit tonë. Në denoncimin e saj, ajo bazohet mbi të gjitha në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Natyrisht ajo është ndihmuar edhe me materialet e paraqitura nga përfaqësuesit e PD në konferencën e kësaj organizate, që janë zonja Albana Vokshi dhe zoti Belind Këlliçi.
Siç e shihni pra, populli opozitar në Shqipëri ka marrë dje me këtë rezolutë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare për kauzën e vet të drejtë. Kjo rezolutë e 108 forcave politike, më e madhja në botë, denoncon farsën e 11 Majit si një farsë të shëmtuar, ku u shkelën një nga një parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Në këtë forum botëror kanë gjetur mbështetje të plotë kërkesat e PD-së për qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Në këtë kuadër, në këtë kontekst, rezoluta është një frymëzim madhor për të gjithë shqiptarët që e konsiderojnë Edi Ramën një armik të egër, të papajtueshëm me votën e tyre. Që e konsiderojnë votën e lirë, themelin e një sistemi demokratik dhe kushtin e të gjitha kushteve për të ardhmen e tyre. Një mirënjohje të pakufishme ndaj presidentit Pastrana, zëvendëspresidentëve dhe kryesisë, në të cilën është edhe presidenti i PPE, Manfred Veber dhe të gjithë atyre përfaqësuesve të 108 partive politike që dolën në krah të qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të votës së tyre të lirë. Kjo është një arritje madhore, e cila regjistrohet pa u tharë boja mirë në procesverbalet e farsës më të shëmtuar elektorale të 32 viteve të fundit në Shqipëri. Kjo rezolutë është një apel, një kushtrim për popullin opozitar për të luftuar dhe sakrifikuar, për të paguar çdo çmim për votën e lirë, duke i garantuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, por janë së bashku me mbarë partitë e qendrës dhe qendrës së djathtë në Europë dhe në botë. Kjo rezolutë i jep goditje fatale narkoqeverisë shqiptare, Edi Ramës, altoparlantëve të tyre në media, të cilat si mercenarë të fjalës së lirë, përpiqen t’u shesin shqiptarëve farsën për proces zgjedhor. Përpiqen të justifikojnë, përpiqen të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët me të njëjtin pasion patologjik që kanë bërë gjatë fushatës elektorale dhe para saj. Kjo rezolutë denoncon me forcën më të madhe Skapin e partisë, këtë organ politik të narkodiktaturës, e cila me urdhër politik persekuton liderët e opozitës shqiptare dhe refuzon të hetojë krimet monstruoze elektorale, pra, ka vendosur pandëshkueshmërinë. Kjo rezolutë denoncon policinë dhe të gjitha institucionet e këtij shteti, që në dhunim flagrant të Kushtetutës dhe ligjeve, u rreshtuan si institucionet e partisë shtet. Edhe njëherë, një mirënjohje të pakufishme të gjithë aleatëve, partnerëve tanë në Europë dhe botë për qëndrimin e tyre dje në mbështetje të kauzës së zgjedhësve shqiptarë për votën e tyre të lirë.
Më tej Berisha shtoi se rezolutat e miratuara nuk e pengojnë integrimin e Shqipërisë për në BE, madje sipas tij, e ndihmojnë atë.
Sali Berisha: Përkundrazi, ne po ndihmojmë, po kontribuojmë shumë në integrimin e Shqipërisë në BE. Në qoftë se BE është bashkim i vendeve të lira dhe demokratike, qeveritë e këtyre vendeve duhet të zbatojnë me rigorozitet parimet themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Rezoluta nuk kërkon asgjë tjetër përveçse zbatimin e këtyre parimeve. Unë mendoj se kjo rezolutë dhe qëndrimi ynë, duke evidentuar të vërtetat e hidhur dhe jo fshehur, është kontribut real në udhëtimin e Shqipërisë drejt BE.
TEKSTI I REZOLUTËS SË MIRATUAR NGA IDC-CDI
Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”.
Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.
Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),
Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,
Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,
Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,
Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:
•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):
Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.
•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):
Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.
•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):
Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që “shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet”.
•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.
•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;
•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.
•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.
IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:
•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;
•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;
•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:
Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;
Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;
Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
IDC-CDI:
•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;
•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;
•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.
Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025.