Emisioni Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës arrogancën e dy zyrtarëve shtetërore, burrë e grua, të cilët kërcënojnë dhe mbajnë me forcë një hotel 5 katësh në zonën e Plazhit në Durrës.
Por, arroganca e tyre mbrohet mjaft fortë nga institucione të tjera shtetërore, si Njësia Administrative Nr.5, Policia dhe IMT-ja e Durrësit. Këto institucione, pavarësisht se u njoftuan për punime pa leje në një hotel që ka edhe 2 bashkëpronarë të tjerë, nuk reaguan dhe nuk veprojnë, duke “mbrojtur” me fanatizëm “kolegët” e tyre.
Të “fortët” e plazhit të Durrësit, që kanë “zaptuar” edhe godinën, janë Andi Domi, shef i Furnizuesit të Shërbimit Universal, Megi (Domi) Kokoshi, punonjëse pranë DPSHTRR-së dhe nëna e saj, Fatmira Kokoshi. Të tre, por më kryesori, Andi Domi ofendon mjaft rëndë denoncuesit, madje edhe duke i kërcënuar. Por, shefi i FSHU-së vijoi me aludimet dhe me arrogancën, teksa akuzoi edhe grupin e Fiks Fare se “ishte i paguar”.
Punimet ditët e zgjedhjeve, policia dhe IMT nuk e shohin!
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Jonuz Kokoshi, i cili thotë se kunata e tij Fatmira Mema (Kokoshi) po kryen punime në hotelin 5 katësh që e kanë në bashkëpronësi. Sipas tij, ndërtesa është ndërtuar nga 3 vëllezër në vitet 2000. Më pas kishte konflikte familjare, teksa ata iu drejtuan edhe Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit Durrës. Në muajin prill 2018, Apeli njohu 3 vëllezërit bashkëpronarë dhe prej këtij momenti, Jonuzi dhe vëllai tjetër që ishin paditës nuk shkelin dot në pronë të tyre.
Sipas tyre, ndarja e pronës nuk është bërë për shkak se nuk është regjistruar në Kadastër dhe ata disponojnë (3 vëllezërit) gjysmën e godinës 5-katëshe, gjysmën tjetër e ka firma që bëri punimet. Por, edhe këtë gjysmën e posedon vetëm Fatmira, e cila përzë sipas Jonuzit punonjësit e ALUIZNI-t që shkojnë për të bërë matjet dhe për t’a regjistruar.
Jonuzi ankohet se, ka shkuar në datën 8 maj 2025 (3 ditë para zgjedhjeve parlamentare) dhe ka parë se në pronën e përbashkët po bëheshin punime. Ishin hequr të gjitha orenditë, hidrosanitaret, instalimet elektrike, po bëheshin mure, po prishej fasada etj. Ata kanë lajmëruar policinë në datën 8 maj dhe policia ka marrë kallëzimet.
Po në datën 8 maj 2025, Fatmira ka shkuar te Njësia Administrative 13 në Durrës dhe ka bërë një deklaratë punimesh të brendshme. Deklarata është firmosur dhe vulosur nga kreu i Njësisë Jurgen Tabaku. Policia ka marrë deklarimet dhe s’ka bërë asnjë veprim. Ndërkohë, qytetarët janë ankuar te Njësia Administrative dhe te Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Durrësit që punimet të ndaleshin, pasi prona është në bashkëpronësi. Asnjë nga këto dy institucione, plus policinë, nuk veproi.
Fiksi ka siguruar edhe një bisedë mes Dorian Memës, kreut të IMT-së së Bashkisë së Durrësit dhe qytetarëve. Këta të fundit i kërkojnë që IMT-ja të ndërhyjë, pasi inspektorët kanë shkuar te pallati 5 katësh dhe s’kanë vepruar. Kreu i IMT-së i kërkon llogari inspektorit, madje i thotë se “kemi shkelje të fasadës, punime në fasadë”. Drejtori i kërkon inspektorit që të marrë masë administrative dhe të ndalojë punimet. Inspektori i thotë se “dale njëherë shef, t’i shohim dhe letrat e tjera”. Drejtori i thotë se është e dukshme, punime në fasadë.
Më pas, qytetari shkon te Njësia Administrative dhe kërkojnë që deklarata që ata kanë bërë të shfuqizohet. Madje i kanë çuar edhe letrat e të gjithë pronës dhe se janë bashkëpronarë. Kreu i Njësisë u thotë se për këtë duhet të vendosë IMT-ja dhe është në pritje të tyre!
Shefi i FSHU-së kërcënon dhe ofendon denoncuesit
Fiksi shkoi te prona dhe filmoi pallatin. Në moment shfaqet Fatmira (një nga bashkëpronaret), vajza dhe dhëndri i saj (burri i vajzës). Ata fillojnë dhe ofendojnë denoncuesit. Madje dhëndri i Fatmirës, i cili është edhe shef në Furnizuesin e Shërbimit Universal sh.a., ofendon mjaft rëndë Jonuz Kokoshin, xhaxhanë e gruas. Ai e shan dhe e kërcënon. “Kam për t’ia sh… ropt. Ai është … burrë. Ai … që rri atje” i drejtohet një nga denoncuesve.
Dhe ky person që ka një fjalor mjaft të pasur, drejtuar xhaxhait të nuses së tij, është dhëndri i familjes. Fiks Fare ka mësuar se ai quhet Andi Domi dhe është me detyrë të lartë shtetërore, shef në Furnizuesin e Shërbimit Universal. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, quhet Megi Kokoshi dhe ajo punon në shtet, pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor).
Ndërkohë, mes të dyja palëve fillojnë debatet. Fatmira dhe vajza e saj, edhe ajo një nëpunëse shtetërore, pretendojnë se kanë një dokument, një vendim të Gjykatës së Apelit të Durrësit. Kjo gjykatë, sipas tyre nuk ka pranuar kërkesën e denoncuesve për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, vetë denoncuesit kanë një vendim të Gjykatës së Lartë, ku Fatmira dhe bashkëshorti i saj (i ndjerë) kanë kërkuar që të mos ekzekutohet vendimi i Apelit (që njohu 3 bashkëpronarë), por Gjykata e Lartë ua ka rrëzuar.
Fiksi e pyet se si e bëri deklaratën e punimeve, kur atje janë 3 bashkëpronarë, me çfarë dokumentesh. Fatmira thotë se ka dorëzuar dokumentet e lejes së ndërtimit dhe disa dokumente të tjera, teksa pretendon se vendimi i Apelit nuk mund të ekzekutohet pasi është i jashtëligjshëm!
Por, si nisi konflikti dhe kush janë shkaktarët?!
Arroganca e palës që vijon të mbajë me forcë pallatin 5 katësh, qoftë me familjarët e tyre apo edhe me grupin e Fiks Fare, buron edhe nga mbrojtja e fortë që i kanë bërë institucionet shtetërore. Megjithëse janë dy punonjës shtetëror, ata kryen punime 3 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Pa asnjë dokument dhe pa asnjë leje. Për më tepër, në një pronë me 3 bashkëpronarë. Policia i kapi pa leje dhe s’mori asnjë masë. IMT-ja konstatoi punimi dhe s’u vuri gjobë. Njësia Administrative i pajisi me leje të paligjshme dhe nuk ua revokon.
Fiksi telefonon drejtorin e IMT-së së Durrësit, Dorian Mema. Ai thotë se janë bërë verifikimet dhe se do të veprojë ditën e nesërme për të marrë një vendim! Gazetarët telefonojnë inspektorin e policisë së zonës. Fillimisht thotë se s’kishte ndërtime në fasadë, më pas thotë se kishte leje dhe se duhet të veprojë IMT-ja dhe Njësia. Fiksi e pyet se, në datën 8 maj 2025, kur policia ka marrë njoftimin për punime, a kishte leje?!
Polici thotë se, kur kanë shkuar atje “s’ka pasur leje”. Madje, zonja Fatmira Mema e ka nxjerrë po atë ditë që ka shkuar policia! Inspektori thotë se për vepër penale e di OPGJ-ja. Fiksi shkon te Njësia Administrative në Durrës dhe takon Administratorin Jurgen Tabaku, i cili ditën e konfliktit i ka dhënë leje njërës palë! Qytetarët kanë shkuar edhe herë të tjera dhe ai as nuk e ka pezulluar atë shkresë.
Gazetarët i kërkojnë shpjegime, por ai thotë se jep vetëm pa kamera dhe u jep shpjegime qytetarëve. I bëjmë me dije se i ka dhënë leje vetëm njërës palë dhe jo të tjerave, pasi janë 3 bashkëpronarë. Bën të paditurin dhe tenton të largohet nga zyra. Kërkon që grupi i Fiksit të dalë nga zyra. Por, Fiksi e pyet disa herë, e shoqëron në korridor dhe ai nuk pranon të flasë. Ulet sërish në karrige dhe e pyesim nëse do e shfuqizojë deklaratën apo jo. Thotë se do të njoftojë qytetarët me shkrim dhe s’pranon të japë shpjegime.
Duket se, i gjithë konflikti ka lindur edhe nga arroganca e tepruar e institucioneve. Askush nuk vepron, madje edhe kur njoftohen se ka vepër penale, ka shkelje të fasadës, deklarata e paligjshme. Të gjithë bëjnë të paditurin!
***
Bisedë mes denoncuesve dhe kreut të Njësisë Administrative Nr.5, Durrës, Jurgen Tabaku
Qytetari – Kokoshi jemi, erdhëm para ca ditësh!
Administratori – Po, po, po!
Qytetari – Të thashë që ne ishim te IMT-ja dhe tha që do bëhet masa e gjobës. Dhe do ia çojmë Jurgenit për …
Administratori – A ka shkelje, a ka bërë gjë?
Qytetari – Po prandaj erdhëm ne sot e hënë.
Administratori – Jo, te unë s’ka ardhur gjë shkresë deri tani.
Qytetari 2 – Po mirë si i bëhet?
Administratori – Po pres shkresë, të komunikoj me … Ose shko prapë atje!
Qytetari – Ti vetë nuk ke të drejtë …
Administratori – S’kam të drejtë t’ia revokoj unë, përderisa s’e shkelje. S’i t’ia revokoj unë pa shkelje?
Qytetari – Po në kuptimin që jemi bashkëpronar të 3 dhe dhënia e lejes.
Administratori – Ajo është proces gjyqësor, atë s’e vendos unë!
Qytetari 2 – Po pra proces gjyqësor, po s’duhet të japësh lejen.
Administratori – Pse?
Qytetari 2 – S’duhet se …
Qytetari – Ne e bëmë muhabet, s’ka as certifikatë pronësie ai objekt.
Administratori – Po edhe ata kanë letra, s’ka lidhje kjo pjesë.
Qytetari – Ça letre kanë?
Administratori – Po kush jeton te ajo shtëpi tani?
Qytetari – Nuk jeton asnjë njeri, ajo është për hotel. Ajo shtëpi është për hotel, s’ka njeri.
Administratori – Kush e mirëmban?
Qytetari – Të gjithë, të gjithë, të gjithë … O vëlla, jemi bashkëpronarë ne!
Administratori – Po bashkëpronarë të jesh, s’ka problem!
Qytetari – Ty ça letrash të ka sjellë?
Administratori – Mua një tufë me letra më ka sjellë.
Qytetari 2 – Jo, jo ato t’i kam sjell unë ato!
Administratori – Po ato po, ata tuajat i pashë, s’ka problem. Po duhet IMT-ja të shohë një shkelje.
Qytetari – Ore tani s’po marr vesh unë, a jemi 3 veta ne? 1 do me punu, 2 s’duan me punu. Po mos të gjehet konsensusi, si punon ai pa lejen tonë?!
Administratori – Ore s’mund ta ndaj.
Qytetari – S’do të ndash gjë ti, mos jep leje.
Qytetari 2 – Atëherë, duhet të revokosh lejen në mënyrë të rregullt ligjore.
Administratori – IMT-ja duhet të më sjellë shkresën mua! Se do ta revokoj unë, sa të flas unë me ata të IMT-së, pa merak fare!
***
Bisedë mes denoncuesve, te Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Durrës
Kryeinspektori – O Aro (inspektori). O Ar?
Inspektori – Po.
Kryeinspektori – Bëj letrat. A është kjo foto?
Inspektori – Ëë?
Kryeinspektori – A është kjo foto që më çove mu?
Inspektori – Po.
Kryeinspektori – Bëj letrat. Ja ka prishur edhe këtë pjesën këtu, ka prerë fasadën. Kuptohet shumë qartë, ka prerë fasadën hajde mirupafshim. Futi një procesverbal, hajde! A Aro, unë të them bëj letrat ti vazhdon akoma.
Inspektori – Po ja të vij të sqaroj o burrë.
Kryeinspektori – Bëj letrat se e di unë.
Inspektori – Ok, në rregull.
Kryeinspektori – Vazhdo. Ça do sqaroj më unë! Unë e shoh aty, s’kam për çfarë t’a sqaroj më.
Inspektori – Vetëm këto 2 dritare ka.
Kryeinspektori – O, o, o, o. Unë të them bëj letrat, ti vazhdon akoma. Bëj letrat, kaq!
Qytetari – Ne s’kena gjë me atë (inspektorin) që na sheh sikur i këna bërë gjë mo burrë.
Kryeinspektori – Ai po flet me mu. Ai mund edhe të thotë 1 dritare, s’e bëj fare!
Qytetari – Ne s’po gjejmë zgjidhje drejtor, ku t’a gjejmë zgjidhjen!
Kryeinspektori – Po pse mo, po të dukem gjë si avokati jot ë?
Qytetari – Jo, avokat jo.
Kryeinspektori – Po ça?!
Qytetari – Avokati ka gjyqin, këto të ndërtimit s’i ka avokati.
Kryeinspektori – Po dhe unë di me të thënë, s’ka gjë hajde mirupafshim. Ik ku të duash!
Qytetari – Po pse t’më thuash ashtu?
Kryeinspektori – Po pse mos t’a them?! Hajde t’a gjesh të drejtën pastaj, ikën nëpër gjykata.
Qytetari – Ne po flasim për kështu mo burrë, për me …
Kryeinspektori – Po pra fol!
***
Ballafaqim mes denoncuesve, grupit të Fiks Fare dhe 2 punonjësve zyrtar të hoteli 5 katësh
Dhëndri – kam për t’ia sh… ropt. Ai është … burrë.
E bija – Andi të lutem. Janë gjëra mëse normale që ndodhin.
Dhëndri – Ai … që rri atje!
Nëna – I ti një minutë.
E bija – O Andii.
Gazetari – O zotëri.
Nëna – Ti nuk je njerëzor mo.
E bija – Ke humbur çdo ndjenjë njerëzore.
Dhëndri – Ik në polici, ik, ik në polici!.
Denoncuesi – Po ça më prek me duar?!
Denoncuesi 2 – O Erik!
Nëna – Ik, s’je njerëzor. O Andi ik se e zgjidhim ne atë.
Denoncuesi – Unë jam pronar i kësaj.
Dhëndri – Ku e ke letrën?
Denoncuesi – Po ti ça pronari je?
Gazetari – Kush është personi?
E bija – Personi është im shoq.
Nëna – Turp t’ju vijë, turp, turp.
Gazetari – O Zonjë, merru me mua. A do më sqarosh mua?
Nëna – Të sqaroj unë. Këta janë budallenj.
Dhëndri – Ai i ka marrë lekët e mobilieve?
Denoncuesi – Ça ka punuar?
Nëna – Ato janë të burrit tim dhe ai të hidhet përpjetë.
Denoncuesi 2 – Dakord, dhe ashtu do ta bëjmë.
Nëna – Do ta shohim. S’të vjen turp o Jonuz që ke arritur deri në këtë pikë. Ti ke dinjitet mer.
Denoncuesi – Për çfarë t’na vijë turp që na kanë vjedhur?
Nëna – Ti s’je njerëzor mo. Ti s’je familjar mo.
Denoncuesi – T’na vijë turp se na kanë vjedh?!
Nëna – Përderisa vjen këtu.
Denoncuesi – Jemi vjedh, pse t’na vijë turp.
Nëna – Kemi një vendim të formës së prerë siç thua ti, për të cilën mua të më thuash se çfarë është, për mua është një vendim korruptiv.
Gazetari – Lërë korruptiv, është vendim i formës së prerë zonjë!
Nëna – Është në rekurs në Gjykatën e Lartë.
Gazetari – Po, nuk është pranuar as pezullimi i vendimit.
E bija – Unë jam një person që mbaj një pozicion të rëndësishëm.
Gazetari – Po patjetër …
E bija – Nëse mua ti më reklamon në këto momente …
Gazetari – Ju erdhët moj zonjë, ju erdhët! A më erdhët, a donit t’më sqaronit!
E bija – Nëse më reklamon figurën kjo është totalisht e gabuar.
Gazetari – A do t’më sqaronit?
Nëna – Të sqaroj unë.
Gazetari – Me çfarë leje (i kryet punimet)
Nëna – Me urdhër nga Komuna.
Gazetari – Ke vendim gjykate që ajo është në 3 bashkëpronarë!
Nëna – Unë kam mosekzekutim.
E bija – Unë kam një lëshim urdhri mos ekzekutimi. Pezullimin e gjykimit të çështjes që i përket deri në shqyrtimin e gjykimit në Gjykatën e Lartë.
Dhëndri – A je në rregull o gazetar!
Gazetari – Gjykata e Apelit rrëzon Gjykatën e Apelit?
Nëna – Po.
Gazetari – Ju e keni çuar në Gjykatën e Lartë që të mos ekzekutohet dhe ju është rrëzuar.
E bija – Jo, jo e kanë ngatërruar. Këta vetë e kanë hapur gjyqin pa prezencën tonë dhe ndërkohë gjykata, një gjykatë më e lartë …
Gazetari – Ndërkohë ju e çoni në Gjykatën e lartë.
Nëna – Jo, jo, jo.
Gazetari – Me çfarë dokumenti (i kë bërë punimet)?
Nëna – Kam lejen e ndërtimit në emrin tim.
Gazetari – Ndërkohë ke edhe vendimin e Apelit që ju njohin 3 pronarë.
Nëna – Kam një vendim Apeli që thotë nuk ekzekutohet ku vendim.
Gazetar – Ke një vendim të Gjykatës së Lartë …
Nëna – Është i pazbatueshëm! Kjo është përpara këtij vendimi.
Gazetari – Ndërkohë që ju keni ndërhyrë edhe në fasadë dhe nga jashtë.
Nëna – Jo në fasadë, absolutisht.
Dhëndri – Ku e ke?
Gazetari – IMT-ja!
E bija – Jo, jo. Shko te Dorian Mema.
Gazetari – Do e shohësh. I kam verifikuar.
Nëna – Nuk kam bërë ndërhyrje në fasadë.
Dhëndri – Ke marrë 200 mijë lekësh vëlla!
Gazetari – Urdhëro, çfarë the?
Dhëndri – Paske marrë lekë nga pala tjetër.
Gazetari – Po hajde, çfarë lekësh kemi marrë zotëri?
/ Top Channel /