Është arritur t’i jepet një goditje e rëndësishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, për të cilin ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave”, tha Altin Dumani, kryeprokuror i SPAK.
Një deklaratë e tillë e thënë nga kryeprokurori i SPAK, duket se gjen mbështetje në prova të forta, por njëkohësisht hedh dritë mbi një histori kriminale 15-vjeçare. E ndoshta edhe më shumë se kaq.
Një grup kriminal, që autoritetet italiane e krahasojnë me mafian, për nga hegjemonia dhe lidhjet e forta që ka.
Roberto Rossi, kryeprokurori i Barit
“Për fat të keq mafia shqiptare, e dimë, është një forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar, me anë të prokurorisë dhe gjyqtarëve shqiptarë, do të jetë në gjendje ta luftojë këtë kancer. Pikërisht përmes bashkëpunimit që është perfekt, jemi të sinkronizuar bashkë që të arrijmë këtë objektiv”.
Një grup që u deshën 3 bashkëpunëtorë drejtësie dhe mijëra biseda në platformën SKY për ta zbërthyer e megjithatë, ata që konsiderohen si drejtues të tij, nuk u arrit të arrestoheshin. Operacioni që u shtri në të dy anët e Adriatikut, për ekzekutimin e 52 urdhër-arresteve nga Prokuroria e Barit dhe SPAK, u kodua “Ura”. Një urë që shërbeu ndër vite për të kaluar në dy anët e detit tonelata heroinë, kokainë dhe miliona euro. Në Shqipëri u synua goditja e grupit kriminal me bazë në Durrës, që drejtohej nga Elvis Doçi, apo i njohur si “Visi i Pojës”, i cili është mes 8 personave që arritën t’u shpëtojnë prangave.
Në dosjen e Prokurorisë së Barit, prej më shumë se 1400 faqesh shpjegohet gjithçka. Janë kopsitur të gjitha provat, me fotografi, biseda të SKY e sigurisht edhe dëshmitë e bashkëpunëtorëve te drejtësisë. Edhe në këtë dosje, si në disa të tjera, duket se një rol kyç ka pasur Nuredin Dumani. Bashkëpunëtori i drejtësisë që duket se di gjithçka dhe ka folur për shumë emra të botës së krimit.
Bari ishte qendra e shpërndarjes së sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës që vinin nga Shqipëria dhe që destinoheshin për tregun pulian, si pjesë e një trafiku transnacional që zhvilloi një “biznes” me vlerë të paktën 7 milionë euro . Bari ishte vendi ku kryheshin transaksionet dhe shkëmbimet e parave, të paktën 4.5 milionë euro të dokumentuara.
Porti i Barit ishte vendi nga ku niseshin autobusët, duke sjellë në Shqipëri tufat me kartëmonedha për të paguar drogën te bosët vendas. Hetimi për operacioni “Ura” u nis në Pulia dhe u zhvillua nga Drejtoria Antimafia me ndihmën e Interpolit, Prokuroria e Posaçme në Tiranë dhe Policia Shqiptare. Puna e ekipit të përbashkët hetimor, një mjet bashkëpunimi gjyqësor i krijuar midis DDA-së së Barit, SPAK-ut dhe Eurojust-it, ishte thelbësore. Nuk ishte rastësi që prokurori i Barit, Roberto Rossi , foli për bashkëpunim të përsosur.
Ishin 52 urdhra arresti të lëshuar nga gjyqtarë italianë dhe shqiptarë, kundër personave përgjegjës, në shkallë të ndryshme, për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Disa nga të dyshuarit janë nga Puglia, madje besohet se janë të afërt me klanin Palermiti të Japigias. Gjatë këtij operacioni u goditën tri organizata kriminale transnacionale, duke filluar me sekuestrimin e parë prej 3 milionë eurosh cash në Durrës. Sekuestrime të shumta narkotikësh u kryen në disa laboratorë artizanalë në Bari dhe provincën e përdorur për prerjen dhe paketimin e drogës në blloqe; 2 ton kokainë në portin e Roterdamit; 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro, ne Regio Calabria; 400 kilogramësh hashash në Bari.
Disa vite më parë, bashkëpunëtori i drejtësisë Domenico Milella , ish-krahu i djathtë i bosit të Japigias, Eugenio Palermiti, grupi i të cilit kishte marrëdhënie të qëndrueshme me trafikantët përtej Adriatikut, foli për një kanal furnizimi shqiptar me kokainë.
Milella aktualisht e ka humbur statusin e bashkëpunëtorit, pasi ishte në mesin e 16 personave të arrestuar më 19 nëntor 2024 me akuzat për trafik ndërkombëtar droge, grabitje dhe krime me armë. Milella, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë në vitin 2020 pasi u arrestua për një vrasje mafioze, kishte jetuar në një vend të mbrojtur me familjen e tij për katër vjet.
Bashkëpunimi i Milellas i ka lejuar Prokurorisë së Barit, me kalimin e viteve, të rindërtojë disa episode të lidhura me krimin e organizuar. Dhe dëshmia e tij ishte gjithashtu e rëndësishme në kontekstin e hetimit “Codice interno”, i cili zbuloi lidhjet e dyshuara midis mafias, politikës dhe biznesit në Bari, të cilat do të kishin njollosur edhe zgjedhjet bashkiake të vitit 2019. Bashkëpunimi i tij shërbeu gjithashtu për të hedhur dritë mbi luftën mafioze që u zhvillua në Japigia në vitin 2017 midis klanit Palermiti dhe grupit të udhëhequr nga Antonio Busko , një armiqësi e lidhur me trafikun e drogës në lagje.
Ettore Cardinali, prokurori i Barit
“Deklaratat e bashkëpunëtorëve janë shumë të rëndësishme, sepse na japin një përshkrim nga brenda grupeve të organizuara. Dhe përbëjnë gjithmonë, në çdo hetim, një nga burimet më të çmuara të hetimeve për të kuptuar dinamikat dhe zhvillimet brebnda grupeve kriminale. Jo vetëm ndryshimet që gjithnjë i përkasin fenomeneve që zhvillohen në kohë, por në profilin e veprave penale që realizojnë dhe territoreve ku kryëjnë aktivitetin, të interesave të përbashkëta me ambientet dhe rolet që mbulojnë në grupe. Me ndryshimet që bëjnë në grup, sepse rriten në një grup kriminal, pastaj mund të rrëzohen dhe kjo njohje ndërhyn në mënyrë të menjëhershme nëpërmjet tregimit të atyre që bëjne pjesë në këto grupe. Dhe përbën kornizën e lajmëve të mbledhura me anë të mjeteve të tjera të hetimit, përgjime, shërbime të vëzhgimit, lokalizime, bashkohen të gjitha bashkë me rrefimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ndarja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë mes shteteve, është sigurisht një sfidë e së ardhmes”.
Një risi e hetimit për operacionin “Ura” përfaqësohet nga përdorimi, midis burimeve të provave, i bisedave të koduara të platformës SKY, të fituara me Urdhra Hetimi Evropian në Gjykatën e Parisit. Gjyqtari që drejtori hetimet, e konsideroi si “kërcimin cilësor”, veçanërisht nga pikëpamja e përdorimit të mjeteve teknologjike të përparuara, njohurive dhe kapacitetit sipërmarrës të trafikantëve shqiptarë të drogës, të aftë për të menaxhuar asete kriminale dhe të aftë për të furnizuar grupet mafioze që dominojnë në qytetin e Barit.
Masat e lëshuara në Tiranë prekën, ndër të tjerë, krerët e familjes së fuqishme Troplini në Durrës. Një urdhër arresti ishte edhe për Elvis Doçin, i njohur si “Vis i Pojës”, i konsideruar si “shefi” i qytetit, një komandant dhe një agjent të policisë shqiptare, një avokat dhe 6 shoferë autobusësh ndërkombëtarë. Masat paraprake mbi asetet në Itali përfshinin sekuestrimin parandalues që funksiononte deri në konfiskimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme, duke përfshirë: 9 apartamente; 4 kompani; 7 llogari rrjedhëse dhe 3 makina. Ndërsa në Shqipëri sekuestrimin e disa pronave: 2 kompanive ndërtimi; 4 restoranteve luksoze; një agjencie pasurish të paluajtshme; një rrjeti televiziv, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet në disa milionë euro.
Vladimir Mara, prokuror i çështjes
“Janë ekzekutuar gjithashtu edhe vendimet e gjykatës lidhur me sekuestrimin e pasurive, që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike. Janë sekuestruar 3 restorante në qytetin e Durrësit, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij hetimi, më parë janë sekuestruar 3 milionë euro cash, si të ardhura të këtij grupi kriminal”.
Gjithsej janë regjistruar 30 episode të trafikimit të lëndëve narkotike në Itali dhe më pas 10 episode në Shqipëri, në Holandë dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian. Pra është dokumentuar i gjithë cikli i lëvizjes së lëndëve narkotike, nga vendet e origjinës, në drejtim të Shqipërisë apo vende të tjera të BE-së. Janë firmosur masa sigurimi për 51 persona dhe një urdhër ndalimi, në Shqipëri e Itali, janë ekzekutuar 40 prej tyre.
Në Shqipëri janë vendosur 29 masa sigurimi arrest në burg, ndërsa në Itali 22 masa të tilla. Prokuroria i referohet fillimisht si një grup kriminal, por në fakt ka pasur një organizim të mirëfilltë kriminal. Ka pasur 3 ndarje të grupeve kriminale që kishin aktivitet në Shqipëri, Itali dhe në Amerikën e Jugut. Nga këto janë ekzekutuar masat e sigurimit për personat që bënin transportin e parave, si dhe për një pronar agjencie që bënte transferimin e parave.
Janë kapur edhe organizatorë të grupeve kriminale por për 10 prej tyre ende nuk janë ekzekutuar masat e sigurimit. Nga këta të dhjetë, dy kanë qenë edhe më parë në kërkim për krime të tjera. Pra praktikisht janë 8 masa të pa ekzekutuara. Nga të dhënat e regjistruara gjatë këtij procedimi penal, të dokumentuara, veprimtaria e këtij grupi kriminal është nga viti 2020 deri sot. Edhe të gjitha sekuestrimet janë kryer në këtë periudhë. Një rol të rëndësishëm ka pasur edhe DEA amerikane, agjentët e së cilës kanë qenë prezentë të zyrat e SPAK që nga momenti i fillimit të hetimeve.
Madje një ditë pas operacionit të 21 majit 2025, që u finalizua nga në koordinim mes autoriteteve italiane, shqiptare dhe Eurojust, pati një reagim edhe nga ana e Ambasadës Amerikane. Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare, Ambasada thotë se Agjencia Kundër Narkotikëve është aktive. Ndërsa u bën thirrje qytetarëve por jo vetëm, që të sinjalizojnë DEA-n, duke afishuar edhe kontaktin për këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës dhe pastrimit e të ardhurave nga droga. Mes të tjerash ambasada Amerikane pranon se individë të ndryshëm kanë dorëzuar të dhëna të besueshme në luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave dhe çdo informator do të mbahet i fshehtë.
Operacioni që nisi në orët e vota në 20 majit dhe u mbyll më 21 maj 2025, është pjesë e një projekti më të gjerë hetimor nga Drejtorisë Antimafia të Barit dhe SPAK-ut në Tiranë, që synon të luftojë trafikun e pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuar nga organizatat kriminale shqiptare. Në këtë kontekst, pas operacioneve të mëparshme “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”, midis viteve 2018 dhe 2021, DIA e Barit ka ekzekutuar gjithsej 118 masa paraprake, sekuestrimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa milion euro dhe zbulimin e mbi gjashtë tonëve drogë, përfshirë marijuanë, kokainë dhe hashash, duke lejuar, në nivele të ndryshme gjykimi, dhënien e dënimeve deri në 20 vjet burgim për secilin të pandehur.
Michele Carbone, Antimafia Bari
“Është një krim ndërkombëtar që lidhet me trafikun e lëndëve narkotike, që i kalon kufijtë kombëtar dhe ka kontakte që shkojnë përtej vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë. Flasim për kontakte që shkojnë në Europën e Veriut, kalime në Amerikën e Jugut, Ballkan dhe vende të tjera”.
SI U IDENTIFIKUA NË SKY ELVIS DOÇI
Elvis Doçi, i quajtur edhe “Visi i Pojës”, është identifikuar si përdorues i dy pineve të platformës SKY. Ai u zbulua përmes kësaj platforme, kodin e të cilës e zëvendësoi më vonë, duke filluar nga data 6 nëntor 2020. Ai rezulton të ketë dërguar një sërë mesazhesh në italisht një përdoruesi të SKY, ende të paidentifikuar, të cilin edhe e informoi se kishte ndryshuar pinin dhe ta zëvendësonte për të kryer bisedat e mëvonshme.
Mesazhet e dërguara të nesërmen kishin përmbajtje të ngjashme, në shqip, nga i njëjti pin, duke i thënë se po i dërgonte ftesën nga një telefon tjetër, pasi ai kishte mbaruar. Disa javë pasi kishte zëvendësuar pinin, me qëllimin e qartë për t’u njohur nga bashkëbiseduesi i tij, ai tregoi inicialin e emrit të tij . Për më tepër, nga shkëmbimi i disa mesazheve midis tyre, doli që ky i fundit ishte identifikuar pikërisht si “Visi”, një anëtar i familjes kriminale të kryesuar nga Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Në veçanti, bëhet referencë për shkëmbimin e mesazheve të regjistruara midis 31 gushtit dhe 1 shtatorit 2020, nga të cilat në thelb doli që për shtetasi Ekil Ndërjaku dhe po ndërmjetësonte një shkëmbim komunikimesh midis Elvis Doçit dhe një personi të paidentifikuar. Në këtë mënyrë, duke iu referuar vazhdimisht në biseda, u arrit të identifikohej pin i platformës SKY, që përdorte Elvis Doçi.
U mblodhën elementë të mëtejshëm, të cilët lejuan hetuesit të gjurmojmë me siguri identitetin e shtetasit shqiptar të njohur si Visi i Pojës. Midis këtyre janë referencat e përfshira në bisedën e datës 7 shkurt 2021, ku ai i ka shkruar se ishte gati të kthehej me familjen e tij në Shqipëri, duke ardhur nga Kosova, aq sa shprehu qëllimin për të bërë një ndalesë të shkurtër në qytetin e Prizrenit dhe më pas në një zonë shërbimi pranë Kukësit. Në thelb, doli që përdoruesi i pin nga i cili po shkruhej ishte kthyer në Shqipëri nga Kosova rreth orës 14:00 më 7 shkurt 2021. Në këtë drejtim, nga analizimi i bazës së të dhënave të sistemit TIMS, i kryer nga ekipi i përbashkët hetimor, konfirmoi se në fakt, në orën 13:50 të datës 7 shkurt 2021, duke kaluar pikën kufitare të Morinës, Elvis Doçi ishte kthyer në territorin shqiptar së bashku me anëtarët e familjes së tij, duke ardhur nga Kosova.
Prova të mëtejshme që konfirmojnë faktin se bëhet fjalë pikërisht për Elvis Doçin, u gjetën në bisedën e datës 2 nëntor 2020, kur ky i fundit e informoi një tjetër përdorues të SKY se makinat e blinduara të përdorura nga banda, së cilës ai i përkiste, ishin sekuestruar, duke e paralajmëruar bashkëbiseduesin e tij për rrezikun se ai mund t’i nënshtrohej masave të ngjashme. Në këtë drejtim, rezultoi se në fakt kontrollet e kryera në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, pjesë e ekipit të përbashkët hetimor, kanë bërë të mundur të konstatohet se, brenda fushëveprimit të një aktiviteti më të gjerë, sekuestrimin e aseteve që i atribuoheshin familjes së Xhevdet Troplinit. Në periudhën midis 30 janarit 2020 dhe 14 shkurtit 2020, Elvis Doçit i kishin sekuestruar një makinë të blinduar “Audi A8” me targë AA569PA.
Prokuroria e Barit
Duhet shtuar se bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, gjatë marrjes në pyetje të kryer në Tiranë para magjistratëve të Barit dhe atyre të SPAK, brenda fushëveprimit të aktiviteteve të kryera nga ekipi i përbashkët hetimor, dha elementë informacioni që lejuan identifikimin e plotë të Elvis Doçit, si trafikanti shqiptar i drogës, i njohur si “Visi i Pojës”, si dhe për ta përfshirë atë si një figurë kryesore në kontekstin kriminal të lidhur me grupin e udhëhequr nga daja i tij Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Në veçanti, pasi e njohu atë në një fotografi, Nuredin Dumani tha se e kishte njohur Elvisi Doçi, që në faky ai e njihte thjështë si “Visi i Pojës”, për shumë vite, në sajë të bashkëpunimit të ngushtë kriminal që kishte pasur në të kaluarën me Fatmirin Troplin të njohur si “Miri”, djalin e Xhevdetit Troplin. Në këtë drejtim, ai specifikoi ndër të tjera, se në mjedisin kriminal shqiptar nuk ishte askush, përveç Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”.
RRËFIMET E BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË
Nuredin Dumani identifikoi Xhevdet Troplinin e Elvis Doçin si më të fuqishmit në Durrës
Në dosjen hetimore italiane janë përfshirë edhe dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, që kanë pasur një rol thelbësor në identifikimin e drejtuesve të grupit kriminal. Një prej tyre është edhe Nuredin Dumani, që në Shqipëri ka zbërthyer dhjetëra krime e disa grupe kriminale.
Në dosje thuhet se deklaratat e bashkëpunëtorit të drejtësisë janë të rëndësishme për qëllimet e rindërtimit të kontekstit, në të cilin vepruan të dyshuarit, si dhe të transaksioneve individuale të paligjshme, me të cilat ata u morën.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, spontanisht, raportoi fakte që ishin objekt i perceptimit të drejtpërdrejtë, duke dhënë informacione specifike mbi aktivitetin e kryer, ndër të tjera, nga Elvis Doçi dhe Xhevdet Troplini, si dhe pseudonimet e tyre.
Ai tha se e filloi karrierën e tij kriminale duke kryer vrasje me pagesë. Për këtë aktivitet kriminal, ai përdori telefona të koduar, të cilët u blenë në një dyqan në Tiranë, me një çmim fillestar prej 2 mijë eurosh, duke përfshirë një abonim gjashtëmujor në platformat e koduara, çmim që më vonë u ul në 1300 – 1400 euro. Bashkëpunëtori i drejtësisë tha se përdori platformat e koduara SKY, BC1 dhe MATRIX.
Më pas, ai filloi të trafikonte drogë, duke thënë se paratë transportoheshin nga Italia në Shqipëri me anë të autobusëve të kompanisë shqiptare “La Firenze lines”, të cilët niseshin nga porti i Barit për të mbërritur në Durrës. Për transportin, shoferi ishte i siguruar me një shumë parash që korrespondonte me 10% ose 12% të shumës së parave të transportuara për udhëtimet nga Italia në Shqipëri, si dhe një shumë që korrespondonte me 3% ose 4% për udhëtimet nga Shqipëria në Itali.
Në fakt, gjatë marrjes në pyetje më 18 janar 2024, të kryer brenda ekipit të përbashkët hetimor, në zyrat e Prokurorisë së Posaçëm në Tiranë, Nuredin Dumani, anëtar i një grupi kriminal shqiptar, tha se ishte përfshirë në trafikun e drogës nga viti 2010 deri në vitin 2013 dhe se ata ishin më të fuqishmit. Sipas tij ky ishte grupi i Xhevdet Troplinit, që në vitet e fundit ishte bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit. Atij iu vu përpara një fotografi që mbante numrin 5, të cilin e identifikoi si “Visi i Pojës”, djali i motrës së Xhevdet Troplinit.
Prokurori: Po numri pesë ?
Dumani: Mund ta identifikoj shumë mirë.
Prokurori: Kush është ai?
Dumani: Nuk e di mbiemrin e tij, por e njoh me emrin Visi. E kam njohur prej vitesh, që kur isha i vogël në moshën 16-17 vjeç.
Prokurori: Çfarë dini për këtë Visin, çfarë ka bërë ai?
Dumani: Visi është një negociator shumë i mirë.”
Prokurori: Negociator i çfarë gjëje?
Dumani: Në fillim ata ishin për trafik heroine.
Prokurori: Në cilin vit?
Dumani: Po flasim për vitet 2010 deri në 2013, ata ishin më të fuqishmit.
Prokurori: Ende në lidhje me heroinën?
Dumani: Për heroinën.
Prokurori: A është ai pjesë e ndonjë grupi?
Dumani: Një grup shumë i madh. Është grupi Xhevdet Troplinit.
Prokurori: Shpjego lidhjen që ka me Xhevdetin.
Dumani: Grupi i Xhevdet Troplinit vitet e fundit u bë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit.
Prokurori: Për?
Dumani: Për trafikimin e kokainës dhe heroinës dhe më pas për vrasje. Jo vrasje me pagesë.
Prokurori: Së pari the se ishte një negociator i shkëlqyer i heroinës që nga 2010 deri në 2013. Pse deri në 2013? Çfarë bëri ai pas kësaj?
Dumani: Pastaj në vitin 2013 ai la heroinën dhe filloi kokainën sepse nuk ishte shumë e vlefshme.
Prokurori: Vetëm kokainë apo edhe heroinë?
Dumani: Jo, jo, nuk e kam dëgjuar më të flasë për heroinën, përveçse për kokainë po. Ton me të.
Prokurori: Ai është pjesë e grupit Troplini?
Dumani: Po. Është numri dy.
Prokurori: Si e quajnë Visi?
Dumani: Me nofkën Kusho.
Prokurori: Visi?
Dumani: Po Visi. Miri më tha: “Duhet të flas me kushëririn tim. Duhet të shkoj të takoj Visin”.
Prokurori: Dhe kur e tha këtë, i referohej Visit?
Dumani: Visit, Visit gjithmonë Visit.
Prokurori: Në rregull. The se grupi Troplini u bë një nga grupet më të mëdha të heroinës dhe kokainës në Durrës.
Dumani: Edhe më shumë, por ndërkohë po flas për Durrësin sepse për këtë jam i sigurt.
Prokurori: Në rregull, ai trafikon si kokainë ashtu edhe heroinë. Por Visi në grup po merrej vetëm me kokainë?
Dumani: Me gjithë aktivitetin kriminal.
Prokurori: A patët kontakt të drejtpërdrejtë me Visin?
Dumani: Po, e kam bërë.
Prokurori: Në bisedë?
Dumani: Jo, jo me chat. Personalisht.
Prokurori: Por ai quhet Visi apo edhe Visi i Pojës?
Dumani: Të gjithë e quajnë Visi i Pojës.
Prokurori: A nuk ka njerëz të tjerë të quajtur Visi i Pojës?
Dumani: Për një periudhë të caktuar kisha menduar se mbiemri i tij ishte Poja.
Prokurori: Vetëm ai? Vetëm atë e quajnë Visi i Pojës, nuk quajnë askënd tjetër ashtu?
Dumani: Jo. Vetëm atë. Ata i thërrasin gjithashtu Miri i Pojës, duke iu referuar të birit, djalit të Xhevdet Troplinit, i cili quhet Poja. A doni t’jua tregoj se kur u arrestua Poja?
Prokurori: Kush është Poja?
Dumani: Poja është Xhevdet Troplini.
Prokurori: Nëse e kuptoj saktë, Visi, të cilin e njohët, quhet Visi i Pojës sepse është pjesë e grupit të udhëhequr nga Troplini?
Dumani: Xhevdet Troplini.
Prokurori: The Poja?
Dumani: Po, Poja.
Prokurori: Nëse e kuptoj saktë, atëherë, kushëriri i tij, kushëriri i Visit është Fatmir Troplini, i quajtur Miri?
Dumani: Ai është kushëri, sepse Fatimiri është djali i Xhevdetit.
Prokurori: Çfarë është Visi me Xhevdetin?
Dumani: Nëse nuk gabohem, djali i motrës.
Prokurori: Nipi i Xhevdetit?
Dumani: Po. Nëna e Visit është motra e Xhevdetit. Këtë di unë. Nëse nuk gabohem.
Prokurori: Ky që sapo the se është djali i motrës?
Dumani: Për aq sa di unë, Visi i Pojës është djali i motrës së Xhevdet Troplinit, që i thërrasin Poja.
Prokurori: Po, doja t’jua thosha më parë. POJA është vetëm një person?
Dumani: Një, unik.
Prokurori: Vetëm një?
Dumani: Po.
Prokurori: Kur thua Poja, Poja, për ty ishte Xhevdeti.
Dumani: Po, gjithmonë për Xhevdet Troplinin.
Prokurori: Kur thatë Visi i Pojës, a ishte kusho?
Dumani: Po kusho është Visi.
Prokurori: I cili do të ishte Elvis Doçi.
Prokurori: Ne pranojmë që personi në foto është Elvis Doçi i quajtur Visi.
Dumani: Visi i Pojës. Po, e kam firmosur.
Në lidhje me kapacitetin kriminal të grupit që i atribuohet Xhevdet Troplinit, i quajtur Poja, Nuredin Dumani deklaroi se ishte një grup kriminel brutal, ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri, hegjemonik prej disa vitesh në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, i aftë të vepronte jashtë vendit në sajë të degëve të forta në Itali dhe Gjermani dhe kontakteve në Amerikën e Jugut.
Dumani: Ai hyri në këtë tregti në një mënyrë të fuqishme, që nga viti 2010 tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin! Në Gjermani, Itali. Në Hamburg ai ka pushtuar pothuajse të gjithë qytetin Po flas për trafikun e kokainës. Në Itali ai kishte mundësinë ta sillte atë në zonën e Kalabrisë. Ai erdhi nga Kolumbia.
Prokurori: Pra, Visi është numri 2, Poja është numri 1. Pastaj thatë se edhe Miri është pjesë e saj.
Dumani: Po. Këta janë tre më të rëndësishmit e grupit.
Prokurori: Ju thatë se ishte një grup që kishte armë.
Dumani: Në sasi të mëdha.
Prokurori: Është një grup që ka vepruar, sa kohë ka që vepron?
Dumani: Hyri në biznes në një mënyrë të fortë, që nga viti 2010 e tutje. Dua të them se ata u bënë të fortë sepse kishin punuar edhe më parë.
Prokurori: A kishte ndonjë zonë që e kontrollonte ky grup?
Dumani: Tani po, tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin. Jo më parë.
Prokurori: Sa persona ka ky grup?
Dumani: Miri më tha dikur se vetëm njerëzit që kishin punësuar për sigurinë e tyre, për lagjen, për familjen, paguanin 150 mijë euro në muaj.
Prokurori: Sa njerëz?
Dumani: Nuk mund ta them numrin e saktë sepse kishte shumë. Paga minimale që duhet të paguajë një person për siguri varjon nga 500 deri në 1000 euro.
Prokurori: Nëse ka paguar 150 mijë euro, të paktën 150 persona?
Dumani: Po.
Prokurori: Këta ishin ata që ishin në Durrës. Apo kishte të tjerë jashtë Durrësit?
Dumani: Dëgjoni, këta njerëz që paguheshin ishin ata që atij nuk i nevojiteshin për gjëra të tjera, sepse në vend të kësaj, ata që ishin jashtë Durrësit ishin partnerët në tregti. Këta u rritën shumë gjatë periudhës kur president ishte një person i korruptuar.
Prokurori: Por a kishte ai njerëz të tjerë jashtë Shqipërisë?
Dumani: Shumë.
Prokurori: Në Europë?
Dumani: Në Gjermani, Itali. Në Hamburg pothuajse e pushtoi të gjithë qytetin sepse edhe unë kisha ndërtuar punën time në Hamburg. Po flas për trafikun e kokainës. Me çmimin e ulët të kokainës ata arritën të dominonin tregun.
Prokurori: Edhe me forcë?
Dumani: Jo, ata nuk përdornin forcën, jo. Ai nuk përdori forcë, nuk kishte asnjë shans me mua, por them se me të tjerët nuk e kam ndjerë kurrë. Ai nuk kishte nevojë për forcë, sepse uli çmimin dhe hyri në treg.
Prokurori: Kjo në Hamburg, në Gjermani. Pastaj ti the që kishte njerëz edhe në Itali.
Dumani: Po, ai më tha se në Itali kishte mundësinë që ta çonte në zonën e Kalabrisë. Erdhi nga Kolumbia dhe u shkarkua atje.
Referencat për operacionet e grupit të udhëhequr nga Xhevdet Troplini në trafikimin ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës konfirmohen nga ajo që doli gjatë hetimit në lidhje me figurën e trafikantit të drogës “Visi i Pojës”, i cili përveçse është përgjegjës për sjelljen që lidhet me shitjen e 8 kilogramëve kokainë në favor të shoqatës që i atribuohet Adi Çobës, të transportuar me korrierë nga Europa Veriore në Itali, në Mola di Bari, u përmend disa herë gjatë disa bisedave të përgjuara midis të dyshuarve, si një kontakt i rëndësishëm në Shqipëri i një grupi të organizuar që vepronte në disa shtete, të dedikuar për trafikimin e narkotikëve.
Një tjetër i penduar i drejtësisë, dëshmia e të cilit është pasqyruar në dosjen e Prokurorisë së Barit është edhe Domenico Milella. Ai ka zbuluar detaje për aktivitetin e trafikut të drogës të kryer nga organizata kriminale ku ai bënte pjesë, me bashkëpunimin e trafikantëve shqiptarë të drogës. Sipas dosjes, Milella ka dëshmuar se klani kriminal i tij furnizohej me kokainë përmes dy kanalesh, nga Holanda dhe nga Shqipëria, të cilat përdoreshin për të zhvilluar trafikun e dorës në territorin e Barit. Bashkëpunëtori i drejtësisë italiane ka zbuluar fillimisht kontakte që ka pasur më dy shqiptarë. Njëri i njohur me emrin “Adi”, ishte i vendosur përkohësisht në Rotterdam, ndërsa tjetri, i njohur si “Enriko”.
Domenico Milella
“Njëri është në Bari, punon dhe nuk është njeri i dyshimtë. Është një djalë i mirë. Sipas meje është i padënuar. Enrico quhej, tani nuk e di nëse është emri i vërtetë. E di ku punon, punon si hidraulik në Madonnella. Po ta shihja, do ta njihja. Punon në një firmë hidraulike. Ai që është në Rotterdam është Adi, ai që ishte këtu, Enrico, punonte në atë firmë që kishte dhe një tjetër, quhej Massimo, që është ortak me ta, nga Bari. Janë lloj njerëzish që s’i dyshon njeri. Ky Massimo dhe Enrico punojnë në një firmë hidraulike, janë me siguri të padënuar”.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Milella ka ofruar shumë të dhëna për mënyrat me të cilat bëhej furnizimi me kokainë nga dy shqiptarët, duke shpjeguar se udhëtimet bëheshin me rrugë tokësore. Ai tregoi se porositë për drogë bëheshin përmes celularëve të dedikuar, të enkriptuar të markës “Black Berry”, të cilët i ishin dhënë nga vetë shqiptarët.
Domenico Milella
“Gjëja e parë që na jepnin ishte një telefon, më parë ishte një Black Berry, tani ishte një tjetër, si iPhone, për të mos rënë në sy të forcave të rendit. Ky ishte i koduar dhe unë kisha disa kode përpara se ta përdorja. Ata, përmes këtij telefoni, t’i dërgonin të dhënat. Një ishte në Holandë, për shembull, dhe tjetri ishte këtu. Ky që ishte këtu të thoshte: “Mbaje, ky është telefoni”, të dërgonin fotografi, çmime, logot që ishin mbi kokainë, cilësitë, dhe ti zgjidhje, bëje marrëveshjen me ta. I kontaktoje, më saktë, i thoje: “Shiko, më duhen edhe 5 pako, mundet t’i sjellësh shpejt?”, dhe ai telefononte dhe thoshte: “Po, por gjithmonë duhen llogaritur 2-3 ditë për të mbërritur. Koha ishte 2 ditë. Ata e shkarkonin vetë, sepse nuk të tregonin makinën, as personin. Shoferët ishin nga Polonia, jo shoferë nga Holanda, gjithmonë të ndryshëm. 2-3 herë ishin nga Polonia, gjermanë, që nuk dinin as italisht, flisnin anglisht me atë shqiptarin. Gjithmonë makina të përshtatura. Maksimumi i ngarkesës ishte 20 kilogramë. Shqiptari vinte, binim dakord për paratë, ai e sillte, e hapje, e shihje dhe pastaj e paguaje”.
Bashkëpunëtori i drejtësisë italiane zbuloi dhe vendet ku fshihej substanca narkotike, duke raportuar se ajo fshihej në një gropë të fshehtë, e vendosur në territorin e Komunës së Mola di Bari. Transporti nga Shqipëria në Itali, siç ka treguar ai është bërë duke e fshehur drogën në karrocat e njerëzve invalidë që udhëtoni me traget. Ndërsa përpunimi dhe përzierja e drogës bëhej në mënyrë të tillë që nga sasia e drogës së pastër nxirreshin sasi të tjera.
Domenico Milella
“Puna e tyre ishte heroina, që vinte nga Shqipëria, ndërsa kokainën vetëm me porosi. Bashkëpunonin ngushtë me Gianni Di Cosimo, që ishte në një nivel të lartë me heroinën në zonën Madonnella. Ai kurrë nuk do ma thoshte, por e dija që kishte një vend diku nga Mola, që kur bëje një porosi ai gjithmonë thoshte: “Duhen 10 minuta, maksimumi një çerek ore.” Ata kishin shumë rrugë, madje edhe njerëz, gjithmonë me traget, persona të sëmurë me karrocë invalidi, e ngjisnin poshtë karrocës. 2-3 kilogramë poshtë karrocës, 2-3 kilogramë të ngjitura në trup. Vetëm paketime të vogla, por 3-4 kilogramë shkonin. 3-4 kilogramë këtu, 3-4 atje… sepse kokaina për ta është shumë e kushtueshme. Heroinën ata pastaj e përzienin në Bari, prandaj, nga 3 kilogramë nxirrnin 12-13 kilogramë, kështu që nuk kishin nevojë të merrnin shumë, quhej “Banana”, ajo heroina shumë e fortë. Dhe kur merrje atë cilësi, nga një kilogram mund të nxirrje 4 ose 5 kilogramë, kështu që nëse vendosnin 3 kilogramë të asaj të mirës poshtë karrocës, ata tashmë kishin një vlerë prej 15 kilogramësh, aq sa është. Nga 3 kilogramë ata i zmadhojnë herë 5 dhe bëhen 15 kilogramë”.
ROLET E ANËTARËVE TË GRUPIT
Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Barit, renditen edhe emrat e 14 shqiptarëve, për të cilët është lëshuar masë sigurie. Disa prej tyre mes grupit të trafikut të drogës, njihen me pseudonime të ndryshme. I tillë është edhe Adi Çoba, i cili është edhe organizatori i rrjetit të trafikut të kokainës në Itali, i cili njihej me 4 ‘nofka’, “Bazholi”, “Bisha”, “I shëndoshi” apo “Cigani”. Adi Çoba shfaqet për herë të parë si drejtuesi i këtij rrjeti kriminal. Në dosje gjendet edhe një skicë që tregon si funksiononte grupi i Adi Çobës, një rrjet kriminal i mirëorganizuar për trafikun e drogës, ku secili prej anëtarëve ka rolet e ndara.
Çoba qëndron në krye të skemës dhe sipas veprimeve hetimore rezulton të jetë drejtuesi i grupit, i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë. Pasi Çoba kujdesej që droga të shkonte drejt Italisë, atje e prisnin shqiptarë të tjerë, pjesë e grupit kriminal. Një tjetër personazh kyç që përmendet në shumë episode në dosje është edhe Erigels Presi, i cili priste drogën në Itali, e merrte e ruante dhe kujdesej për përpunimin e heroinës dhe kokainës të ardhur nga Shqipëria. Së bashku me të vepronin Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante, Giovanni Montedoro, të cilët paketonin lëndën narkotike, duke e bërë të gatshme për tregun.
Anëtarët e grupit merrnin pjesë në fitime në përpjesëtim me rolin e tyre. Merrnin lëndën narkotike dhe pasi e fshinin në vendet e posaçme e përpunonin dhe paketonin, nisnin transportin me mjete të dedikuara për këtë qëllim. Shpërndarja bëhej në provincën e Leçes, konkretisht në San Cataldo di Leçe dhe Oria. Ata kujdeseshin edhe për grumbullimin e shumave të mëdha të parave cash të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, të cilat më pas transportoheshin drejt Shqipërisë te kreu i grupit, Adi Çoba, përmes linjave të autobusëve.
Në një rast konkret, më 27 prill 2022, Angelo Zanzarelli u ndalua në parkingun e një supermarketi në Brindisi, ku iu gjet në makinë shuma prej afro 17 mijë euro, që do t’ia dorëzonte Nuredin Kiptiut. Të dy ndodheshin në vendin e takimit për të finalizuar pagesën e një sasie droge. Hetimet kanë zbuluar se grupi i drejtuar nga Abi Çoba ka trafikuar kokainë e heroinë, të cilat në dosje referohen si “e bardha” dhe “ e kuqja”, nga viti 2016 deri në qershor 2022, jo vetëm nga Shqipëria drejt Italisë, por edhe në Holandë. Adi Çoba bazën e kishte në qytetin e Durrësit dhe të gjithë veprimtarinë kriminale e drejtonte përmes komunikimit në SKY, përmes të cilit komunikonte me pjesëtarët e organizatës dhe jepte udhëzimet për ngarkesat, shpërndarjen dhe pagesat.
Ettore Cardinali, prokuror i Barit
“Për sa i përket flukseve të parave, kemi arritur bashkë të vëzhgojmë dhe filmojmë, kur personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit me autobusë që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet për eliminimin e vështirësive në kalimin e kufijve, është arritur me anë të shkëmbimeve të informacionit, ka lejuar të kryheshin lokalizime me atë të GPS dhe shërbimet e vëzhgimit transkufitare. Kemi arritur të shohim paratë, që nga Italia, nga Bari, shkonin shoferët e autobusëve dhe me autobusë vinin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të gjitha të dhënat e marra nga chat-et, në fotografitë e këtyre bisedave të bëra në celularë, rezultonin përveç lëndë narkotike, edhe para. Bashkë me pakot e parave të dërguara, kishte edhe disa letra të shkruara me dorë, që i përkisnin kontabilitetit të grupit, pra të dhënave ekonomike. Kjo ishte e rëndësishme edhe për sa i përket mjetit për kapjen e pasurive të paligjshme, në Itali është e lejuar për disiplinën mbi narkotikët, sekuestrimi i ekuivalentit të barabartë të të ardhurave nga vepra penale. Pra përmes rindërtimit të të ardhurave, për çdo shitje lëndësh narkotike, Kemi arritur të provojmë, të sekuestrojmë të ardhurat, pasuritë për shumën e barasvlefshme të çdo vepre penale”.
Në lidhje me trafikun e heroinës nga Turqia, në dosje evidentohen marrëdhënien e Adi Çobës me Elvis Doçin, i quajtur “Visi i Pojës”, një tjetër personazh kyç i grupit. Hetimet konfirmojnë se Adi Çoba, i stacionuar përgjithmonë në Durrës, të paktën gjatë periudhës në të cilën është kryer aktiviteti, nga shtatori 2021 deri në qershor 2022, i dedikohej sigurimit të sasisë së drogës, të cilën e dërgonte te bashkatdhetarët Erigels Presi, Nuredin Kiptiu dhe Agron Ganaj, që ishin rezidentë në Bari. Erigels Presi dhe Genci Telollari përdornin kontributin e qëndrueshëm të Gerti Aliut, i cili kishte rolin si ndërmjetës në Shqipëri me trafikantët ndërkombëtarë të drogës dhe krijuan marrëdhënie me të pavarur me grupet e tjera kriminale.
Prokuroria e Barit
“Të njëjtët drejtues të dy grupeve kriminale, Adi Çoba, Erigels Presi dhe Genci Tellollari, për më tepër, kanë përfituar nga kontributi i qëndrueshëm i ofruar konkretisht, përmes furnizimit të lëndëve narkotike nga disa grupe kriminale që veprojnë në mënyrë të pavarur në aktivitetin kriminal në më shumë se një vend, si grupi i drejtuar nga Elvis Doçi (i quajtur “Visi i Pojës”), ai i Redi Tushës, ai i Orges Mollës (i quajtur Gesi), ai i Pirro Çapi (i quajtur “Spiro”) dhe i Ervis Detit (i quajtur Visi), të cilët siguruan transportimin e drogës duke përdorur burimet e tyre materiale dhe personale, përveç aparatit të vet organizativ autonom, nëpërmjet kontributit të qëndrueshëm të korrierëve”.
Pra siç del edhe në dosjen hetimore, një prej personave për të cilin autoritetet italiane kanë lëshuar masën “arrest në burg”, si pjesë e këtij grupi është edhe shtetasi Redi Tusha. Ai është vëllai i Ervis Tushës, nga Shijaku, i cili është njëri prej truprojave të Sali Berishës dhe që shihet shpesh në daljet e tij publike, sidomos gjatë protestave. Ervis Tusha, dikur pjesë e Gardës, dha dorëheqjen nga kjo detyrë në vitin 2019 për të vazhduar si truprojë e Berishës.
Redi Tusha në operacionin “Ura” akuzohet për trafik droge në të paktën 2 raste. Nga hetimet ka rezultuar se Redi Tusha ka pasur rol kyç në trafikimin e 5.5 kilogramëve heroinë të pastër të quajtur “Banana”, nga Shqipëria drejt Italisë.
Nga ana tjetër, dy punonjës të Policisë së Shtetit, njëri në një pozicion të rëndësishëm, në njërin rast ka pasur bashkëpunim me grupin kriminal dhe në rastin tjetër një efektiv në Portin e Durrësit. Konkretisht një masë sigurie është vendosur për ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili është i dyshuar si i përfshirë në këtë grup kriminal. Masa i është komunikuar në qeli, teksa është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Revanshi”. Ndërsa efektivi tjetër me masë sigurimi ka të bëjë me një episod të korrupsionit. Sa i përket avokatit, Armand Tragaj, dyshohet për 4 episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarë të ndryshëm, duke përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë.
Në dosje evidentohet përfshirja e Altin Morinës që mbante një post të rëndësishëm në radhët e Policisë së Shtetit, ku i kërkohet të ndërhyje në Laboratorin e Policisë shkencore, për të dëmtuar një armë zjarri që iu gjet në vitin 2020 Edmond Çekiçit në Durrës. Në dosje zbardhet komunikimi për ndërhyrjen në Laboratorin e Policisë Shkencore. Aty pasqyrohet një episod ku Ekil Nderjaku i kërkon një favor një personi me emri Altin nëpërmjet platformës SKY, për të ndërhyre ne Laboratorin e Policisë Shkencore. Në datën 24 shtator 2020, Ekil Nderjaku nis një bisedë me një person të paidentifikuar, i cili kërkon të kontaktonte me Altinin, me qëllim që të konsultohej me disa të njohur që i përkisnin Policisë, për të ndërhyrë apo falsifikuar raportin e ekspertëve për një armë të sekuestruar. Konkretisht për t’i prishur gjilpërën. Personi tjetër i përgjigjej që Altini do ta bënte sa më shpejt.
Vladimir Mara, prokurori i çështjes
“Disa prej personave, për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurimit, kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në grupin kriminal. Ashtu siç ka edhe persona, për të cilët nuk janë ekzekutuar masat e sigurimit, të cilët kanë pasur një rol thelbësor në aktivitetin kriminal”.
Këto janë vetëm disa nga mijëra dëshmi, biseda të përftuara nga platforma SKY dhe Encrochat, përgjime, fotografime dhe ndjekje në terren, që janë renditur si prova në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Barit. Prova që flasin për një grup të fuqishëm dhe mjaft të rrezikshëm kriminal. Nëse është apo jo më i rrezikshmi, këtë nuk mund ta themi ne. Por kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, po. Edhe pse nuk preferon të përmendë asnjë emër.
Altin Dumani, kryeprokuror i SPAK
“Vlerësimet që i bëjmë ne, që është një nga grupet më të rrezikshme, niset nga shumë indikatorë. Grupi ynë i hetimit por edhe kolegët italianë, të gjithë bashkë konkludojmë se është një nga grupet më të rrezikshëm, që nga pushteti financiar që ata kanë, të ardhurat që siguronin nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për t’i shpërndarë në Europë, kryesisht në Itali por edhe në vende të tjera të Europës. Ajo që mund të pohoj është kjo, që qendra e grupit ishte qyteti i Durrësit. I grupit dhe nëngrupeve”./ Gjërat tona