Alban Hoxha është një qytetar që tregon, se një shtetas turk ka marrë me qira një njësi në katin e parë të pallatit 6 katësh, ku ai jeton pranë “sheshit Wilson”.
Turku ka filluar punimet, duke i krijuar Albanit probleme në dysheme dhe në soletën e katit më poshtë. Albani thotë se kur zbriti poshtë, pa shtetasin turk që po ndërhynte në strukturën e pallatit.
“Unë i jap drejtuar emisionit ‘Stop’ sepse në këtë godinë që shikoni, unë jam pronari i një apartamenti ku banoj, kam dhe një pjesë tjetër që e kam studio, biznes. Problemi qëndron se unë para disa ditësh kam ndjerë në dyshemenë time, që lëkundej. Lëviz dyshemeja ku shkel, mendova se mos kishte lëvizur ndonjë pllakë, por kur lëviza tapetin se e kam studio, pashë që nuk kishte lëvizur asnjë pllakë. Në këto kushte marrë shkas edhe nga punimet që po bëheshin poshtë në katin e parë e parë të pallatit. Zbres poshtë për të pyetur se çfarë ka ndodhur dhe tentoj të hyj brenda për të parë se çfarë ka ndodhur dhe tentoj të hyj brenda për të parë se çfarë punimesh ka bërë. Del një turk që thotë se e ka marrë me qira. Ne e njohim pronarin, por nuk kemi kontakte për momentin me të. Kam parë që është çarë soleta, që është dhe dyshemeja ime. Si pasojë e punimeve që ka bërë, ka lëvizur trari, kollona kryesore që mban dyshemenë time dhe soletën e këtij. Këtu është një problem madhor. Nga momenti në moment që mund të bjerë një tërmet, ku pallati shembet dhe kalojmë në gjëra fatale”, tha denoncuesi.
Në këto kushte ai njofton Policisë e Shtetit, IMT-në, Policinë Bashkiake, por Albani thotë se duhen marrë masa të shpejta, pasi pallati në fjalë ka dalë “ds4” nga tërmeti dhe një dëm tjetër, do të ishte fatal për banorët.
“Pasi vura re që kisha probleme me dyshemenë time zbrita poshtë, verifikova duke pyetur edhe specialistë të kësaj fushe, miq të mi, që janë dhe inxhinierë. I ndodhur në këto kushte kam marrë në telefon, Policinë e Shtetit, kam marrë në telefon IMT-në dhe Policin Bashkiake. Kanë ardhur dhe kanë verifikuar. Deri tani unë kam marrë vesh që i janë drejtuar Inspektoratit të Ndërtimit për të bërë një bërë një verifikim specifik për objektin. Kërkoj që të merren masa shumë të shpejta për sigurinë e objektit. IMT të marrë masa të menjëhershme dhe të mos ta marrë dalëngadalë, sepse tërmeti kur bie nuk të njofton as ty, as mua, as IMT-në, nuk pret”, shton më tej denoncuesi.
Gazetarja u përpoq të komunikojë meshtetasin turk Vildan, por ai nuk ishte në Shqipëri.
Gazetarja: Ndodhem këtu tek dyqani tek kjo njësia që keni marrë me qira.
Qiramarrësi turk: Po!
Gazetarja: Ka ardhur një ankesë ka komshiu ngjitur.
Qiramarrësi turk: Ëhë!
Gazetarja: I cili pretendon se ju keni bërë disa ndërhyrje në strukturën e pallatit, duke krijuar problematika.
Qiramarrësi turk: Po!
Gazetarja: A keni leje për këto punime që keni bërë sepse nga ana e IMT-së na thanë që ti i ke bërë ndërhyrjet pa leje. Dhe duam të dimë se çfarë ndërhyrjesh janë bërë këtu brenda, mund të vish të na tregosh se çfarë ndërhyrjesh janë bërë.
Qiramarrësi turk: Po! Po s’jam në Tiranë.
Gazetarja: Kur do vish këtej?
Qiramarrësi turk: Në datë 15.
Në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, drejtori Klajdi Meçi sqaroi se pas ankesës së banorëve, ka nisur verifikimi dhe rezultoi se punimet e turkut, ishin pa leje.
“Jemi vënë në dijeni nga banorët e pallatit. Nga ana e inspektorëve të Njësisë 5 është bërë verifikimi në terren dhe janë konstatuar punime në katin përdhe të një subjekti, biznesi, në pronësi të një shtetasi turk. Është konstatuar që janë bërë punime pa lejen përkatëse dhe për këtë janë mbajtur procesverbale. Jemi në pritje të vendimit me gjobë dhe të prishjes dhe kthimin në gjendjen e mëparshme. Ne si IMT, konstatojmë punimet nëse janë me leje, ose nëse janë pa leje. Në këtë rast janë konstatuar tre procese ndërtimore, gërmim, prishje fasade pa lejen përkatëse. Për këtë arsye mbahet konstatimi. Por, duke qenë se banorët ankohen për shtetasin turk se punimet që ai ka bërë prishin shtesën e pallatit ne si IMT i jemi drejtuar Institutit të Ndërtimit me kërkesë për informacion, sa i përket qëndrueshmërisë së objektit. Sepse Instituti i Ndërtimit është institucioni përkatës që merret me qëndrueshmërinë e objektit”, sqaroi drejtori Klajdi Meçi.
Për këtë arsye u mor vendimi për gjobë dhe për prishje. Ndërsa për dëmet, rasti është deleguar për vlerësim në Inspektoratin e Ndërtimit.
“Ne inspektuam objektin bashkë me dy inxhinierë nga Instituti i Ndërtimit dhe vumë re që janë bërë disa punime, të cilat kanë ndërhyrë në strukturën bazë të objektit, që janë kollonaT, muret lidhëse dhe muret mbajtëse. Inxhinierët bënë matjet përkatëse dhe besoj se shumë shpejt do të keni një raport ose një sugjerim për përforcime të mundshme nëse do të duhen, për ta kthyer objektin në gjendjen vidale të strukturës”, tha eksperti i Institutit të Ndërtimit./tvklan.al