Në mëngjesin pasi presidenti Donald Trump festoi 100 ditët e para si president në Zyrën Ovale, me një miting të zhurmshëm në Miçigan, festa e tij u përplas me realitetin e zymtë ekonomik.
Ekonomia amerikane u tkurr për herë të parë në tre vjet. Statistikat për tremujorin e parë të vitit u ndikuan nga tarifat e Trump, të cilat bënë që tregjet e aksioneve të binin ndjeshëm duke ulur edhe besimin e konsumatorëve.
“KINI DURIM!!!”, bëri thirrje Trump në një postim në Truth Social, duke fajësuar ish-presidentin Biden për rënien ekonomike.
Është e vështirë të thuhet nëse ky mesazh i Trump në median sociale, i shkruar me shkronja të mëdha, ishte menduar si një lutje apo kërkesë.
Sidoqoftë, një president në detyrë nuk mund të fajësojë përgjithmonë paraardhësin për ato që po ndodhin tani me ekonominë e vendit, edhe kur ngjarjet janë jashtë kontrollit të tij.
Në këtë rast, ekonomistët thonë se tronditjet që kanë goditur pothuajse çdo sektor të ekonomisë amerikane dhe pjesën më të madhe të botës, janë pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të Donald Trump.
Tarifat e tij tregtare dhe mënyra e çoroditur dhe kërcënuese sesi i ka shpalosur ato, kanë dëmtuar ekonominë amerikane.
A mund t’i shpërfillim kritikat e demokratëve? Sigurisht. A mund të vëmë në pikëpyetje sondazhet? Sigurisht. Ato kanë gabuar edhe më parë.
Por shifrat ekonomike zyrtare tregojnë qartë se ekonomia amerikane po ngadalësohet dhe vendi rrezikon të shkojë në recesion, gjë që është makthi më i keq i një presidenti.
“Donald Trump është i vetmi president në histori, i cili trashëgoi një ekonomi të vrullshme dhe e fundosi atë brenda vetëm 100 ditëve”, tha Andrew Bates, ish-zëdhënës në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shtoi se Trump kishte trashëguar nga Biden “ekonominë me ecurinë më të mirë në botë”.
Shtëpia e Bardhë bën një sy qorr
Shtëpia e Bardhë zgjodhi të shikonte anën e mirë. “Të dhënat e reja tregojnë se po përgatitemi për një vrull të fortë ekonomik”, deklaroi ajo, duke vënë në dukje se themeli i ekonomisë mbetej i qëndrueshëm.
Shtëpia e Bardhë shtoi se pjesa më e madhe e rënies ekonomike mund të jetë shkaktuar nga një rritje e importeve, pasi bizneset u përpoqën të ndërtonin inventarë përpara se të hynin në fuqi tarifat e ashpra të Trump.
Por, pothuajse të gjithë vëzhguesit e pavarur ekonomikë, parashikojnë se kur tarifat e Trump do të rrisin çmimet, gjë që do të ndodhë së shpejti, ekonomia amerikane do të ngadalësohet ndjeshëm.
Madje, shumë ekonomistë presin edhe një recesion, i cili ndodh kur ka rënie ekonomike për dy tremujorë radhazi.
Pra, pyetja kryesore është nëse ekonomia amerikane do të tkurret sërish në tremujorin e dytë.
Prodhimi i Brendshëm Bruto, që mat vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, u tkurr me një normë të rregulluar sezonalisht prej 0.3% nga janari në mars.
Ky ishte një ndryshim i madh nga viti i kaluar, kur PBB-ja u rrit me 2.8%.
Kur u publikuan statistikat e reja, treguesit Dow Jones, S&P dhe Nasdaq, pësuan rënie.
“Projektligj i madh dhe i bukur”
Megjithëse tkurrja ekonomike nuk është asnjëherë një gjë e mirë, është më pak e dëmshme për një president kur ajo ndodh në fillim të mandatit të tij, sepse i mbetet kohë për t’u përgjigjur dhe për të bërë kthesë ekonomike.
Por Donald Trump nuk duket se po ia vë veshin këtij paralajmërimi.
Popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm në një sërë sondazhesh që vlerësojnë 100 ditët e para të një presidenti. Mbështetja popullore për politikat e emigracionit të paligjshëm është më e lartë, por vlerësimi për drejtimin e ekonomisë, që dikur ishte i madh, tani ka rënë ndjeshëm.
Donald Trump po e nxit Kongresin që deri në fillim të verës të miratojë atë që ai e quan një “projektligj të madh dhe të bukur”, me disa pika legjislative kyçe.
Kjo paketë për uljen e taksave dhe shkurtime të mëdha në shpenzime, përballet me kundërshtime të forta nga demokratët në opozitë dhe nga disa republikanë që janë të shqetësuar për efektin që do të kishte në deficitin federal.
Kështu, republikanët me një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, do ta kishin të vështirë ta miratonin projektligjin.
Gjasat për miratimin e tij duken gjithnjë e më të ulëta./ USA Today