Në emisionin “Stop” në Tv Klan është ankuar 91-vjeçari Bardhok Gjikola, i cili fillimisht ka pasur një problem me ndërtuesin, të cilit i ka blerë shtëpinë.
“Unë kam pasur një problem me ndërtuesin, atje ku jam futur në banesë, ai ndërtuesi nuk e ka bërë hipotekën në vitin 2007, kur unë hyra brenda sepse kishte probleme me bashkinë. Në vitin 2014 i përfundoi dokumentet, më tha mua nuk është 78 metra, por është kaq metra.
E kishte pretendimin mbi kontratën, unë e kundërshtova dhe çështja kaloi në gjykatë. Gjykata e Tiranës ia kaloi Apelit, Apeli ia kaloi përsëri Gjykatës së Tiranës dhe ky problem u zgjidh në vitin 2023. Ky avokati Përparim Rama më tha hajde të shkojmë tek një person që merret me aplikimet, ngjitur me Gjykatën, aplikim thoshte atje”, thotë denoncuesi.
Pas gjyqeve, që përfunduan në favor të tij, në 24 Tetor 2023 paraqitet në një zyrë shërbimi online, tek asistenti Lorenc Agolli, ku e kishte sugjeruar avokati i tij Përparim Rama.
Pasi Lorenci aplikon për certifikatë pronësie në Kadastër, i moshuari tregon, se i dha 115 mijë lekë, dhe pas 35 ditësh do të pajisej me dokumentin. Por afati kaloi dhe Lorenc Agolli i tha që do të bënte një aplikim të dytë, pas të cilit duhet të priste edhe 35 ditë të tjera.
“Kaluan 35 ditë dhe aplikimi nuk erdhi, më tha që kadastra i vonon dhe pastaj bëri aplikim tjetër. E bëri në datën 25 tetor, pas 6 muajve nuk vendosi datën e saktë. Vendosi datën pas aplikimit të parë. Kam bërë dy kërkesa në kadastër”, shtoi më tej i moshuari.
6 muaj më pas, zoti Gjikola thotë, se nuk i është zgjidhur problemi. 91-vjeçari mësoi në hipotekë, se pagesa e tij nuk ishte bërë dhe kamatë vonesa kishte shkuar 2 milionë e 200 mijë lekë.
“Kemi shkuar te posta, te kadastra, i ka thënë që nuk keni faturën. Pastaj pas 35 ditësh dhe duhet të bëhet regjistrimi i pronës pas aplikimit. Nëse pas 35 ditësh nuk e paguan këtë atëherë çdo ditë është 1500 (lekë të vjetra) tip gjobe dhe nga periudha e aplikimit, që duhet të dilte 35 ditëshi e deri tani ka arritur shuma 2 milionë (lekë të vjetra).
Kur shkuan pas gjithë këtyre veprimeve, hyri në sistem dhe nuk i doli dhe tha që për 72 orë do e zgjidhte sistemin. Në telefon nuk na përgjigjej dhe zyra e shërbimit të tij ishte e mbyllur me qepena. Kam shkuar dhe herë të tjera, dhe herë të tjera ishte e mbyllur. Kur shkova për të marrë përgjigje për veten time, aty kishte edhe persona të tjerë të moshuar që kishin edhe ato këto probleme ”, sqaron vajza e Bardhok Gjikola.
“Stop” tentoi të gjente asistentin e shërbimeve Lorenc Agolli, por ai nuk ndodhet në zyrë. Ndërsa avokati Përparim Rama, shpjegon se ka dëgjuar, që ai luan bixhoz.
Gazetarja: Ishit ju që e drejtuat tek asistenti.
Përparim Rama: Po! Por më lër të ta shpjegoj, më lër të ta shpjegoj…! Dhe unë i thashë, do e bësh nëpërmjet e-Albanias dhe unë këtu poshtë shtëpisë sime, është ky Lorenci dhe unë, kur kam fituar gjyqin, shtëpinë time, që e mora me gjyq nëpërmjet e-Albanias, aplikova dhe më erdhi certifikata, dhe ia sugjerova. Dhe unë e çova atje dhe i thashë shiko, ulja një çik çmimin këtij, se ky është burrë i vjetër. Ishte pagesa për aplikimin tek Hipoteka, dhe pagesa për shërbimin e këtij. Rezulton, që atje nuk ka shkuar, se ia mbajti ky zarfin, i tha do ia çoj unë zarfin me Postë.
Dhe, kur shkohet në Postë, bëhet edhe pagesa e aplikimit. Rezulton, që ky, s’e ka çuar fare zarfin. E kapa Lorencin i thashë, pse më ke përzier mua me këtë histori? Jo po nuk e mbaj mend tha, kush e mori zarfin. Jo, unë s’jam përzierë me zarfin, e ke marrë ti, thashë unë. Ky, ose ka harruar, ose s’ka çuar zarfin të bëjë pagesën e lekëve, dhe e keqja fare, nuk është bërë pagesa, se aplikimi ka shkuar nëpërmjet kompjuterit. Kupton ti? Por, nuk është bërë pagesa përkatëse, këtu është e gjithë puna. Ky nuk ka bërë pagesën dhe hipoteka nuk e ka bërë shërbimin. Kam informacione tani, që doli problemi, më tha dhe një avokat tjetër, që ta kesh prej meje, ky tha, ka dhe një ves tha, që luan bixhoz tha, edhe nuk e di, këtë e kam nga një avokat. Unë kam dy numra edhe njëri më rezulton i mbyllur. Numrin tjetër, që kam, edhe po ta çoj…
- “Më duket luan bixhoz”, asistenti i zhdukur paguan aplikimin me kamatë
Për problemin e 91-vjeçarit Bardhok Gjikola, të cilit asistenti i shërbimit Lorenc Agolli i mori paratë dhe nuk aplikoi në Kadastër për shtëpinë, komunikojmë me shefin e Komisariatit numër 2Ritvan Pali, për një denoncim dhe marrim premtimin, se do të bëhen kërkime për rastin.
Gazetarja: Po ndjek një rast, ankohet një 91-vjeçar për një zyrë asistenti për shërbim online, Lorenc Agolli e quajnë personin. Xhaxhi 91-vjeç ka sjellë dokumentet që të aplikojë për certifikatë pronësie dhe tashmë i bëjnë këto zyrat që bëjnë aplikimin dhe ia dërgojnë ASHK-së. Zotëria ia ka marrë dokumentet dhe nuk i ka kthyer faturë, e ka mushtuar disi. Unë erdha këtu tek zyra, ky i ka vënë qepenin zyrës, mundohem të lidhem në telefon nuk e hap telefonin. Mendova që para se të bëhet një kallëzim, të bënit një ballafaqim mes palëve.
Ritvan Pali: Ne vihemi në lëvizje menjëherë dhe mund të vijë e bija. Po, patjetër!
Pas pak kohësh “Stop”, në bashkëpunim me Komisariatin numër 2, bien në gjurmët e mashtruesit Lorenc Agolli, duke ballafaquar palët. U ra dakord, që Lorenci brenda pak ditësh, të shlyente të gjitha detyrimet.
Dhe në fakt kështu ndodhi, pasi të moshuarit iu pagua shërbimi i kadastrës bashkë me kamatën, 2 milionë e 270 mijë lekë, pagesë pas të cilës, nisi procedura e aplikimit për pajisjen me certifikatë pronësie për shtëpinë e 91-vjeçarit.
Qytetari: Ore, lëre gazetaren ti! Ne duam lekët, o shoku im dhe kaq!
Lorenc Agolli: Të dhashë numrin.
Qytetari: Numrin e kam. Do më marrësh në telefon?
Lorenc Agolli: Të mbaroj unë punë. Ti do të marrësh kopjen tënde, unë kopjen time.
Qytetari: Nuk marrim lekë? Marrim faturën, që pagesën e bën ti?
Lorenc Agolli: Po, faturën do marrësh ti.
Qytetarja: Po me atë faturën, ku të vete unë?
Lorenc Agolli: Atë faturë, ta mësoj unë, tek Hipoteka e Përgjithshme dhe ta pranon Hipoteka me dorën e vet, likujdimet.
Qytetari: Faturën!
Qytetarja: Ne duam të na hapet rruga, që ne të bëjmë aplikimin!
Lorenc Agolli: Rruga të hapet 100%, dhe ta vërtetojmë bashkë tek Drejtoria e Përgjithshme.
Qytetari: Të martën pres telefonatën atëherë, përndryshe pastaj, do veproj ndryshe!
Lorenc Agolli: Jo mo, s’ka lidhje fare ajo!
Qytetari: Mos të vij të marr nëpër dyer policie, pastaj unë të jap faturën.
Lorenc Agolli: Ok!
/tvklan