Konfliktet për çështje pronësie kanë shkaktuar një tjetër viktimë në vendin tonë dhe këtë herë vrasja ka ndodhur në Has.
Më konkretisht, rreth orës 16: 40 në fshatin Pla, 41-vjeçari Ylber Jaku ka ekzekutuar me armë zjarri pushkë 34-vjeçarin Ryshyt Sallahu.
Ky i fundit ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij në momentin kur autori Ylber Jaku i ka zënë pritë dhe e ka qëlluar me një plumb duke e lënë të vdekur. Viktima u gjet i vrarë brenda automjetit që shihni më poshtë.

Policia e Kukësit përmes një komunikate për mediat bëri me dije se ka arrestuar autorin Ylber Jaku, si dhe ka sekuestruar armën e zjarrit të përdorur në krim.
Vrasja e sotme e ka zanafillën tek një ngjarje e regjistruar dy ditë më parë mes dy familjeve Sallahu dhe Jaku në fshatin Pla. Më konkretisht, pas një konflikti për çështje pronësie, 21-vjeçarja Artjola Sallahu dhunoi me sende të forta çiftin e bashkëshortëve Agim Jaku, 65 vjeç dhe Vera Jaku, 60 vjeçe, të cilët mbetën të plagosur dhe përfunduan në spital.
Artjola Sallahu u arrestua pas ngjarjes për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi Agim Jaku mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij Vera Jaku vijon të jetë ende në kujdesin e mjekëve.
Burime bëjnë me dije se Artjola Sallahu është e motra e viktimës Ryshyt Sallahu, ndërsa Agim dhe Vera Jaku janë prindërit e autorit Ylber Jaku.
Mësohet se konfliktet për pronat mes familjes Jaku dhe Sallahu vijojnë prej mbi 10 vitesh, teksa burime bëjnë me dije se familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite për konfliktin. Kallëzimet janë bere nga Agim Jaku, babai i autorit të vrasjes, i cili u kërkonte institucioneve zgjidhjen e konfliktit.
Nisur nga konfliktet e vazhdueshme për pronat, por edhe nga dhunimi i prindërve dy ditë më parë, Ylber Jaku është hakmarrë ditën e sotme duke ekzekuttuar Ryshyt Sallahun.
Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
“Mjaft është Mjaft! Kur ju injoroni (drejtësinë) njerëzit nuk ju injorojnë ju!” – shkruante një ditë më parë autori në rrjetet sociale, që dukej se paralajmëronte vrasjen e Ryshyt Sallahut.