Si u regjistrua toka në emër të punonjësit së ndërmarjes së ujësjellësit së Bashkisë Himarë për të kaluar më pas tek bashkëshorti i ish-ministres së qeverisë Rama që u shpall investitor strategjik.
Në sipërfaqen prej 5512 m2, në kodrinën buzë detit jonë, në zonën e quajtur Gjilekë nuk ka asnjë shenjë dalluese që tregon se prona është e konfiskuar.
Një ekskavator vazhdon të kryej punimet duke sheshuar dherat përballë ndërtimeve thuajse të përfunduara të një hoteli me pesë yje dhe kapacitet prej 106 suitash, i quajtur “Dreamades Luxury Suites”.
Projekti zbatohet nga kompania AG. TCC të Artan Gaçit ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i Olta Xhaçkës, i cili ka përfituar statusin e investitorit strategjik më 29 mars 2021, sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, i firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Pronari i tokës buzë detit Jon ishte Stavro Mëhilli, një banor i fshatit Dhërmi. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme treguan se toka ishte regjistruar në emër të tij nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve nga ish-kryebashkiaku i Himarës.
Jorgo Goro, ndodhet pas hekurave pasi u gjet fajtor për falsifikimin e dokumenteve që çuan në regjistrimin e paligjshëm të një prone në emër të Stavro Mëhillit. Hetimet zbuluan se Mëhilli, një punonjës i thjeshtë i ujësjellësit në Bashkinë e Himarës, nuk kishte asnjë lidhje me truallin në fjalë, ndërsa familja e tij nuk ka përfituar thuajse asgjë nga prona e shitur.
Nëna e tij jeton në një banesë të rrënuar në Dhërmi, ndërsa Stavro rezulton të ketë marrë arratinë, duke lënë pas një grua të moshuar, rreth të tetëdhjetave, të braktisur dhe në kushte të vështira jetese.
Roja që u shndërrua në milioner

Stavri Mëhilli është “zhdukur” nga fshati që kur mësoi se Prokuroria e Posaçme nisi hetimet në pronën në të cilën e gëzoi në letër vetëm për 9 ditë.
Në fshatin Dhërmi, krejt e vetme jeton nëna e tij e cila thotë se nuk ka dëgjuar për të birin asnjë fjalë, për më shumë se një vit e gjysmë.
“Në fillim shkoi të kryente një operacion në Janinë dhe më pas nuk di me asgjë për të, nuk di nëse është gjallë. Kam më shumë se një vit e gjysmë që nuk i dëgjojë zërin” – tregon Vangjelo Mëhilli.
Gruaja 75-vjeçe jeton krejt e vetme në një shtëpi thuajse të rrënuar. Muret e banesës, dy dhoma e kuzhinë, janë krejtësisht të lagështa. Disa kolltuqe, me gjasë të falur, një krevat i vjetër, dhe një arkë me ilaçe janë gjithë sa ka “pasuri” Vangjelo Mëhilli.
Dhe shtëpinë që ka futur kokën, gruaja tregon se e kanë ndërtuar nga puna e një jete bashkë më të birin në Greqi.
Dhjetë vjet më parë, Stavri shkoi në Athinë ku mësoi zanatin e përpunimit të aluminit. E ëma thotë se në tokën helene hapi dyqanin e tij dhe pasi u sistemua aty mori dhe prindërit Foto dhe Vangjelo Mëhilli.
Pak kohë më vonë, pas përkeqësimit të shëndetit të babait, Stavro bashkë me prindërit u kthyen në fshat, në Dhërmi.
Me vehte mori dhe materialet e dyqanit e tij, me shpresën se do të ishte i suksesshëm në biznes edhe në fshat, i kthyer tashmë në një kantier ndërtimi.
Por asgjë nuk ka shkuar mbarë. Për të mbijetuar nisi punë si roje në Bashkinë Himarë ku kujdesej për orarin e hapjes dhe mbylljes së ujit në qytet.
“Merrte 200 mijë lekë (të vjetra). Kaq merrte rrogën atëherë, as për cigare nuk i mjaftonin. Prandaj kemi ngelur këtu”, thotë e ëma 75-vjeçare për “shteg.org”.






Në vitin 2015, pas vdekjes së të atit, Stavro u detyrua të rikthehej në Greqi për të kryer shërbimin ushtarak, pasi gëzonte nënshtetësinë greke. Gjatë qëndrimit atje, ai ndoqi një shkollë për sistemet elektrike dhe më pas u kthye në Shqipëri, ku punoi për kontrollin e sahateve të ujësjellësit në Bashkinë Himarë.
“Pastaj vajti ushtar. Kur mbaruan te 40-at (e vdekjes së të atit) vajti ushtar, se e kishin thirrur tre herë dhe nuk shkoi dot prej tij. U detyrua të shkonte në Greqi. Bëri një shkollë për dritat atje dhe erdhi këtej e kontrollonte sahatet.” – vijon tregimin e saj gruaja 75- vjeçare.
Edhe pse me një pagë modeste prej 350 mijë lekësh të vjetra dhe një pension të ulët për nënën e tij, Stavro dhe e ëma jetonin në qetësi e varfëri në Dhërmi.
Për Stavron të thonë se ishte aq i urtë sa dhe një pulë nuk ishte në gjëndje të trazonte.
Por duket se gjithçka ndryshon, të paktën sipas dokumenteve, në vitin 2019, kur Stavro gjeti në sirtar letrat e trashëgimisë së një prone të babait të tij.
Stavro gjeti një testament dhe disa letra trashëgimie që pretendonin se i ati kishte lënë një ullishte prej 1200 m² në “Llangadhaqe” dhe një tokë prej 5512 m² në “Perivolo”, Gjilek.
Më 4 mars 2019, ai paraqitet në Bashkinë Himarë për të kërkuar regjistrimin e pronës në emër të tij, duke dorëzuar një akt të marrjes së tokës në pronësi, plan rilevimi të firmosur nga kryetari i bashkisë dhe deklarata kufitare. Brenda vetëm 15 ditëve, dokumentet përcillen me urgjencë në Kadastrën e Vlorës nga ish-kryebashkiaku Jorgo Goro, i cili më vonë u shpall fajtor për falsifikimin e tyre. Hetimet zbuluan se dy shkresat zyrtare të përdorura si provë kishin numër protokolli që i përkiste një pasurie tjetër, pa lidhje me truallin në Gjilek.
Të gjitha dokumentet, Stavro rezulton ti këtë përfunduar brënda 15 ditëve dhe po me kaq urgjencë janë përcjellë dhe dokumentet nga ish-kryetari i Bashkisë Himarë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë.
Pas një viti, në mars 2020, prona prej 5512 m² u regjistrua në emër të Stavros, ndërsa pjesa tjetër prej 1200 m² dhe banesa ku jeton nëna e tij nuk u certifikuan.
Vetëm nëntë ditë pas marrjes së certifikatës së pronësisë, Stavro vendos ta shesë tokën. Më 18 shkurt 2020, ai udhëtoi drejt Vlorës dhe nënshkroi një kontratë shitjeje me Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres Olta Xhaçka. Nëna e tij, Vangjelo Mëhilli, deklaroi për “shteg.org” se nuk e kishte ditur se kush ishin blerësit dhe kishte lëshuar një prokurë për të birin, pasi kishte besim të plotë tek ai.
“Ma ka dhënë shteti, me dokumente, me të gjitha i kemi bërë në rregull. Kush ta kërkojë, do t’ia jap,” i kishte thënë 45-vjeçari të ëmës së tij.
Stavro Mëhilli, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përfitoi nga prona e shitur rreth 127 milionë lekë të vjetra. Por në shtëpinë e Vangjelo Mëhillit nuk duket asnjë cent të jetë shpenzuar nga kjo shumë parash.
“Nuk di sa leke kemi marrë, por s’kemi marrë shumë. Nëse kishim edhe 5 lekë i shpenzuam për kurimin e atij të shkretit … ja shihni ku jetoj … Shtëpia është gati të bjerë. Pikon gjithë andej. Po s’ka gjë, të jemi mirë” – thotë gruaja.
Ndërsa Vangjelo Mëhilli jeton në kushte të mjerueshme në tokën që ajo duhet të ishte trashëgimtare ndërtimet e resortit turistik thuajse të përfunduar.
Pikërisht në kohën kur administrata vendore ishte angazhuar në “rregullimin e të gjitha letrave” për të njohur djalin e saj pronar, në Tiranë qeveria ishte kujdesur të gjende edhe investitorët strategjik.
Dokumentet tregojnë se pikërisht në pronën e përfituar sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, më 2 mars 2021, Qeveria shpalli vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Dhërmi për një periudhë 30-vjeçare në favor të kompanisë “AGTCC Hotel Management”. Kjo kompani është në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një shtetase amerikane dhe partnerja e Andi Xhaçkës, vëllai i ministres Olta Xhaçka.
Kompania e Sutton e fitoi të drejtën e përdorimit të tokës në bregdet nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë AG.TCC Sh.p.k – në pronësi 100% të Artan Gaçit, i cili kishte nënshkruar edhe kontratën e blerës së pronës me Stavro Mëhillin.
“Shteg.org” e pati të pamundur për të vërtetuar nëse ish-punonjësi i Bashkisë së Himarës firmosi realisht shitjen e pronës, pasi ai është “zhdukur” nga fshati shumë më herët se sa Prokuroria e të deklaronte nisjen e hetimeve që e implikonin atë në skemën e tjetërsimit të pronës.
“Unë për vete nuk di se ku e ka dhënë e ku e ka shitur tokën djali. Nëse i ka dhënë Xhaçkës, siç edhe e kam dëgjuar të thuhet, unë nuk e di. Ajo që unë di është se tokën e kishim tonën dhe ia ka dhënë ligji … Nësë djali im ka bërë gabim, të dënohet … Jam nënë, por të dënohet me të drejtë … dhe të gjenden fajtorët e vërtetë …” – thotë gruaja 75 vjeçare.
Investimi strategjik





Kodrinat në gjirin e Gjilekës janë kthyer në një kantier ndërtimi. Makineritë e mëdha ngrenë shtëllunga të mëdha tymi sa të duket se të përpin pluhuri dhe jo deti që dikur ishte aq i pastër sa vendasit krenoheshin se shikonin edhe monedhat në fundit e tij.
Ndërtesat që shumë shpejt do të të jenë një resort prej 106 suitash thuajse kanë përfunduar. Një ekskavator vazhdon punimet duke sistemuar dherat dhe askund nuk ka një shenjë së prona është marrë në administrim nga Agjencia e Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Pasurive.
AASK pretendon se e ka marrë tashmë pasurinë në administrim, në përputhje me procedurat ligjore.
“Pasuria e llojit ‘tokë arë’ me nr. 36/361/1, me sipërfaqe 5512 m2, në zonën Gjilek–Perivolo, që rezulton në pronësi të shoqërisë AG.TCC sh.p.k., është sekuestruar me vendimin nr. 1-0, datë 28.09.2023, të Gjykatës së Posaçme. Në zbatim të këtij vendimi është kryer ekzekutimi dhe aktualisht pasuria ndodhet nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AASK),” thuhet në një përgjigje që “shteg.org” mori nga kjo agjenci.
Megjithatë, në kushte anonimiteti, një ish-administrator i AASK-së shprehet se, në raste të tilla, një pasuri e sekuestruar duhet të ketë shenja dalluese që tregojnë statusin e saj juridik. Këto mund të jenë tabela informuese që njoftojnë publikun se prona është nën sekuestro, shirita paralajmërues, si dhe prania fizike e një roje për të mbikëqyrur territorin dhe për të parandaluar dëmtimin apo ndërhyrjen e paligjshme.
Gjithashtu, sipas tij, në mungesë të një vendimi përfundimtar të formës së prerë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit për konfiskim, në këtë pronë nuk lejohet të kryhen punime të asnjë lloji. “Nëse këto elementë mungojnë ose nuk konstatohet prania e tyre, lind dyshimi i arsyeshëm se pasuria nuk është realisht nën administrimin efektiv të agjencisë,” përfundon ai.
Pasuria u konfiskua pasi hetimet zbuluan se ishte përfituar me dokumente të falsifikuara.
Sipas prokurorëve të Posaçëm, hetimet zbuluan se ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, kishte falsifikuar dokumente për regjistrimin e tokës në favor të Stavro Mëhillit, i cili është shpallur në kërkim nga drejtësia. Në kuadër të hetimeve, SPAK ngriti akuza për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës ndaj Goros dhe punonjësve të tjerë të Bashkisë Himarë dhe Hipotekës.
Aktualisht, Goro është dënuar për shpërdorim detyre dhe ndodhet në hetim për akuzën e falsifikimit të dokumenteve të pronës, e cila më pas u shit në favor të Artan Gaçit. Hetimet zbuluan gjithashtu se nënshkrimet në dokumentet që përdorën për regjistrimin e tokës ishin falsifikuar, duke përfshirë një shtesë të paligjshme të sipërfaqes 5512 m² në dokumentin original. Ky manipulim nuk i ka penguar autoritetet që të shpallin kompaninë e lidhur me Artan Gaçin si investitor strategjik.
Sipas prokurorëve të Posaçëm, hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, i cili është shpallur në kërkim nga drejtësia.
SPAK ka ngritur akuza mbi kryebashkiakun dhe punonjës të ndryshëm të bashkisë dhe të hipotekës, duke i akuzuar se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me këtë sipërfaqe toke e cila përfundoi në duart e familjarëve të znj. Xhaçka.
Hetimet kanë vërtetuar se shumë nënshkrime zyrtare janë të falsifikuara.
“Ky fakt dëshmon se në dokumentin e përdorur për regjistrimin e sipërfaqes/ngastrës “Perivolo” sipërfaqja 5512 m2, kjo ngastër është shtuar në mënyrë mekanike, pasi dokumenti i vërtetë (autentik), përmban vetëm një ngastër”, thuhet më tej në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Projekti “Dreamades Luxury Suites’ i kompanisë AG. TCC përfitoi statusin më 29 mars 2021, sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS.
Më 15 korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga kryeministri Edi Rama e miratoi kërkesën dhe i njohu kompanisë së sapokrijuar lejimin e përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonën përkatëse të plazhit për një afat 30-vjeçar.
Ligji për investimet strategjike, i miratuar me qëllimin për të tërhequr kapital të huaj apo për të nxitur kapitalin vendas në sektorë kyç të ekonomisë, është përdorur gjerësisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në fushën e turizmit. Ndonëse qëllimi zyrtar i ligjit është krijimi i vendeve të reja pune, zhvillimi rajonal dhe rritja e konkurrencës përmes teknologjive të reja, në praktikë ky instrument është përdorur për të legjitimuar prona të kontestuara, shpesh të përfituara përmes korrupsionit dhe falsifikimeve.
Xhaçka nën hetim me vendim gjykate

Dhe pse Prokuroria e Posaçme hetoi për dy vite çështjen e manipulimit të pronave ku nisi të ndërtohej resorti në gjirin e Gjilekës, i vetmi zyrtarë i lartë që u përball me drejtësinë ishte Joro Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës.
Që në nisje të hetimeve, dokumentet tregonin qartësisht se ish-ministria Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj ishin përfituesit e pronës, ajo kurrë nuk u morë nën hetim.
U desh vendimi i Gjykatës së Posaçme, i dhënë në prill të 2025, që të detyronte Prokurorinë të regjistrojë kallëzimin penal dhe të nis hetimet për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim ndaj Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj.
“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj” – thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sipas këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të Olta Xhaçkës, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.
“Shtetasja Olta Xhaçka, thotë GJKKO, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria e Posaçme duhet të administrojë të gjithë praktikën e regjistrimit të shoqërive në pronësi të familjarëve Xhaçkës, administrimin e praktikës së marrjes së statusit të investitorit strategjik të kompanisë së zotëruar nga Artan Gaçi, si dhe dokumentacionin e krijimit të një shoqërie tregtare me ortake fiktive me qëllim shmangien në dukje të konfliktit të interesit.
Gjetjet e prokurorisë janë kundërshtuar nga Xhaçka e cila i ka konsideruar akuzat një lincmim politik pasi ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kishin asnjë dijeni se si ishte bërë regjistrimi i pronës ku do të ndërtohej resorti turistik.
“Ndoshta nuk tingëllon mirë kur them ‘po ç’lidhje kam unë’? Ç’lidhje ka bashkëshorti im sesi është regjistruar kjo pronë në 1994?’ Ky procedimi i SPAK duket sikur po mbron një njeri të pushtetit për të mbyllur vrimat e një gjëje që dihej se ishte me cen? Jo nuk është kështu. Nuk jam e frikësuar as unë dhe as bashkëshorti im sepse nuk e dinim si janë ndarë AMTP në 1994” – do të deklaronte Xhaçka.