Pas terrorit, euforia.
Më 9 prill, kur Presidenti Donald Trump vendosi të shtyjë për 90 ditë tarifat më të pakuptimta dhe më shkatërruese të tij, pas një rënie dramatike në tregjet financiare, indeksi S&P 500 i aksioneve amerikane u rrit me 9.5% – rritja ditore më e shpejtë në pothuajse 17 vjet. Skenarët më të errët për ekonominë globale, që deri atëherë shqetësonin investitorët, tani duken më pak të mundshëm.
Duket se ekziston një kufi në rënien e tregjeve që presidenti është i gatshëm të tolerojë gjatë mandatit të tij. Pas kaosit që pasoi shpalljen e tarifave “reciproke” nga Trump një javë më parë, ky është një burim i rëndësishëm lehtësimi për botën.
Por mos e ngatërroni këtë lehtësim – që thjesht u shmang katastrofa – me fat të mirë.
Shoku që Donald Trump i ka shkaktuar tregtisë globale është ende, edhe tani, pa precedent në histori. Ai ka zëvendësuar marrëdhëniet e qëndrueshme tregtare që Amerika ka ndërtuar për më shumë se gjysmë shekulli me një qasje të çrregullt dhe arbitrare, ku vendimet shpallen në rrjetet sociale dhe as këshilltarët e tij nuk e dinë çfarë do të ndodhë më pas.
Dhe, për më tepër, ai vazhdon të jetë në një përplasje të jashtëzakonshme tregtare me Kinën – ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Investitorët dhe kompanitë kudo në botë janë përballur me tronditje të mëdha.
Tregjet globale u përmbysën pas shpalljes së parë të tarifave nga z. Trump. Indeksi S&P 500 ra me rreth 15%. Obligacionet afatgjata të Thesarit Amerikan u shitën në masë, pasi fondet spekulative u detyruan të mbyllnin pozicionet e tyre të levëruara.
Edhe dollari amerikan – që zakonisht shihet si një strehë e sigurt në kohë pasigurie – pësoi rënie. Pas shtyrjes së tarifave, tregjet e aksioneve përjetuan një rritje të vrullshme. Vetëm brenda një dite, vlera e kompanisë Nvidia u luhat me më shumë se 430 miliardë dollarë.
Megjithatë, edhe pas pezullimit të tarifave, interesat e obligacioneve të Thesarit mbeten të larta. Aksionet globale janë ende 11% nën nivelet më të larta të arritura në shkurt – dhe kjo është e justifikuar.
Trump e ka rritur normën mesatare të tarifave amerikane në mbi 25% që nga janari, dhe ka paralajmëruar tarifa të reja, përfshirë ndaj importeve të produkteve farmaceutike.
Këshilltarët e presidentit tregojnë një indiferencë befasuese ndaj dëmit ekonomik që mund të shkaktojnë tarifat.
Sipas tyre, tarifat i paguajnë të huajt dhe rëniet në tregjet financiare prekin vetëm investitorët e pasur.
Por rënia e dollarit thuajse garanton që tarifat do të shkaktojnë rritje të çmimeve për konsumatorët amerikanë, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat reale të familjeve.
Kjo do të godasë konsumin, përfshirë atë të produkteve të prodhuara në SHBA, dhe pasiguria që krijon luhatja e tregjeve financiare vetëm sa e shton efektin negativ në besimin e konsumatorëve.
Një goditje e ngjashme do t’i jepet edhe investimeve kapitale. Më shumë sesa niveli specifik i tarifave, kompanitë kanë nevojë për siguri dhe qëndrueshmëri në rregullat e tregtisë globale, në mënyrë që të planifikojnë investimet afatgjata.
Për shembull, edhe pse anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) në vitin 2001 solli një bum në tregtinë globale, ai nuk përfshiu ndonjë ulje domethënëse të barrierave tregtare me SHBA-në.
Ajo që ndodhi realisht ishte rritja e besimit të bizneseve se nuk do të kishte një luftë tregtare – një efekt që ekonomistët më pas e vlerësuan si ekuivalent me një ulje prej 13 pikë përqindjeje të tarifave.
Tani, Trump e ka përmbysur atë efekt besimi, si për Amerikën, ashtu edhe për partnerët e saj tregtarë – veçanërisht sepse tarifat e tij kanë injoruar marrëveshjet tregtare ekzistuese të SHBA-së, përfshirë edhe ato që ai vetë ka nënshkruar gjatë mandatit të tij të parë.
Është ende e paqartë se çfarë synon realisht Trump të arrijë gjatë këtyre 90 ditëve pezullimi. Qëllimet e tij të dukshme – të ushtrojë presion për lëshime nga vendet e tjera dhe të rikthejë prodhimin në SHBA – janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Nëse tarifat ulen, atëherë rikthimi i prodhimit në SHBA nuk ka për të ndodhur. Por nëse partnerët tregtarë dyshojnë se ai është i përkushtuar ndaj një linje proteksioniste, pse do të bënin lëshime?
Dhe, edhe nëse të gjitha tarifat do të tërhiqen, kujtesa për “Ditën e Çlirimit” – një ditë e trazuar në tregjet globale – do të mbetet në mendjet e çdo kompanie që planifikon të ndërtojë një zinxhir furnizimi global.
Në çdo rast, Trump vazhdon të jetë në një përplasje të hapur me Kinën – dhe një tërheqje prej saj nuk do të jetë e lehtë.
Në momentin kur u publikua ky editorial, tarifa e re e SHBA-së ndaj importeve kineze kishte arritur në 125%, ndërsa tarifat e vendosura nga Kina – përfshirë ato hakmarrëse – kishin shkuar në 84%.
Këto tarifa janë mjaftueshëm të larta për të shkatërruar tregtinë e mallrave midis dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat deri më tani kanë qenë të lidhura thellësisht, edhe pse tensionet ndërmjet tyre janë shtuar vazhdimisht.
Trump ka deklaruar se “Kina dëshiron një marrëveshje”, por ashtu si me aleatët e Amerikës, vetëm ai e di se çfarë marrëveshje ka në mendje. Për më shumë se një dekadë, nuk kanë munguar ankesat nga Perëndimi lidhur me qasjen e Kinës ndaj tregtisë.
- Kina ka shkelur prej kohësh, të paktën në frymë, rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO).
- Modeli i saj i kapitalizmit shtetëror, ku eksportuesit mbështeten nga një sistem i paqartë subvencionesh dhe financimi shtetëror, është i vështirë për t’u përshtatur me një rend global të bazuar në rregulla dhe transparencë.
- Për më tepër, tepricat në prodhimin industrial të Kinës janë të mëdha pjesërisht sepse konsumi i brendshëm është shumë i ulët.
Asnjë prej këtyre praktikave nuk e bën Amerikën më të varfër në total, por e bën tregtinë me Kinën të perceptohet si e padrejtë – veçanërisht nga ata punëtorë amerikanë që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të konkurrencës kineze.
Përplasje superfuqish
Megjithatë, një luftë tarifore shkatërruese dhe e paparashikueshme nuk ka qenë kurrë mënyra e duhur për të adresuar këto probleme — të cilat, për më tepër, priteshin të përmirësoheshin ndërkohë që Kina po stimulon ekonominë e saj. Tarifat nga të dyja palët po shkaktojnë dëme të thella ekonomike dhe madje po rrisin rrezikun e një përplasjeje ushtarake.
Një qasje më premtuese për SHBA-në do të kishte qenë të bashkonte aleatët në një bllok tregtar të lirë mjaftueshëm të madh, për t’i imponuar Kinës ndryshimin e praktikave të saj tregtare si kusht për t’u bërë pjesë.
Kjo ishte strategjia pas Partneritetit Trans-Paqësor (TPP) – një marrëveshje tregtare që Trump e anuloi menjëherë në mandatin e tij të parë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, flet sot për mundësinë e një marrëveshjeje tregtare me aleatët dhe përballjen me Kinën “si grup”. Por tani që Amerika i ka shtypur aleatët e saj dhe ka hequr dorë nga marrëveshjet e mëparshme, do ta ketë shumë më të vështirë t’i bindë ata të bashkëpunojnë.
Kjo është pasqyra e miopisë së axhendës së rrezikshme të Trump. Brenda vetëm dhjetë ditëve, presidenti ka shkatërruar themelet e qëndrueshme mbi të cilat mbështetej ekonomia botërore, duke i zëvendësuar ato me paqëndrueshmëri ekstreme dhe konfuzion.
Disa nga pasojat e këtij kaosi mund të jenë zbutur për momentin — por do të duhen shumë vite për të rindërtuar atë që është shkatërruar./ The Economist