Multimiliarderi Elon Musk, njeri i shout dhe këshilltar i qeverisë amerikane, sipas mediave amerikane ndodhet para largimit nga DOGE, Departamenti i Efikasitetit Qeveritar, i krijuar enkas nga Donald Trump. Sipas mediave, duket se presidenti amerikan e ka lënë të kuptohet këtë në një mbledhje të qeverisë dhe se do të luajë “rol mbështetës”. Por Shtëpia e Bardhë e hedh poshtë këtë, nuk ka asgjë zyrtare. Vetë Elon Musk flet për “fake news.”
E sigurt është se roli i Musk ishte i kufizuar në kohë që në fillim: Si i ashtuquajturi “Punonjësi i posaçëm i qeverisë” ai lejohet të punojë për qeverinë për një maksimum prej 130 ditësh në vit pa iu nënshtruar rregullave më të rrepta etike ose detyrimeve të transparencës (p.sh. zbulimi i detajuar i pasurive dhe të ardhurave), për sa kohë që një leje përjashtimore e marrë më parë e lejon këtë. Megjithatë publikisht nuk dihet asgjë për një leje të tillë.
Kufiri kohor i parashikuar duhet të arrihet më së voni deri në fillim të qershorit. Prandaj, lamtumira e tij zyrtare me DOGE duhet të jetë vetëm çështje kohe – veçanërisht pasi, sipas sondazheve, Musk po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e padëshiruar në mesin e popullatës amerikane. Një shumicë e dukshme tani e hedh poshtë kursin e tij të reformës radikale.
Afërsi me presidentin dhe tensione në rritje
Elon Musk nuk ka qenë thjesht një këshilltar – ai pothuajse u bë njeriu në hije i presidentit. Vështirë se dikush tjetër në rrethin e Trump ishte kaq i dukshëm, kaq i pranishëm, kaq me ndikim. Qoftë në Zyrën Ovale, në vizita shtetërore apo në lojë golfi në fundjavë – Musk gjithmonë prezent. Trump madje kishte modele të reja Tesla të demonstruara në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë si një mbështetje për kompaninë me probleme.
Por në prapaskenë, pas rrahjes së supeve publikisht duket se zien. Zërat kritikë në Partinë Republikane kohët e fundit janë rritur. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish-këshilltari, Steve Bannon e akuzojnë Musk për një stil egocentrik dhe vetëpromovim të ekzagjeruar. Eksperti Sascha Lohmann nga Fondacioni i Shkencës dhe Politikës (SWP) në Berlin nuk beson se do të ketë një përçarje midis Trump dhe Musk: “Musk herë pas here ka hasur në kundërshtim nga Trump – ai u paralajmërua të vepronte më me kujdes. Por të dy gjithmonë janë dakord për reduktimin e madhe të shtetit administrativ duke përdorur mjete radikale shumë përtej kufijve kushtetues”.
DOGE: Projekt reformues radikal
DOGE ishte përgjigja e Trump ndaj premtimit të bërë në fushatën elektorale për të “kulluar kënetën në Uashington”. Me Musk, ai fitoi një aleat, qasja prej sipërmarrësi e të cilit premtoi reforma radikale. Në një hapësirë shumë të shkurtër kohore, sipërmarrësi Musk zbatoi masa drastike: më shumë se 20,000 vende pune në agjencitë federale u shkurtuan dhe 75,000 punonjësve të tjerë iu ofruan pagesa vullnetare të largimit. Fuzionimet strukturore, për shembull ndërmjet Shërbimit Postar të SHBA dhe Departamentit të Tregtisë janë në përgatitje e sipër. Shembulli më spektakolar i reformës radikale deri më sot: shkrirja e USAID-it, agjencisë shtetërore për ndihmë ndërkombëtare zhvillimore.
Në të njëjtën kohë u digjitalizuan procese të rëndësishme administrative duke përfshirë një projekt simbolik, por të diskutueshëm, dosjet e pensioneve në Pensilvani dhe listën e pagave të mbi 270,000 punonjësve federalë. Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë pretendon se ka arritur kursime prej më shumë se 100 miliardë dollarë. Megjithatë, auditimet e pavarura janë ende në pritje dhe disa media kanë zbuluar tashmë mospërputhje në shifrat zyrtare. Procedura ishte efikase dhe e shpejtë, por edhe e rrezikshme sepse “mekanizmat klasikë të kontrollit u anashkaluan sistematikisht”, sipas ekspertit Lohmann.
Angazhimi politik rrëzoi aksionet e Teslas
Përveç rolit të tij si këshilltar qeveritar, Musk është aktiv edhe si një donator i rëndësishëm politik pas zgjedhjes së presidentit. Ai sapo ka mbështetur kandidatin republikan për Gjykatën e Lartë në Wisconsin me 20 milionë dollarë – përfundimisht i pasuksesshëm, pasi demokratët ishin gjithashtu në gjendje të mobilizoheshin me sukses duke iu referuar Elon Musk.
Për vetë Musk, barra e përfshirjes së tij politike kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Tesla raportoi një rënie prej 13 për qind në shitje për tremujorin e parë. Fakti që aksionet e Tesla-s u rikuperuan ndjeshëm menjëherë pas raportimeve për largimin e afërt të Musk tregon se sa stresues është bërë roli i tij në qeveri për punën e tij si shef i kompanisë.
DOGE pa Musk – dhe Musk pa DOGE?
Donald Trump ka theksuar disa herë se DOGE do të ekzistojë edhe pa Musk. Në të njëjtën kohë, ai e relativizoi pak rolin e Musk dhe vuri në dukje se vetë autoritetet janë në fund të fundit përgjegjëse për kursimet.
Ajo që Musk planifikon të bëjë pas tërheqjes së tij të mundshme mbetet e paqartë. Ai ndoshta fillimisht do të përqendrohet më shumë në kompanitë e tij përsëri. Megjithatë, një vazhdim i karrierës së tij politike duket se nuk përjashtohet. Sascha Lohmann nga SWP mendon se është e imagjinueshme që Musk të mbetet politikisht aktiv, sepse ai di të lëvizë “me shkathtësi midis pritjeve libertariane dhe atyre nacional-konservatore”.
Me rolin e tij si reformator radikal, Elon Musk ka lënë një gjurmë të forta në politikën amerikane brenda vetëm pak javësh. Ai i ka tronditur institucionet kryesore shtetërore dhe ka polarizuar debatin politik. Për Trump, Musk dhe donacionet e tij kanë qenë prej kohësh mbështetës të vlefshëm. Por tani duket se ka shenja në rritje se aleanca mund të bëhet një barrë politike për presidentin në plan afatgjatë./DW