Rebeka Ganon ishte një vajzë që e donte jetën dhe natyrën. Një vajzë e cila në portretin e saj rrezatonte vetëm mirësi të cilën nuk nguronte ta shpërndante edhe te njerëzit që rrethonte, apo që e kishin takuar qoftë edhe njëherë të vetme në jetë.
Do ishte kjo dlirësi e shoqëruar edhe me dashurinë për natyrën dhe detin që aq shumë e donte që e kishin lidhur edhe më shumë me sportin e zhytjes.
Një sport të cilin 29 vjeçarja britanike e praktikonte prej vitesh dhe e kishte shumëshëtitur në vende të ndryshme të botës nga Amerika e Jugut deri në Australinë e largët.
Eksplorime të cilat e kishin sjellë edhe në Shqipëri.
Një tokë për të e panjohur, por që me bukuritë e veta turistike, sidomos me ato bregdetare, kishte tërhequr edhe interesin e Rebekës dhe të miqve të saj.
Por Rebeka nuk kishte si ta dinte në fakt se rrugëtimi që po ndërrmerrte në Shqipëri, do të ishte i fundit për të në këtë jetë.
Jetë e cila do të ndërpritej në mes pikërisht në ujrat e vendit që ka mbetur misterioz ende edhe sot për shumë nga turistët e huaj që vijnë ta vizitojnë.
Ashtu siç ndodhi mëngjesin e datës 19 Shtator 2022.
Mëngjesi kur Rebeka dhe grupi i saj i miqve u nisën në det të hapur për t’u zhytur, të shoqëruar nga guida shqiptare, në eksplorimin e rrënojave të një anije të vjetër të mbytur,
por që diçka duket se shkoi keq, dhe vajza nga Britania e Madhe, u kthye në sipërfaqen e detit pa shenja jete.
Ku edhe sot faji për humbjen e jetës së Rebekës ka mbetur jetim dhe drejtësia fle mbi një dosje e cila kërkon përgjegjësi ligjore, mbi atë që është fajtori i tragjedisë së ndodhur në bregdetin e Sarandës, atë mes shtatori, të tri viteve më parë.
Ku ajo që do tju rrëfejmë më poshtë, është një nga historitë jo vetëm të mosfunksionimit të ligjit në një vend si Shqipëria që pret me miliona turistë në vend, po ku shpesh ata që shkelin të parët ligjin janë zyrtarë shtetërorë.
Fillimisht të inkuadruar në institucione dhe më pas të përfshirë në aktivitete kriminale.
Siç është edhe rasti i Saimir Kushovës, personi i cili njihet si përgjegjës për humbjen e jetës së Rebekës, që gjatë kohës që ishte në hetim në Shqipëri, kundrejt një garancie pasurore, jo vetëm që iu shmang gjykimit, por edhe u largua nga vendi duke u zhvendosur në Norvegji.
Aty ku del se u përfshi në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Por para se të shkojmë te profili i ish-punonjësit të policisë Saimir Kushova, i cili ishte edhe administrator i kompanisë së zhytjeve nënujore ‘Spiranca Diving Center’ së cilës Rebeka dhe miqtë e tij i besuan, le të ndalemi fillimisht te vetë ajo se çfarë ndodhi me grupin e turistëve të huaj që kishin mbërritur në Sarandë.
Çfarë shkoi keq në eksplorimin e tyre dhe cili është gabimi që çoi në humbjen e jetës së 29 vjeçares, Rebeka Gannon
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, njoftimi i parë për humbjen e jetës së një zhytëse në det, mbërriti në sallën operative të policisë Sarandë, mëngjesin e datës 19 Shtator 2022.
Sipas këtij njoftimi një grup turistësh të shtetësive të ndryshme, ishin nisur bashkë me guidën shqiptare në pikën e caktuar më herët në det për të ushtruar sportin e zhytjes nënujore, dhe aty njëra prej shtetaseve të huaja, ka humbur jetën.
Dosja Hetimore
Më datë 19 Shtator 2022, Salla Operative e Policisë së Komisariatit Sarandë, mori njoftim se në lagjen Nr. 1 të Qytetit, është mbytur një shtetase britanike.
Nga të dhënat e para rezultoi se mëngjesin e kësaj date, një grup të huajsh të shtetësive të ndryshme, kanë kontaktuar qendrën e zhytjes dhe më pas kanë planifikuar orarin për të realizuar sportin e zhytjes.
Në mesin e këtij grupi, ka qenë edhe shtetasja britanike, Rebeka Diane Gannon.
E cila pasi është regjistruar dhe ka veshur pajisjet e nevojshme të zhytjes, është hedhur në det, por është mbytur dhe nuk ka mundur të mbijetojë. Ku shkak dyshohet të jetë bërë mosfunksionimi i jelekut të ajrit.
Nisur edhe nga fakti që distanca nga bregu i detit deri në vendin e ngjarjes, nuk ishte e largët, oficerët e policisë gjyqësore dyshuan se diçka kishte shkuar jo si duhet me pajisjet e zhytjes me të cilat viktima ishte pajisur në këtë rast.
Ndërkohë që në det të hapur ata gjetën të traumatizuar pjesën tjetër të ekuipazhit dhe grupit të të huajve. Këta të fundit që kishin qenë dëshmitarë të mbytjes tragjike të Rebekës.
Por që në vazhdim rrëfyen edhe mungesën e profesionalizmit të ekipit shqiptar të instruktorëve.
Dosja Hetimore
Pasi oficerët e policisë gjyqësore, shkuan në vendngjarje, midis lokalit Alfa dhe atij Opal në distancë 17 metra, mbi sipërfaqen e detit, ata konstatuan disa persona që ndodheshin në skaf.
Ku brenda këtij skafi në cilësinë e provës u morën disa materiale, konkretisht një lopatë plastike, një kapuç që mbulon pjesën e qafës dhe atë të sipërme të kokës.
Kqyrje e cila më pas vazhdoi në brendësi të skafit që u përdor për transportin e zhytësve në det, që ndodhej në Portin Detar të Sarandës.
Ku në pjesën e sipërme të këtij skafi u gjend një kuti plastike me ngjyrë të zezë me numra në pjesën e jashtme.
Dhe brenda këtyre kutive të sistemuara veshje dhe lopata këmbe, si ato që përdoren për zhytje në thellësi të ujërave.
Ndërsa në pjesën e prapme të skafit mbi dyshemenë e tij u gjend një bombol si dhe një jelek si ato që fiksojnë bombolën pas trupit të zhytësit.
Që u morën edhe këto në cilësinë e provës materiale.
Por ajo që do të zbulohej më tej nga grupi hetues, ishte mënyra aspak profesionale se si agjencia shqiptare që merrej me eksplorime detare. e licensuar në sportin e zhytjeve nënujore, ishte sjellë në raport me protokollet e sigurisë në det.
Kjo nisur edhe nga fakti që një nga instruktoret e cila ishte pjesë e ekspeditës kishte një profesion të ndryshëm nga ai për të cilin ishte angazhuar ditën kur ndodhi tragjedia në det.
Instruktorja e cila ishte marrë me pajisjet, që dhe sot nuk dihet nëse ishte e licensuar për ta bërë një gjë të tillë.
Ajo e cila u mor edhe me Rebekan, ndërkohë që kjo i fundit i shfaqi shqetësimin se jeleku i saj i ajrit nuk ishte funksional. G.B e cila në dëshminë e saj përpara grupit hetues pranoi se pajisjet e zhytjes ujore kishin probleme.
Dosja Hetimore
Shtetasja G. B, përkthyese dhe e punësuar në agjensi, pasi u ka shpjeguar turistëve të huaj vendin e zhytjes si dhe ka bërë gati pajisjet që zhytësit do të merrnin me vete, shpjegoi më tej se Rebeka kishte si instruktor D.G dhe A. K
Ajo tregon se në momentin që po montonte pajisjen, rregullatori për fryrjen e jelekut nuk punonte. Për këtë arsye ajo thotë se u detyrua ta ndryshojë rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë pajisja sipas saj funksionoi dhe ishte në rregull.
Por ndërsa mendoi se rregullatori i jelekut ishte funksional, ajo që ndodhi më pas tregoi të kundërtën.
Kjo pasi vetëm pak sekonda ndërsa grupi ishte zhytur, bashkë me ta në këtë rast edhe Rebeka, ajo pa në distancë vajzën britanike që të kërkonte ndihmë.
Aty ku kuptoi se diçka nuk kishte shkuar si duhet me 29 vjeçaren. G.B që pranoi që në momentin kur po konsumohej tragjedia në det, ajo ishte në breg, pavarësisht se ishte instruktore e pajisjeve të zhytjeve.
G.B thotë se vetëm disa minuta, pasi grupi i të huajve ishte zhytur, ajo pa një prej zhytëseve që po kërkonte ndihmë.
Çka e ka detyruar atë të niset menjëherë drejt vendin ku zhytësja po kërkonte ndihmë, që ishte vetëm 30 metra larg vendit ku ajo si instruktore po qëndronte.
Pasi ka mbërritur në vendin ku zhytësja ndodhej, G. B tregon se ajo kishte hequr nga goja rregullatorin, gjë që nuk lejohet sipas protokollit të zhytjes që duhet ndjekur.
Por edhe pse pretendimi i instruktores ishte se ka kryer të gjithë procedurën si duhet në të tilla raste, siç e përcakton sporti i zhytjes, duket se faktet tregojnë të kundërtën.
Kjo pasi gjetjet e grupit hetues në vazhdim nuk lanë asnjë hamendësim se shkeljet kanë qenë serioze dhe kanë kushtëzuar deri humbjen e jetës së turistes britanike.
Gjë që vihet re edhe në dëshmitë e pjesës tjetër të grupit të instruktorëve të pranishëm atë mëngjes si pjesë e ekspeditës në det.
Thënie të cilat janë kontradiktore dhe bien ndesh me njëra-tjetrën.
Madje edhe me ato të turistëve të huajve që ishin të pranishëm në ekspeditën e zhytjes që shkoi keq.
Ashtu si dëshmia e të dashurit të Rebekës, që tregoi para grupit hetues, se instruktorja e tyre G. B, nuk u dha ndonjë rëndësi të veçantë pajisjeve.
Duke treguar një shpërfillje apo një siguri të tepruar që rezultoi fatale në vazhdim.
Babai i Rebecca Gannon ka shprehur shqetësimin se çështja është duke u zvarritur në prokurori dhe se drejtësia për vajzën e tij ende nuk është vendosur në vend.
George Gannon ka kërkuar që personi përgjegjës për tragjedinë të ekstradohet nga Norvegjia dhe të vuajë dënimin për ngjarjen që ndodhi në Shqipëri.
Gannon ka theksuar se një person i dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Norvegji është i përfshirë në këtë rast dhe se ka dy vjet që po kërkon drejtësi, por nuk ka marrë asnjë informacion konkret.
Ai ka pohuar gjithashtu se kompanitë që ofruan shërbimin turistik nuk kishin respektuar rregullat e sigurisë, duke shtuar se pajisjet që përdori Rebecca, përfshirë bombolën dhe xhaketën e shpëtimit, ishin të prishura dhe të papërshtatshme për përdorim.
“Unë nuk largohem nga Shqipëria pa marrë drejtësi për vajzën time,” tha ai, duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e papritur të Rebecca-s.
Babai i Rebecca Gannon: Seanca gjyqësore është shtyrë. Përgjegjësi për humbjen e jetës së vajzës sonë është dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Norvegji. Unë dua të ekstradohet nga Norvegjia dhe të shlyejë dënimin në Shqipëri. Kam dy vite që zvarritem në zyrat e prokurorisë. Nuk kam marrë asnjë shpjegim. Ata na dërguan një dokument prej 30 faqesh. Prokurorët duan që çështja të zvarritet deri në harresë. Nuk iki nga Shqipëria pa marrë drejtësi për vajzën time. Ajo më përqafoi në Angli, më tha do të shihemi dhe nuk u pamë më. Kompania s’ka pasur rregulla të sigurisë elementare. Bombola që ka përdorur Rebecca ka qenë e vjetër. Ishte përdorur sepse kishte shumë zhytës atë ditë, pasi një ditë më parë deti ka qenë i trazuar dhe turistët atë ditë kanë qenë shumë. Edhe xhaketa nuk ka funksionuar, kur ajo ka tërhequr litarin e emergjencës.
Por nëse historia e Rebekës do të ishte vetëm një ndodhi fatkeqe në det dhe pas kësaj tragjedie nuk do të fshihej një aspekt i errët i asaj që në të vërtetë ndodh në Shqipëri, ku korrupsioni dhe abuzimi me detyrën janë kthyer në një sinonim të së keqes, ndoshta e gjithë kjo ngjarje do të mbyllej si një aksident teknologjik i shkuar në mënyrën jo të duhur.
Por sigurisht kjo nëse do të ishte në të vërtetë kështu.
Pasi zbulimi i plotë i rrethanave të ngjarjes tregoi se ashtu sikurse ndodh në të tilla raste, administratori agjencisë së zhytjeve ishte një punonjës policie.
I njohur si Saimir Kushova. 47 vjeçari, që jo vetëm nuk përmbushi përgjegjësitë e tij ligjore, duke qenë sot në hetim nga Prokuroria e Sarandës për ‘shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë’, por fill pas incidentit, ia mbathi nga Shqipëria, dhe u kthye në një narkotrafikant në Norvegji.
Aty ku ndodhet sot i dënuar për trafik droge
Kushova, një zhytës profesionist, si dhe instruktor në tre kompani ndërkombëtare të zhytjeve, i cili ishte ndër të parët që u mor në pyetje në shtatorin e vitit 2022, në lidhje me humbjen e jetës së shtetases britanike, Rebeka Gannon.
Saimir Kushova
Më datë 19 Shtator 2022, në agjencinë time janë paraqitur një vajzë dhe një djalë të cilët donin të bënin zhytje.
Vajza quhej Rebeka Gannon dhe ka plotësuar formularin me të dhënat personale, ku përfshihen niveli i certifikimit të zhytjes, rubrika e të dhënave mjeksore, si dhe e pajisjeve që merren nga zhytësi.
Pas procedurave të zakonshme, ata kanë shkuar te anija ‘Propitas’ ku do të kryente zhytjen grupi ku bënte pjesë edhe Rebeka.
Informacione të cilat ata i kanë marrë nga G.B, e cila punon si përkthyese në agjenci.
Ku ajo u ka shpjeguar mbi vendin e zhytjes si dhe u ka bërë gati pajisjet që zhytësit do të merrnin me vete.
Në lidhje me Rebekën ajo që dua të them është se ajo kishte dy instruktorë.
Saimir Kushova tha më tej para grupit hetues se ai i ishte përmbajtur të gjitha procedurave, siç e përcakton rregullorja e zhytjes.
Por po kështu ai pranoi se rregullatori i fryrjes së jelekut në rastin e Rebekës, në fillim nuk kishte funksionuar.
Duke pranuar në një fare mënyre se pajisjet nuk ishin në standardin e duhur për të tilla sporte dhe nivele.
Saimir Kushova
Në momentin që Rebeka, po montonte pajisjen, ajo konstatoi se rregullatori që shërben për fryrjen e jelekut me ajër nuk funksiononte.
Për këtë arsye punonjësja G. B. ndryshoi rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë, pajisja funksionoi në rregull.
Por vetëm disa minuta pasi grupi i turistëve të huaj ishin nisur në det për t’u zhytur, administratori i ‘Spiranca Diving Center’ tha se ai pa që një prej zhytëseve po kërkonte ndihmë.
Dhe ai u nis menjëherë te ajo, e cila ndodhej 30 metra larg.
Por kur arriti konstatoi se ajo kishte të hequr rregullatorin nga goja, gjë që sipas rregullores së zhytjes nuk lejohet.
Lidhur mbi rastin fatkeq në det, grupi hetues sekuestroi edhe të gjithë dokumentacionin e agjencisë së zhytjeve ‘Spiranca Diving Center’, që rezulton se ka një veprimtari ligjore në ushtrimin e këtij biznesi që nga viti 2017.
Ku herëpashere ka marrë licenca të ndryshime për ushtrimin e këtij aktiviteti në sportin e zhytjes.
Dosja Hetimore
Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë i mundur sekuestrimi i dokumenteve, në zyrën ‘Spiranca Diving Center’, nga ku rezulton se nga viti 2017 deri në vitin 2021, ka disa certifikata regjistrimi.
Po kështu kjo kompani ka edhe një certifikatë të lëshuar nga Federata Shqiptare e Zhytjes më datë 20 Nëntor 2019. Si dhe një udhërrëfyes turistik të certifikuar më datë 8 Nëntor 2021. Po kështu u sekuestrua edhe një regjistër zhytje i vitit 2022. Ku nga materialet e grumbulluara gjatë kësaj faze, policia gjyqësore ka referuar në organin procedues, në ngarkim të shtetasit Saimir Kushova, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’
Krahas dokumentacionit, grupi hetues sekuestroi në cilësinë e provave materiale edhe bombolat, jelekun dhe rregullatorin e përdorur nga tashmë viktima, 29 vjeçarja, Rebeka Gannon.
Pajisje që u dërguan për ekzaminim teknik pranë Forcave Speciale Renea, me qëllim për të përcaktuar gjendjen teknike të tyre.
Gjithashtu në lidhje me shkakun e vdekjes së shtetases britanike Rebeka Gannon, u përpilua dhe një akt eskpertimi mjeko-ligjor, ku trupi i saj u dërgua në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, me qëllim kryerjen e autopsisë.
Ndërkohë që mbrëmjen po të datës 19 Shtator 2022, vetëm disa orë pasi kishte ndodhur humbja e jetës së Rebeka Gannon, policia bëri arrestimin në flagrancë të administratorit të ‘Spiranca Diving Center’, Saimir Kushova.
Dosja Hetimore
Në momentin që po montonte pajisjen, shtetasja Rebeka Gannon ka parë që rregullatori për fryrjen e jelekut nuk ka funksionuar.
Për këtë arsye punonjësja G.B ndryshoi rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë derisa funksionoi tha që çdo gjë ishte në rregull.
Disa minuta pasi grupi ku bënte pjesë Rebeka Gannon u zhyt, kjo e fundit ka dalë në sipërfaqe dhe ka kërkuar ndihmë.
Në ndihmë të saj ka shkuar menjëherë personi në hetim Saimir Kushova, i cili ndodhej rreth 30 metra larg.
Por kur është afruar pranë saj ai ka konstatuar se ajo kishte të hequr rregullatorin nga goja.
Por sapo ai i është afruar Rebeka Gannon është zhytur në gjëndje të lirë nën sipërfaqen e ujit.
Por pasi është nxjerrë mbi sipërfaqe nga personi nën hetim, edhe pse i është dhënë ndihma e parë mjeksore, ajo nuk ka mundur që të mbijetojë.
I pyetur nga grupi hetues se cilat mund të kenë qenë shkaqet që çuan Rebeka Gannon të heqë rregullatorin e jelekut nga goja, Saimir Kushova u justifikua duke thënë se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të panikut që në këtë moment mund të ketë kapluar zhytësen.
Saimir Kushova
Në lidhje me pyetjen tuaj se cilat mund të jenë shkaqet që çuan Rebeka Gannon të heqë rregullatorin e frymëmarrjes nga goja, kjo mund të ketë ndodhur për shkak të panikut, i cili mund të përçojë ndjesinë e mosfurnizizimit me oksigjen.
Ndërsa në lidhje me funksionin e jelekut, ajo që mund të shpjegoj është se pajisja ka rol balancues me peshat që vendos zhytësi për të qëndruar nën sipërfaqe.
Por edhe pse Saimir Kushova u mundua të gjente justifikime të dobishme që mund ta ndihmonin tia dilte pa lagur nga kjo ngjarje e tmerrshme, gjatë gjykimit rezultoi se ai i kishte lënë të vetëm instruktorët, ditën kur ata u nisën me grupin e zhytësve të huaj, për të eksploruar fundin e detit.
Ai u shfaq pranë tyre vetëm në momentin kur tragjedia tashmë ishte konsumuar në det. Çka rezultoi të ishte shumë vonë, për t’i shpëtuar jetën Rebekës.
Dosja Hetimore
Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se instruktorë të grupit ku bënte pjesë edhe viktima Rebeça Gannon ishin shtetasit D. G. dhe A. K.
Të cilët ishin përgjegjës për respektimin e procedurës, mbarëvajtjen e zhytjes dhe mbi të gjitha të shëndetit të zhytësve.
Por siç rezultoi gjatë gjykimit, Saimir Kushova edhe pse ka qenë ai që ka shkuar për t’i dhënë ndihmë viktimës, nuk ka qënë pjesë e grupit të zhytjes ku Rebeka Gannon bënte pjesë.
Por ajo që rezulton e habitshme është fakti se grupi hetues nuk mori në pyetje, dy instruktorët, që atë ditë shoqëruan në det grupin e zhytësve ku bënte pjesë edhe Rebeka Gannon.
Një aspekt i pashpjegueshëm edhe sot.
Dosja Hetimore
Referuar akteve objekt gjykimi, gjykata konstaton se dy instruktorët nuk janë pyetur dhe nuk është verifikuar nëse posedojnë aftësitë përkatëse për të ushtruar një aktivitet të tillë.
Çka i krijon bindjen gjykatës për mundësinë e ekzistencës së veprës penale si dhe përgjegjësinë e të hetuarit, si personi përgjegjës për kontrollin e cilësisë së pajisjeve, protokollit të zhytjes si dhe përzgjedhjen e stafit ndihmës.
Por ndërsa pritej që Saimir Kushova, si administrator i kompanisë së zhytjeve ujore ‘Spiranca Diving Center’, t’i nënshtrohej një gjykimi të rregullt, ai zgjodhi të fitojë lirinë e përkohshme duke lënë një garanci pasurore prej 15 milionë lekë të vjetra.
Gjë që u pranua nga Gjykata e Sarandës.
Moment që ai e shfrytëzoi për të lënë Shqipërinë.
Kjo pasi ndërsa Saimir Kushova, prind i tre fëmijëve, i njohur edhe për disa nisma sociale në qytetin e Sarandës, kryesisht në pastrimin e detit, edhe pse kishte detyrimin të paraqitej në në policinë gjyqësore, çdo të hënë, të fillim javës, vetëm disa kohë më pas, ai filloi të mos e zbatojë më këtë masë sigurie.
Çka detyroi prokuroren e çështjes të kërkonte konfiskimin e shumës prej 1.5 milionë lekë të reja.
Si dhe kalimin e kësaj shume në favor të shtetit.
Saimir Kushova i cili me t’u arratisur nga Shqipëria u shfaq në faqet e para të gazetave në Norvegji.
Pasi më 13 Prill 2023, ai u arrestua në Husnes së bashku me 5 palombarë të tjerë shqiptarë, midis të cilave edhe një femër.
Të cilit ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta me drogë nga anija ‘Nordloire’ e cila vinte nga Brazili.
Çanta ku ndodheshin plot 150 kg kokainë që më pas u sekuestruan nga policia.
Hetimet
Saimir Kushova u arrestua në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë bashkë me 5 palombarë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve një femër.
Ata ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta nga anija ‘Nordloire’ e cila vinte nga Brazili. Në çanta ndodheshin plot 150 kg kokainë të cilat u sekuestruan nga policia.
Policia norvegjeze e kishte filmuar grupin e shqiptarëve gjatë lëvizjes së tyre në zonë dhe ndërhyri sapo u nxor kokaina.
Pas arrestimit të të dyshuarve, policia gjeti gjithsej 8 telefona të shpërndarë mes gjashtë personave.
Të dyshuarit i përdorën këto për komunikim të koduar në aplikacionet ‘Signal’ dhe ‘Session’.
Ky episod i trafikut të lëndës narkotike, ku Saimir Kushova vendosi në shërbim të organizatës kriminale që trafikoi drogën eksperiencën e tij si zhytës, i kushtoi shumë ish-punonjësit shqiptar të policisë.
I cili ndërsa iu shmang drejtësisë në Shqipëri, në lidhje me humbjen e jetës së Rebeka Gannon, u dënua nga një gjykatë në Norvegji me 15 vite të gjata burgim.
Media norvegjeze
Saimir Kushova rezulton i dënuar me 15 vjet heqje lirie në Norvegji nën akuzën e trafikut të drogës.
Gjatë procesit Kushova mbajti qëndrim mohues, ndërsa disa të pandehur të tjerë pranuan akuzën.
Kishte midis tyre që thanë se mendonin se do të nxirrnin hashash dhe jo kokainë nga anija.
Disa të pandehur pretenduan gjithashtu se kishin pasur kërcënime të familjes dhe se çuditërisht një avokat italian kishte kontaktuar familjet e tyre në Shqipëri për të marrë në ngarkim çështjen duke e quajtur edhe këtë një formë kërcënimi.
Gjatë inspektimit të qelisë së Saimir Kushovës, policia norvegjeze gjeti këtë tekst të shkruar në mur:
‘Tel i zi s’është toni. Erdhëm për pushime. Është hera e parë që i shoh se dinim se ku do na çonin. Na çuan me zor nuk na kërcënuan po kuptova që nëse do kundërshtonim do na bënin keq. Ne s’donim të zhyteshim natën. S’kemi fol për lekë asnjëherë. Na paguan udhëtimin. U lidhëm me një agjenci biletash’.
Por policia nuk arriti të kuptonte se për kë ishte drejtuar ky mesazh i shkruar në qeli.
Por humbja tregjike e jetës së Rebekës në Shqipëri, mori një vëmendje kryesore edhe në median britanike, që i kushtoi një hapësirë të gjerë lajmit. Sikundër edhe në këtë artikull të Daily Mail.
/ Emisioni “Në Shënjestër”