Njëzet e gjashtë vjet pas luftës, prania e trupave të NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore për garantimin e paqes dhe sigurisë në vend. Banorë lokalë, shqiptarë dhe serbë, e duan ende praninë e tyre. Derisa i cilësojnë jetikë paqeruajtësit, qytetarë të Kosovës vlerësojnë se një mision i ngjashëm do të mund të kontribuonte për paqe në Ukrainë.
Zoran Spasiq i kalon mëngjeset me shpezët që i mban në oborrin e shtëpisë së tij, në Rubofc të Lipjanit.
Për serbin 56-vjeçar, jeta në këtë fshat, 35 kilometra larg kryeqytetit kosovar, është shumë më e qetë se 26 vjet më parë, kur Kosova sapo kishte dalë nga lufta me Serbinë – një konflikt që la mbi 13.500 të vrarë.
Pas përfundimit të luftës, tensionet ndëretnike midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe u përshkallëzuan.
Këto tensione u fashitën pas hyrjes së trupave paqeruajtëse të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“KFOR-i menjëherë pas mbërritjes patrullonte nëpër fshat. Falë tyre, arritëm të mbetemi në shtëpitë tona”, thotë Zorani për Radion Evropa e Lirë.
Një kontingjent paqeruajtësish u vendos edhe në fshatin Rubofc, për t’u mundësuar banorëve lokalë rikthimin në jetën e tyre dhe vijimin e punëve bujqësore.
Zorani thotë se ushtarët e KFOR-it i përcillnin edhe kur i blinin ushqimet për nevojat e tyre dhe derisa kryenin punët bujqësore.
“Gjatë korrjeve dhe mbjelljeve, ata vinin në fusha me makinat e tyre dhe na siguronin mbrojtje, duke na mundësuar t’i kryenim të gjitha punët tona me ndihmën e tyre”, thotë ai.
Në vitet e pasluftës, KFOR-i luajti një rol kyç në parandalimin e incidenteve ndëretnike.
Kosova themeloi institucionet e saj, dhe më 2008 shpalli pavarësinë, duke e bërë Policinë e Kosovës përgjegjësen kryesore për sigurinë.
Jeta me fqinjët
“A je lodhur? Çka je duke bërë, po përgatitesh a?” – kështu e përshëndet Zorani në gjuhen shqipe fqinjin e tij shqiptar, Nuredin Zaskokun, i cili po bënte gati traktorin për të nisur mbjelljet e pranverës.
Nuredini ishte tetë vjeç kur, në vitin 1999, në fshatin e tij hynë trupat paqeruajtëse të KFOR-it.
Teksa e kujton atë kohë shprehet i lumtur që NATO-ja dërgoi trupat e saj në Kosovë.
“KFOR-i që ka ardhur ka qenë shumë mirë, sepse ka qenë një siguri edhe për neve, edhe për këta [serbët e Kosovës], se ka mundur edhe pas luftës, ndoshta, të ketë për ta ndonjë kërcënim prej dikujt tjetër, ose diçka”, thotë Zaskoku.
Ai shton se KFOR-i u ndihmoi me shumëçka për t’iu kthyer jetës në normalitet.
Kthimi dhe çarmatosja
Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, si mision i udhëhequr nga NATO-ja, u dërguan në Kosovë më 12 qershor 1999.
Kjo e bëri të mundur kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë shqiptarëve, të cilët ishin larguar me dhunë nga forcat serbe, si dhe kthimin e qindra serbëve që u larguan pas çlirimit të Kosovës.
Kujtim Gjevori, teksa ec mbi urën në Han të Elezit, e kujton ende qartë ditën kur aty zbriti nga helikopteri i KFOR-it bashkë me trupat ushtarake që hynë nga Maqedonia e Veriut.
“Ka qenë një moment, një dridhje, një rrëqethje emocionale, që kurrë në jetën time nuk mund ta harroj”, thotë Gjevori.
Në atë kohë ai ishte 21 vjeç, dhe kishte shërbyer si përkthyes për forcat britanike të KFOR-it.
“I keni dy minuta që t’i dorëzoni armët. Nëse nuk i dorëzoni, ne do të detyrohemi t’i marrim me forcë”, ky ishte një urdhër i gjeneralit britanik që Gjevori duhej t’ia përkthente Policisë Serbe.
Në atë moment, ai thotë, njësia speciale Gurkat u përgatitën dhe policia vendosi t’i lëshojë të gjitha armët në tokë, dhe të çarmatosur u larguan nga Kosova për në Serbi.
Agim Çeku, ish-ushtarak dhe ish-kryeministër i Kosovës, vlerëson se prania e KFOR-it mbetet ende e nevojshme për vendin.
Sipas tij, pavarësisht se ka një situatë të qëndrueshme të sigurisë, KFOR-i do të jetë i pranishëm në Kosovë derisa vazhdon të ekzistojë kërcënimi nga Serbia.
“KFOR-i do të jetë këtu derisa të normalizohen marrëdhëniet, derisa të bëhet njohja e ndërsjellë, derisa të vlerësohet që nuk ka rrezik të ripërtëritjes së konfliktit”, thotë Çeku.
Çfarë forcash mund të vendosen në Ukrainë?
Liderë nga më shumë se 30 vende u takuan më 27 mars në Paris për të biseduar për gjetjen e një mënyrë se si ta forcojnë pozicionin e Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës. Ata premtuan ndihmë të re për Kievin dhe shqyrtuan propozimet për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë marrëveshje për paqe.
“Do të ketë një forcë sigurie që do të veprojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa vende”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Nuk është Rusia ajo që mund të vendosë nëse një forcë sigurie mund të vendoset në Ukrainë”, nguli këmbë ai.
Ai shtoi se, tani për tani, nuk ka njëzëshmëri për dërgimin e një force të udhëhequr nga Evropa dhe se jo të gjithë anëtarët janë pajtuar të marrin pjesë, megjithëse theksoi se kjo nuk është e nevojshme për të ecur përpara.
Duke folur një ditë para samitit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Macron tha se kjo forcë sigurie nuk do të dërgohej në vijën e parë të luftës dhe nuk do të kishte për detyrë mbikëqyrjen apo zbatimin e ndonjë armëpushim.
Sipas tij, një detyrë e tillë mund t’i caktohet paqeruajtësve të OKB-së.
Mësimet nga Kosova…
Përvoja prej një çerek shekulli e Kosovës me paqeruajtësit ndërkombëtarë, besohet se mund të ofrojë njohuri të vlefshme.
Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, thotë se, së pari, çdo mision paqeruajtës në Ukrainë duhet të përfshijë të gjitha palët.
“Të gjithë akterët duhet të jenë pjesë e këtij procesi – natyrisht agresori, Rusia, vendi që u pushtua, Ukraina, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja”, thotë Vejvoda për Radion Evropa e Lirë.
“Pra, ka shumë pjesë të këtij pazlli për një mision paqeruajtës të suksesshëm”, thekson ai.
“Ajo që mund të mësohet është nevoja për të forcuar themelet e paqes dhe për të treguar vullnet politik. Por, natyrisht, në kushte të drejta – veçanërisht për Ukrainën, një shtet sovran evropian që u pushtua pa asnjë arsye nga fqinji i saj me armë bërthamore, Rusia”, nënvizon Vejvoda.
Ai po ashtu shtoi se ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë, bënë që trupat e NATO-s ta “rimendonin strategjinë për ruajtjen e paqes dhe rendit”.
“KFOR-i mësoi një leksion të rëndësishëm dhe komandantët kuptuan që rreziqet ishin më të mëdha sesa mendonin në vitin 1999”, shton ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Kosovë, më 11 mars, tha se dërgimi eventual i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të ndikojë në rishikimin e pranisë së trupave edhe në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht nëse do të arrihet pajtim për të dërguar mision ushtarak paqeruajtës në Ukrainë, serbë dhe shqiptarë të Kosovës besojnë se një forcë paqeruajtëse do t’i krijonte kushtet për paqe mes ukrainasve dhe rusëve.
Zorani thotë se “pa praninë e trupave paqeruajtëse nuk do të ishte e mundur të vendosej paqja e vërtetë”, ashtu sikurse edhe fqinji i tij, Nuredini që thotë se “në çdo shtet që ka luftë nevojitet një forcë si KFOR-i” për stabilizimin e gjendjes./REL