Më 2 shkurt 2018 qeveria shqiptare prezantoi programin “100 fshatrat”, me premtimin ambicioz për t’i kthyer në qendra turistike. Teksa prezantoi programin, kryeministri Edi Rama deklaroi se 4 ministri dhe një sërë agjencish do të angazhoheshin për të ndërhyrë në infrastrukturë, trashëgimi kulturore dhe agro-turizëm me qëllim rivitalizimin e ekonomisë së fshatit, bazuar në potencialet turistike dhe kthimin e banorëve të larguar.
Referuar vendimit nr. 21, datë 12.1.2018, ministria e Bujqësisë ishte drejtuese e kësaj strategjie.
“Nuk bëhet fjalë për investime të natyrës së këtyre 20 e kusur viteve dhe as për investime të përqendruara në 100 ishuj të veçantë, thjesht për të ndryshuar 100 fshatra. Bëhet fjalë për 100 pika graviteti mbi të cilat jemi të bindur se do të krijohen rrathë zhvillimi dhe rrjetëzime të investimeve në agro-turizëm”, u shpreh Rama gjatë prezantimit të këtij projekti.
Fakt
7 vite më pas të dhënat e grumbulluara nga “Faktoje” tregojnë se ndërhyrjet në fshatra kanë qenë të fragmentuara dhe fshati vijon e vuan për ujë, drita dhe rrugë.
“Për të kuptuar seriozitetin e këtij programi, shih çfarë po i bëjnë Tragjasit. Po i marrin ujin”, thotë Flora Xhemani, eksperte e turizmit.
Muhamet Shetaj, jeton në një shtëpi të bukur, por të vetmuar mbi kodrat e fshatit Shetaj buzë Kepit të Rodonit, një atraksion turistik. Mijëra vizitorët që kalojnë mes për mes fshatit Shetaj për të shkuar tek kisha e Kepit të Rodonit, nuk ndalojnë në fshat pasi ai nuk ofron asnjë mundësi. Pa mundësi e shohin jetesën në këtë fshat edhe banorët, shumica e të cilëve kanë zgjedhur të emigrojnë, duke lënë vetëm të moshuarit pas.
Në të 80-at e tij, është bërë tre herë stërgjysh, por asnjë prej nipërve dhe mbesave nuk jeton në Shqipëri.
“Stërnipi më i vogël është 2 vjeç, dhe ende nuk i ka shkelur këmba në këtë shtëpi. Jetojnë në Itali, më merr malli ta shikoj këtë shtëpi plot”, – rrëfen ai pa mundur të fshehë lotët e mallit.
Shetaj që ka qenë kryeplak i fshatit për periudhën 2004-2019, jeton me djalin dhe nusen e djalit, tre fëmijët e të cilëve (edhe ata tashmë janë bërë prindër) kanë emigruar dhe ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë.
“Familja jonë ka 13 anëtarë, por vetëm ne të tre jemi këtu. Djali që është 51 vjeç, është më i riu i fshatit. Kanë ikur të gjithë”, rrëfen Shetaj.
Emigracioni ka prekur në mënyrë masive këtë fshat. Vilat e bukura të ndërtuara me mundin e viteve të gjatë të emigrimit janë të gjitha të mbyllura me çelës, për tu hapur për dy javë vetëm gjatë stinës së verës.
“Këtu jemi 50 shtëpi, por vetëm 19 prej tyre kanë nga një të moshuar që ende e mban derën e shtëpisë hapur. Të tjerat hapen vetëm gjatë verës”, thotë Shetaj.
“Nuk ka as punë, as rrugë, asgjë. E vetmja e ardhur është nga peshkimi, djali që është 51 vjeç nuk ka asnjë ditë pune të siguruar. Sot ka dalë për peshk, por ka ditë që nuk zë asgjë. Me çfarë të rrojmë ”, tregon i moshuari.
Fshati Shetaj në bashkinë e Durrësit, është një nga tre fshatrat e përzgjedhur, pjesë e listës së 100 fshatrave, por në vitin e 7 të zbatimit, investimet në këtë zonë kanë qenë krejt minimale.
Një tabelë në hyrje të fshatit tregon një mori shërbimesh që nuk ekzistojnë, duke filluar që nga muzeu, një infopoint, kabinë telefonike, pikë panoramike apo edhe tualete.
“Asgjë nga këto nuk ekziston, nuk e di se çfarë thotë tabela, por këtu nuk ka asgjë”, na thotë një banor që takojmë në të vetmin lokal të fshatit.
Rruga e ndërtuar në vitin 2012 është amortizuar, por banorët e konsiderojnë veten me fat pasi prej 3 vitesh së paku kanë ujë të pijshëm.
“100 fshatrat nuk ka pas asnjë ndikim për ne. Si të gjithë fshatrat e tjerë edhe ne jemi jashtë vëmendjes së bashkisë, tani që hoqën edhe komunën jemi më keq pasi për çdo gjë duhet të shkojmë në bashki”, thotë ish kryeplaku.
Investime
Për periudhën 2018-2021 institucionet e ngarkuara me ndërhyrjen në 100 fshatrat shpenzuan 192 mln lekë, por njëjtë si fshati Shetaj në Durrës, asnjë nga fshatrat nuk arriti të rigjallërohet dhe të bëjë që banorët e larguar të kthehen sërish. Përkundrazi. Fshati është prekur nga braktisja masive.
Me qëllim rigjallërimin e ekonomisë lokale dhe kthimin e tyre në atraksione turistike, fillimisht me një kohëzgjatje 3 vjeçare, programi 100 fshatrat u shty deri në vitin 2024, ndërsa këtë vit qeveria vendosi ta shtyjë deri në vitin 2030 duke akorduar një fond prej 9 mld lekë.
Referuar vkm-së përkatëse qëllimi i këtij programi ishte mbështetja e ekonomisë jobujqësore dhe kthimi i këtyre fshatrave në zona turistike, bazuar kjo në potencialin e tyre turistik, duke ndërhyrë në infrastrukturë, përfshi rrugë, sheshe, kanalizime, ujësjellës, rehabilitim objektesh kulturore apo objektesh të trashëgimisë historike.
Si pasojë e ndërhyrjeve programi parashikonte të ndikonte në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, diversifikimit ekonomik nëpërmjet turizmit, rritjes së numrit të turistëve, bizneseve dhe punësimit.
Për Flora Xhemanin, eksperte e turizmit, projekti nuk i ka justifikuar shpenzimet e bëra në emër të tij.
“Një pjesë e mirë e fshatrave vazhdojnë po kaq të harruar, po kaq të pafrekuentuar, po kaq joturistikë pasi projekti nuk i ka prekur akoma”, thotë Xhemani. “Ka tre situata”, nënvizon ekspertja e turizmit.
“E para është zero me xhufkë, programi nuk ka prekur fare një pjesë të mirë të fshatrave të kësaj liste. E dyta investimet që u bënë nuk ishin brenda pritshmërive, dhe së treti edhe ato që u prekën, punët janë bërë shkel e shko”, thotë Xhemani duke sjellë si shembull rastin e Nivicës që u harxhuan qindra mln lekë për qendrën, por që aktualisht është e papërdorshme.
Milionat e hedhura nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Kulturës dhe ajo e Infrastrukturës dhe një sërë institucionesh të tjera si AZHBR apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kanë qenë të fragmentuara duke mos dhënë rezultatet e duhura.
Imeldi Sokoli, ekspert për zhvillimin e territorit pranë Co-Plan, thotë se ndryshe nga qëllimi që ishte për të rigjallëruar ekonominë lokale, “nuk kemi asnjë shkëndijë pozitive.
“Është copëzuar në donatorë të ndryshëm, dhe nuk ka mundur të japë efektin e duhur në zhvillimin e ekonomisë locale. Janë bërë disa investime, por jo në drejtimin strategjik të duhur”, thotë Sokoli.
Përgjegjësia
Pavarësisht premtimeve, ministria e Bujqësisë i tha “Faktoje” se nuk ka zë të dedikuar buxhetor për programin “100 fshatrat”, por ky program është mbështetur nëpërmjet skemave kombëtare për vitet 2018- 2021, përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
“Përmes masave të mbështetjes kombëtare janë financuar nga AZHBR, rreth 17 projekte me vlerë 88.7 milionë lekë”, deklaroi ministria e Bujqësisë, që sqaron se investimet kanë shkuar për ndërtime, rikonstruksion, mobilim, makineri dhe pajisje për agroturizmin dhe bujtina.
Avni Hysa, përfitoi një mbështetje prej 172 mijë euro nga IPARD në vitin 2022, për të kthyer në bujtinë shtëpinë e gjyshërve në fshatin Gurë i Bardhë në bashkinë e Klosit. Me hapjen e rrugës së Arbrit dhe pjesë e listës së 100 fshatrave ai kishte shumë shpresa se fshati i harruar i Pjetër Budit do të ishte pjesë e listës investimeve, së paku për rrugën. Por pavarësisht premtimit për rigjallërim, vetëm një muaj më parë, ka nisur puna për shtrimin e një segmenti të rrugës, që të çon deri në hyrje të fshatit, por jo brenda në fshat.
“Nëse do të ishte rruga, sigurisht që biznesi do të kishte ecur shumë më mirë. Tani shpresoj me rrugën gjërat të fillojnë të ndryshojnë, por fshati ynë është një perlë e harruar”, thotë Avniu.
“Duhet që rruga të shkojë në të gjithë fshatin, të restaurohet shtëpia e Budit, kemi ura që mbartin shumë histori…kemi se çfarë tregojmë, por këtu nuk është vënë dorë në asgjë”, thotë ai.
Tre ministri, asnjë përgjigje
Tre nga ministritë e angazhuara në mbarëvajtjen e këtij programi ambicioz të qeverisë shqiptare, konkretisht Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe ajo e Infrastrukturës nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion të Faktoje.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që është institucioni që ka marrë përsipër një sërë ndërhyrjesh thotë se deri më tani ka ndërmarrë 180 projekte, që kanë prekur direkt ose në mënyrë të tërthortë 100 fshatrat, por nuk sqaron sa prej tyre janë investime direkte për 100 fshatrat.
“Qeveria Shqiptare angazhon një buxhet të dedikuar për këtë program, ku FSHZH luan rolin e Agjencisë Zbatuese. Që prej krijimit të tij deri në fund të vitit 2024, programi i dedikuar për 100 Fshatrat ka siguruar një financim prej rreth 2.5 miliardë Lekë, dhe rreth 9 miliardë të tjera janë parashikuar për fazat vijuese deri në vitin 2030”, tha FSHZH në një përgjigje të një kërkese për informacion.
Pavarësisht listës së gjatë të investimeve që rendit FSHZH, ekspertët thonë se fshatrat vijojnë të vuajnë për rrugë, drita dhe ujë.
“Vermoshi nuk ka as drita e as ujë, e njëjta gjë edhe me Lëpushën. Kanë mungesë investimesh bazike që nuk mund të sjellin impaktin e duhur në ekonomi”, thotë Imeldi Sokoli.
Të njëjtin kosntatim ndan edhe Flora Xhemani, e cila për shkak të angazhimit në fushën e turizmit, i prek nga afër këto realitete.
“Edhe aty ku kanë shkuar projektet investimet nuk kanë qenë eficiente. Mund të jenë rregulluar dy fasada, por nuk kanë rrugë, nuk kanë energji. Psh. Thethi, Lëpusha, Valbona nuk kanë drita fare në dimër, ndërsa në verë kanë tension 120 volt që është i pamjaftueshëm”, thotë Xhemani.
Gjetjet e KLSH-së
Mos-eficiencën e këtij programi e konstatoi edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të publikuar në vitin 2022. KLSH kreu një monitorim të ecurisë së programit për periudhën 2018-2021 dhe zbuloi se asnjë nga institucionet nuk i rakorduan investimet me njëri tjetrin dhe as i monitoruan.
“Ministria e Bujqësisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës nuk kanë pasur dokumente strategjike në lidhje me menaxhimin e programit 100 fshatrat të shoqëruar këto dhe me raporte monitorimi, relacione, vendime, udhëzime, analiza ose studime që lidhen me zhvillimin e programit 100 fshatrat. Gjithashtu nuk ka as plane pune vjetore të hartuara për periudhën e zbatimit të programit qeveritar për 100 fshatrat (2018-2021)”, thotë raporti i KLSH.
Pavarësisht rezultateve të zbehta, qeveria ka vendosur ta riaktivizojë sërish këtë program dhe ta shtyjë deri në vitin 2030. Ndonëse e shohin si pozitive shtyrjen e këtij programi, ekspertët nuk kanë shumë pritshmëri.
“As në të ardhmen nuk ka për të dhënë efekt, po nuk pati një qasje më gjithëpërfshirëse, që të krijojnë zinxhirë vlerash”, thotë Imeldi Sokoli.
“Do të ketë një lloj vazhdimësie, diku do bëhen disa ndryshime, por efikase nuk i shoh. Sikur të bëheshin vetëm rrugët, të ndërtoheshin ujësjellësa apo kanalizime dhe të zgjidhej problemi i energjisë elektrike…Për kaq ka nevojë fshati. Të tjerat i bëjnë vetë”, thotë Xhemani.
Muhamet Shetaj thotë se pavarësisht investimeve të pakta, sa herë ka zgjedhje kandidatët iu premtojnë rrugë, ujë e drita.
“Edhe ne ato duam, të tjerat i bëjmë vetë”, thotë ai ndërsa shijon peizazhin magjepsës të fshatit buzë detit që dikur kultivonte luledielli e grurë.
“Bujqësia është shtëpi pa çati”, thotë ai. Ndaj, sipas tij, duhet të vënë dorë edhe mbi fshatin. Ai tregon se ka kërkuar prej kohësh ndërtimin e një rruge buzë detit që fillon nga Kepi i Rodonit deri në Shën Vlash, si e vetmja mënyrë që vizitorët e shumtë që eksplorojnë kishën të qëndrojnë edhe në fshat.
Për pasojë, programi nuk mundi as ta rigjallërojë fshatin dhe as të ndalë braktisjen e tij, duke e konsideruar deklaratën e kryeministrit Edi Rama per rijetëzimin e 100 fshatrave si pjesërisht të mbajtur sa kohë afati është shtyrë deri në vitin 2030./Faktoje.al