Nga Gjeneral Piro Ahmetaj
24 marsi 1999 do të mbetet i skalitur në historinë e NATO-s si “fillimi i fundit të pushtimi barbar të serbisë ndaj Kosovës”. Në “kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, rajonit dhe marrëdhenieve me USA/NATO”, risjell në kujtesë rrethanat dhe peshën gjeopolitike të kësaj datë-ngjarjeje madhore:
Së pari, mbrëmjen e 23 marsit 1999, misionari i paqes, ambasadori mirënjohur Holbrooke dhe Gjenerali mirënjohur Westly Clark , u kthyen nga Beogradi në Bruksel: “të refuzuar cinikisht nga Millosheviçi” në përpjekjen diplomatike për të evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Në orët e para të ditës tjetër, pra 24 mars fuqia ajrore e SHBA/NATO u angazhua një luftë “jashtë artikullit 5”, pra pa miratimin e KS/OKB-së, por që e legjitimoi NATO-n si “Aleancën e lirisë, paqes, shpresës dhe besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën!
Kështu, 24 marsi 1999, simbolizon jo vetëm përvjetorin e një ngjarjeje të lavdishme për historinë gjeopolitike të NATO-s, por meriton të mbetet e skalitur në përjetësi nga shqiptarët edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të SHBA/ NATO-s.
Përveç kësaj, kjo datë-gjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit shqiptar.
Edhe në situatën aktuale, 24 marsi mbetet një ngjarje me “mesazhe të forta shprese” për fundin që e pret Rusinë-Putiniste, e cila: “mbas mbi 3 vjet lufte barbare”. Ndërss nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Beograd, që pikërisht për shkak të kësaj lufte, Kremlini gjendet sot më i izoluar se asnjëherë me parë, ndërsa gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e zullumqarëve rreth tij.
Së dyti, shpreh keqardhjen për mungesën delekuente “të mirënjohjes institucionale nga Prishtina dhe Tirana zyrtare” përkundër domosdoshmërisë jetike që ka Kosova dhe Kombi ynë për forcimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë SHBA/NATO/BE!
E gjej zhgënjyese që mbas 26 vjet pavarësi, kryeçlirimtarët e Kosovës, pra Washingtoni zyrtar, ka ngritur një zhgënjim serioz: “për faktin se qeveria e Kosovës dhe Tiranës nuk po konsultohet dhe nuk po punojnë me SHBA për sigurinë rajonale”!
Shpreh revoltën jo vetëm për vendimmarrjet e pakonsultuara me SHBA-të, por veçanërisht për riciklimin e kokëfortësisë bolshevike dhe të sovranitetit folklorik nga të gjithëpushtetshmit e Kosovës, ndaj politikanëve dhe opinionistëve mendjendryshkur në Prishtinë, Tiranë etj.
Duke përsëritur “përuljen ndaj dëshmorëve të atdheut si dhe nderimin më të thellë ndaj sakrificave për pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës në shekuj”, mbas 26 vitesh besoj edhe më fortë se në koshiencën fisnike të kombit të jetë përjetësisht e skalitur, që: “Çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë nuk u arrit as vetëm nga luftërat, as nga qëndresat dhe as nga sakrificat e popullit të Kosovës”.
Shpresoj ta “pranojmë fisnikërisht” se vetëm falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të USA/NATO, Millosheviçi nënshkroi tërhequr forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244 dhe të shenjtëruar në Flamurin e Kosovës nga Sh.T. Presidenti Rugova. Për këtë, mjafton të sjellim qetësisht në vëmendje që në Marrëveshjen e Kumanovës, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa siguria territoriale, iu ngarkua KFOR-it, me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s dhe jo vetëm.
Prandaj, as ligjëratat marksiste dhe as bejtet patriotike mbi sovranitetin dhe të drejtat sovrane nuk do të munden kurrsesi të errësojnë rolin përcaktues të “çlirimtarëve të vërtetë” (SHBA) të Kosovës nga pushtimi serb dhe as peshën kritike që prej 26 vitesh, ato vijojnë të mbajnë për paqen, stabilitetin si dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës.
Thënë këto, data 24 mars meriton të skalitet jo vetëm si data e mirënjohjes mbarëkombëtare ndaj USA-NATO, por edhe si dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve dhe rreth 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 26 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe rajon.
Së treti, për shkak funksioneve që kam ushtruar 26 vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Sigurisht kam bërë detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar në forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele, etj., si dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit, përfshi Beograd; në Këshillin e Atlantikut në Qashington; me Ekspertë/kolegë të sigurisë në Bruksel, Qendrën Marshall, Gjermani, Kolegjin e Romës, në 32 vendet e NATO-s.
Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini, Pekini dhe çuditërisht Parisi”, i kam adresuar si pyetje të thjeshta/publike, ndaj z.Vuçiç dhe gjeneralëve të tij: “Përse shpenzon më shumë se 1. 5 miliard euro në vit për armatosjen me tanke; ‘Mig-29’, Rafalo; helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj, dronë vrasës, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive (jo siç i avokaton PMRSh Rama!!) i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës(?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë? ; apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”?
Nga ana tjetër, nuk kam asnjë mëdyshje, që 26 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 38 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sinkronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithsesi, Rusia Putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore, apo duke e diskretituar Beogradin “deri me agresion ushtarak” jo vetëm ndaj sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe kundër prezencës së shtuar të KFOR/NATO-s në terren.
Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralët dhe mendjet putiniste në Beograd (dhe jo vetëm) si dhe për sovranistët folklorikë të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare: “Përsa kohë të ketë prezencë të SHBA-NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)”!
Në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë, dialogun konstruktiv, bashkëjetesën paqësore për ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë:
- 1. Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve, duke u konsultuar paraprakisht si dhe dhënë besim projektit të Presidentit Tramp dhe NATO-s.
- 2. Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet neo-Staliniste” për rikthimin e flamurit serb në vendin e krimeve kundër njerëzimit, si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj territorit të Kosovës dhe popullit shqiptar.
Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1.5 miliard euro në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka zero, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe FSK në Kosovë; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 5 nëna (Moska, Brukseli, Pekini, Parisi, dhe Washingtoni). Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bëjë trimin tërbuar duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekspertët e Pentagonit edhe 246 raketat ‘Javelin’ të miratuara nga DASH-SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese, por vetëm për të ushtruar të drejtën sovrane të vetëmbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo jo?
- 3. Prishtina dhe Tirana zyrtare, pa u konsultuar me SHBA, kurrsesi nuk do duhej të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimtarët/USA, që prej 26 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët mendjehapur të Prishtinës që: “Çlirimi nga pushtuesit serbë më 1999 si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATOs (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatorë, në kontribuuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!
- 4. Tirana dhe Prishtina zyrtare e kanë përgjegjësi të lartë kombëtare dhe fisnike të demonstrojnë mirënjohje ndaj SHBA-NATOs. Ndërsa përkundër: “Vendimmarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë për protagonizëm internacionalist”, e çmoj si emergjencë kombëtare, ngritjen e një “Grupi të Urtësh – Wise Group”. me personalitete të gjithëpranuara, që përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare për t’i dhënë jetë një platforme të përbashkët “2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke garantuar partnerët strategjikë se kjo “platformë e vonuar” do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë në rajon.
Sigurisht që: “ky projekt (2-Shtete 1-Komb), nuk ka kurrsesi lidhje me dalldisjen bolshevike që vjen nga fuqia elektorale e mbipushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që presin (duke u dridhur) radhën në SPAK; as me pluralizmin fasadë dhe as me mjerimin e opozitës të leckosur”.
- 5. Ndërsa, partnerëve strategjikë, aktorëve dhe ekspertëve/kolegëve në rajon, Qashington, Bruksel etj., do t’i risugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e rajonit, ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Serbia “të imponohet” që: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (2) nuk do të vendosë instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithsesi do të duhen të monitorohen nga USA-NATO-BE, që mbeten faktorë kritikë për paqen në rajon.
Në përmbledhje, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 24 marsi 1999 do të mbetet një kambanë alarmi ndërsa: “Paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve, si dhe ardhmërisë euroatlantike të Kosovës, të Serbisë si dhe 4 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”.