Andrea alias Adriatik Kalemi nga Memaliaj është dënuar me 2 vite burgim nga Gjykata e Gjirokastrës, e cila e ka shpallur fajtor për vepërn penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”.
Në pretencën e saj, Prokuroria e Gjirokastrës kishte kërkuar dënimin e Kalemit, me 2 vjet e 5 muaj burgim. Gjatë procesit, Kalemi kërkoi gjykim të shkurtuar ndërsa pranoi se armët ishin të tijat, por i mbante në banesë për qëllime vetëmbrojtje dhe jo kriminale.
Mediat raportojnë se në dhënien e vendimit për dënimin e Kalemit, Gjykata mori parasysh dhe një akt-ekspertimi tekniko balistik të armës, i cili nënvizonte se arma e sekuestruar në banesën e Kalemit hyn në llojet e armëve të zjarrit, por nuk ishte në gjëndje teknike të bënte qitjen e predhës, për shkak të mungesës së një mekanizmi.
Andrea alias Adriatik Kalemi u arrestua më 28 Gusht të vitit të kaluar, gjatë një aksioni të forcave RENEA, të cilit i gjetën në banesë arsenal armësh, më konkretisht 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 Euro, mbi 400 mijë lekë dhe 3470 dollarë.
Në atë aksion u arrestua edhe Andrew (Edvin) Bode, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, në Selitë në kryeqytet në dhjetor të vitit 2022, teksa strehohej në banesë nga Julian Kalemi, kushëriri i Adriatik Kalemit.
Dyshohej se Andrea alias Adriatik Kalemi po përgatitej për t’u hakmarrë për vrasjen e babait të tij, Shyqyri Kalemi, i ekzekutuar në masakrën e Memaliajt, të regjistruar më 20 Qershor të vitit të kaluar, ku pati 3 të vrarë dhe një të plagosur, ku dy prej viktimave ishin të pafajshme, Gledio Muka dhe Marsel Çela.
Shyqyri Kalemi dyshohet se u vra në hakmarrje pas një përplasje të përgjakshme mes grupit të Kalemit dhe të Edmond Papës, pas 3 atentateve që i kishin shpëtuar më herët dy djemtë e tij, Adriatik Kalemi dhe Zamir Kalemi.
Përplasja me armë mes anëtarëve të familjes Kalemi dhe Papa, ka nisur që në Greqi ku mbeti i vrarë Denis Grabocka nga Korça dhe Ari PAPA nga Saranda, ku shkak dyshohet se janë pazaret e prishura të drogës.
Më tej atentatet e përgjakshme vijuan dhe në Tiranë, Sarandë dhe Memaliaj, duke rregjistruar disa viktima.
Kush është Andrea alias Adriatik Kalemi
Andrea (Adriatik) Kalemi i shpëtoi një atentati më 9 Gusht të vitit 2023 në ishullin Paksos të Greqisë ku kishte shkuar me pushime.
Autori i atentatit lëvizte me një skaf që më pas rezultoi se ishte nisur nga Italia dhe kishte mbërritur aty. Ai ka qëlluar të paktën 14 herë në drejtim të lokalit ku Kalemi ishte ulur për të darkuar bashkë me gruan e 3 fëmijët. Kalemi u qëllua me 10 plumba dhe u plagos rëndë duke u transportuar me urgjencë në spitalin e Janinës, por fatmirësisht arriti të shpëtonte.
Atentati mafioz në ishullin grek vijon të mbetet pa autor. Por nga ana tjetër, pasi u kurua nga plagën të spitalin e Janinës, Adriatik Kalemi u vu në pranga dhe u dërgua në burgun e Koridhalosë, pasi kishte një proces të hapur ndaj tij në Greqi.
Ndërkohë, më 15 Dhjetor të vitit 2023, Andrea (Adriatik) Kalemi tenton të vritet sërish brenda qelisë në Greqi, teksa ishte në pritje të lirisë.
Një i burgosur tjetër, me kombësi egjiptiane, e sulmoi atë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e në gjoks. Dyshimet se bëhet fjalë për një sherr të zakonshëm mes të dënuarve në burgun e Koridhalosë u shuan shpejt sapo u mësua identiteti i autorit. Ai rezultoi se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me 51-vjeçarin Kalemi, as jashtë dhe as brenda burgut. Për më tepër, ai ishte transferuar aty vetëm pak orë para ngjarjes. Sipas të gjitha të dhënave ai kishte ardhur me porosi dhe i paguar nga persona të tjerë për të vrarë Adriatik Kalemin. Me vete kishte një thikë dhe një celular, që ende nuk dihet se si dhe me ndihmën e kujt i ka futur brenda burgut.
Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28-vjeçarin egjiptian, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Atij më pas iu sekuestrua thika dhe një celular që ishte thyer.
Kalemi mori plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë dhe arriti tçi shpëtonte edhe këtij atentati.
Ndërsa më 12 Janar të vitit 2024, iu bë atentat Zamir Kalemit, vëllait të Andrea (Adriatik) Kalemit. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, por mundi të shpëtojë edhe pse u godit nga 4 plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”.
Kalemi lëvizte me një automjet “Smart” kur u qëllua me breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes atentatorët kanë vijuar rrugën në drejtim të Bërzhitës, ku më pas i kanë vënë flakën makinës tip “Nissan”. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe arma që dyshohet se është përdorur në krim. Policia tha se nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY 66 50, rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023.
Andrea (Adriatik) Kalemi, është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, në një atentat me eksploziv pranë rrethrrotullimit të TEG më 11 Qershor të vitit 2022.
Andrea (Adriatik) Kalemi rezulton bashkëpronar dhe administrator i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k me adrese ne Memaliaj dhe objekt “Ne fushën e tregtisë, import, eksport, tregti me shumice dhe pakice e mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregtim i materialeve te ndërtimit, inerte, rëre, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, te lendes drusore, plastike, duraluminit etj. Bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj. Agjensi shitblerje dhe dhënie me qira te pasurive te patundshme, agjenci transporti te udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete te ndërtimit. Pastrim te sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve te gjelbëria, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim te qytetit”.
Mes të tjerash ai rezulton të jetë pronar i një bujtine në Memaliaj, vendlindjen e tij si dhe të një lokali në Tiranë.
Në vitin 2001 Andrea (Adriatik) Kalemi rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me dy persona të tjerë, pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.