Është mbrëmja e 17 Shkurtit 2025, dhe së bashku me kolegët italianë të emisionit “Le Iene”, po përballemi me një person tepër agresiv, i cili ka bërë diçka vërtetë të tmerrshme.
Gjithçka po ndodh brenda shtëpisë të këtij të riu shqiptar, në Selci Lama, një fshat i vogël pranë Citta del Castelo, në zemër të Italisë. Paskuale, personi i dhunshëm i nisjes së kësaj historie, është një 50 vjeçar napoletan, me të cilin Fatjoni do të niste një marëdhënie punë, që pak nga pak do të kthehej në miqësi. Shkak më shumë për këtë raport të ngushtë, ishte lidhja e tij me një grua shqiptare.
Një histori si qindra të tjera, kur njerku bëhet një baba i dytë për fëmijën. Madje përkujdeset që çdo gjë të shkojë mirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vajzë emigrante, e cila përveçse një minorene 16 vjeçare, ka dhe disa probleme shëndetësore. Deri këtu, asgjë për të dyshuar. Fatjoni 25 vjeçar, i cili është miqësuar me familjen italo-shqiptare, deri kur një ditë të bukur Pasquale e fton në një takim me një shqiptar tjetër.
Dhe ishte pikërisht Tik Tok-eri me emrin e artit Aron, i cili shquhet për stilin e veçantë në performancat e tij që i ndan në këtë platformë që është promovimi i dhunës. Fatjoni i pyet për motivin pse kërkojnë Pasqualen, por Aroni kërkon të takohet veçmas me italianin, ndërkohë që 25 vjeçari qëndron në tavolinë me dy shoqëruesit e tiktokerit të cilët i tregojnë arsyen e vërtetë pse janë aty.
Biseda merr një tjetër drejtim, dhe për herë të parë i riu kupton se është përpara një situate vërtetë serioze. Fatjoni kupton që janë disa video intime të Pasquales me vajzën e gruas së tij Shqiptare. Ndërkohë që pas disa minutash Aroni dhe Pasquale, rikthehen fare të qetë në tavolinën ku ndodhet Fatjoni, i cili vetëm pak kohë më vonë merr vesh se si ishte mbyllur ajo bisedë që nisi e tensionuar. Pasquale i kishte premtuar Aronit 50 mijë euro.
Por pas atij akordi me Aronin, duket se Paquale ndërron mendje dhe vendos të mos ia dërgojë paratë. Madje të nesërmen e hap për herë të parë bisedën delikate me mikun e tij. Ky refuzim i Pasquales per te paguar, zemëron Aronin dhe personat pranë tij. Grupi i shqiptarëve rikthehen sërish në Sansepolcro, për tu përballur me 50 vjeçarin napoletan.
Pamjet origjinale që ne disponojmë janë vërtetë të tmerrshme, dhe pavarësisht se janë të mbuluara, na japin një panoramë të asaj se çfarë ka pësuar vajza minorene…. 16 vjeçarja abuzohet disa herë në ditë të ndryshme nga njerku, i cili e detyron atë të kryejë akt seksual oral dhe anal. E gjitha kjo në krevatin ku flinte çdo natë me nënën e saj.
Këtu duhet të sqarojmë diçka tepër të rëndësishme në këtë histori me një viktimë të pafajshme. Vajza, përveçse është minorene, vuan edhe nga prapambetja e lehtë mendore dhe nga epilepsia… Fakt që vërtetohet edhe nga kjo dëshmi e mëvonshme e nënës përpara karabinierëve, ku deklaron që vajza është invalide civile që trajtohet me kemp, parashikuar në nenin 104.
E ndërsa ngjarja e rëndë dhe e përsëritur dukej se po kërkohej të fshihej me dakordësinë e të gjithëve, dhe vajza ishte hequr qafe nga nëna duke e rikthyer në Shqipëri, Fatjoni arrestohet për një motiv komplet tjetër. Në fakt denoncimi ishte bërë disa ditë më përpara, dhe kjo vërtetohet nga këto dokumenta të siguruara nga avokatët e 25 vjeçarit. Nëna e vajzës akuzonte Aronin dhe Fatjonin si bashkëpunëtorë në abuzimin dhe më pas rrëmbimin e mundshëm të vajzës së saj minorene.
Ajo që kemi dëgjuar në këtë rrëfim të 25 vjeçarit, kalon çdo lloj imagjinate. Kemi një person që siç e thamë duhej të ishte baba i dytë për një vajzë 16 vjeçare, por që në fakt e abuzon sistematikisht atë. Kemi një influencer të rrjeteve sociale të cilit vajza i ka kërkuar ndihmë, por ai mundohet të përfitojë sa më shumë duke shkelur me të dy këmbët besimin e saj. E mbi të gjitha kemi një nënë që nuk dihet se për çfarë motivesh, jo vetëm që nuk reagon aspak por bashkëpunon për të fshehur abuzimin e tmerrshëm ndaj vajzës së saj.
Por sa të vërteta janë këto që dëgjuam, pavarësisht se videot tregojnë qartësisht abuzimet e 50 vjeçarit italian. Çfarë roli ka nëna e vajzës? Po Tiktokeri me emrin Aron, apo vetë Fatjoni, denoncuesi ynë? Për të zbardhur të vërtetat e kësaj ngjarjeje të tmerrshme me shumë aktorë, nisim të interesohemi për vendndodhjen e vajzës, e cila pas ngjarjeve që kishin ndodhur, ishte sjellë në Shqipëri nga nëna e saj.
Dhe kërkimet na çuan në një fshat pranë Laçit, atje ku banon babai i vajzës, bashkë me gruan e dytë. Është e papranueshme se si ky baba i sheh me shumë dyshim akuzat e vajzës së tij ndaj njerkut, madje trembet se mund të ndiqet penalisht për shpifje. Do të donim shumë që ta bindim të besojë ato që vajza i ka thënë që ditën e parë kur e ëma e ka kthyer në Shqipëri, por për fat të keq, faktet janë brenda atyre videove, të cilat është e kuptueshme që nuk mund t’ia tregojmë.
E kuptojmë që është fare e kotë ta vazhdojmë këtë bisedë, por për fat, në ndryshim nga ai, bashkëshortja, njerka e vajzës, jo vetëm që arsyeton, por na rikthen me detaje në abuzimin e tmerrshëm që ka pësuar 16 vjeçarja. Duket se e vetmja që e ka dëgjuar dhe e ka kuptuar vajzën, është njerka e saj, e cila teksa flet me ne, mundohet të na transmetojë sadopak tmerrin e përjetuar nga vajza.
Ajo rren, është mashtruese…. Këto janë fjalët e një nëne, e cila pasi ka insistuar që ta marrë vajzën në Itali, ka lejuar abuzimet sistematike ndaj saj, dhe më pas nga frika se gjërat do të zbuloheshin, e ka kthyer sërish në Shqipëri. Fillimisht tek i ati, i cili duke parë gjendjen e rënduar emocionale të 16 vjeçares, është detyruar të kërkojë ndihmë…
Pasi kemi marrë ok nga babai, së bashku me njerkën snisemi drejt qendrës ku është strehuar vajza. Sapo ulemi, pavarësisht që mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm në pyetjet tona, ajo tregohet e drejtpërdrejtë… Dhe rrëfimi përputhet i gjithi me videot e abuzimit ndaj saj.
Nga kjo që sapo dëgjuam mësojmë një tjetër fakt shokues. Vajza ka shkuar te nëna e saj dy vite më parë, në moshën 14 vjeçare, dhe sipas saj që ditën e dytë në Itali, njerku ka nisur të abuzojë me të. Përveçse një pedofil me mendje të sëmurë, Pasquale dukej se kishte qëllim ta mbante nën vëzhgim gjatë gjithë kohës vajzën e gruas, edhe në momentet kur nuk ishtë në shtëpi. Prandaj kishte instaluar kamera në çdo ambient.
Në këtë situatë terrori fizik dhe psikologjik, vajza vendos t’i drejtohet dikujt për ndihmë, dhe ai dikush ishte pikërisht Aroni, personazhi i njohur i tiktokut. Sipas vajzës minorene, ky raport me Aronin nuk ka qenë thjeshtë një komunikim mes miqsh të njohur në Tiktok, por një lidhje emocionale në distancë.
Nga ajo që thotë 16 vjeçarja, videot që ajo vetë ka regjistruar gjatë abuzimit nga Pasquale, janë kërkuar nga Aroni. Kuptohet me premtimin se do ta ndihmonte vajzën për të demaskuar njerkun pervers. Duket qartë që vajza minorene është manipuluar vazhdimisht nga ky person, 22 vite më i madh, i cili e ka bërë të besojë se po përkujdeset për ta larguar nga tmerri që po kalon. E gjitha një farsë. Po nëna?
Pasi kemi dëgjuar edhe vajzën, kuptojmë që versioni i deritanishëm Fatjonit është ai i sakti. Të gjitha detajet mes të dyve përputhen më së miri. Prandaj rikthehemi sërish në Itali, atje ku bashkohemi me kolegët tanë të emisionit Le Iene. Sipas planit, Fatjoni ka lënë takim me Aronin, për të kuptuar situatën në cilën ndodhen të dy pas denoncimit të bërë nga nëna e vajzës. Dhe për këtë udhëtojmë rreth 400 km nga Citta del Castello drejt Novi Ligure…. Pak plane rruge…. Nëse ajo çfarë na ka thënë Fatjoni lidhur me shantazhin dhe gjobvënien e Aronit është e vërtetë, atëherë ky i fundit ka shkelur ligjin, prandaj prezentë aty pranë është edhe një skuadër karabinierësh, të gatshëm për të ndërhyrë.
Sapo i prezantohemi, Aroni si person që e njeh mjaft mirë botën e live-t dhe të kamerave, ka një pyetje direkte. Aroni nuk duket aq i lumtur me prezencën e karabinierëve, dhe pamja e tij është krejt e pazakontë nga ajo që fansat janë mësuar të shohin në daljet e tij të tiktokut. Sidoqoftë, fakti që ka pranuar të bashkëpunojë për denoncimin e gjithë asaj që ka ndodhur, është diçka që ia vlen të theksohet, pavarësisht se çdokush në pozicionin e tij do të ishte i detyruar të bënte të njëjtën gjë.
Aroni ishte një pjesë e rëndësishme e fajit në këtë abuzim kolektiv ndaj vajzës, por pjesa më e rëndësishme nis tani…. Për këtë na duhet të udhëtojmë sërish, drejt shtëpisë së Fatjonit, atje ku do të takohemi për herë të parë me Pasqualen, pedofilin abuzues të vajzës 16 vjeçare. Pasquale është ulur tepër i qetë me idenë fikse se do të jetë ai në rolin e akuzuesit ndaj Fatjonit që sipas tij i ka ngulur një thikë pas shpine.
Pasquale e pranon menjëherë faktin që ekzistojnë video intime të tij me vajzën minorene të gruas, por ardhja e tij ka tjetër qëllim. Ai mundohet të akuzojë Fatjonin i cili sipas tij në bashkëpunim me Aronin kanë kërkuar t’i vënë gjobë. Ka diçka që duhet të dini për këtë person. Jeta e tij ka kaluar mes shkeljes së ligjit dhe dyerve të burgjeve. Thënë shkurt është një individ nga i cili mund të pritet gjithçka… përfshi edhe dhunën fizike. Pjesa jonë e skenarit ishte deri këtu. Tani në katedër ngjitet kolegu italian. Në diskutime e sipër gjendja tensionohet dhe Pasquale nis të godasë gazetarin Luigi Pelazza dhe grupin e xhirimit të tij dhe “Piranjave”
Pasi ka marrë përpara më grushte e shkelma çdokënd e çdo gjë që i ka dalë përpara, 50 vjeçari napoletan është nxjerrë jashtë shtëpisë së Fatjonit, duke na lënë të gjithëve të shokuar. Ndoshta në mendjen e tij ka patur shpresë se do të ishte personi që do të mbetej në kujtesën e shikuesve si ai tipi që rrahu gazetarët. Në fakt ai do të kujtohet nga opinioni vetëm si përdhunuesi i një vajze të mitur dhe me zhvillim të vonuar….
Kemi edhe diçka të fundit. Është dikush që mund ta konsiderojmë si shkaktaren e gjithë asaj që i ka ndodhur vajzës për dy vite me radhë. Përveç arrogancës së demonstruar në ato pak çaste që foli, nëna e viktimës së abuzuar e mbylli telefonin e painteresuar aspak për ngjarjen e rëndë që i ka ndodhur rregullisht brenda shtëpisë. Shpresojmë që këtë përgjigje të munguar, t’ia japë autoriteteve të drejtësisë italiane.
/Emisioni “Piranjat”