Katër vjet pas konfiskimit të pjesës së zotëruar nga Emiljano Shullazi institucionet shtetërore kanë dështuar që ta kthejnë atë në dobi të publikut, ndërkohë përplasjet mes agjencive ligj-zbatuese kanë çuar në degradimin e aseteve të krimit të organizuar.
Ish-hotel Vollga, prona e cila u regjistrua në zyrat shtetërore të kadastrës me “garancinë” e Emiljano Shullazit, një person me rekorde kriminale, është krejtësisht e rrënuar.
Institucionet të ngarkuara me ligj për administrimin e kësaj pasurie, e konfiskuar me vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit në vitin 2021, kanë dështuar jo vetëm ta marrin nën administrim por edhe në procedurat për shitjen e saj.
Dokumentet e zotëruara nga “shteg.org”, intervistat por dhe raportet zyrtare tregojnë se ish Vollga nuk është rasti i vetëm ku institucionet kanë dështuar për menaxhimin e aseteve të konfiskuara.
Në to evidentohen rastet kur pronat e konfiskuara posedohen sërish nga grupet kriminale ndërsa për procedurat e ndjekura nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara ngrenë hije dyshimi për menaxhimin e këtyre aseteve.
Ekspertët thonë se ekziston rreziku që agjencia të përdoret si mjet për ti shërbyer interesave private ose politike, duke minuar qëllimin e saj origjinal për të mbrojtur interesin publik.
Gjatë vitit 2023, sipas Prokurorisë së Posaçme janë sekuestruar e konfiskuar 41 milionë euro pasuri me origjinë kriminale, por një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur shumë pikëpyetje sa i përket menaxhimit të pronave nga agjencitë shtetërore.
Ekepertët thonë se asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara lihen qëllimisht drejtë degradimit për të ulur vlerën e tyre në shitjet me ankand, ndërsa procedurat e ankandeve janë pezulluar me një urdhër verbal pasi qeveria ka plane strategjike për shfrytëzimin e këtyre pronave.
Ankandet e dështuara për pronën e Shullazit
Përkarshi Velierës së kushtueshme prej betoni, përgjatë shëtitores Taulantja, qëndron ende në “këmbë” ish-hotel Vollga.
E ngritur në një sipërfaqe prej 2500 metra katror, me një arkitekturë, që i mundësonte çdo klienti pamje nga deti Adriatik, sot nga hotel Vollga nuk ka mbetur me asgjë.
Është veçse një godinë kafe e dalë boje, pa dyer e dritare. Disa orienti kanë zënë hapësirat si hedhurina, ndërsa pjesa e brendshme e hotelit është shndërruar në një vend grumbullimi plehrash.
Emiljano Shullazi një personazh i njohur i krimit të organizuar në Shqipëri i dënuar me 14 vjet burg për gjobë-vënie dhe kërcënime dhe aktualisht në hetim nga Prokuroria e Posaçme për vepra të tjera të rënda penale, përfitoi 33.3 përqind të pronës, mbi bazën e një kontrate me “kusht”.
Shullazi merrte përsipër regjistrimin e ish-hotel Vollgës në hipotekën e Durrësit dhe zgjidhjen e konflikteve që kompania “Saudi Brothers”, e cila rezultonte pronare me letra por që kishte probleme me pretendentë të tjerë të kësaj prone.
Gjykata provoi se Shullazi kishte mundur të regjistronte në hipotekë në emër të tij përmes shantazhit dhe gjobë-vënies.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se nga korriku i vitit 2021, kur ish-hoteli u konfiskua, institucionet dështuan që të shisnin pjesën e aksioneve që zotërohej më parë nga Shullazi, ndërkohë që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, AAPSK, nuk arriti që ta mirëmbante dhe shfrytëzonte pronën e sekuestruar prej një dekade. Të gjitha procedurat e nisura prej saj për shfrytëzimin e pronës kanë rezultuar të dështuara.
Fillimisht, në vitin 2023, AAPSK përgatiti dosjen e shitjes së 1/3 së ish-hotel Vollgës dhe ia përcolli atë Drejtorisë së Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave për ta shitur në ankand.
Kreu i kësaj drejtorie, Endrit Duçka e ktheu pas dosjen, pasi bashkëpronarët Fejzi dhe Marjeta Kodra, të cilët zotërojnë rreth 67% të ish-hotelit duhej të firmosnin se ishin në dijeni të procedurës, për shkak se sipas ligjit, duhej t’iu jepej e drejta e parablerjes.
Një burim pranë Agjencisë i tha “shteg.org” se pasi u mor kontakt me dy bashkëshortët Kodra, u shpall ankandi për shitjen e pjesës së Shullazit më 4 korrik 2023. Prona doli në ankand me një vlerë prej 37 milionë lekësh, por asnjë blerës nuk shfaqi interes.
“Nuk u paraqit asnjë blerës. Ndoshta edhe për shkak të frikës nga Shullazi”, tha njëri nga administratorët.
Në përgjigjen dërguar “shteg.org”, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara deklaroi gjithashtu se ankandi dështoi për shkak të mungesës së interesit.
“Gjendja e keqe dhe amortizimi që kjo pasur ka nuk e ka lejuar dhënien me qira të godinës,” tha Idriz Haxhiaj në tetor 2024, në atë kohë kryeadministrator i AAPSK-së.
Dosja e ish-hotel Vollgës u rikthye në Agjenci bashkë me dosjet e mbi 30 pronave të tjera, ankandet e të cilave rezultuan gjithashtu të pasuksesshme.
AAPSK e justifikoi dështimin e të vetmit ankand me faktin se askush nuk shprehu interes për blerjen, ndërkohë që ekspertët ngrenë dyshime se ka raste që blerësit tërhiqen për shkak të kërcënimeve nga krimi i organizuar.
Në raste të tjera, anulimi i ankandeve është një taktikë e ndjekur nga institucionet për të zhvlerësuar pronat, kur më pas edhe përfituesit fundorë rezultojnë ose persona të lidhur me krimin, ose njerëz të pushtetit.
“Atyre që tentojnë të marrin pjesë në ankand për blerjen e pronave të konfiskuara të krimit të organizuar, mund t’ju bëhet presion,” thotë Burbuqe Islami, ish-administratore e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Islami tha për “shteg.org” se ka disa arsye përse ankandet dështojnë. “Mund të ketë edhe tërheqje taktike nga ankandi, me qëllim që prona që është nxjerrë të zhvlerësohet ankand pas ankandi,” shtoi më tej ajo.
Ndërsa një raporti i auditimit mbi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara i Kontrollit të Lartë të shtetit zbuloi raste kur agjencia nuk i zbatoi plotësisht vendimet gjyqësore në lidhje me pronat ndërsa u gjetën dhe raste kur individëve subjekt i urdhrit të gjykatës u lejohej të menaxhonin pronat.
Ankandi i 2023 ishte përpjekja e vetme që institucionet ndërmorën për të transformuar në të mirë publike, përgjatë katër viteve zotëronin pas konfiskimit të saj nga Emiljano Shullazi, i cili ende vijon betejën gjyqësore për rifitimi e të drejtës së pronësisë.
E ndërsa institucionet janë përfshirë “betejë të ngadalta procedurash, pas dështimit të ankandeve shfaqet një “pronar i ri” i ish-hotel Vollgës.
Një kthim borxhi

Dosja e ish-hotel Vollgës fle në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara prej verës së vitit 2023. Askush nuk jep një përgjigje zyrtare se cili do të jetë fati i kësaj prone.
Procedurat e gjata administrative duket se kanë lodhur ato që njiheshin si pronarë të 2/3 së godinës dhe truallit, bashkëshortët pensionistë, Fejzi dhe Marjeta Kodra.
Dokumentet tregojnë se Fejzi Kodra i shiti pjesën e tij të Vollgës më 28 shkurt 2024 biznesmenit Luan Leka, me të cilin ka një njohje të vjetër dhe kishte qenë për vite me radhë një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Sipas kontratës me nr.1636 firmosur përpara noterit Julian Zhelegu, Fejzi Kodra dakordësohet që pronën t’ia shesë Lekës përkundrejt çmimit prej 671 mijë eurosh, por Leka i tha “shteg.org” se në thelb, Kodra i ktheu borxhin.
Leka tha se kur Fejzi Kodra bleu ish-hotel Vollgën nga “Saudi Brothers” në vitin 2014, paratë ia kishte dhënë ai borxh. Aso kohe mes palëve ishte nënshkruar një kontratë me kusht që sanksiononte të gjitha detyrimet në rast se nuk do të ishin në gjendje të zhvillonin pronën.
“Në këtë mënyrë me nënshkrim e kontratës së re Fejziu më ktheu borxhin,” thotë Leka, ndërsa sqaron se paratë ishin kaluar përmes bankës dhe se tashmë i duhej ta zgjidhte këtë çështje, që i kishte shkaktuar dëm financiar prej vitesh.
Fejzi Kodra kujtoi për “shteg.org” se ish-hotel Vollgën e bleu në nëntor të vitit 2014, pa e ditur se një pjesë e saj zotërohej nga Emiljano Shullazi. Ai tha se kontratën e kishte lidhur me Ylvi Beqjen, përfaqësuesin në Shqipëri të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”.
“Që Emiljano Shullazi ishte bashkëpronar, e mësova kur ai u arrestua,” tha Kodra. “Lekët për blerjen e godinës mi dha Luan Leka. Me Luanin ne kishim një projekt investimi, mbi bazën e një kontrate noteriale,” shtoi ai.
Pasi lidhi kontratën e shit-blerjes me Fejzi Kodrën, biznesmeni Luan Leka iu drejtua Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e pronës, por ASHK e refuzoi regjistrimin me argumentin se binte ndesh me vendimin e Gjykatës së Posaçme për konfiskimin e pjesës takuese të Shullazit.
ASHK i kujton gjithashtu Lekës se duke qenë se ai është bashkëpronar vetëm në një pjesë të pasurisë truall dhe jo asaj ndërtesë, duhet të bëhet më së pari ndarja e pasurisë në dy pasuri, një truall dhe një pasuri ndërtesë.
“Pas këtij veprimi, në zbatim të nenit 2004 të Kodit Civil duhet t’i ofrohet e drejta e parablerjes bashkëpronarit tjetër, pra Republikës së Shqipërisë,” shkruan Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Leka thotë se është “peng” i institucioneve dhe se për “fatin” e aksioneve të pasurisë së tij në Durrës është në pritje të procedurave shtetërore.
Dokumentet tregojnë se procedurat për shitjen e pjesës që zotërohej nga Emiljano Shullazi kanë dështuar dhe dosja e ish-hotel Vollgës u kthye mbrapsht në AAPSK bashkë me 30 prona të tjera të kushtueshme, ndërsa është e paqartë nëse do të nxirren sërish në ankand.
Një urdhër verbal i dhënë nga “lart” ka bërë që Agjencia të pezullojë përpunimi e dosjeve që ajo menaxhon për nxjerrje në ankand pasi planet e qeverisë janë që pronat të vihen në dispozicion të investitorëve strategjik.
“Erdhi një urdhër nga lart ku na u thanë që mos të merremi me përgatitej e dosjeve për nxjerrjen në pronave të konfiskuara në ankande. Dëgjuam se qeveria kishte në plan ti përdorte këto prona për investime strategjik” – thanë burimet.
Korporata Shqiptare e Investimeve e cila sipas faqes zyrtare është e përkushtuar për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet projekteve strategjike të investimeve kombëtare dhe rajonale. Por Korporata mohon të ketë marrë në administrimin pronat e konfikurara burimi i të cilave rrjedh nga aktivitete kriminale.
“Korporata po zhvillon një seri projektesh zhvillimore të lidhura me prona shtetërore specifike të cilat i janë transferuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Asnjë nga këto prona nuk është pjesë e fondit të përmendur në kërkesën tuaj e për rrjedhojë Korporata nuk disponon oferta të lidhura me to” – thuhet në një përgjigje që “shteg.org” mori nga “Korporata Shqiptare e Investimeve”.
Fakt është që nga viti 2023 Drejtorisë së Pronës Publike, që ka kaluar nën administrimin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nuk ka kryer asnjë ankand për shitjen e pronave të konfiskuara me vendim gjykate.
Deri në botimin e këtij shkrimi Ministria e drejtuar nga Blendi Goxhe nuk iu përgjigj pyetjeve që “shteg.org” ngriti sa i përket menaxhimit të këtyre aseteve dhe pezullimit të ankandeve për shitjen e tyre.
Nga ana tjetër një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerrë në pah paaftësinë e institucione shtetërore për menaxhuar pronat e sekuestrua dhe të konfiskuara, burimi i të cilave është i paligjshëm.
Frika nga krimi
Në qershor të 2020 policia do të deklaronte se kishte sekuestruar një pasuri me vlerë 2 milionë euro, e cila dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Siç njofton policia, pasuria kriminale i përket 51-vjeçarit P. T. i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”. Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Ai njihet nga të gjithë si pronari i hotel “Colombo” në Durrës. Por dhe pse ka një vendi gjykate për konfiskim, pronat e zotëruara nga ky shtetas nuk janë marrë kurrë në dorëzim nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Dokumentet tregojnë se shkak për mos marrjen në dorëzim të pronës, herë është bërë temperamenti i keq i pronarit dhe herë tjetër sepse dyert e pronës, hotel, kanë qenë të mbyllura.
“Me shkresën nr.118 prot. datë 13.01.2021 është njoftuar prokurori i çështjes lidhur me ecurinë e ekzekutimit duke raportuar ndër të tjera se AAPSK ndan shqetësimin se shtetasi P.T. për shkak të temperamentit të njohur ka ndërhyrë indirekt tek qiraxhinjtë duke mos i lënë të qetë në posedim”.
Ndërsa një një shkresë tjetër thuhet se: “Ekzekutimi i vendimit nuk u bë i mundur për shkak se në katin e parë të banimit u konstatuan 10 apartamente të mbyllura, ku pasi u trokit nuk u konstatua askush. Në katin e dytë u konstatuan 8 apartamente, ku konkretisht në apartamentin nr. 17 u konstatua z. I.T., i cili nuk pranoi të lirojë vullnetarisht apartamentin, apartamentet e tjera në këtë kat u gjetën të mbyllura. Në katin e tretë u konstatuan 8 dyer apartamentesh të mbyllura, ku pasi u trokit nuk u konstatua askush. Ky ekzekutim u pezullua dhe u vendos nga ana e OPGJ-së për t’u ekzekutuar në një moment të dytë”.
Ky nuk është rasti i vetëm që Agjencia nuk ka mundur të ekzekutojë vendimet e gjykatës për pronat e poseduara nga krimi i organizuar.
Raporti i KLSH-së flet për disa raste të ngjashme ndërsa shqetësim kryesor sheh mungesën e një baze të dhënash për të gjitha pronat e sekuestruara, gjë që e bën të vështirë monitorimin e tyre dhe rrit rrezikun e keqadministrimit.
“Ka mungesë të një baze të dhënash për të gjitha pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara, mirëmbajtja e parregullt e tyre, së bashku me gjendjen aktuale të dosjeve të pa-inventarizuara, mbart rrezikun e humbjes ose tjetërsimit të gjurmës së auditimit, ose të çdo dokumentacioni që është pjesë e procesit të administrimit” – thotë raporti.
Auditimi zbuloi raste ku subjektet e urdhrit të gjykatës menaxhonin pronat apo raste që, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk është kryer asnjë veprim për administrimin e pasurisë në një periudhë 12-vjeçare.
“Duhet theksuar se, lënia në administrim, e pasurive të sekuestruara, personave të cilët janë subjekt i vendimit të gjykatës, bën që pasuritë të administrohen formalisht “de jure” nga AAPSK por realisht ato administrohen në të vërtetë “de facto” nga subjekti apo shtetasi të cilit i është bërë sekuestrimi sipas vendimit të gjykatës” – thuhet në raport.
Të njëjtat shkelje janë konstatuar edhe për objektet e dhëna me qira.
“Duhet theksuar se, mosplotësimi i deklaratës (mohuese) me shkrim nga qiramarrësi përpara nënshkrimit të kontratës së qirasë, përbën një risk të shtuar që pasuritë e administruara formalisht “de jure” nga AAPSK të administrohen në të vërtetë “de facto” nga subjekti apo shtetasi të cilit i është bërë sekuestrimi sipas vendimit të gjykatës” – thotë raporti ku është konstatuar se qiramarrës janë bashkëjetuesit e personave ndaj të cilëve është vendosur masa e sekuestrimit.
Agjencia e Pasurive të Sekuestruara nuk komentoi gjendjet e raportit po ashtu nuk vuri as në dispozicion numrin e pasurive që ajo kontrollon.
Dokumentet të siguruara nga “shteg.org” tregojnë se deri në tetor të 2024 ky institucion administronte 1817 titujsh pronësie të konfiskuara si, toka, apartamente, kompani tregtare apo dhe llogari bankare. Një pjesë e këtyre aseteve nuk është marrë në dorëzim nga Agjencia.
Në total janë 667 pasuri për të cilat ka vendim konfiskimi nga gjykata. Agjencia e Sekuestrimit dhe konfiskimit të Pasurive nuk i ka marrë kurrë në dorëzim për shkak të refuzimit të Policisë së Shtetit.
“Pasuritë e paluajtshme nuk janë dorëzuar nga oficerët e policisë gjyqësore me arsyetimin se në këto prona të sekuestruara jetojnë familjarë dhe nuk kanë banesë tjetër” – thuhet në dokumentet.
Sa i përket, mjeteve motorike të sekuestruar, kryesisht makina, policia thotë se nuk i ka gjetur dhe ka bërë shpalljen e tyre në kërkim.
“Mejet motorike nuk janë dorëzuar nga Oficerët e Policisë pasi nuk janë gjetur dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim nga policia” – vijon raporti i siguruar nga “shteg.org”.
Për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, goditja ndaj fuqisë ekonomike të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë bërë progres.
Sipas Dumanit vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në total për vitin 2024 ka rritur në vlerën 59 mln euro, këtu përfshihen edhe kriptovalutat që po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim nga organizatat kriminale me kryerjen e veprimeve të tyre duke i përdorur masivisht si për të blerë sasira kokaine dhe pastrim parash.
Por për Azmi Stringa, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranë, duhet siguruar që këto asete të ruhen, të përmirësohen dhe të përdoren për të mirën e përbashkët.
“Kjo detyrë kërkon kujdes, këmbëngulje dhe transparencë në të gjitha vendimet, pasi këto asete shpesh përfaqësojnë pasuri publike të rikthyer nga aktivitetet e paligjshme ose korrupsioni. Megjithatë, në kontekste si Shqipëria, që karakterizohen nga ndikim i fortë politik ose ai i paligjshëm, kapaciteti i dobët institucional dhe mungesa e një kulture të fortë të qeverisjes korporative, asetet e konfiskuara përballen me rreziqe të shtuara të keqmenaxhimit ose keqpërdorimit” – thotë Stringa sipas të cilit ekziston rreziku që agjencia të përdoret si mjet për të shërbyer interesa private ose politike, duke minuar qëllimin e saj origjinal për të mbrojtur interesin publik.
“Në Shqipëri, ku ekzistojnë raste të dokumentuara të bashkëpunimit midis krimit dhe politikës, është thelbësore të pyesim se si funksionon Agjencia përgjegjëse për administrimin e pasurive të konfiskuara dhe sa e ndikueshme është drejtimi i saj ndaj ndërhyrjeve politike” – shpjegon pedagogu.
Por institucionet që kontrollojnë dhe bashkëpunojnë Agjencinë, si Ministria e Brendshme, Prokuroria e Posaçme, Ministria e Ekonomisë deri te publikimi e këtij shkrimi nuk kanë komentuar gjetjet e “shteg.org”, ndërsa statistikat dhe dokumentet zyrtare tregojnë se përtej reklamimit të konfiskimeve të suksesshme të organeve ligj-zbatuese asetet përfundojnë në rastin më të mirë, të rrënuara si ish-hotel Vollga në Durrës.