Rreth dy vite më parë, Mesut Ozil njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga futbolli dhe që atëherë ka nisur të ndërtojë një karrierë të re larg vëmendjes së mediave dhe botës së sportit.
Pasi “vari këpucët në gozhdë”, ku ekipi i fundit i tij ishte Istanbul Basaksehir, ai nuk zgjodhi të vazhdojë në botën e sportit si trajner apo analist televiziv, një rrugë që kanë ndjekur shumë nga ish-shokët e tij të skuadrës.
Ish-lojtari ka lindur në Gelsenkirchen, por familja e tij ka origjinë turke, një lidhje që ai e ka ndjerë gjithmonë fort dhe që tani e ka çuar të jetojë në Turqi, ku tashmë do të punojë si politikan.
Gjatë një kongresi të mbajtur dje në Ankara, ai u zgjodh anëtar i këshillit qendror të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), partisë së themeluar dhe drejtuar nga Erdogan që prej vitit 2001. Zgjedhja e tij nuk është e rastësishme, pasi Ozil ka qenë gjithmonë një mbështetës i madh i presidentit turk dhe është fotografuar disa herë në shoqërinë e tij në raste të ndryshme.
Madje, ai ishte dëshmitar në dasmën e Ozilit në vitin 2019, duke vulosur një lidhje të fortë mes tyre, e cila i kushtoi kritika dhe largimin nga kombëtarja gjermane shumë kohë para tërheqjes nga futbolli, për shkak të kundërshtimit të tifozëve ndaj mbështetjes së tij për Erdogan.