Eurodeputeti Alfred Beleri ka kallëzuar në GJKKO ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, ish-deputetin e PS Artan Gaçit dhe deputeten socialiste Olta Xhaçka.
Në kallzimin e tij, ai kërkon “shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. Prot 22920/1 datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin njoftohet mosfillimi i procedimit penal ndaj shtetasve të kallëzuar Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi”.
Eurodeputetei Beleri kërkon gjithashtu nga GJKKO: “Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për vepren penale të kallëzuara dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse, të tilla si administrimi i praktikës së regjistrimit të shoqërive në pronësi të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, administrimi i praktikës së marrjes së statusit të investitorit strategjik të të kallëzuarit Artan Gaçi, administrimi i deklarimeve të të kallëzuarve në intervista që kanë dhënë publikisht nga të cilat rezultojnë që kanë pranuar krijimin e një shoqërie tregtare me ortakë fiktivë, kunatën e të kallëzuarës Olta Xhaçka, me qëllim shmangien në dukje të konfliktit të interesit, deklarimet e të kallëzuarës Olta Xhaçka në të cilat pranon për dijeninë dhe dëshirën e saj për marrjen në përdorim pa shpërblim të plazhit publik, pavarësisht se qëllimi sipas saj nuk ka qënë nxjerrja e fitimit, por mos përdorimi I plazhit publik nga njerëzit nga mali dhe veprime të tjera hetimore sipas vlerësimit të gjykatës”.
Padia e plotë:
Ankuesi Dhionisios Alfred Beleri, ka paraqitur kallëzim kundër shtetasve:
– Jorgo Goro, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi detyrës”, “Falsifikimi i dokumentave, nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin” të parashikuar nga neni 248 dhe 183/3 i Kodit Penal;
– Foto Pavllo Mëhilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës “Falsifikimi i dokumentave”, “Pastrimi i produkteve te vepres penale” të kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal;
– Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal;
– Olta Xhaçka, deputete, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kallëzimin e tij ankuesi ka parashtruar që shtetasja Olta Xhaçka, në cilësinë e deputetes dhe ministres, ka përfituar të drejta reale, siç mund të jetë uzufrukti, servituti, përdorimi, mbi pasuri publike, në konflikt interesi, duke cënuar nenin 70/3 të Kushtetutës sipas të cilit: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.”. Këto përfitime të saj nëpërmjet bashkësisë ligjore, vijnë në kundërshtim me detyrën shtetërore të ministres që ka mbajtur në kohën kur ka realizuar kontratat respektive, dhe atë publike të deputetit, për pasojë sipas kallëzuesit, shtetasja Olta Xhaxhçka ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi me mosveprim, nëpërmjet mosdhënies së dorëheqjes, ose moskryrjes së veprimeve për të shmangur konfliktin e interest, ajo ka siguruar përfitime të cilat janë kanalizuar nëpërmjet bashkësisë ligjore të saj me bashkëshortin.
Nga burime të hapura, media elektronike, kallëzuesi ka ardhur në dijeni se në lidhje me kallëzimin e tij janë dërguar për gjykim disa nga të kallëzuarit, por nuk ka të dhëna në lidhje me të kallëzuarit Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.
Po ashtu kallëzuesi ka ardhur në dijeni edhe për përpjekje gjyqësore të të kallëzuarit Artan Gaçi me anë të një shoqërie me status juridik të pezulluar, për të përjashtuar pronën publike nga sekuestro, në mënyrë që të vazhdojë të vjelin frutet e paligjshme prej saj.
Me cilësinë e kallëzuesit, ankuesi ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me fatin e kallëzimit të tij.
Me shkresën nr. Prot 22920/1 datë 27.12.2024 Prokuroria e Posaçme ka njoftuar kërkuesin se: – Në përgjigje të kërkesës së paraqitur, ju bëjmë me dije se pas kryerjes së hetimeve paraprake në kuadër të procedimit penal nr. 189 të vitit 2023 procedim ky i regjistruar pas administrimit të kallëzimit penal të bërë nga ana juaj Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së posaçme të Shkallës së Parë çështjen penale me të njëjtin numër në ngarkim të shtetasve Jorgo Goro, Jerasimo Bashi, Bilbil Aliaj, Vezir Gjikokaj dhe Stavri Mëhilli. Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj këtyre shtetasve, referojuni faqes zyrtare online të Prokurorisë së Posaçme.
Nga përmbajtja e shkresës së mësipërme, rezulton që pavarësisht se prokuroria e posaçme nuk shprehet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ka vendosur të mosfillojë procedim penal ndaj të kallëzuarve Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi, të kallëzuar shprehimisht nga kallëzuesi.
Shkresa e mësipërme, konsiderohet vendim mosfillimi prej kallëzuesit, pasi prokuroria njofton kallëzuesin se në lidhje me kallëzimin e paraqitur prej tij kundër shtetasve Jorgo Goro, Foto Mëhilli, Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, prokuroria e posaçme ka vendosur të ushtrojë ndjekjen penale vetëm ndaj dy të parëve, kurse për shtetasit Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka të kallëzuar prej tij, prokuroria ka vendosur të mos ushtrojë ndjekjen penale.
Duke qënë se Prokuroria aktualisht ka përfunduar procedimin penal të regjistruar me kallëzimin e ankuesit, fakt që rezulton nga shkresa nr. Prot 22920/1 datë 27.12.2024 e prokurorisë së posaçme, gjithashtu rezulton se ndër të pandehurit për të cilët është kërkuar gjykimi nuk janë shtetasit e kallëzuar Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, kallëzuesi vlerëson se prokuroria e posaçme ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në lidhje me këta shtetas dhe këtë veprim të prokurorisë e kundërshton me këtë ankim.
Së pari: Ankuesi është subjekti që ka paraqitur kallëzimin mbi bazën e të cilit është regjistruar procedimi penal nr. 189 të vitit 2023, fakt që rezulton nga shkresa nr. prot 22920/1 datë 27.12.2024 e prokurorisë së posaçme. Bazuar në nenin 291/2 të K.Pr.Penale legjitimohet të kundërshtojë vendimmarrjen për mosfillimin e procedimit penal të marrë nga prokuroria për të kallëzuarit prej tij.
Së dyti: Ankuesi nuk është njoftuar nga prokuroria e posaçme në lidhje me vendimmarrjet e saj përsa i përket kallëzimit të paraqitur prej tij, dhe për këtë shkak ka paraqitur kërkesë për informacion. Me shkresën nr. prot 22920/1 datë 27.12.2024 Prokuroria e Posaçme ka njoftuar ankuesin/kallëzuesin se bazuar në kallëzimin e tij, I cili ka qënë me emra konkrete dhe fakte konkrete për secalin nga të kallëzuarit, është regjistruar procedimi penal nr. 189 i vitit 2023 në ngarkim të shtetasve Jorgo Goro, Jerasimo Bashi, Bilbil Aliaj, Vezir Gjikokaj dhe Stavri Mëhilli, procedim i cili është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së posaçme të Shkallës së Parë. Pra rezulton që për të kallëzuesit Olta Xhaçka dhe Artur Gaçi prokuroria e posaçme nuk ka vlerësuar të kryejë hetime. Bazuar në shkresën e mësipërme, rezulton që prokuroria e posaçme ka njoftuar kërkuesin në lidhje me veprimet e kryera dhe vendimmarrjet e saj bazuar në kallëzimin e tij, me shkresën e mësipërme, e cila ka mbërritur në adresën e kallëzuesit në datën 07.01.2025. Pra ankuesi bazuar në nenin 291/2 të K.Pr.Penale kundërshton vendimin e prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve Olta Xhaçka dhe Artur Gaçi brenda afatit 10 ditor të parashikuar në ligj.
Së treti: shkresa nr. prot 22920/1 datë 27.12.2024 Prokuroria e Posaçme vlerësohet nga kallëzuesi si njoftim për mosfillimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve prej tij, për këtë shkak pavarësisht se prokuroria e posaçme nuk e ka titulluar në këtë mënyrë, duke qënë se në të përcaktohet fakti që kallëzuesi ka paraqitur kallëzim, kallëzimi I tij ka qënë me emra dhe fakte konkrete, prokuroria ka regjistruar procedimin penal vetëm për një pjesë të subjekteve të kallëzuar, pa u shprehur dhe pa hetuar për të kallëzuarit e tjerë, kjo vendimmarrje e saj, e cila përbën “mosfillim të procedimit penal” nuk mund të kalojë pa ju nënshtruar vlerësimit gjyqësor.
Gjykata e Lartë në vendimin 12.03.2024 qe i perket rastit te 21 janarit 2011, ka arsyetuar se:
Në këtë stad të ecurisë/dinamikes së itenerarit logjik të arsyetimit të këtij vendimi Kolegji gjen me vend të ndalet në problematikën e siperevidentuar – të parashikuar prej përmbajtjes së dispozitave të KPP – konkretisht të neneve 280 – 287 të KPP – që parashikojnë “marrjen dijeni për veprën penale” (prej organit te procedimit penal – prokurori dhe policia gjyqësore) në të gjitha format e shfaqjes së saj (llojet e kallëzimeve), dokumentimin e kësaj dijenie nëpërmjet “regjistrimit të njoftimit të veprave penale”(neni 287 i KPP) për të kaluar tek – kontrolli juridiksional – i ushtruar prej gjyqtarit për hetimet paraprake – nën stimulimin e palëve (kallëzuesi, viktima) – lidhur me disponimin e prokurorit – inercinë e tij – për të regjistruar procedimin penal (sikurse në rastin konkret) mbi bazën e njoftimit të marrë nëpërmjet kallëzimit të paraqitur prej viktimës (trashëgimtarëve të afërm të saj) – përsa kohë që disiplina e mirëfilltë e mosfillimit apo mosvazhdimit të procedimit të regjistruar (për shkak të mungesës apo rënies – përgjatë ecurisë së procedimit penal – të kushteve të procedimit, të parashikuara në nenin 290 – paragrafi i parë – i KPP) – nuk interferon në rastin në fjalë që sugjeron impenjimin e drejtpërdrejtë të legjislatorit për të “ndërhyrë” – nëpërmjet parashikimit të aplikimit (ushtrimit) të kontrollit juridiksional – edhe në këtë fushë – të konsideruar historikisht si “domen” i aplikimit të diskrecionit ekskluziv (pothuajse të pakontrollueshëm prej organit juridiksional) të prokurorit – lidhur me marrjen dhe regjistrimin e njoftimit për veprën penale (notitia criminis) – në funksion të disiplinimit dhe të kontrollit të këtij diskrecioni me rëndësi thelbësore për zbatimin/jetësimin e parimit kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit nëpërmjet ushtrimit të detyrueshëm të ndjekjes penale.
Fillimi i procedimit penal presupozon ekzistencen e një njoftimi/lajmi për veprën penale – tradicionalisht e konsideruar si “informacion i marrë nga prokurori apo nga policia gjyqësore lidhur me një fakt që përbën vepër penale”. Mënyrat e marrjes së njoftimit për veprën penale parashikohen në nenet 281, 282 dhe 283 të KPP dhe identifikohen në “kallëzimin e n/punësve publike, “kallëzimi nga personeli mjekësor” dhe “kallëzimi nga ana e shtetasve”. Prokurori ka detyrimin të regjistrojë – shënoje – në regjistrin e njoftimeve të veprave penale – çdo njoftim të veprës penale që i vjen ose që e ka siguruar me iniciativë i kompletuar në eventualitet edhe me emrin e autorit të kësaj vepre.
Konsiderohet në cilesinë e njoftimit (objektiv) për veprën penale – njohja e thjeshtë e fakteve – të përshkruara – në këtë njoftim/lajm – si (fakte) të “ndodhura”, “ të rëndësishëm” dhe konkrete” – korresponduese – në mënyrë të drejtpërdrejtë – tek një normë inkriminuese – Detyrimi i prokurorit për të shënuar në regjistrin e parashikuar nga neni 287 i KPP – një njoftim për veprën penale – notitia criminis – në ngarkim të një subjekti të caktuar “lind” vetëm kur në ngarkim të këtij të fundit dalin/evidentohen (mbi bazën e materialit kallëzues) elementë specifike të karakterit indicjar – standard provues që përjashton – duke konsideruar në kushtet e pamjaftueshmërisë – dyshimet e thjeshta. Shënimi në rregjistrin e njoftimit të veprave penale të prokurorit – i njoftimit për veprën penale – kristalizon momentin gjenetik të fazës së procedimit – të hetimeve paraprake – të destinuar për të përfunduar me “kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim” apo “ për pushimin e çështjes”.
Në terma të tjerë informacioni i “transportuar” nëpërmjet njoftimit/lajmit për t’u kualifikuar në cilësinë e njoftimit për veprën penale – të notitia criminis – duhet domosdoshmërisht të përmbajë tiparet dalluese të faktit – vepër penale – të identifikueshme në elementin (anën) objektiv të figurës së veprës penale – veprimin kriminal, pasojën dhe lidhjen shkakësore.
Neni 280 i KPP percakton dy mënyra të marrjes dijeni (prej organit të procedimit penal – prokurorit dhe policisë gjyqësore) për veprën penale – nëpërmjet “njoftimit të bërë nga të tjerët” dhe “me iniciativën e vet”. Në rastin e parë si policia gjyqësore eshtu edhe prokurori luajnë një rol “pasiv” përsa kohë që “operojnë” në cilësinë e “pritësit” të informacionit të ardhur nga “kanale të kualifikuara” (të identifikuara sikurse u sipërcitua në kallëzimet e nëpunësve publike, të personelit mjekësor dhe të shtetasve sipas përcaktimeve të neneve 281, 282, dhe 283 të KPP) dhe nuk kanë asnjë lloj roli në formimin e këtyre akteve. Ndërkohë që në rastin e dytë – të “marrjes së njoftimit me iniciativen e vet” – konfigurohet – një veprimtari paraprocedurale e këtij organi (të procedimit – prokurori) – kërkimi dhe rikonjicioni të informacionit në “kanale të pakualifikuara” që synon verifikimin e transformimit të tij në njoftim (notitia criminis) legjitim për veprën penale – të përshtatshëm për t’u regjistruar në konformitet me përcaktimet e paragrafit të parë, të nenit 287 të KPP. Në të gjitha këto raste (bëhet fjalë për informacione të ardhura nga burime konfidenciale, operacione nën mbulim, nga fakte të njohura botërisht, nga burime anonime, nga shtypi – mass media – përfshirë shërbimet radiotelevizive dhe investigimet e gazetarisë etj.) prokurori me të marrë (edhe me iniciativen e tij) të dhënën nga burimet e njohjes (informimit) të sipërcituara duhet të kryeje një aktivitet investigues në funksion të verifikimit të prezencës së një njoftimi të mirëfilltë për veprën penale. Mbi këtë bazë edhe përmbajtja e një bisede telefonike të përgjuar në mënyrë të paligjshme e cila në vetvete nuk mund të disponoje cilësitë e njoftimit – notita criminis – për veprën penale – për shkak të kësaj paligjshmerie, mund të shërbeje si shtysë e dobishme për të investiguar (hetuar) në drejtim të formimit të kësaj të fundit – notitia criminis – me rekuizitat e përshtatshmërisë për t’u regjistruar. Vetëm brenda këtyre limiteve mund të konceptohet lejimi i veprimtarisë së kërkimit të njoftimit (për veprën penale) – prej prokurorit – veprimtari – e cila – “materializohet” në një fazë paraprocedimore të verifikimit të ekzistences dhe të rëndësisë së informacionit të marrë.
Duke u rikthyer tek përmbajtja e njoftimit për veprën penale – kushtet e regjistrueshmërisë së saj (rekuizitat e identifikuese të kësaj cilësie – që informacioni i marrë prej organit procedues – të integrojë cilësinë e notitia criminis – njoftimit për veprën penale – është e mjaftueshme – duke mbajtur si referim përcaktimin e nenit 293/1 te KPP (I vetmi referim kodifikues lidhur me konceptin – nocionin – e njoftimit për vepren penale) që bën fjalë për referimin e veprës penale nga policia gjyqësore tek prokurori – të disponoje (përmbaje) “ elementet thelbësore të faktit” – të identifikueshëm në komponentët e anës objektive të figurës së veprës penale të tilla si sjellja (veprimi) kriminal, pasoja dhe lidhja shkakësore.
Përbëjnë – sipas konsideratës së këtij Kolegji – elemente karakterizues të identifikimit të notitia criminis – njoftimit për veprën penale – 1. hipoteticiteti (i saj) përsa kohë që qartazi “njoftimi për veprën penale” në çfarëdo lloj forme që materializohet përbën esencialisht nje hipoteze krimi (vepre penale) që prezanton një profil të dyfishtë – I pari që i referohet objektit d.m.th. ekzistencës së një fakti dhe kualifikimit të tij si krim (vepër penale) – i dyti – tregimit të përgjegjësit eventual (autorit) të realizimit të këtij fakti si dhe të dënueshmërisë së tij – dhe 2. specificiteti – që shërben për t’i dhënë një sens konkret njoftimit (për veprën penale) dhe për ta dalluar atë nga dyshimi i thjeshtë apo hamendja – të dhëna njohëse këto – të cilat për nga natyra e tyre – konsiderohen të vakëta dhe të papërcaktuara.
Termi “ njoftimi për veprën penale” i përdorur rëndom nga legjislatori në KPP mbështetet përreth dy “shtyllave”: njoftimi/lajmi dhe vepra penale. I pari, sipas gjuhës së përditshme është një informacion që bën të njohur një fakt, nga deduktohet se thelbin e përmbajtjes së këtij njoftimi/lajmi e përbën informacioni i sipërcituar. Kur mungon përmbajtja e këtij informacioni – në kushtet kur – fakti i referuar nëpërmjet tij rezulton jashtë çdo lloj konteksti hapësire apo kohe, është në kushtet e pamundësisë për t’u realizuar apo është prodhim i fantazisë – nuk mund të bëhet fjalë për njoftim në aspektin teknik. I dyti (vepra penale) – ka të bëjë- përcakton – objektin të cilit i referohet njoftimi – që dedukton konkluzionin se: “njoftimi/lajmi mbi një fakt që – prima facie – përbën (njofton) një paligjshmëri të karakterit civil apo administrativ ose që nuk rezulton juridikisht i rëndësishëm – përfaqëson njeë njoftim/lajm jo për një vepër penale” – dhe si i tillë – i paaftë për të “influencuar” aktivimin ( regjistrimin) e procedimit penal.
Kolegji konstaton se në rastin konkret, kallëzuesja (viktima) Rajmonda Nika, ka paraqitur (bashke me subjekte të tjerë – viktima të ngjarjes kriminale) kallëzim penal me shkrim pranë Prokurorisë së Posaçme, ne konformitet me përcaktimet e nenit 283 të KPP, (që parashikon kallëzimin e shtetasve) duke dhënë “njoftim për një vepër penale” që ndiqet kryesisht. Në këtë kallëzim përmbahen elementet thelbësor të faktit, burimet e provës, si dhe gjeneralitetet e personave që i atribuohet fakti penal, të cilët për aq sa identifikohen përkojnë me subjekte të posaçme në kuptim të nenit 75/a të KPP. Nga ana tjetër, konstatohet se Prokuroria e Posaçme – prokurori – qe ka marrë këtë “njoftim për vepër penale” – nëpërmjet drejtuesit të saj- me shkresën Nr.K. 137/1.Prot. A/SH, datë 24.02.2023 – ndonëse – në thelb – është shprehur për “papërshtatshmërinë e këtij njoftimi për të integruar ciësitë e njoftimit për veprën penale – notitia criminis – për shkak të mungesës së indicieve individualizuese të kryerjes së veprës penale prej subjekteve të posaçëm të kallëzuar – i konfirmuar ky konkluzion (gjithnjë sipas përmbajtjes së disponimit të prokurorit) edhe prej hetimeve të zhvilluara prej kohësh por edhe aktualisht lidhur me këtë ngjarje – prej prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë – ka dërguar kallëzimin – “njoftimin për veprën penale” – për “kompetencë lëndore” në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Kolegji – sikurse qartësisht është prononcuar përgjatë “rrugetimit” llogjik të argumentimit të qëndrimit të adoptuar – disponimin e prokurorit (drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme) për të “dërguar” – nën petkun procedural të “kalimit të akteve” (në konformitet me përcaktimin e nenit 29/1 të KPP) – kallëzimin (nëpërmjet të cilit është njoftuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 78/dh/e/ të Kodit Penal, të kryer nga subjekte të posaçëm, në kompetencë hetimi të Prokurorisë së Posaçme sipas përcaktimit të nenit 75/a të KPP) – në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë – e ka konsideruar për atë që realisht dhe thelbësisht përfaqëson – në cilësinë e “deklarimit të papërshtatshmërisë së përmbajtjes së kallëzimit të viktimës për të disponuar rekuizitat/cilësitë e njoftimit (notitia criminis) për një vepër penale me pasojë refuzimin për këtë shkak për ta rregjistruar në rregjistrin e njoftimit të veprave penale në konformitet me përcaktimet e nenit 287/1 të KPP”, qendrim që (pavarësisht mveshjes formale të tij – sipas përcaktimit të nenit 29/1 të KPP – nën formen e “kalimit të akteve”) natyrshëm dhe në mënyrë legjitime ka “provokuar” reagimin ankimues të viktimës kallëzuese – në konformitet me përcaktimet e paragrafit të dytë, të nenit 291 të KPP – për të aktivuar kontrollin juridiksional lidhur me ligjshmërinë e këtij disponimi – të “besuar” – sipas përcaktimit të paragrafit të tretë, të nenit 291 të KPP – gjyqtarit për hetimet paraprake – pranë Gjykatës së Posaçme per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – i cili gjykon kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake.
Pra sipas arsyetimit të mësipërëm të Gjykatës së Lartë, prokuroria e posaçme është vënë në lëvizje nëpërmjet kallëzimit të ankuesit sipas nenit 283 të K.Pr.Penale, dhe ka rregjistruar procedimin penal. Vendimmarrja e saj në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale për disa të kallëzuar dhe mosushtrimi i ndjekjes penale për të kallëzuar të tjerë, veshur me petkun e “shkresës kthim përgjigje” të cituar në objektin e këtij ankimi, në thelb, referuar edhe arsyetimit të mësipërm përbën vendim mosfillimi të procedimit penal ndaj shtetasve Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi për veprat penale të kallëzuara nga ankuesi.
Në ligjin Nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 4 parashikohet se: “1 Prokurorët në ushtrimin e detyrës u nënshtrohen Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe ligjeve të tjera në fuqi. 2. Prokurorët i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe interesit publik.”, ndërsa në nenin 6/1 parashikohet se: “1. Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët kryejnë veprime, parashtrojnë kërkesa dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur, bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.”
Lidhur me detyrueshmërinë e ushtrimit të ndjekjes penale, në nenin 5 të këtij ligji parashikohet se: “Ushtrimi i ndjekjes penale është i detyrueshëm, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe.” Funksionet e prokurorit, duke veçuar veprimet fillestare të tij që lidhen me marrjen dijeni për veprën penale dhe vendimmarrjen për regjistrimin e procedimit penal, parashikohen shprehimisht në nenet 24 dhe 280 të KPP, nga përmbajtja e të cilave rezulton se ushtrimi i ndjekjes penale ndaj çdo personi, mbi ankimin e viktimës kur ai është i nevojshëm sipas parashikimeve të nenit 284 të KPP apo kryesisht, për veprat e tjera penale, përbën detyrim ligjor dhe kushtetues për organin e prokurorisë, në rast se vlerësohet se ka të dhëna bazë për ekzistencën e një fakti penal. Kjo veprimtari e prokurorit lidhur me vlerësimin nëse ka ose jo të dhëna të mjaftueshme për regjistrimin e procedimit penal, për shkak të rëndësisë që mbart dhe pasojave që mund të sjellë mbi interesin publik apo të drejtat e personave të dëmtuar, është parashikuar nga ligjvënësi si një vendimmarrje e cila i nënshtrohet kontrollit gjyqësor.
Në referim të parashikimeve të neneve 290 dhe 291 të KPP, ky kontroll realizohet mbi: (i) ligjshmërinë e vendimit të mos fillimit të procedimit penal dhe bazueshmërinë e tij në shkaqet e parashikuara nga ligji procedural penal të cilat nuk lejojnë fillimin e procedimit penal dhe (ii) bazueshmërinë e shkaqeve të ngritura në ankimin ndaj vendimit të mos fillimit të procedimit penal.
Në rastin konkret me shkresën nr. prot 22920/1 datë 27.12.2024 Prokuroria e Posaçme ka njoftuar kërkuesi se ndonëse bazuar mbi kallëzimin e tij ka regjistruar një procedim penal, ka vlerësuar se për disa nga të kallëzuarit të mos ushtrojë ndjekjen penale, për pasojë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Duke qënë se prokuroria me veprime konkrete, ka vendosur të mosfillojë procedimin penal për subjektet e kallëzuar nga kallëzuesi, veprimtaria e saj materializuar me njoftimin dërguar kërkuesit, përbën në thelb “vendim mosfillimi procedimi penal”, duke qënë se në thelb ky është edhe njoftimi që i jepet kërkuesit nëpërmjet kësaj shkrese.
Së katërti: në lidhje me pabazueshmërinë në ligjin procedural penal të veprimeve të prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi, sipas kallëzuesit prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim minimal verifikues në lidhje me kallëzimin e tij.
Kallëzuesi ka pretenduar se ish-Kryetari i Bashkise Himare Jorgo Goro, Keshilli i Qarkut Vlore dhe ish punonjesit e ZVRPP Vlore ne bashkepunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumentave zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri eshte tjetersuar ne favor te te treteve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, dhe mbi kete prone pasi eshte blere eshte marre statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi ish-deputet i Partise Socialiste dhe bashkeshorti i të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres se Mbrojtjes ne atë kohe, dhe funksionin publik të deputetes.
Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitoret strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.
Prokuroria në lidhje me këto pretendime nuk ka kryer asnjë verifikim. Ndërkohë nga referuar deklaratave publike të të kallëzuarës Olta Xhaçka, rezulton e pranuar prej saj që ajo dhe bashkëshorti i saj, i kallëzuari tjetër Artan Gaxhi janë në regjimin pasuror të bashkësisë ligjore. Rezulton nga njoftime nga burime të hapura, që bashkëshorti i të kallëzuarës Olta Xhaçka, si dhe familjarë të tjerë të saj, kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, duke përfituar të drejtën të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit dhe e pushtetit vendor, pasi kanë përfituar të drejtën e përdorimit të pasurive publike, një sipërfaqe toke plazh, e cila është pronë publike, pa shpërblim, dhe nga ky përdorim të nxjerrin të ardhura.
Në deklaratat e saj publike e kallëzuara Olta Xhaçka ka pranuar[1] që ata, dmth ajo dhe bashkëpronarët e tjerë të shoqërisë së bashkëshortit të saj, kanë marrë në përdorim plazhin publik, pavarësisht se sipas saj qëllimi i marrjes në përdorim ka qënë që të mos shkonte dikush nga mali dhe t`u vendoste çadrat. Po ashtu në konferencë për shtyp në prani të Kryeministrit e kallëzuara Olta Xhaçka ka pranuar marrjen në përdorim të plazhit, por sipas saj kjo nuk përbënte përfitim monetary.
Referuar nenit 74 të Kodit të Familjes, janë pjesë e bashkësisë ligjore, pra prezumohet në bashkëpronësi të barabartë të të dy bashkëshortëve, çdo e ardhur e krijuar nga veprimtaria e veçantë e secilit prej bashkëshortëve (gërma “b”) si dhe veprimtaria tregtare, pra aksionet në një shoqëri, apo dividenti I përfituar nga një shoqëri tregtare ( gërma “ç”).
GJEDNJ në vendimin Kokëdhima kundër Shqipërisë, datë 11 qershor 2024 në lidhje me nenin 70/3 të Kushtetutës është shprehur:
“61. Fillimisht, Gjykata vëren se neni 70 § 3 i Kushtetutës i ndalon Deputetët që të kryejnë një aktivitet që gjeneron të ardhura nga burimet shtetërore. Gjithashtu, neni 21, i ligjit nr. 9367/2005, e bën të qartë se deputetët, ashtu si zyrtarë të tjerë publikë, e kanë të ndaluar të lidhin “një kontratë ose nënkontratë me një institucion publik”; e njëjta gjë zbatohet për cilëndo kompani tek e cila një zyrtar ka interesa pronësie (shih paragrafin 20 më sipër). Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht vendimi i saj nr. 44 (2011) në të cilin përfshihej një Deputet tjetër kompania e të cilit lidhte kontrata prokurimesh me subjektet shtetërore (shih paragrafin 22 më sipër), ishte i qartë në këtë aspekt.”
Pra sipas interpretimit të mësipërm, deputetet e kanë të ndaluar të lidhin kontrata, qoftë edhe nëpërmjet kompanive në të cilat ata kanë interes, siç është rasti i bashkëshortit të të kallëzuarës Olta Xhaçka, apo ndonjë familjar tjetër i përdorur prej tyre për të fshehur konfliktin e interesit, por pranuar në deklarata publike që në fakt janë ortakë aksionerë fiktiv, siç mund të jenë kontratat për përdorimin për një afat të caktuar të pronës shtetërore pa shpërblim, qoftë edhe me shpërblim, me një institucion publik siç është AIDA, Këshilli I Ministrave, në lidhje me investimet strategjike, apo bashkia Himarë, në lidhje me pronat vendore.
Po ashtu një interpretim i nenit 70/3 të Kushtetutës është kryer në Opinionin e Komisionit të Venecias pikërisht për mandatin e znj.Xhaçka. Edhe në Opinionin CDL-AD(2024)040 datë 09.12.2024 të Komisionit të Venecias, në pikën 56 të tij shprehet se neni 70/3 i Kushtetutës duhet kuptuar që ka papajtueshmëri ndërmjet funksionit të deputetes, dhe mundësisë së deputetes përkatëse që të përfitojë të ardhura nga përdorimi i pasurisë publike, dhe në rast se evidentohet një rast i tillë, deputeti duhet të tërhiqet nga mandati, gjë që e kallëzuara nuk e ka bërë.
Pra, referuar të dhënave publike, deklarimeve publike të të kallëzuarve Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi, prokuroria e posaçme kishte të dhëna të mjaftueshme për të filluar edhe kryesisht procedimin penal ndaj tyre dhe të kryente verifikimet e duhura.
Bazuar në sa më lart, kërkojmë:
Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. Prot 22920/1 datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin njoftohet mosfillimi I procedimit penal ndaj shtetasve të kallëzuar Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.
Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për vepren penale të kallëzuara dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse, të tilla si administrimi I praktikës së regjistrimit të shoqërive në pronësi të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, administrimi I praktikës së marrjes së statusit të investitorit strategjik të të kallëzuarit Artan Gaçi, administrimi I deklarimeve të të kallëzuarve në intervista që kanë dhënë publikisht nga të cilat rezultojnë që kanë pranuar krijimin e një shoqërie tregtare me ortakë fiktivë, kunatën e të kallëzuarës Olta Xhaçka, me qëllim shmangien në dukje të konfliktit të interesit, deklarimet e të kallëzuarës Olta Xhaçka në të cilat pranon për dijeninë dhe dëshirën e saj për marrjen në përdorim pa shpërblim të plazhit publik, pavarësisht se qëllimi sipas saj nuk ka qënë nxjerrja e fitimit, por mos përdorimi I plazhit publik nga njerëzit nga mali dhe veprime të tjera hetimore sipas vlerësimit të gjykatës.
Bashkëngjitur shkresës nr. Prot 22920/1 datë 27.12.2024 189 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për verifikimin e parashtrimeve dhe kërkimeve të kallëzuesit, Gjykata mund të urdhërojë prokurorinë të paraqesë kopjen e akteve të procedimit penal nr. 189 të vitit 2023 regjistruar mbi bazën e kallëzimit të kallëzuesit Dhionisios Alfred Beleri.