Pasi emisioni “Stop” vuri në dijeni QSUT-në për mbetjet e rrezikshme spitalore, zbulojmë se ato përveç autoklavës çohen tek onkologjiku.
Punonjësja e QSUT-së: Sa ka ardhur Stopi, na kanë dhënë urdhër të premte, të shtunë, të dielë t’i çojnë të gjitha plehrat tek Onkologjiku.
Gazetarja: Ka ndonjë ambient atje tek Onkologjiku, ndonjë fushë?
Punonjësja e QSUT-së: Jo fushë jo, brenda në ambientet është një sallë, brenda plehra, brenda. Në tualet ka dhoma në katin e parë.
Pas Onkologjikut, mbetjet shëtisin te Neurologjia gjë që dokumentohet me video.
Gazetarja: Doja të më jepte disa të dhëna për këto mbetjet spitalore.
Punonjësi i QSUT-së: Neurologjia”, futesh tek dera, do ecësh drejt, jo ajo dera përballë, se ajo është “Neurokirurgjia”. Neurologjia është te oborri. Ec, futu te oborri i madh atje!
Gazetarja: Aty është një godinë që është palestra.
Punonjësi i QSUT-së: Eh, palestra është bodrum.
Gazetarja: Kush pacientë të Neurologjisë vijnë aty?
Punonjësi i QSUT-së: Kanë pas ardh, se tani na i kanë marrë çelësat.
Në këto kushte emisioni “Stop” njoftoi policinë dhe në vend vijnë forca të Komisariatit numër 4 bashkë me ekspertin kriminalist, të cilët mbledhin provat dhe ia nisin prokurorisë.
Disa anëtarë të stafit të QSUT-së thirren në komisariat. Për eksperten e mjedisit Erdona Demiraj, mbetjet spitalore kërkojnë trajtim të veçantë, pasi ndikojnë jo vetëm në ambient, por edhe në organizmin tonë.
“Mbetjet spitalore paraqesin një rrezik për popullatën dhe kërkojnë një trajtim të veçantë. Këto mbetje paraqesin dy rreziqe të mëdha, e para është rreziku shëndetësor ku futet ekspozimi i personave që merren me mbetje, individë e sanitarë që i marrin, i transportojnë. Nëse rritet shkalla e ekspozimit të këtyre mbetjeve ne mund të kemi risk mjedisor, kundrejt ajrit, tokës, ujit apo dhe gjithë zinxhirit ushqimor. Duke filluar që tek insektet, brejtësit të cilët mund të ekspozojnë këto mbetje ndaj njeriut”, tha Erdona Demiraj.
Edhe sipas mjekut Ilir Alimehmeti, kjo situatë është e patolerueshme, pasi këto mbetje spitalore janë vatër infeksioni për të gjithë.
“Për sa i përket mbetjeve spitalore ka rrisqe të shumta. Në radhë të parë ka riskun për vetë ata që merren me to, për infermierët, sanitarët e të gjithë me radhë. Ka dhe lënë toksike këtu brenda që ato janë të ekspozuara. Këtu duhen kushte të veçanta për t’i menaxhuar, depozituar dhe për t’i eliminuar. Risku mikrobiologjik, të gjithë ndotësit e ndryshëm që mund të jenë baktere, viruse e kështu me radhë mund të përhapen në njerëz. Mund të përhapen përmes kontaktit, pot dhe përmes ajrit siç e kemi vënë re. Për sa i përket mbetjeve biologjike besoj se e keni shumë të qartë që këto duhen eliminuar sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse i nënshtrohen një procesi biologjik siç është kalbëzimi e kështu me radhë dhe risku bëhet gjithmonë e më i madh. Kujdes gjithashtu fakti se si këto digjen e ku digjen, ku ndodhet ky vend, kjo është e rëndësishme ta themi. Këtë ta thotë logjika e thjeshtë që sa më larg një zone të banuar aq më mirë është dhe sa më e izoluar te jetë aq më mirë është. Nuk ka rëndësi VKM-ja, VKM-në njerëzit e bëjnë dhe le ta bëjnë sipas ligjit siç është në shtetet e tjera. Kur flasim për QSUT-në, kjo zonë jo vetëm që ndodhet në mes të qytetit, ka të sëmurë përreth, personel e kalimtarë, ka studentë, në specifika atje ka dhe një gjimnaz që hapet brenda oborrit të QSUT-së. Kështu që vëmendja duhet të jetë tejet e madhe”, tha Ilir Alimehmeti./tvklan.al