Punimet për transformimin urban të shesheve dhe zonave historike të qytetit të pavarësisë më shumë se ndryshim kanë sjellë shkatërrimin e gjurmëve arkeologjike që Vlora ruan nëntokë si pjesë e proceseve nëpër të cilat ka kaluar.
Një sërë projektesh të financuara përmes fondeve vendase dhe të huaja në bashkëpunim me qeverinë qendrore anashkaluan mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe megjithëse u nisën për rijetësimin e saj, sollën dëme të parikuperueshme në 5 vitet e fundit.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nisi e para punimet në Ansamblin e Ndërtimeve Justin Godart, Kullën e Sahatit, Muzeun Historik, Rrugën Hebraike, Muzeun Etnografik dhe zona të tjera në pjesën historike të Vlorës, duke përfunduar në vitin 2019.
“TID Vlora” mori nga AADF-ja 5.5 milion dollarë, duke u pasuar nga qeveria shqiptare me investime po në disa milion dollarë, që pas transformimit urban lanë pas një sërë shkatërrimesh të trashëgimisë kulturore.

“Zbulimet kanë treguar se Vlora është vatër e kulturës dhe historisë, por shfarosja që i është bërë zbulimeve vitet e fundit tregon mungesën e vullnetit për të treguar këtë pjesë të qytetit që ato mbartnin”, komentoi Prof. Dr. Bardhosh Gaçe.
Xhamia e mbuluar
Gjatë punimeve në kuadër të projektit “Rikualifikimi i Zonës Urbane pranë Qendrës së Qytetit të Vlorës”, në sheshin përpara godinës së bashkisë në mars të vitit 2019 dolën në dritë rrënojat e një objekti të besimit islam.
Një raport “Mbi zbulimin e rrënojave të Xhamisë së Tabakëve në qytetin e Vlorës”, të cilin Media Amfora e disponon, bëhet me dije se kjo xhami njihej me këtë emër pikërisht për faktin se pas saj gjendej pazari dhe dyqanet e lëkurëpunuesve, një nga lagjet e Vlorës të përmendura që në shekullin XVII.
“Myftinia e Vlorës ka shprehur dhe vazhdon të shpreh mirënjohjen ndaj institucioneve përkatëse për zbulimin e themeleve të një prej xhamive më të mëdha dhe më të rëndësishme të qytetit të Vlorës, objekt i cili tregon zhvillimin ekonomik fetar dhe qytetar të këtij qyteti”, tregoi Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.

Por zbulimi u pasua me një fazë të dytë shkatërrimi për objektin e kultit, i cili “u bë kurban” për herë të dytë nga shteti shqiptar. Komunistët e shembën në vitin 1962 dhe në pjesën më të madhe të saj u ndërtua një pallat, i quajtur “vetëshërbimi”.
Por punimet për ringritjen e imazhit historik të Vlorës nuk e morën parasysh rikuperimin e dëmeve të komunizmit, megjithëse arritën të nxirrnin nga nëntoka gjurmët e objektit që mendohet se i përket shekullit XVI, por që ruante brënda vetes edhe gjurmë të antikitetit.
“Ajo është ndërtuar me blloqe të ripërdorur antik…Njëri nga blloqet kishte një dekor të punuar në reliev, element zbukurimor që gjendet dendur edhe në mure të objekteve të tjera të kultit islam”, evidentoi raporti i arkeologëve shtetëror menjëherë pasi u hasën strukturat.
Zbulimi i rrënojave u prit me mjaft interes nga qytetarët, studiuesit dhe veçanërisht komuniteti mysliman i Vlorës, të cilët u zhgënjyen kur panë se ato më shpejt u betonizuan se sa u studiuan.
“Me keqardhje duhet të themi se sa i rëndësishëm ishte zbulimi i këtyre themeleve, aq edhe i pakuptimtë ishte mbulimi i tyre”, komentoi Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.
“Të mbulohen gjurmët e historisë së një objekti kaq të rëndësishëm, i cili është shenjë e një qytetërimi, është krim i bërë ndaj së shkuarës. Ai popull që nuk di të shkuarën nuk mund të dijë se si të ndërtojë të ardhmen”, shtoi Myftiu i Vlorës.

Me mjaft interes i ka ndjekur këto zbulime në Vlorë edhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, një emër i njohur në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin bregdetar.
“Projektet e reja moderne që kemi kemi parë vitet e fundit në infrastrukturë kanë nxjerrë në pah një qytet mjaft të pasur edhe nga ana arkitekturore, pasi nëntoka na ka surprizuar jo pak herë”, tregoi për Amforën folkloristi dhe etnologu.
Sipas tij zbulimi i rrënojave të xhamisë ishte një dëshmi që shtonte faktet mbi vlerat historike të qytetit.
“Ishte një vlerë më shumë për Vlorën ai zbulim që doli në dritë sepse tregon rëndësinë që kanë pasur për kohën objektet e kultit dhe e kam ndjekur rastin me mjaft interes”, shtoi Prof. Dr. Bardhosh Gaçe.
“Ajo përmendet për herë të parë në vitin 1676 nga udhëtari turk Evlija Çelebi, si xhamia e mëhallës së Tabakëve, krahas xhamive të tjera të Vlorës dhe është një nga shtatë xhamitë e Vlorës që përmenden që nga koha e Çelebiut, e deri në mesin e shekullit XIX, nga konsulli austriak Johan Georg Von Hahn”, shkruhej në raportin e arkeologëve shtetërorë.
Sipas materialit fotografik të mbajtur në terren prej tyre xhamia klasifikohet në tipin e xhamive me sallë të mbuluar dhe me çati druri.
“Ajo ka patur një minare të lartë me siluetë të hollë në pjesën perëndimore dhe ka qenë e pajisur me një hajat me fasadë monumentale me harkada mbi kolona guri”, shpjegohet në raport.
Ekspertët vlerësun aty se në mungesë të studimeve të mëparshme për këtë objekt të rëndësishëm të kultit islam, në kuadër të punimeve të projektit u krijua mundësia për realizimin e një gërmimi arkeologjik shpëtimi, me qëllim dokumentimin e rrënojave të xhamisë.
Gjatë punimeve për projektin që në hapat e para doli në dritë një varrezë e besimit islam, që u kuptua se shtrihej në pjesën perëndimore të xhamisë.
“…dolën në sipërfaqe elementë nga gurë varresh të besimit islam, si edhe një sasi e konsiderueshme materiali kockor”, shkruhet në raport.
Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë përmes të datës 4 prill të vitit 2019 vendosi mbulimin e rrënojave dhe i hapi rrugë projektit të urbanizimit përmes betonit.
Mbulimi i rrënojave të xhamisë sipas vendimit të KKA-së kërkohej duhej të shoqërohej me vendosjen e tabelave informuese me rezultatet e arritura nga dokumentimi i gjetjeve.
“Nuk ka asnjë tabelë informuese në vendin ku janë zbuluar rrënojat dhe më pas janë mbuluar me pretekstin e rregullimit të territorit”, konstatoi Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.
Veprimi i mbulimit të rrënojave të Xhamisë së Tabakëve për myftininë vlerësohet si një veprim në kundërshtim me vlerat historike, kulturore dhe fetare të qytetit të Vlorës, të cilin autoriteti më i rëndësishëm myslyman i qytetit do ta ndjeki përmes rrugës.
“Ne si Myftini në një të ardhme të afërt do drejtojmë kërkesën tonë tek institucionet përkatëse, për të krijuar mundësinë e rizbulimit të rrënojave të xhamisë në mënyrë që vizitorët të kenë edhe një destinacion më shumë për të vizituar dhe për të kuptuar rëndësinë e këtij qyteti historik”, tha Myftiu i Vlorës.
Ky zbulim për komunitetin mysliman të Vlorës tregon identitetin, zhvillimin ekonomik dhe rëndësinë e këtij qyteti, ndaj moslënia e asnjë shenje nga ky zbulim nuk mund të kalohet në heshtje.
“Vetë emri i xhamisë na tregon se ky qytet ka pasur një zhvillim ekonomik sepse xhamia është quajtur ‘Xhamia e Tabakëve’, që do të thotë xhamia e artizanëve të përpunimit të lëkurës”, shtoi Myftiu.

Për ekspertët e fushës nuk është treguar asnjë herë kujdesi i duhur për zbulimet arkeologjike në Vlorë.
“Jo vetëm me rastin e rrënojave të xhamisë, por edhe në rastin e zbulimeve të tjera që kanë në dritë vitet e fundit, si rasti i Sinagogës, nuk është treguar kujdesi i duhur. Mendoj që të gjitha zbulimet duhej të ishin mbledhur dhe të ishin në dispozicion të studiuesve”, tha Gaçe.
Sipas tij prej vitesh në Vlorë është përqëndruar vëmendja tek investimet apo punimet në shërbim të zhvillimit dhe pak kush mendon për vlerat që qyteti ka pasur në të kaluarën.
Punime shkel e shko
Projektet e trekëndëshit Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) – Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) – Qeveria Shqiptare, përmes “Rilindjes Urbane”, kanë rrafshuar edhe zbulime të tjera arkeologjike në zonën e Sheshit të Flamurit dhe në kompleksin historik.
Punimet në Sheshin e Flamurit në verën e vitit 2021 nisën pa lejen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, duke mos pasur mbikëqyrje arkeologjike dhe në shkelje të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Punimet në një pjesë prekën Zonën Arkeologjike A, ku nuk lejohen gërmimet dhe sipas evidencave zyrtare ato shkaktuan dëmtime në strukturat arkeologjike dhe në shtresat nëntokësore.

DRTK Vlorë kërkoi menjëherë ndalimin e punimeve të paligjshme të kompanisë “Gener 2”, që megjithëse kishte fituar tenderin 698 milionë lekë, nuk ishte kujdesur të merrte leje dhe të paguante arkeologë privatë për monitorimin e ndërhyrjeve.
Për Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë punimet për projektin, “Rikualifikimi i zonës urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës”, kanë nxjerë në sipërfaqe gjetje të shumta arkeologjike dhe për të cilat është proceduar rast pas rasti sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore.
“Disa herë jemi njoftuar gjatë këtij projekti për gjetje gjatë punimeve dhe kemi vepruar sipas ligjit, duke bërë verifikimet në terren dhe njoftuar instancat përkatëse”, tha për Median Amfora, Orgest Feimi, drejtor i DRTK Vlorë.
Projekti i AADF-së dhe ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve zbuluan trakte muresh dhe shkelën projektet e miratuara. Rezulton se në disa pika në zonën historike u evidentuan fragemente muresh dhe qeramikë që kryesisht i përkasin periudhës osmane.
Paligjshmëria duket se alarmoi Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, që hoqi dorë nga marrja në dorëzim e punimeve të AADF-së për disa prej banesave që kishin statusin Monument Kulture brenda zonës historike.
Mungesa e dokumentacionit, e respektimit të projektit dhe punimeve të pakryera ishin disa prej argumenteve të refuzimit. Nga ana tjetër qyteti duket se ka humbur një pjesë të specialistëve që mund të ishin aktivistë në identifikimin dhe denoncimin e këtyre shkeljeve.
“Kujtesa historike dhe arkeologjike e qytetit ka humbur, pasi qyteti ka mungesë të theksuar specialistësh të fushës”, përfundoi Prof. Dr. Bardhosh Gaçe./ Amfora.al / Erjola Azizolli