Zjarret në banesa po shndërrohen në kërcënim serioz vitet e fundit, teksa sektori i ndërtimit ka hyrë në një fazë të vrullshme me ndërtesa shumëkatëshe dhe kulla të larta. Inxhinierët e specializuar për projektet kundër zjarrit kërkojnë me urgjencë adoptimin në legjislacionin vendas të Kodeve Europiane kundër zjarrit. Vendit i mungojnë burimet njerëzore që trajnojnë, inspektojnë dhe kolaudojnë sistemet antizjarr në pallate. Zjarrfikësit vuajnë mungesën e njohurive, pagat e ulëta dhe amullinë me kompetencat pas reformës territoriale. Rreziqet nga zjarri po rriten. Çfarë rekomandojnë ekspertët dhe masat për të parandaluar katastrofat që kërcënojnë. Cilat janë objektet më të rrezikuara
E, S., 26 vjeçe, u paraqit në gjendje të rënduar në klinikën e specializuar të mushkërive në Tiranë, pasi prej ditësh po vuante pasojat e tymit nga zjarri që ra në katin e ndërtesës ku ajo banonte në Komunën e Parisit.
Mushkëria e vajzës së re ishte mbushur me blozë, gati njësoj si një duhanpirës i vjetër.
Si ajo, pothuajse një pjesë e madhe e banorëve që u gjend në banesë në momentin kur ra zjarri po trajtohem me medikamente. Disa u shtruan në spital. Një kat i tërë i kompleksit të banimit u shkrumbua, ndërsa së paku tre automjete u dogjën.
Në harkun e pak ditëve, 21-25 janar, tre banesa morën flakë në Tiranë duke krijuar dëme materiale tek të tretë dhe veç të tjerash, duke krijuar një kategori të re të sëmurësh.
Tre vitet e fundit, zjarret në banesa po shtohen dhe veçanërisht në Tiranë. Rritja e fluksit të ndërtimeve dhe mosaplikimi i një kodi për mbrojtjen nga zjarri do t’i bëjë edhe më shumë agresive zjarret në të ardhmen.
Teksa volumi i ndërtimeve po rritet me ndërtesa shumëkatëshe, me çmime si në metropolet e Europës, në anën tjetër, shteti shqiptar nuk ka ende një kuadër ligjor bashkëkohor dhe nuk ka as burimet njerëzore të trajnuara për të inspektuar, për të monitoruar dhe për të shmangur dëmet.
Aktualisht, Shqipëria nuk e ka Kodin e ndërtimit për mbrojtjen nga zjarri dhe as burime njerëzore që garantojnë mbrojtjen nga zjarri, tha inxhinieri Nikolin Risilia, i specializuar për projektimin dhe zbatimin e sistemeve për mbrojtjen nga zjarri.
Zoti Risilia përfaqëson në Shqipëri shoqatën më të madhe në botë të inxhinierëve për mbrojtjen nga zjarri (SEPE).
Ai tha se grupet e interesit, por edhe shoqëria, duhet të sensibilizohen, pasi ndryshimet e klimës, rritja e volumit të ndërtimeve me shumë kate dhe përdorimi gjithnjë e më shumë i materialeve që nxisin zjarret nga familjet do të rrisnin rrezikun nga zjarri.
Mbrojtja ndaj zjarrit në vendin tonë aktualisht është tërësisht amatore dhe i tillë është edhe administrimi i rrezikut. Vetëm në vitin 2015 u miratuan disa rregulla për mbrojtjen e godinave nga zjarri, por ato janë të fragmentuara dhe nuk plotësojnë standardet me të cilat ndërton Europa sot.
Instalimet e sistemeve antizjarr në banesa më së shumti janë në ndërgjegjen e investitorit dhe inxhinierëve. Edhe kur sistemet instalohen, ato rrezikojnë të mos përdoren nga mungesa e njohurive të administratorëve të pallateve.
Në anën tjetër, sektori i zjarrfikëseve, që ka qëllim të ndalojë përhapjen dhe shuarjen e zjarrit, vuan nga problematika të shumëfishta. Kur u miratua Reforma Territoriale, ky funksion kaloi te bashkitë, por pa fonde shtesë.
Shumë bashki, sidomos të voglat, nuk kanë mundur të krijojnë një sektor efikas kundër zjarrit me makineri dhe pajisje për shkak se kostot janë të papërballueshme për buxhetet e tyre.
Bardhyl Gjana, i cili drejton sektorin e zjarrfikësve në Bashkinë e Kamzës, më e kompletuara nga të gjitha bashkitë, thotë se duhen qartësuar kompetencat ligjore dhe gjithashtu mundësitë për trajnime.
Z. Gjana tha se për shkak të specifikës së profesionit të zjarrfikësit duhen përgjithësisht punonjës të rinj me përgatitje fizike. Të interesuarit me këto kritere kërkojnë paga të larta të cilat bashkitë nuk mund t’i ofrojnë.
Mesatarisht një zjarrfikës paguhet 50 mijë lekë në muaj, vlerë e pamjaftueshme për të nxitur rekrutimet që nevojiten.
Situata
Mbrojtja ndaj zjarrit në vendin tonë aktualisht është tërësisht amatore dhe i tillë është edhe administrimi i rrezikut. Vetëm në vitin 2015 u miratuan disa rregulla për mbrojtjen e godinave nga zjarri, por ato janë të fragmentuara dhe nuk plotësojnë standardet me të cilat ndërton Europa sot. Instalimet e sistemeve antizjarr në banesa më së shumti janë në ndërgjegjen e investitorit dhe inxhinierëve. Edhe kur sistemet instalohen, ato rrezikojnë të mos përdoren nga mungesa e njohurive të administratorëve të pallateve.
Pse po shtohen zjarret në banesa
Kur temperaturat e ulëta kulmuan në janarin e 2025, një seri zjarresh në pak ditë përfshinë disa banesa në Tiranë, ku për fat nuk pati viktima. Inxhinieri Risilia pohon se rreziku nga zjarret në vendin tonë do të rritet edhe më tej në të ardhmen, pasi kushtet pro-zjarr po rriten.
Tirana është përfshirë në një urbanizim të shpejtë, i cili nuk po merr parasysh standardet me të cilat ndërtohet sot, të tilla si hapësirat, materialet antizjarr etj.
Ndërtimi i kullave me shumë kate rrit edhe më tej rrezikun nga zjarret. Instalimi i sistemeve antizjarr rrit kostot e ndërtimit të një objekti me 5-10%, tha z. Risilia.
Por jo të gjithë investitorët në sektorin e ndërtimit janë gati të paguajnë. Prandaj bota e zhvilluar si SHBA dhe BE aplikojnë Kode ndërtimi shumë novatore që përcaktojnë masat e ndërtimit antizjarr.
Përveç volumeve të ndërtimit, tani gjithnjë e më shumë investitorët përdorin materiale që nxisin zjarrin, p.sh. fasadat me izolim që shpesh përhapin zjarrin.
Tani dritaret janë plastike, që digjen më shpejt se metali (duralumini) dhe përgjithësisht materialet e tarracave dhe dyert që përdoren në procesin e ndërtimit e favorizojnë zjarrin. Në anën tjetër, pajisjet elektrike në banesat kolektive janë shtuar.
Gjithnjë e më shumë familjet dhe bizneset përdorin mjete dhe pajisje që shkaktojnë zjarr. Ka pasur raste kur një karikues telefoni i lënë në prizë ka shkrumbuar një banesë.
Bombolat e gazit, sobat dhe frigoriferët në restorantet që janë zona banimi janë rreziqe potenciale.
Së fundmi, makinat elektrike po shndërrohen në rrezik potencial për zjarr, sidomos kur parkohen në kate të nëndheshme.
Bardhyl Gjana, i cili drejton sektorin e zjarrfikëseve në Kamzë, tha se në 90% të rasteve, zjarri po shkaktohet nga disa bombola kampingu me gaz që qytetarët i përdorin gabimisht për gatim në shtëpi.
Edhe në Tiranë është e njëjta situatë. Në treg janë disa bombola që përdoren për gatime të shpejta në kamping, zakonisht për çaj ose për të ngrohur diçka shpejt. Kjo lloj bombole e ka grykën e zjarrit shumë afër depozitës dhe qytetarët shpesh e përdorin në shtëpi për gatime të gjata si fasule.
Zjarrfikësit e konsiderojnë bombolën e kampingut një eksploziv të vërtetë dhe bëjnë thirrje që të ndalohet importi i saj.
Mungesa e Kodeve antizjarr i fryn zjarrit
Zjarri në banesa, sipas klasifikimeve ndërkombëtare, është një nga rreziqet më të rëndësishme për sigurinë e jetës dhe pronës. Zjarri renditet si rrezik me nivel të lartë në krahasim me rreziqet e tjera të përditshme.
Zjarret në banesa nuk janë aq të shpeshta si disa rreziqe të tjera, por pasojat e tyre mund të jenë shkatërrimtare. Zjarri mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale, lëndime serioze dhe madje humbje jete.
Gjithashtu, tymi i zjarrit është shumë i rrezikshëm për shëndetin. Shumë zjarre në banesa mund të parandalohen me masa të thjeshta sigurie, si instalimi i sistemeve të alarmeve të tymit, ruajtja e sigurt e lëndëve që nxisin zjarrin dhe mirëmbajtja e sistemeve elektrike.
Por të gjitha këto masa duhet të garantohen me një Kod të rreptë që merr në konsideratë zbatimin e të gjitha masave pasive dhe aktive që nga projekti deri te zjarrfikësit, thotë inxhinieri Risila.
Aktualisht kodet janë të vjetra, të paunifikuara dhe nuk kanë asnjë element që ka një Kod që përdoret në SHBA dhe Europë, aktualisht për mbrojtjen nga zjarri. Në vitin 2014 hyri në fuqi një ligj i përkthyer shumë keq dhe me mangësi.
P.sh. kodet që aplikon Italia, Britania, Gjermania etj., caktojnë detyrimet që ka investitori për masat antizjarr, të cilat përfshijnë përdorimin e materialeve të ndërtimit zjarrduruese, impiantet kundër zjarrit etj.
Gjithashtu, Kodi përcakton kritere të qarta dhe ndan përgjegjësitë për miratimin, inspektimin e kolaudimin e materialeve antizjarr. Por Shqipëria nuk ka as kod dhe as institucione të afta dhe burime njerëzore për mbrojtjen nga zjarri.
Në sistemin arsimor shqiptar nuk ka institucione që ofrojnë trajnime për zjarrin. Vetëm dy vite më parë u hap në Akademinë e Sigurisë një kurs për trajnimin nga zjarri, por personat e trajnuar janë të paaftë për objektet nëse po respektojnë masat antizjarr.
Bardhyl Gjana, nga zjarrfikësit, thotë se ligji u jep kompetenca strukturave të zjarrfikësve të miratojnë lejet për projektet antizjarr në objekte, por zakonisht strukturat e zjarrfikëseve në bashki nuk kanë kapacitete të tilla.
Në shumë bashki, përgjithësisht njësitë e zjarrfikësve nuk drejtohen nga inxhinierë, por juristë, ekonomistë etj., dhe nuk kanë aftësi për të dhënë leje për impiantet antizjarr. Gjithashtu nuk ka inspektorë të aftë për kolaudimin e sistemeve.
Edhe kur impiantet janë në parametra, ato nuk operohen nga administratorët e pallateve, tha z. Gjana. “Na rastis shpesh që impiantet janë në rregull, por nuk funksionojnë pompat pasi administratorët nuk merren me mirëmbajtjen e tyre”, tha z. Gjana.
Nga ana tjetër, banorët në Shqipëri kanë mungesa totale njohurish për masat antizjarr. Këto mungesa reflektohen te përdorimi jashtë parametrave të sigurisë të pajisjeve shtëpiake që nxisin zjarre e deri te mungesa e njohurive në rast evakuimi dhe mbrojtje nga zjarri.
Z. Gjana thotë se duhet ndërgjegjësim i madh i popullatës, madje duhet të ketë kurrikula të posaçme në shkolla që garantojnë njohuritë mbi rreziqet, që tani me ngrohjen globale po rriten gjithnjë e më shumë.
Kodet e ndërtimit në Europë ndalojnë kompanitë që në banesa kolektive të përdorin lëndë të para që ndizen, p.sh. fasadat bëhen me materiale antizjarr, që edhe në rast të flakëve, nuk përhapen nga kati në kat.
Dyert janë me materiale zjarrduruese. Sistemet e mbrojtjes nga zjarri përfshijnë një sistem uji (sprinter) për fikjen e zjarrit. Sistemi ka dalje në çdo kat dhe gjithashtu janë edhe sistemet e ventilimit që largojnë tymin për të evakuuar në mënyrë të sigurt banorët
Shembujt nga bota për masat antizjarr
Shtetet që konsiderohen me kodet më të mira dhe më të rrepta ligjore për masat kundër zjarrit në ndërtim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat zbatojnë International Building Code (IBC) dhe NFPA National Fire Protection Association (NFPA), një nga organizatat kryesore që përcakton standarde strikte për mbrojtjen kundër zjarrit, si “Life Safety Code” dhe “Building Construction and Safety Code”.
Ky kod i përdorur gjerësisht në SHBA ka rregulla të forta për materialet ndërtimore, sistemet e ventilimit, evakuimin dhe alarmet kundër zjarrit.
Kodet ndërtimore gjermane janë ndër më të rreptat në Europë. DIN 4102 përcakton klasifikimin e materialeve ndërtimore sipas rezistencës ndaj zjarrit. Gjermania zbaton gjithashtu Eurokodet, të cilat përcaktojnë standardet për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen kundër zjarrit të strukturave.
Britania e Madhe përdor një Kod që trajton rregullat kundër zjarrit, daljet e emergjencës dhe sistemet e detyrueshme të alarmit dhe shuarjes së zjarrit. Kodi britanik kërkon që të gjithë ndërtimet e reja të kenë dokumentacion të plotë mbi masat kundër zjarrit për t’ua dorëzuar autoriteteve dhe përdoruesve.
Kodi i sigurisë nga zjarri në SHBA është një nga më të avancuarit dhe më të detajuarit në botë.
Ndërsa kodi kundër zjarrit për banesat në Gjermani përcakton standardet e sigurisë nga zjarri për ndërtesat, duke përfshirë përdorimin e materialeve, sistemet e alarmit dhe rrugët e evakuimit.
P.sh. investitorët detyrohen të përdorin materiale rezistente ndaj zjarrit. Muret, dyshemetë dhe tavanet duhet të jenë të ndërtuara nga materiale të certifikuara sipas standardeve gjermane antizjarr.
Në ndërtesat me shumë kate, dyert e shkallëve duhet të jenë rezistente ndaj zjarrit (T30, T60, T90), ku numri tregon minutat e qëndrueshmërisë ndaj flakëve. Kabllot elektrike duhet të jenë të mbrojtura nga përhapja e zjarrit.
Alarmet e tymit janë të detyrueshme në të gjitha banesat, veçanërisht në dhomat e gjumit dhe korridoret që shërbejnë si rrugë shpëtimi. Sisteme spërkatëse (Sprinkler) janë të detyrueshme për ndërtesa kolektive ose shtëpi pleqsh. Shkallët dhe korridoret duhen duhet të jenë të lira nga pengesat dhe të kenë dalje të qarta.
Në ndërtesat mbi 5 kate kërkohet një shkallë emergjence ose dalje alternative.
Në ndërtesat e larta duhet të ketë hyrje të posaçme për ekipet e emergjencës. Në Gjermani, ndërtesat ndahen në kategori bazuar në lartësinë dhe funksionin e tyre: Klasa 1 dhe 2: Shtëpi private dhe ndërtesa të vogla (masa më të lehta të sigurisë).
Klasa 3 dhe 4: Ndërtesa më të mëdha banimi (masa më të forta mbrojtjeje).
Klasa 5: Kulla dhe ndërtesa shumëkatëshe mbi 22 metra (kërkesa të rrepta për zjarrfikësit dhe rrugët e evakuimit).
Në Gjermani, kullat e larta mbi 60 metra kanë masa shumë të rrepta kundër zjarrit, duke kombinuar mbrojtjen pasive dhe aktive, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të garantuar evakuimin e sigurt.
Ndërtesat mbi 60 metra konsiderohen ndërtesa të larta sipas standardeve europiane.
Ato detyrohen të përdorin materiale jo të djegshme në ndërtim, sisteme të sofistikuara për detektimin dhe shuarjen e zjarrit dhe strategji të veçanta evakuimi, përfshirë ashensorë kundër zjarrit.
Katër grupet e masave mbrojtëse nga zjarri
Vendet e Bashkimit Europian ndërtojnë bazuar në Eurokod që përcakton në mënyrë të rreptë sigurinë shumëvjeçare të banesave nga fatkeqësitë natyrore sidomos tërmeti dhe zjarret.
Legjislacioni europian, në varësi të objektit, përcakton kritere shtesë. Ja etapat kundërt zjarrit si më poshtë që përdoren zakonisht në Europë.
Mbrojtja Pasive (Parandalimi i Përhapjes së Zjarrit)
Kjo etapë kërkon mure dhe dysheme me rezistencë të lartë ndaj zjarrit (sipas F90-F180, ku numri tregon minutat e qëndrueshmërisë ndaj zjarrit).
Ndarje e shkallëve dhe korridoreve me dyer kundër zjarrit (T90 ose më shumë). Kanale, kabllo dhe ajrimi me veshje zjarr-rezistente, për të shmangur përhapjen e flakëve mes kateve.
Mbrojtja Aktive (Zbulimi dhe Shuarja e Zjarrit)
Ky kapitull kërkon sisteme të detyrueshme të detektimit të tymit dhe alarmeve në çdo kat. Sistem automatik sprinkleri për të shuar zjarrin në fazat e para.
Sistem të brendshëm hidrantësh në korridore dhe kate të caktuara. Pompime të veçanta uji dhe depozita emergjente për të siguruar furnizim të vazhdueshëm në rast zjarri.
Rrugët e Evakuimit dhe Ashensorët Specialë
Ky kapitull kërkon të paktën dy shkallë emergjence të izoluara dhe të pajisura me sistem ventilimi për të shmangur grumbullimin e tymit.
Ashensorë rezistentë ndaj zjarrit (me furnizim të pavarur me energji), që mund të përdoren për evakuim nga zjarrfikësit ose për njerëzit me aftësi të kufizuara. Zona të sigurta pritjeje në kate të caktuara, ku njerëzit mund të presin ndihmën nëse evakuimi i menjëhershëm nuk është i mundur.
Strategjia e evakuimit dhe ndërhyrja e zjarrfikësve
Ndërtesat e larta kanë protokolle specifike për evakuimin me faza, duke evakuuar fillimisht zonën më të rrezikuar dhe më pas pjesën tjetër. Helikopterët ose pikat e uljes për helikopterët mund të jenë të detyrueshme në disa ndërtesa shumë të larta.
Gjithashtu kërkohen sisteme të avancuara të ventilimit dhe presionit pozitiv në shkallë, për të mbajtur larg tymrat dhe për të lehtësuar daljen e banorëve.
Reforma Territoriale çoi në tranzicion funksionin e zjarrfikësit
Zjarrfikësit është funksioni që pësoi një tranzicion të fortë si në kompetenca, ashtu edhe në fonde nga Reforma Territoriale.
Funksionet e mbrojtjes nga zjarri u kaluan bashkive, por jo fondet. Disa bashki, sidomos ato të voglat, nuk kanë mundësi financiare, por organizimi dhe kompetencat nuk janë shumë të qarta.
Mbrojtja dhe shpëtimi nga zjarri është një funksion i transferuar bashkive pas realizimit të Reformës Territoriale dhe nënkupton: inspektimin, parandalimin dhe masat e mbrojtjes nga zjarri.
Funksioni kryesor janë ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve, shpëtimin e jetës, gjësë së gjallë, pronës, mjedisit, pyjeve dhe kullotave në aksidente të ndryshme, fatkeqësi natyrore, si dhe në ato të shkaktuara nga dora e njeriut.
Detyrat e bashkisë
Çdo bashki duhet të mbulojë territorin e saj me shërbim zjarrfikës, me stacione të kompletuara me personel, automjete dhe pajisje zjarrfikëse.
Stacioni i shërbimit të Mbrojtjes nga zjarri ngrihet në çdo bashki, duke zbatuar standardin 1 zjarrfikës profesionist për 1500-2000 banorë. Çdo stacion duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikës, personel profesionist.
Bashkia, nëpërmjet strukturave dhe mekanizmave të saj, siguron infrastrukturën dhe personelin për shërbimin e mbrojtjes dhe shpëtimit nga zjarri.
Jep leje zhvillimi/ndërtimi dhe akte shfrytëzimi të strukturave ndërtimore, vetëm pas plotësimit të rregullave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të përcaktuara në këtë ligj;
Merr masa organizative e teknike dhe planifikon fonde financiare për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin edhe në projektet e veprave që hartohen dhe miratohen nga ana e tyre.
Bashkia merr masa inspektimi, parandalimi dhe ndërhyrje për shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin në territorin e bashkisë dhe gjithashtu krijon shërbim vullnetar për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin.
Financimi i përbashkët: pushtet vendor dhe qendror
Strukturat përgjegjëse Bashkia, Drejtoria që ofron shërbimin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin.
Ndërsa qeveria, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi realizojnë miratimin e tarifave për llojet e shërbimeve që ofrohen nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri.
Qeveria përcakton objektivat për zbatimin e politikave të përgjithshme dhe të programit të qeverisë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi.
Harton rregullore për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, metodologjinë për masat e parandalimit, ndërhyrjes dhe inspektimit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Qeveria dhe ministria përgjegjëse bashkërendon dhe koordinon veprimtarinë e stacioneve të mbrojtjes dhe shpëtimit të bashkive dhe urdhëron ndërhyrjen me forca, automjete e pajisje zjarrfikëse të tyre në rastet e zjarreve masive apo situatave të tjera, për operacione komplekse.
Mirëpo kompetencat dhe financimet nuk janë të qartësuara, duke bërë që bashkitë të kenë vështirësi të financojnë këtë shërbim, të kushtueshëm nga makineritë, veshjet dhe infrastrukturën që kërkon shërbimi në tërësi.
Flota e zjarrfikëseve është e vjetër dhe makineritë u takojnë më së shumti viteve 1970./ MONITOR