Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka sjellë detaje të reja dhe dëshmi nga ajo që është cilësuar si “lufta e trageteve” në qytetin e Sarandës.
Një tragjedi e pabesueshme ka ndodhur në qytetin bregdetar vitin e kaluar, ku një përpjekje për shpërthim në një traget ka çuar në humbjen e jetëve dhe ka zbuluar një rivalitet të ashpër mes ish-partnerëve të biznesit në industrinë detare.
Por çfarë ndodhi mbrëmjen e ngjarjes? Pse grupi hetues krijoi shpejt bindjen që Armand Nelaj nuk ishte një zhytës i pasionuar pas detit dhe peshkimit, por një atentator i porositur për të vënë minën e telekomanduar poshtë një prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz.
Çfarë e tradhtoi atë dhe porositësin e këtij akti, që sipas Prokurorisë është Erdion Muho, tashmë i ndaluar, bashkëpronar në një prej kompanive të trageteve që kryejnë lëvizjen e pasagjerëve në këtë linjë. Cila ishte dinamika e lëvizjes së Armandi Nelaj dhe Erdion Muhos, ditën deri në orët e mbrëmjes, por edhe gjatë ditëve të fundit, para se të ndodhte ngjarja.
Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes dhe përditshmërisë së autorëve, kjo e siguruar edhe nga kqyrja e pamjeve filmike në disa prej rrugëve dhe bizneseve të qytetit të Sarandës, bashkëpunimi midis Armandi Nelaj dhe Erdion Muhos, për të vënë në jetë planin për hedhjen në erë të njërit prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz, thuhet se ka nisur pothuaj dy ditë më herët, kohë kur ata janë parë të lëvizin së bashku në disa prej lokacioneve të qytetit.
Ashtu si edhe më 23 qershor 2024, pra një ditë para se të ndodhte aksidenti fatal në det, ku Armandi Nelaj, është parë fillimisht në një nga dyqanet e tregtimit të pajisjeve të peshkimit, aty ku ai dallohet nga kamerat e sigurisë teksa blen një kostum dhe një maskë zhytje.
“Më datë 23 Qershor 2024, rreth orës 11.00 në ambientet e brendshme të një subjekti ‘Pajisje Peshkimi’ shfaqet një person i veshur me bluzë me ngjyrë të bardhë dhe tuta të shkurtra treçerekshe, që me vete mban një marsup me ngjyrë si në të zezë. Ky person është identifikuar nga ana jonë si shtetasi Armandi Nelaj, i cili pasi hyn në këtë ambient blen një kostum dhe maskë zhytje”, thuhet në dosjen hetimore.
Vetëm dy orë pasi ishte larguar nga ky dyqan, Armandi Nelaj vihet re teksa rikthehet sërish në këtë biznes, por këtë herë jo më i vetëm, por në shoqërinë e një personi të dytë, që në këtë rast u identifikua si Erdion Muho.
“Rreth orës 13.15 minuta, në ambientet e brendshme të subjektit ‘Pajisje Peshkimi’, shfaqen dy persona; konkretisht personi i identifikuar nga ne si Armandi Nelaj dhe një tjetër i njohur nga ne si Erdion Muho, ku pasi futen në këtë ambient ata blejnë lopata peshkimi dhe disa materiale të tjera”, thuhet në dosjen hetimore.
Ajo që çoi grupin hetues në identifikimin e shpejtë të personazheve që ishin përfshirë në inskenimin e vendosjes së lëndës eksplozive në njërin prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz, atë mbrëmje të datës 24 qershor dhe që pasoi më tej me dështimin e operacionit, ishte një gabim fatal që bëjnë shpesh ata që janë jo profesionistët e kësaj fushe. Atë, se si ata kishin zgjedhur si vendin nga ku do të nisej varka me eksploziv pikërisht, një nga plazhet që ndodhet pranë bizneseve të tyre, fakt që u konfirmua edhe nga kamerat e sigurisë, të dy ditëve të fundit para ngjarjes, të cilat kishin dokumentuar nëpërmjet pamjeve filmike të gjitha lëvizjet e tyre.
Deri në momentin kur Armandi Nelaj, ngjitet në varkë mbrëmjen e datës 24 qershor dhe niset drejt objektivit të përcaktuar për t’u sabotuar, njërit prej trageteve të linjës Sarandë-Korfuz.
Në orën 22.55, të datës 24 Qershor 2024, nga pamjet e njërës prej kamerave të Hotel ‘D…’, të cilat njëkohësisht monitorojnë edhe një pjesë të ambienteve të jashtme të subjektit ‘Copa Cabana’, vihet re një person që po zbret poshtë me drejtim parkimin e automjeteve të këtij subjekti.
Një minutë më pas, po nga kjo kamerë vihet re një person tjetër që është duke qëndruar në afërsi të bregut të detit, aty ku ndodhet dhe moli lundrues. Ndërsa disa persona të tjerë ndodhen në parkimin e automjeteve të këtij subjekti.
Në orën 23.07, po nga kjo kamerë vihen re dy automjete të cilat ngjiten lart në rrugën që ndodhet brenda subjektit ‘Copa Cabana’ me drejtim rrugën ‘Butrinti’
I pari që identifikoi nëpërmjet fotove kufomën e dëmtuar rëndë si pasojë e shpërthimit të lëndës eksplozive, ishte vëllai i Armandi Nelaj, Melseid Nelaj, i cili më herët kishte raportuar të humbur njeriun e tij të afërt, që tanimë i kishte dhënë grupit hetues një emër lidhur mbi personin e pajetë që gjendej ende në morg që nga nata e kaluar dhe sigurisht nisjen e zbardhjes së një ngjarje, që në fakt më pas do të rezultonte se nuk ishte një zhytje fatale, por një skenar me pasoja edhe më serioze, që vetëm një dorë më e fuqishme e kishte ndalur deri aty, pa e çuar deri në fund realizimin e një akti që mund të kishte sjellë pasoja më të rënda në jetët njerëzore.
Menjëherë pasi grupi hetues mësoi se personi që kishte humbur jetën ishte biznesmeni Armandi Nelaj, ata shkuan në plazhin ‘Copa Cabana’, aty ku gjetën edhe automjetin e tij, automjet, që gjatë kontrollit u gjet i pastër.
Do të ishte vetë i vëllai i Armandi Nelaj, ai i cili dorëzoi te grupi hetues, dy telefonët celularë të viktimës Armandi Nelaj që po atë ditë kishte qenë në këtë plazh për të shkarkuar disa kamionë me rërë, ndoshta si një formë alibie të cilën do ta përdorte më pas, por me interes për grupin hetues duket se ishin pamjet e një farmacie, që në fakt ndodhet pikërisht përballë plazhit ‘Copa Cabana’, farmaci e cila në mënyrë të habitshme vetëm një ditë pas ngjarjes kishte ndërruar kamerat e sigurisë duke i zëvendësuar ato me të reja.
Kjo farmaci rezultoi të ishte në pronësi të shtetases Romina M, e cila është bashkëshortja e Erdion Muhos, personazhit kyç që rezulton se kishte konflikte të hapura me vëllezërit Qirjako, pronarë të kompanisë së lundrimit ‘Finikas Shpk’ që operon në linjën Sarandë-Korfuz, por edhe mik i viktimës, biznesmenit Armandi Nelaj.
Pasi shtetasja Romina M. dha deklarimet, grupi hetues shkoi në farmacinë e saj, që ndodhet e vendosur përballë plazhit ‘Copa Cabana’, me qëllim për të marrë pamjet filmike. Por një gjë e tillë nuk u bë e mundur, pasi kjo shtetase tha se DVR-ja e farmacisë është ndërruar me datë 25 Qershor 2024, pasi sipas saj e mëparshmja ishte djegur.
Por shpejt doli se kjo kamera ishte hequr qëllimisht disa orë pas ndodhisë në det, ku kishte humbur jetën Armandi Nelaj, gjë që u konfirmua edhe nga vetë teknikët që ishin thirrur për të zëvendësuar kamerën gjoja të djegur, të cilët treguan për grupin hetues se nga nxitimi harruan dhe kishin montuar një hard disk të vjetër, që e patën përdorur në një subjekt tjetër.
“Unë kam një dyqan dhe punoj në terren me instalime elektrike dhe të kamerave, ku jam ortak me shtetasin S. K. Erdioni më ka kontaktuar në rrugë dhe më ka thënë që ka probleme me kameran te farmacia. Ai më tha se kameran e vjetër e kishte hedhur pasi ishte djegur dhe më duhej një tjetër urgjent për sot. Unë i thashë të shikojmë çfarë kemi në makinë dhe pasi gjetëm një aty e instaluam.Zakonsht DVR-të nuk digjen. Ato ose djegin ushqyesin e kamerave ose ushqyvesin e aparatit. Fillimisht hard disku ka qenë i vendosur më parë tek shtetasi A. T dhe nga ana jonë është harruar të bëhet formatimi”, tha Erdion Muho.
I pyetur nga grupi hetues lidhur mbi kamerat e sigurisë të vendosura në farmacinë e bashkëshortes së tij, kamera që shikonin pikërisht nga plazhi ku miku i tij Armandi Nelaj u nis mbrëmjen që u kthye në tragjike për të, Erdion Muho u përpoq të krijonte një alibi të tij, sipas së cilës këto kamera ishin djegur prej disa muajsh dhe kishte ardhur koha t’i ndërronin dhe këtë zëvendësim ai e bëri vetëm disa orë pas asaj që kishte ndodhur në det mbrëmjen e 24 Qershorit, madje me një urgjencë gati të habitshme.
“Në lidhje me atë që i ka ndodhur DVR-së së kamerave tek farmacia e bashkëshortes time, më duhet të them se ne e mbyllëm farmacinë 6 muaj pasi nusja ishte shtatzënë, dhe më pas DVR-ja nuk punoi, kjo pasi ishte djegur rreth muajit prill-maj. Pastaj kontaktova me Elidonin dhe më solli një të re”, tha Erdion Muho.
Por roli dhe bashkëpunimi i Erdion Muhos me Armandi Nelaj, do të ishte më i dukshëm gjatë zbardhjes së kamerave të sigurisë në ato që ishin ditët që i paraprinë ngjarjes, ku më pas humbi jetën në det miku i tij, aty ku vetëm dy ditë para ngjarjes tragjike në det, Erdion Muho dhe Armandi Nelaj, jo vetëm vihen re në shoqërinë e njëri-tjetrit, por konstatohet edhe momenti kur ky i fundit, tërheq më makinën e tij një gomone, që më pas rezultoi se ishte gomonia me të cilën ai lëvizi edhe natën kur humbi jetën si pasojë e shpërthimit me eksploziv.
Më datë 22 Qershor 2024, në orën 12.58, me anë të pamjeve filmike të një subjekti ‘Fast Food’, vihet re një motor me ngjyrë jeshile në të zezë me targë BB935, me drejtues një person me kapele të zezë, me bluzë të bardhë, me pantallona të zeza të shkurtra, me atlete të bardha, ku pas motorrit, në një distancë të afërt vjen një automjet i markës ‘Jeep’ me ngjyrë të bardhë, ku vërehet se drejtuesi i automjetit ka të veshur një bluzë me ngjyrë të bardhë dhe mbas ketij automjeti është e lidhur karrela e cila ka mbi të, një mjet lundrues me përmasa të vogla e llojit gomone, me ngjyrë si në gri dhe blu me mbishkrimim në anën e djathtë të saj ‘Hydro-Force’, me një motor në pjesën fundore të tij me mbishkrimin ‘Mercury’, me ngjyrë të zezë.
Edhe pse grupi hetues, e vendosi përpara provave të pakundërshtueshme të implikimit të tij në ngjarjen e mbrëmjes së datës 24 Qershor në Portin e Sarandës, Erdion Muho, ashtu siç pritej mohoi përfshirjen në këtë ngjarje. Madje ai mohoi edhe që të kishte konflikt në biznesin e lundrimit me vëllezërit Qirjako, që operojnë në të njëjtën linjë, me kompaninë ‘Finikas’ Shpk. Pavarësisht se këta të fundit, pretendonin të kundërtën. Madje vetë Erdion Muho tha se biznesin e trageteve në emër të familjes e menaxhon babai i tij dhe jo ai vetë.
“Emri i kompanisë është ‘Joy Croyz’ dhe i anijes ‘Saranda Express’ dhe këtë biznes e menaxhon babai im, jo unë. Këtë vit anijet nuk i kemi ne, por i kemi dhënë me qira te një biznesmen grek. Ne kemi vetëm një anije që është në pronësi të babait, i cili është ortak me 100 përqind të kuotave. Aktualisht tek kompania ‘Joy Croyz Albania” administrator është vëllai im Danjeli”, tha Erdion Muho.
I pyetur në lidhje me shpërthimin ku humbi jetën Armandi Nelaj, Erdion Muho, tha se ai viktimën e njihte dhe e kishte mik të familjes. Dhe takoheshin shpesh sidomos gjatë verës. Por gjithmonë për qëllime pune. Ashtu siç ai thotë se ishin takuar edhe ditët e fundit. Ku Armand Nelaj sipas tij, kishte sjellë disa kamionë me rërë në plazhin ‘Copa Cabana’. Aty ku nga ku u nis edhe rrugëtimi i tij i fundit, natën para se të humbiste jetën.
“Armandi kishte skrepa, makina të mëdha, si edhe makina me qira. Unë nuk e di se me çfarë merrej kohët e fundit. Ajo që di është se i kam dhënë punë, tek një plazh poshtë hotelit tim dhe emri i plazhit ku ka sjellë makinat me rërë quhet ‘Copa Cabana’. Aty ku unë dy muaj më parë e kam prezantuar Armandin me Marion. Dhe me sa di bashkëpunimi midis tyre vazhdonte normalisht, teksa Armandi sillte rërë dhe Mario bënte pagesat”, tha Muho.
Erdion Muho nuk e mohoi që e kishte takuar Armand Nelaj, ditën para mbrëmjes ku ky i fundit ndërmori udhëtimin fatal për të, por përjashtoi çdo mundësi që të kishte dijeni lidhur mbi planin e Armandit për të hedhur në erë një nga anijet e lundrimit në port.
Madje ai ndërtoi edhe një alibi për veten kur tha se atë pasdreke ishte nisur drejt Korfuzit dhe ishte kthyer në Sarandë pasi kishte ndodhur ngjarja dhe se të dy, me Armandin e kishin lënë që gjatë mbrëmjes të shikonin së bashku një ndeshje futbolli, pasi atë mbrëmje, Kombëtarja e Shqipërisë luante me Spanjën.
“Për herë të fundit Armandin unë e kam takuar më datë 24 Qershor, rreth mesditës, te hoteli im, ku i pranishëm aty ka qenë edhe Mario. Unë nuk kam ndonjë dijeni se kush e ka ndihmuar Armandin, madje as ai nuk më ka folur për këtë gjë. Përsa i përket po kësaj date, rreth orës 16.00 unë kam udhëtuar me anijen ‘Ionian San’ drejt Korfuzit dhe rreth orës 23.30 të po kësaj dite jam kthyer në Sarandë me tragetin ‘Saranda Express’. Teksa jam kthyer, unë kam parë policinë tek porti dhe aty kuptova që diçka kishte ndodhur. Nga portalet lexova që kishte plasur një bombol gazi dhe nuk kisha asnjë dijeni se çfarë mund të ishte duke bërë Armandi. Ajo që mund të them është se ai më mori rreth orës 21.00, pasi e kishim lënë për të parë ndeshjen, por unë i thashë që ndodhem në Korfuz dhe jam me temperaturë 40 gradë”, tha Erdion Muho.
Por a ishin të besueshme këto alibi që ngriti Erdion Muho, i cili tashmë është i ndaluar në pritje të gjykimit, në akuzën për ‘shkatërrim të pronës me eksploziv’. Edhe pse ai vetë nuk pranoi të kishte konflikte me kompanitë e tjera që operojnë në linjën Sarandë-Korfuz, ai nuk mohoi në një moment që kishte pakënaqësitë e tij me një prej kompanive, në këtë rast ‘Finikas SHPK’, pakënaqësi të cilën ai kishte shprehur edhe kapitenit të portit.
“Ne nuk kemi pasur asnjë problem me përfaqësuesit e shoqërive të tjera. Vetëm vitin e kaluar unë kam pasur një problem me kapitenin e portit që quhet Foti Kona, të cilit i kam bërë kallëzim për shpërdorim detyre. Kjo pasi kompania ‘Finikas Line’ bënte 3 udhëtime në një orar, gjë që nuk lejohej. Por unë kam patur problem me kapitenin dhe jo me shoqërinë në fjalë. Me ‘Finikas’ ne kemi bashkëpunuar në vitet 2013-2015, pastaj debatuam në kuadër të konkurencës në vitet 2016-2017 dhe u ndamë secili në punën e tij”, dëshmoi Muho.
Por siç thamë vëllezërit Qirjako, që administronin kompaninë ‘Finikas shpk’ nuk ndanin të njëjtin mendim me Erdion Muhon.
Madje ata kishin bindjen se ishte ai autori i tentativës për të vënë eksploziv në njërin prej trageteve të tyre. Kjo edhe pas dyshimeve që ata kishin, mbi atë çfarë kishte ndodhur gjatë ditëve që i paraprinë mbrëmjes së 24 Qershorit, ku ata kishin parë konkurentët në biznes duke hequr karburantin nga njëra prej anijeve të tyre dhe midis personave që ata kishin pikasur në këtë operacion, ishte edhe Armandi Nelaj.
“Një ditë përpara shpërthimit, në Portin e Sarandës, kur anijet ishin afër me njëra-tjetrën, Petro Papikinos, ka vendosur mekanikët e tij që të heqin të gjithë naftën nga çisternat e anijes së vet. Të nesërmen ka ndodhur shpërthimi. Dhe aty kam kuptuar më shumë se kush është pas këtij shpërthimi. Aty bëra lidhjen. Pasi personi që është futur bashkë me dy personat, me Erdion Muhon dhe Petro Papikinos, kanë dalë dhe kanë shkuar për kafe së bashku në qytetin e Sarandës. Ky person ka qenë Armandi Nelaj”, tregoi Andrea Qirjako.
Sipas Qirjakos, Petro Papikinos i hoqi depozitat e naftës nga anija e tij ‘Santa’, i ndihmuar edhe nga Erdion Muho dhe Armandi Nelaj, pasi kishte frikë se shpërthimi mund të dëmtonte edhe tragetin në pronësi të tij, që ishte ankoruar ngjitur me atë ‘Kristi’ të kundërshtarëve të tyre në biznes.
Këtë bindje ai e përforcon edhe nga informacionet që kishte mbledhur, se po atë ditë ish-ortaku i tij grek, larg syve të tyre ishte takuar gjatë pasdites në Korfuz, me Erdion Muhon, i cili sipas Andrea Qirjakos, ishte nisur nga Saranda në orën 16.00, dhe pasi ishte takuar në Korfuz me Petro Papikinos, po në atë mbrëmje ishte kthyer në qytet në orën 23.30 me anijen ‘Saranda Ekspress’ që e ka të vetën, informacione të cilat ai i dha edhe përpara oficerit të policisë gjyqësore, menjëherë pasi Armandi Nelaj, humbi jetën gjatë rrugës për të vendosur tritol në tragetin ‘Kristi’ në pronësi të familjes Qirjako.
Ndërkohë që sipas tij kjo nuk ishte hera e parë që një nga anijet e tij ‘Kristi’, e cila u vendos edhe këtë herë në shënjestër për t’u hedhur në erë me eksploziv, kishte rënë pre e sulmeve të ngjashme, në dukje pa autor, por që bindja e tyre ishte se pas këtyre sulmeve fshihej konkurenca dhe pikërisht ata që deri dje i kishin pasur bashkëpunëtorë në biznes.
Në vitin 2016 është goditur me plumb anija ‘Kristi’. Duke qenë bashkë me udhëtarët, duke vajtur nga Saranda në Korfuz, dhe me të mbërritur në Korfuz është parë nga kapiteni që kishte një vrimë në anije. Kur shkuam të nesërmen në Sarandë, bëmë denoncim. U morën të gjitha masat, por asnjë gjë konkrete”, tregoi Qirjako.
Fakti që Armandi Nelaj dhe Erdion Muho, disa ditë më parë hoqën karburantin nga anija, u pranua edhe nga vetë ky i fundit, por duke thënë se këtë gjë ia kërkoi ortaku i tij grek, Petro Papikinos, që më parë ka qenë në të njëjtin biznes me vëllezërit Qirjako.
Ndërkohë që Erdion Muho, pohoi po ashtu se ishte takuar me Armandin disa ditë më parë, dhe së bashku kishin blerë materiale peshkimi, ashtu siç në fakt dokumentuan edhe kamerat e sigurisë në një prej këtyre bizneseve.
“Me Armandin u takuam një javë më parë te porti, pasi ai erdhi te anija e tipit ‘delfin’ dhe unë i kërkova që të hiqte naftën. Këtë gjë ma kërkoi Theodhosi Papikinos me të cilin bashkëpunoj. Naftën e hoqi ekuipazhi i anijes. Më datë 23 Qershor unë nuk e mbaj mend se ku kam qenë, pasi kam lëvizur pothuaj gjithë ditën. Ajo që mbaj mend është se 2-3 ditë para ngjarjes blemë fillo dhe këmbëza që notojnë si dhe peshk falso. Kjo pasi Armandi detin e kishte pasion”, tha Erdion Muho.
Dëshmia se Armandi ishte një zhytës i pasionuar pas peshkimit, u hodh poshtë nga bashkëshortja e viktimës. E cila madje tregoi se nuk kishte asnjë dijeni për planin e tij se atë mbrëmje do të zhytej në det. Ndaj për këtë arsye u ndje shumë e befasuar kur mësoi mbi mënyrën se si Armandi kishte humbur jetën.
“Zhytja nuk ishte pasion i Armandit. Rastet kur ai zhytej në det ishin shumë të rralla. Më datë 24 Qershor, rreth orës 20.00, unë kam folur në telefon me Armandin dhe e kam pyetur se kur do të kthehej në banesë, dhe ai më tha pasi të mbarojë ndeshja. Pra ai nuk më tha se do shkonte për peshkim. Po kështu ai nuk merrej me lëndët shpërthyese pasi nuk kishte njohuri për to. Dhe telefonat e tij janë gjendur në makinën që kishte lënë në plazh”, tha bashkëshortja e Nelajt.
Një nga personat të cilët u mor në pyetje lidhur mbi ngjarjen ku humbi jetën Armandi Nelaj, ishte edhe pronari i plazhit ‘Copa Cabana’, aty nga ku ai u nis mbrëmjen e 24 Qershorit. Ndërsa pamjet e tjera filmike, dy ditë para kësaj ngjarje, dokumentuan bashkëpunimin e Erdion Muhos dhe Armandi Nelaj, me qëllim pozicionimin e varkës në plazh.
Grupi Hetues
Nga kqyrjet e pamjeve filmike konstatohet se më datë 22 Qershor 2024, Erdion Muho, vihet re teksa shoqëron Armandi Nelaj, me qëllim për të pozicionuar varkën me të cilën ky i fundit ka dalë në det më datë 24 Qershor 2024, mbrëmjen ku ndodhi edhe shpërthimi.
Nga hetimet ka rezultuar se varka me të cilën Armandi Nelaj u nis është ankoruar pranë plazhit me emrin ‘Copa Cabana’; plazh të cilin shtetasi Erjon Dhamo e ka marrë me qira, dhe që gjendet poshtë Hotel ‘Erdano’, objekt ne pronësi të shtetasit Shpëtim Muho, babait të Erdion Muho.
Vetë Erjon Dhamo pranoi se kishte njohje me Armand Nelaj dhe se po atë ditë ata ishin takuar në ambientet e plazhit, por për marrëdhënie pune, por ai tregoi se nuk kishte dijeni mbi planin e Armandit, për të përdorur plazhin si pikënisje drejt planit të tij për të vendosur minën e telekomanduar poshtë një trageti.
“Unë me Armandin kisha thjesht marrëdhënie pune, pasi ai kishte një pikë ndërtimi. Unë atë e kam njohur tek hotel ‘Erdano’. Më datë 24 Qershor 2024, në mëngjes unë kam ardhur në Sarandë për të bërë pagesat e punëtorëve, dhe po atë ditë kam takuar edhe Armandin të cilit i kam bërë një pagesë për dy kamionë me rërë dhe një me çakëll. Armandi më tha që të nesërmen do të sillte dhe dy kamionë shtesë. Gjatë mbrëmjes së datës 24 Qershor 2024, unë ka qenë në ambientet e ‘Copa Cabanës’ me stafin për të parë ndeshjen. Por gjatë kësaj kohe, unë nuk e kam parë Armandin të futet në ambientet e plazhit”, tha Erjon Dhamo. / Emisioni “Në Shënjestër”