Një tjetër atentat është regjistruar në Tiranë, ku një person është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Zall Mner.
Viktima është shtetasi Lulzim Visha, 48 vjeç, banues në Kamëz, teksa sipas autoriteteve policore ai është konstatuar pa shenja jete brenda një automjeti rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”.
Burime bëjnë me dije se 48-vjeçari ka qenë duke shkuar për në punë në momentin kur është ekzekutuar, teksa makina që po drejtonte i përket kompanisë “Postman”, që dërgon pako në gjithë Shqipërinë.
Nga hetimet paraprake, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore është ajo e hasmërisë, pasi i vëllai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë.
Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, ku ky i fundit ka vrarë më armë zjarri për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë më datë 10 Prill të vitit 1997.
Gjykatës e Tiranës e ka dënuar Besnik Vishën më 29 Qershor të vitit 2001 me 12 vjet burgim, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”. Ai ka qenë për disa vite në kërkim, teksa është arrestuar në Tetor të vitit 2009.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, teksa janë mbledhur të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë të cilat mund të ndihmojnë grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Policia raporton se në vijim do të japë një informacion me të detajuar për rastin.