Atentat në Tiranë. Një person, i indentifikuar me emrin Bujar Nasufi është ekzekutuar me armë autoimatike teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”.
Policia njoftoi se vrasja ndaj 56-vjeçarit ndodhi rreth orës 20: 40 minuta. Viktima ka humbur jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Nuk ka të dhëna nëse viktima ka qenë i vetëm në makinë apo persona të tjerë.
Nga të dhënat e para bëhet me dije se autorët kanë qenë me një motor dhe pas atentatit ata janë larguar në drejtim të zonës së Selitës.
Policia e cila solli një njoftim paraprak tha se ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët e dyshuar. Ndërkohë deri tani nuk dihen as shkaqet e këtij atentati.
Ajo që mësohet është se viktima së bashku me vëllain e tij kanë menaxhuar një mobileri në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve të dyshuar.
Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe ofircërët e policisë për të siguruar provat e mundshme.
“Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin Bujar Nasufi rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën”,- informoi policia e kryeqytetit.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.