Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte viti i gjeopolitikës, ashtu sikundër 2020 dhe 2021 ishin vitet e kovidit apo ndonjë vit i mëpasshëm i lëvizjeve migratore apo agjendës woke e cila prodhoi dhe antitrupat e saj të nevojshëm përgjatë vitit zgjedhor 2024. Nga thellimi i luftës në frontin Ukrainë-Rusi, te konflikti i Gazës apo sulmet e Izraelit mbi Hezbollahun në Liban deri te zbythja e shpejtë e regjimit të Asadit në Siri, tregojnë qartazi për zhvillime gjeopolitike të forta të cilat kurrsesi nuk mund të quhen finale dhe një pjesë syresh do mbarten në vitin që vjen. Kjo së bashku me zhvillimet gjeoekonomike, gjeoenergjetike dhe gjeokulturore të cilat përmbledhtazi do t’i cek më poshtë.
Një tipar përcaktues i mjedisit gjeopolitik në vitin 2024 do të jetë multipolariteti. Por nga ana tjetër, një numër më i madh aktorësh të fuqishëm do të formësojnë një sistem global gjithnjë e më kompleks. Si fuqi të mëdha, BE, SHBA dhe Kina do të vazhdojnë të formësojnë mjedisin global në mënyra të thella. Shtetet e lëkundura gjeopolitike – vende si India, Arabia Saudite, Turqia, Afrika e Jugut apo Brazili që nuk janë të lidhura në mënyrë specifike me ndonjë fuqi apo bllok të madh – do të fitojnë akoma më shumë ndikim mbi agjendën ndërkombëtare. Mekanizma si BRICS i cili ka premtuar zgjerim të mëtejshëm përgjatë 2025-ës janë sfidues për rendin aktual ndërkombëtar. Amitav Acharya e ka quajtur botën e sotme një “rend botëror multiplex” ku së pari kemi mungesë te hegjemonisë apo shumë-polaritetit. Gjithashtu një botë shumë më komplekse ku nuk janë vetëm dominancat dhe faktorët ekonomikë që vlejnë, por edhe ato mjedisorë, konsideratat e sigurisë, apo ato të zhvillimit të qëndrueshëm. Një rend i tillë global përfshin një arkitekturë dinamike dhe shumënivelëshe të qeverisjes globale të përbërë nga shtresa globale, rajonale dhe nënkombëtare, secila me institucione, rrjete dhe struktura hibride formale dhe joformale.
Kësisoj do të kemi të bëjmë me një botë ku do të jetë më e vështirë për një fuqi të vetme dominuese, sfiduese për sa i përket sigurisë në nivel shumëplanësh por dhe me mundësi të reja, qoftë dhe për shtete të vogla të cilat janë pjesë e aleancave të mëdha. Vendet më të vogla dhe aktorët joshtetërorë do të shfrytëzojnë gjithashtu mundësitë për të ripërcaktuar kufijtë ose për të ndikuar në multiversin gjeopolitik. Lufta në Ukrainë dhe konfliktet gjeopolitike që janë duke u zhvilluar gjetkë si në Lindjen e Mesme, mund të jenë vetëm fillimi. Lufta në Ukrainë pritet të përmbyllet me një paqe të negociuar, helbete sikundër përfundojnë 99 për qind të luftërave ndërshtetërore. Fitorja përfundimtare e njërës palë mbi tjetrën është e pamundur ndërsa armëpushimet vetëm sa e bën përfundimin akoma më të dhimbshëm, duke qenë se asnjëherë nuk adresojnë shkaqet e luftës dhe t’i japin zgjidhje përfundimtare. Ndërsa beteja për Taivanin dhe rëndësinë që ka ky i fundit si për idenë e Kinës-Një Shtet, si për fuqinë në zinxhirin botëror të furnizimit me mikroçipa, do të jetë përcaktuese por edhe mbart rrezikun e një konflikti që lehtësisht nga lokal mund të shndërrohet në global.
Një tjetër tipar përcaktues i gjeostrategjisë në vitin 2024 do të jenë zinxhirët globalë të furnizimit, të cilët rrezikohen aktualisht nga konfliktet dhe pasiguritë. Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë theksuan varësitë globale të vendeve dhe sfidat në arritjen e elasticitetit me zinxhirët e furnizimit në kohë– veçanërisht kur prodhimi ishte i përqendruar në një numër të vogël tregjesh. Qeveritë janë përgjigjur duke u riangazhuar ose duke zgjeruar mbështetjen e tyre në politikën industriale. Ata po kërkojnë të promovojnë prodhim më të madh vendas të produkteve kritike. Në tregje të caktuara, konkurrenca gjeopolitike tashmë është përfshirë në këto politika industriale. Ne do të shohim më shumë nga kjo lidhje e qartë midis politikës ekonomike dhe politikave të jashtme ose të sigurisë kombëtare në vitin e ardhshëm.
Gjeopolitika e oqeaneve do të shfaqet akoma më e dukshme. Oqeanet janë shtëpia e 94% të të gjithë jetës në planetin tonë dhe ato janë një burim gjithnjë e më i rëndësishëm ekonomik dhe i sigurisë kombëtare. Rreth 90 për qind e tregtisë globale të mallrave transportohet përmes rrugëve detare, por shumë nga korridoret më të ngarkuara të transitit detar në botë janë në rrezik të përçarjes gjeopolitike. Dhe minierat në det të thellë parashikohet të përbëjnë të paktën një të tretën e furnizimit me minerale kritike të nevojshme për tranzicionin e energjisë. Kompanitë do të duhet të marrin parasysh gjeopolitikën e oqeanit kur vendosin zinxhirin e tyre të furnizimit dhe strategjitë e qëndrueshmërisë.
Njëkohësisht dhe e ndërlidhur më këtë është përqendrimi në kanalet kryesore si kanali i Suezit apo ai i Panamasë, ku së fundmi presidenti i sapozgjedhur amerikan Tramp ka hedhur hipotezën e rimarrjes së këtij të fundit, duke hequr dorë njëanshëm nga traktati mes dy vendeve i nënshkruar në kohën e presidentit Karter në 1977-ën, ndërkohë që Panamaja e ka rimarrë kontrollin e plotë në 1999-ën. Gjithashtu së fundmi Tramp ka rihedhur mundësinë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka që e artikuloi edhe përgjatë mandatit të tij të parë duke cituar rëndësinë gjeostrategjike dhe për sigurinë kombëtare të SHBA-së por natyrisht duke nënkuptuar rëndësinë e madhe ekonomike të këtij rajoni. Kjo është dhe një tregues i gjuhës përherë dhe më transaksionale që do të ketë presidenca e re amerikane dhe e ndarjes së zonave të influencës nën një presidencë që ka gjasa të shëmbëllejë me atë të Niksonit në politikën e jashtme.
Nga ana tjetër, përgjatë vitit 2025, qeveritë do të garojnë për të rregulluar inteligjencën artificiale për të reduktuar potencialin e rreziqeve sociopolitike. Por politikëbërësit do të përpiqen njëkohësisht të nxisin inovacionin vendas me fokus pikërisht inteligjencën artificiale për të konkurruar gjeopolitikisht. Si rezultat, kontrolli mbi inteligjencën artificiale do të jetë një dinamikë qendrore në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Kësisoj, garat e dyfishta për të inovuar dhe rregulluar inteligjencën artificiale do të përshpejtojnë zhvendosjen drejt blloqeve të veçanta gjeopolitike. Kjo përfshin njëkohësisht dhe robotikën, makinat elektrike, dronët, manifakturën e avancuar apo luftën respektive te tarifave.
Si përfundim, në shumë drejtime viti 2025 do të ketë vazhdimësi të disa prej ngjarjeve, konflikteve dhe zhvillimeve që pamë përgjatë 2024-ës. Kjo lidhet dhe me faktin që 2024 ishte viti kryesor zgjedhor ku më shumë se 2 miliardë njerëz në gjithë botën morën pjesë në zgjedhje dhe ku në shumicën dërrmuese të tyre konfirmuan apo zgjodhën shumica konservatore. Aty ku këto u zgjodhën duke konfirmuan rotacionin e pushtetit si në SHBA apo në disa vende evropiane, natyrisht që kërkojnë një fokus të ri dhe të përqendruar te politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, ku tashmë 23 vende të NATO-s kanë parashikuar fonde mbi 2 për qind të PBB-së dhe vitin që vjen kjo mund të shkojë në 3 për qind.
Njëkohësisht do të rritet vigjilenca ndaj agjendave anti-familje dhe do të shtohet kundërshtimi ndaj projekteve të multi-kulturalizmit, emigracionit të paligjshëm, do të forcohen barrierat tregtare duke filluar nga tarifat dhe shtet-kombet do të udhëhiqen më tepër nga interesi kombëtar duke u bashkuar apo forcuar aleancat tradicionale apo kërkuar aleatë të rinj. Shtetet e vogla duhet të mësojnë të përshtaten, të kthehen në tregje tërheqës për investitorë, të investojnë në aleancat e rëndësishme, të kuptojnë si lëviz gjeopolitika, të adoptohen me trendet teknologjike dhe inovative dhe të përshtaten me revolucionin e inteligjencës artificiale që është tipar përcaktues i shekullit të 21.