Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në lagjen “24 Maji” të Vlorës, ose siç njihet ndryshe në zonën e “Çoles”.
Mësohet se shënjestër e atentatit ka qenë Kevin Hajrulla, 30 vjeç, i cili ka qenë duke kaluar me automjet pranë një kryqëzimi, në momentin kur autorët kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi drejt tij duke e lënë të plagosur.
Mësohet se plumbat kanë kapur edhe 35-vjeçarin Armando Spahiu, i cili po shiste fruta-perime pranë vendit të ngjarjes.
Të dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, teksa mësohet se 30-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një numër të lartë gëzhojash.
Burime bëjnë me dije se pas atentatit është gjetur duke u djegur një automjet në autostradën Levan-Vlorë, pranë fshatit Panaja, e cila dyshohet se iu përket autorëve. Mësohet se brenda automjetit ekspertët kanë gjetur dy kallashnikovë me dy krehër, që besohet se janë përdorur në atentat,
Ndërkohë, atentai mafioz ka tronditur edhe qytetarët e Vlorës.
“Sa dëgjova një të shtënë u shtriva. S’pash asgjë. Unë isha duke parë televizor dhe në moment sa dëgjova krismat u shtriva barkas”, thotë një qytetar, i cili ka qenë jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, makina tip “Benz” e shënjestrës Kevin Hajrulla, është bërë “shoshë” nga plumbat.
Sa i përket autorëve, nuk dihet asgjë. Automjeti i tyre u gjet duke u djegur pak minuta më vonë në autostradën Vlorë-Fier.
Policia ka rrethuar zonën, teksa ka ngritur edhe postblloqe në disa akse rrugore të qytetit bregdetar.
Njoftimi i Policisë:
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi Kevin Hajrulla, rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi Armando Spahiu, 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.