Ishte një e premte me shi teksa makina lëvizte rrugëve të Shkodrës ku ndodhet ‘’One Stop Center’’ e ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, falë mbështetjes së UNICEF me mbështetjen fillimisht të Qeverisë Suedeze dhe në vijim përmes projektit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në dhe nga Shqipëria”.
Sapo hyra në qendër, dy zonja shumë të sjellshme (koordinatorja dhe asistentja e fëmijës), më treguan dhomën e cila përdoret për të ekzaminuar fëmijët të mbijetuar të forma të rënda të dhunës, apo abuzimit seksual. Një dhomë e vogël, në dukje e ngrohtë, me një tryezë të rrumbullakët dhe karrike të vogla, ndodhet mënjeherë në hyrje të qendrës. Aty qëndrojnë fëmijët nën kujdesin e asistentes, ku i ofrohet mbështetja e parë.
Anxhela Radovani, koordinatore e One Stop Center në Shkodër, tregon se qendra ofron mbështetje në emergjencë dhe krizë, duke i ofruar të gjitha shërbimet në një ambjent për të mitur viktima të mbijetuara të abuzimit seksual ose formave të rënda të dhunës.
“Ky shërbim mbështetet në modelin Barnahus, i cili konsiston në ofrimin e shërbimeve në një ambient duke evituar dhe minimizuar ekspozimin e viktimës por edhe ritraumatizimin duke dëshmuar historinë në disa institucione”- tregon ajo më tej.
Në momentin që në qendër mbërrin një i mitur me shenja dhune, asistentja e fëmijës ofron mbështetjen psikologjike dhe bën një vlerësim fillestar, ndërsa koordinatorja njofton Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve, stafin e Shërbimit Shëndetësor, Policinë, Prokurorinë, çdo NGO që mund të ofrojë shërbim në vazhdim (strehëza për rastet e dhunës, për mbështetje me materiale apo bonus qeraje), Zyra Arsimore/ Stafi psiko-Social në rast kur i mituri është në moshë shkollore dhe i fton të mblidhen për vlerësimin e rastit.
Pasi jepet ndihma mjekësore (nëse është e nevojshme), vijohet me vlerësimin e thelluar, marrjen në pyetje nga përfaqësues të policisë ose prokurorisë, suporti për prindin jo abuzues, etj.
Asistenja e fëmijëve, Migena Burrja, tregon se në qendër janë trajtuar plot 20 fëmijë. Ajo tregon më tej se të gjitha këto raste kanë qenë për dhunë në familje, asnjë për abuzim seksual, raste të cilat sipas saj nuk janë inekzistente, por nuk denoncohen dhe që trajtohen brenda familjes.
Burrja tregon se “gjendja psikologjike, qoftë e fëmijëve por edhe e prindërve jo-abuzues, paraqitet e ngarkuar duke qënë që shpesh herë rasti nuk referohet në kohë”.
Asistenja e fëmijëve tregon se një pjesë e rasteve të paraqitura në “Qendën me Një Ndalesë”, për fat të keq kanë qenë raste shumë të ndërlikuara ku është marrë edhe vendimi për të sistemuar fëmijët në insititucione rezidenciale për shkak të problematikave të shumta që paraqisnin me prindërimin e tyre të dy prindërit e këtyre fëmijëve.
“Kjo, duke dashur që këto fëmijë të merren në mbrojtje dhe që të parandalohet rrisku që të jenë pre e situatave abuzuese/ dhunuese sërish si dhe që të parandalohet përshkallëzimi i situatës”- thekson Migena Burrja.
- Intervista me Anxhela Radovanin, koordinatore e One Stop Center:
Çfarë ofron One Stop Center?
One Stop Center ofron mbështetje në emergjencë dhe krizë, duke i ofruar të gjitha shërbimet në një ambjent për të mitur viktima të mbijetuara të abuzimit seksual ose formave të rënda të dhunës. Ky shërbim mbështetet në modelin Barnahus, i cili konsiston në ofrimin e shërbimeve në një ambient duke evituar dhe minimizuar ekspozimin e viktimës por edhe ritraumatizimin duke dëshmuar historinë në disa institucione.
Si i identifikoni rastet?
Rastet mund të vetëreferohen, mund të referohen nga spitali, policia, NJMF apo çdo palë e interesuar që ka një dyshim mbi një të mitur të abuzuar apo dhunuar.
Si veproni në momentin që ju paraqitet një fëmijë në spital me shenja dhune?
Në momentin që informohemi mbi një të mitur me shenja dhune, ndërkohë qe asistenja e fëmijes ofron mbështetjen psikologjike dhe bën një vlerësim fillestar, koordinatorja e qendrës njofton gjithë institucionet e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe i fton të mblidhen per vlerësimin e rastit. Pasi jepet ndihma mjekësore vazhdohet me vlerësimin e thelluar, marrjen në pyetje nga përfaqësues të policisë ose prokurorisë, suporti për prindin jo abuzues, etj.
Treguat se keni patur vetëm 20 raste dhe të gjitha ishin për dhunë në familje, mendoni se shoqëria shqiptare është ende e ndrydhur dhe e pa emancipuar për të denoncuar edhe rastet e abuzimit seksual të cilat shpeshherë ndodhin nga persona të afërt të familjes, ose vetë i ati?
Ajo që ne mendojmë është që nuk besojmë të ketë 0 raste abuzimi, por nuk raportohen dhe nuk depërtojnë në sistem. Fakti që edhe një studim i bërë tregon që nuk kanë identifikuar asnjë rast abuzimi na bën të mendojmë që rastet mund të jenë shumë të pakta dhe shumë të izoluara për shkak të frikës, stigmatizimit, etj.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni gjatë këtij procesi?
Sfida kryesore është të ndërgjegjësojmë që të kemi sa më shumë referime, qoftë dhe në rast dyshimi, sepse më mirë të parandalojmë se të trajtojmë. Një tjetër element është mungesa e dhomës së regjistrimit të intervistës me sistem audio/video në ambjentet e qendrës.
Po ashtu cekët edhe faktin që psikologët nuk kanë një rol të rëndësishëm në shkolla dhe nuk kanë referuar raste të dyshimta, pse mendoni se ndodh kjo gjë?
Psikologët kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe pikërisht për faktin që kanë një rol të tillë numri i referimeve nuk është i lartë sa duhej të ishte. Besoj për shkak të protokollove që shkollat kanë dhe mënyrën e organizimit por edhe të kuptuarit e përbashkët, që pavarësisht se çfarë kanë në job description, referimi i një rasti është detyrim i çdo qytetari.
- Intervista me asistenten e fëmijës:
Si i asistoni ju rastet që paraqiten në qendër?
Roli im si asituese e fëmijëve në “Qendrën me Një Ndalesë” është që të asistoj fëmijët që janë pre e formave ekstreme të dhunës dhe fëmijëve të abuzuar seksualisht si dhe të mbështes prindërit jo-abuzues. Fillimisht, primare në rolin tim si asistuese e fëmijës është që të jap të gjithë suportin e duhur në lidhje me mirëqënien e tyre fizike dhe psikologjike.
Në raport me nevojat fizike dhe shëndetësore kemi mundësinë që t;i ofrojnë shërbim shëndetësor falë bashkëpunimit me institucionet shëndetësore.
Ndërkohë që sa i takon pjesës së mirëqënies psikologjike, roli im si asistente e fëmijës është që jap mbështetjen emocionale që në momentet e para të kontaktit me fëmijët dhe prindërit jo-abuzues. Kjo, sa i takon fillimisht menaxhimit të krizës dhe duke vazhduar më pas me të njëjtën qasje gjatë të gjitha hallkave të procesit.
Një ndër funksionet e mia është që të jap suportin e duhur psikologjik në mënyrë që të përgatis emocionalisht fëmijën para se të fillojë intervistën ligjore dhe shpesh herë kam qënë edhe në rolin e eskpertes asistuese gjatë këtij procesi. Kjo, duke u siguruar që fëmija që mund të jetë viktimë e dhunës apo e abuzimit të marrë mbështetjen psikologjike që i nevojitet gjatë këtij procesi. Por, në të njëjtën kohë edhe që të arrijë të japë të gjithë informacionin e nevojshëm që mund të jetë i domosdoshëm në kontekstin ligjor për hetimet që do të kryhen nga institucionet përgjegjëse. Kjo është e lidhur me hapat e parë të kontaktit me fëmijën, për të kaluar më pas në bashkëpunim të ngushtë me Njësin e Mbrojtes së Fëmijës pranë bashkive përkatëse si dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës.
Si paraqitet gjendja e tyre psikologjike në momentin kur paraqiten pranë jush për ndihmë?
Çdo rast që paraqitet ka specifikat dhe dinamikat e veta. Në një kontekst të tillë është shumë e rëndësishme që çdo rast të trajtohet sipas nevojave që paraqet. Gjithsesi, në përgjithësi gjendja psikologjike qoftë e fëmijëve por edhe e prindërve jo-abuzues paraqitet e ngarkuar duke qënë që shpesh herë rasti nuk referohet në kohë dhe sistemi nuk është gjithmonë aq i shpejtë dhe efektiv në menaxhimin e rastit. Faktorë që në shumë raste ndikojnë për të rënduar edhe më tej situatën në të cilën ndodhen.
Shpesh herë të miturit për të zhvilluar intervistën ligjore duhet të qëndrojnë me orë të tëra në ambjentet e policisë gjë që mund të ndikojë negativisht sa i takon aspektit emocional të tyre dhe të prindërve jo-abuzues.
Kjo është edhe arsyeja se pse qendra Barnahus (nga ku është është marrë edhe modeli i Qendrës me Një Ndalesë) kanë brenda tyre edhe dhomën e intervistimit në mënyrë që t’i ofrohet një ambjent më miqësor fëmijëve që janë viktimë e dhunës apo abuzimit.
Çfarë trajtimesh ofroni ju si qendër për t’iu ardhur në ndihmë?
Trajtimet që realizohen shkojnë konform nevojave të rastit dhe zakonisht këto janë hapa që dalin nga ajo që quhet Mbledhje e Grupit Ndërsektorial dhe që organizohet nga Njësia e Mbrojtjes së fëmijës ku hartohet edhe Plani Individual i Mbrojtjes. Në këtë mbledhje, për të gjitha rastet e trajtuara pranë “Qendrës me Një Ndalesë” jam edhe une pjesë si asistente e fëmijës dhe ku bashkarisht me kolegët evidentojmë edhe nevojat e ndërhyrjes.
Ka patur raste që kemi dhënë ndihmë vetëm nga stafi i qendrës dhe raste ku ne si qendër kemi ofruar edhe shërbim nga profesionistë të tjerë, qoftë ndihmë juridike por edhe ndihmë psikologjike në rastet kur ka qënë e nevojshme të ofrohen seanca terapie me psikolog klinicist.
Sa kohë mund të zgjasë trajtimi i një rasti?
Edhe kohëzgjatja e trajtimit të rastit varion sipas specifikave që rasti paraqet. Këtë procedurë mund t’a trajtojmë si të ndarë në dy faza. Ku faza e parë nuk zgjat shumë në kohë dhe është e lidhur me dhënien e mbështetjes në lidhje me të gjitha nevojat fizike dhe psikologjike gjatë kohës së menaxhimit të krizës dhe më pas faza e dytë është më e shtrirë në kohë dhe lidhet me rolin tim si asistente e fëmijës në mbështetjen e NJMF-s.
Si vijon rehabilitimi i tyre dhe a ka mundësi që ata të bien sërish pre e stituatave të tilla abuzuese
Një pjesë e rasteve të paraqitura, për fat të keq kanë qënë raste shumë të ndërlikuara dhe ku është marrë edhe vendimi për të sistemuar fëmijët në insititucione rezidenciale për shkak të problematikave të shumta që paraqisnin me prindërimin e tyre të dy prindërit e këtyre fëmijëve.
Kjo, duke dashur që këto fëmijë të merren në mbrojtje dhe që të parandalohet rrisku që të jenë pre e situatave abuzuese/ dhunuese sërish si dhe që të parandalohet përshkallëzimi i situatës.
*Në Shqipëri ndodhen dy qendra “One Stop” me mbulim rajonal në Shkodër dhe në Fier. Deri në publikimin e këtij artikulli, në të dyja qendrat janë trajtuar rreth 80 fëmijë dhe rreth 40 kujdestarë me shërbime. Riaplikimi i modelit edhe në qytete të tjera është vendimarrje e qeverisë dhe deri më tani është artikuluar nevoja për qendra të tjera “One Stop”, por nuk ka një plan konkret.
Nga Anduela Laçi në bashkëpunim me UNICEF Albania