Ndërsa bota po luhatet drejt një lufte tregtare që mund të jetë më e rëndë se ajo e viteve 1930, ka një faktor shtesë që po ndihmon: bandat ndërkombëtare dhe krimi i organizuar.
Ata janë të lumtur që po shfrytëzojnë mundësitë e globalizimit, tregtia ndërkufitare, furnizimi global dhe punësimi i talenteve.
“Bota po e humb betejën kundër bandave dhe krimit të organizuar”, thotë Jurgen Stock, që dha dorëheqjen së fundmi i sekretar i përgjithshëm i Interpolit. “Zgjerimi, diversiteti dhe profesionalizmi o krimit të organizuar është i paprecedentë.”
Në pamje të parë, alarmi i Stock nuk duket me vend. Shumica e vendeve po bëhen më pak e më të dhunshme dhe ka më pak abuzues të ligjit. Në 20 vitet e para të këtij shekulli, norma e vrasjeve ra nga 6.9 për 100.000 njerëz në 5.2. Edhe ne vende ku krimi është rritur, si Amerika, niveli i krimeve është përgjysmuar nga 1990-a.
Por, Mark Shaw, drejtues i NGO, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar, thotë se krimi i organizuar është rritur që nga fillimi i këtij shekulli.
3 zhvillime të reja po e nxisin këtë trend; përhapja e teknologjive të enkriptuara dhe kriptomonedhave, që i lejojnë kriminelët të lidhen dhe lëvizin fitimet e tyre rreth botës në mënyra që më parë as nuk imagjinoheshin dot; përhapja e drograve sintetike që janë më të lira dhe më të fuqishme se ato me bazë bimore; dhe rritja e grupeve fleksibël të krimit, me shumë nacionalitete.
Ta nisim me teknologjitë e reja. Deri një dekadë më parë, shumica e email-eve dhe mesazheve telefonike nuk ishin të enkriptuara, që do të thotë se mund të lexoheshin pa problem nga policia dhe agjencitë e inteligjencës. Tani mesazhet janë të siguruara dhe bandat mund të komplotojnë të qetë. Darknet, interneti “i zi”, lejon shitjen e dograve ilegale dhe shumë opsione të tjera lehtësuese. Digjitalizimi ka krijuar një zhanër të ri kriminal: krimin kibernetik.
“Çdo lloj inovacioni sjell një kërcënim të ri”, thotë Ivo de Carvalho Pesinho, kreu i njësisë kundër krimit në Interpol. “Njerëzit po përdorin ChatGPT për të krijuar mesazhe mashtruese”. Të dhënat që analizohen nga kompania Chainalysis tregojnë se të ardhurat ilegale nga mashtrimi, vjedhjet dhe zhvatjet arritën 7.6 mld dollarë në 2023-shin. Jo të gjitha këto para shkuan në xhepat e kriminelave. Koreja e Veriut ka në shfrytëzim 10.000 hakera që marrin gjysmën e këtyre fitimeve, më së shumti duke vjedhur kriptomonedha.
Për shkak të pandemisë, një numër rekord njerëzish iu kthyen internetit, shumica ishin të painformuar për rrezikun. Ata kanë krijuar dhe mundësi të reja për kriminelët. “Pati një ndikim të madh në Azinë juglindore” thotë Jeremy Douglas, ish-drejtues rajonal i zyrës së OKB-së për drogën dhe krimin. Pandemia boshatisi zyrat e kazinove por fuqizoi kazinotë online. Shumë shpejt ata zbuluan se mund të krijonin portale ku të mblidhnin të gjithë kumarxhinjtë e botës dhe të organizonin plane.
Një tjetër faktor është rritja e përdorimit të drograve, nxitur nga ato sintetike, që i ka ccliruar bandat nga kufizimet gjeografike, pasi nuk janë më të varur nga bima e kokainës apo opiumit, që rriten vetëm në vende të caktuara. Konfiskimet e metamfetaminës në Azi janë katërfishuar nga 2013-a në 2022-shin. Çmimet e drograve janë përgjysmuar që kur bandat kriminale rritën prodhimin duke rritur edhe kërkesën
Globalisht, numri i përdoruesve të drogës u rrit me 1/5 në 10 vitet e fundit dhe drograt po bëhen gjithnjë e më të forta. Fentanili është 50 herë më i fortë se heroina. Por edhe ajo po sfumohet nga një tjetër drogë e rem, etonitasen që është 500 herë më e fortë se heroina.
Një zhvillim i tretë i rëndësishëm është shtimi i burimeve për banda. Diversifikimi, që Interpol e quan “polikrim” ose krim i shumëfishtë, po bëhet shumë i zakonshëm. Në të shkuarën, grupet kriminale fokusoheshin tek ajo që bënin më mirë dhe ishte më e lehtë për policinë të hapte investigime. Sot, i njëjti grup mund të jetë i përfshirë në tregun e drogës, pirateri dhe kontrabandë kafshësh.
Disa kanë hyrë në vende të reja pune që janë hapur për shkak të migrimit ose rritjes së numrit të refugjatëve, gjë që ka çuar në një shpërthim të trafikimit të qenieve njerëzore. Për shembull, banda e fuqishme venezueliane Tren de Aragua fiton pothuajse të gjitha paratë e saj nga trafikimi i qenieve njerëzore, jo nga droga.
Bandat po diversifikohen edhe gjeografikisht. Edhe pse organizatat kriminale kanë pasur gjithmonë lidhje ndërkombëtare, ndodhte sepse ndiqnin diasporat. Triadët, nga ishujt amerikanë gjenden në komunitetet kineze dhe mafia kalabreze Ndrangheta ka pasur gjithmonë lidhje me Kanadanë dhe Australinë.
Megjithatë, sindikatat kanë filluar të migrojnë vitet e fundit për të përfituar nga mundësitë e reja. Klani mafioz më i shquar i Brazilit, Komanda e Parë e Kryeqytetit, si Monarkia Habsburge e botës së krimit, u rrit përmes aleancave dhe diplomacisë. Ajo vepron si një “agjensi rregullatore e tregut kriminal”, thotë Bruno Paes Manso nga Universiteti i São Paulo.
“Ai vendos rregulla për të reduktuar konfliktet, krijon parashikueshmëri në treg dhe siguron një garanci që rregullat e tregut do të funksionojnë”. Sot ka 40.000 anëtarë dhe rreth 60.000 partnerë në 26 vende. Ndrangheta, ndërkohë, është përhapur në 40 vende, me një qarkullim vjetor prej rreth 50 miliardë dollarë – më shumë se dyfishi i PBB-së së Botsvanës së pasur me minerale, sipas Interpolit.
Ose le të marrim për shembull ndërkombëtarizimin e bandave shqiptare. Para viteve 1990, kriminelët ishin të kufizuar nga diktatura komuniste. Me rënien e barrierave për udhëtimet dhe tregtinë, ranë edhe kufizimet për kriminelët. Sot, bandat shqiptare janë lojtarët kryesorë në nëntokën e Ekuadorit, i cili ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.
FARC, një grup gueril në Kolumbi dhe karteli i Sinaloas nga Meksika kanë bashkëpunuar për vite në kontrollin e trafikut ë kokainës nga Kolumbia në Guajakili, nga ku e dërgojnë në Europë dhe Amerikë. Demobilizimi i FARC pas një marrëveshje paqeje dhe arrestimit të liderit të kartelit të Sinaloas, krijoi një “stuhi perfekte” që i lejoi organizatat kriminale, përfshirë ato shqiptare, të futen në lojë, thotë Renato Rivera nga observatori i krimit të organizuar në Ekuador.
Rezultati ishte dramatik. Në vitin 2018, Ekuadori ishte një ndër vendet më paqësore të Amerikës së Jugut me një normë vrasjesh më pak se 6 për 100.000 banorë, sa Amerika. Vitin e shkuar u bë shteti më i rrezikshëm i kontinentit, 45 vrasje për 100.000 njerëz.
Sot, bandat shqiptare janë lojtarët kryesorë të nëntokës ekuadoriane, që lidh Kolumbinë me Perunë, dy tokat që prodhojnë më shumë kokainë.
Megjithëse krimi i drogës gjeneron më shumë dhunë, është befasuese që krimi me qarkullimin më të lartë vjetor mund të jetë tregtia e mallrave të falsifikuara dhe pirate. Sipas të dhënave nga OECD dhe Zyra e Pronësisë Intelektuale të BE-së, falsifikimet përbënin 2.5% të tregtisë botërore në 2013.
Nëse kjo përqindje mbetet e pandryshuar, do të thotë se tregtia kishte vlerën e më shumë se 760 miliardë dollarëve në 2023, që është më shumë se shumë vlerësime që parashikojnë për prodhimin, tregtimin dhe shitjen e lëndëve narkotike të paligjshme.
Bandat jo vetëm që po zgjerohen në zona të reja biznesi dhe territore të reja, por disa po kërkojnë të ndryshojnë drejtimin politik. Vitin e kaluar, mercenarët kolumbianë u akuzuan për vrasjen e Fernando Villavicencio, një kandidat presidencial që luftoi kundër korrupsionit në Ekuador.
Në vitin 2022, gjashtë shtetas holandezë u arrestuan në Belgjikë me akuzën e planifikimit të rrëmbimit të Ministrit belg të Drejtësisë. Dhe para zgjedhjeve të përgjithshme në Meksikë në qershor, 40 kandidatë u vranë.
Në disa vende, kjo strategji ka qenë aq efektive saqë bandat në thelb po marrin vendimet. Më shumë se gjysma e të anketuarve në Amerikën Latine thanë se ka kriminelë të organizuar ose banda në lagjet e tyre dhe rreth 14 për qind e popullsisë – gati 80 milionë njerëz – jetojnë nën një formë të sundimit të bandave, sipas studiuesve të Universitetit të Çikagos.
Një rast ekstrem është Haiti, ku për herë të parë në histori Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi një forcë shumëkombëshe për të rivendosur rendin në një vend të pushtuar nga krimi i organizuar.
Policia ka pasur njëfarë suksesi, veçanërisht duke fituar akses në dy sisteme komunikimi të koduara të përdorura nga gangsterët në 2018 dhe 2020. Kjo ka çuar në disa mijëra arrestime në mbarë botën. Gjithashtu, Interpoli është përmirësuar në përgjimin e transfertave ndërkufitare të disa fondeve të paligjshme.
Megjithatë, policia mbetet në thelb kombëtare dhe vuan nga ajo që Stephen Kavanagh, drejtori ekzekutiv i shërbimeve policore të Interpolit, e quan “mentalitet të mbrojtjes së territorit”. Territori, qoftë fizik apo ndryshe, ruhet nga afër. Ajo që nevojitet është një qasje ndaj zbatimit të ligjit që është po aq ndërkombëtare sa bandat. Megjithatë, vullneti politik për të krijuar një qasje të re në përgjithësi nuk ekziston.