Midis viteve 2000-2017 numërohen së paku 16 raste të vjedhjeve të veprave të artit në kishat e vendit, episode nga të cilat u grabitën 23 ikona, 3 ikonostasë dhe objekte të çmuara. Artefaktet e grabitura janë zbuluar pjesërisht vetëm në 3 raste, ndërsa klerikët shprehen se nuk ka pasur vullnet për zbardhjen e ngjarjeve dhe se besimtarët mbeten në pritje të gjetjes së tyre.
Në të zbardhur të 8 nëntorit të vitit 2016, telefoni nisi të binte pa ndërprerë në banesën e Atë Kristaq Subashit në Berat. Kleriku u përmend me vështirësi në 4 të mëngjesit dhe më i përhumbur se kurrë, fill pasi dëgjoi për disa herë i tronditur se brava në Kishën e Shën Spiridhonit ishte gjetur e thyer.
Me të zbardhur e mërkura e 9 nëntorit u bë e qartë se nuk ishte një vjedhje që synonte vetëm grabitjen e parave të dhuruara nga besimtarët, por e përqendruar edhe objektet e çmuara. “Kryevepra” e kishës së Lagjes Goricë, Epitafi, që datonte rreth 200-300 vite më parë ishte zhdukur pa nam e pa nishan.
“Ai ishte në një vend të posaçëm, në një kornizë të modifikuar bukur, që të ishte në çdo kohë i ekspozuar dhe ata e kishin shqyer brutalisht atë dhe e kishin marrë”, kujtoi Atë Kristaq Subashi për Median Amfora.
“Epitafi i Kishës së Shën Spiridhonit ishte një nga objektet më me vlerë të trashëgimisë sonë shpirtërore, por edhe pasuri kulturore. Mendohet që mund të ishte 250 deri në 300 vjeçar. Mënyra e të ndërtuarit dhe e të kompozuarit e bënin të veçantë atë”, shtoi ai.
Kisha që ishte “ende e re” në mesin e monumenteve të kulturës, nuk arriti “të mbrohej nga shteti”, fill pasi mori statusin e kategorisë së parë më 17 prill 2015. Megjithatë ky nuk është një rast i izoluar në dekadat e fundit, pasi shumë kisha ortodokse dhe objekte kulti kanë rënë pre e grabitjeve që nuk synonin vetëm marrjen e parave të dhuruara nga besimtarët, por të veprave të artit.
Media Amfora analizoi të dhënat e autoriteteve të kulturës dhe zbuloi se numri i kishave të grabitura është më i lartë se rekordet zyrtare dhe zbulueshmëria e tyre është në anën tjetër të kurbës, duke mbetur e ulët.
Midis viteve 2000-2017 numërohen së paku 16 raste të vjedhjeve në kishat ortodokse në vend, të cilat janë njëkohësisht pjesë e trashëgimisë kulturore dhe grabitjet kanë qenë të përqendruara në marrjen e veprave të artit.
Nga këto 16 raste rezulton se vetëm 19% e tyre janë zbuluar pjesërisht, ndërsa në 81% të rasteve artefaktet dhe autorët nuk janë gjetur ende, duke zhgënjyer besimtarët dhe komunitetet fetare.
Ndërsa bilanci i objekteve të grabitura është më i gjerë se kaq, duke numëruar të paktën 23 ikona, 5 elementë dekorativë, 8 objekte, 2 kambana dhe 3 ikonostasë të grabitur në vetëm 17 vite në Shqipëri sipas të dhënave që Amfora përpunoi nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.
Vjedhjet e shpeshta rrënuan kishat bizantine
Lugina e Drinos në Gjirokastër përfaqëson një kryqëzim të historisë së pasur arkeologjike, historike dhe objekteve të kultit. E pasur me kisha monumentale dhe me së paku 5 manastire përgjatë saj, ajo spikat edhe për vendbanimet antike, bizantine dhe mesjetare.
Ende pa rënë sistemi komunist që përgjonte çdo rrëzë të Shqipërisë, banorët e fshatit Labovë e Poshtme në Gjirokastër, mbetën të shtangur kur mësuan se ishte zhdukur një prej objekteve më simbolike të kishës së fshatit, prej nga i cili mori edhe vetë emrin, “Kisha e Labovës së Kryqit”.
Referuar të dhënave që Amfora lexoi për këtë objekt, “Kryqi i Kishës së Shën Mërisë së Labovës”, është i punuar në argjend dhe datohet në vitin 559 të Erës Sonë. Motivi floreal i pikturuar në të simbolizon “Pemën e jetës”, që sipas interpretimit të krishterë simbolizon mirëqenien origjinale të parajsës.
Objekti i çmuar rezulton i vjedhur në vitin 1989 dhe ishte në ngarkim të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Vjedha e përndoqi këtë kishë dhe në vitin 2008 një operacion kriminal nxorri nga aty 18 ikona, që përbënin ikonostasin.
Në përshkrimet e objekteve të vjedhura, që Amfora gjeti në “Katalogun e objekteve të humbura 1990-2016”, rezulton se ikonat e punuara në dru ishin vepra të ikonografit Joan Athanasi dhe datoheshin në vitin 1770.
“Ishte një periudhë shumë e errët për monumentet, në vitet 1990-1998, ku ka qenë një periudhë shumë e vështirë për vendin tonë sepse dolëm nga një sistem dhe u futëm në një sistem tjetër, ku kishte nevoja shumë të mëdha”, analizoi arkitekti dhe restauratori Pirro Thomo.
“Nuk u tregua një kujdes i duhur për monumentet dhe u pa se dolën shumë hajdutë të kishave dhe të veprave të artit sidomos gjatë vitit 1997. Në këtë vit morën ç’mundën sepse mendonin se me këto vjedhje do të pasuroheshin dhe e kanë bërë se shtyheshin nga mendimet për të fituar”, analizoi Thomo fazat e para të grabitjeve të objekteve të kultit.
Nga analiza e Amforës rezulton se qarqet më të prekura vit pas viti nga vjedhjet e veprave të artit janë Gjirokastra, Korça, Berati dhe Fieri. Megjithatë grabitjet në kishat e vendit kanë qenë të dy tipologjive, ato të vlerave monetare ose të pajisjeve teknike dhe të veprave të artit.
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) listoi 10 vjedhje të cilat kanë pasur në fokus veprat e artit nga kishat e vendit. Ndërsa nga raportimet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të medias, rezultojnë edhe 6 raste të tjera, në total 16 vjedhje.
Megjithatë ky numër është më i lartë sepse të njëjtat kishat janë grabitur disa herë ndër vite. Vetëm në vitin 2008 Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë raportoi se pak para Krishtlindjeve u regjistruan thyerje me dhunë në Kishën e Shenjtë të Kryeëngjëjve, në Varosh të Gjirokastrës, në atë të Fjetjes së Hyjlindëses në Derviçan dhe në Kishën e Kryeëngjëllit të Kallogoranxisë.
Sipas raportimit në të njëjtën periudhë u vodhën nga Kisha Shën Athanasi në Bularat 18 ikona të vjetra, në ditët e Theofanisë u vodhën gjithashtu 10 ikona nga Kisha e Lindjes së Hyjlindëses në Labovën e Kryqit dhe 5 ikona në Kishën Shën Athanasi të Kakodikiut, në Delvinë.
Ndërsa në ditët e Krishtlindjeve u vodh i gjithë ikonostasi në restaurim i manastirit të Shën Dhimitrit, në Qeparo dhe disa pjesë nga ikonostasi i Kishës së Shën Nikollës në Dhrovian, i cili po sipas Kishës Ortodokse u shkatërrua krejtësisht.
“Kam parë në Kishën e Shën Mërisë së Drianos në Zervat, ku sa mbaroi restaurimi nga ana arkitekturore, piktura murale me ikonostasin, 2-3 vjet pas restaurimit thyen derën dhe morën ikona dhe pjesë të ikonostastit”, kujtoi Pirro Thomo për Median Amfora.
Arkitekti që ka kontribuar në studimin dhe restaurimin e shumë prej kishave të vendit kujtoi me keqardhje rastin e një kishe në një fshat të largët të Leskovikut, e cila kishte një ikonostas të veçantë sipas tij dhe që ishte grabitur i gjithi.
“Po kështu ka edhe vjedhje të tjera, si Kisha e Shën Mërisë në Leusë në Përmet, ku pasi mbaruam restaurimin pamë se kishin vjedhur pjesë nga ikonostasi, që ka qenë vërtetë një vepër arti”, rrëfeu Thomo.
Ngjarjet që kujtoi ai kanë ndodhur në Gjirokastër në vitin 2011 dhe në Përmet në vitin 2009. Ndërsa grabitja e fundit në Kishën e Shën Kollit në Mesopotam të Sarandës u shënua në vitin 2010 dhe grabitësit kishin shkulur nga aty 4 ikona.
“Rasti më i fundit i Kishës së Shën Kollit në Mesopotam, ku pas restaurimit më njoftuan, më çuan edhe fotografi ku një derë në anën jugore e kishin thyer për të hyrë brenda për të marrë lekët sepse atje brenda nuk ka më ikona”, tregoi Thomo i keqardhur.
Amfora pyeti përfaqësinë fetare të komunitetit mysliman, bektashi, ortodoks, të cilët nuk u përgjigjën për koment, ndërsa ai katolik shpjegoi se nuk kishte regjistruar raste të tilla.
Vjedhjet në rritje, zbulueshmëria në zbritje
Kishat që listohen monumente kulture në vendin tonë dhe inventari brenda tyre administrohet nga vetë komunitetet fetare, që kanë në ngarkim objektet pasuri kulturore dhe ato raportojnë tek autoritetet shtetërore për gjendjen dhe për nevojat e tyre.
Mungesa e fondeve për shërbimin e rojeve të sigurisë përmes subjekteve private dhe mungesa e sistemit të alarmit, monitorimit me kamera në kishat dhe në manastiret e vendit ka krijuar ndër vite terrenin e përshtatshëm për grabitjen e tyre.
Atë Kristaq Subashi dhe klerikë të tjerë kanë mbetur me sytë nga dera, me shpresën se një ditë objektet e grabitura do të kthehen në vendin e tyre, të cilën e dëshirojnë shumë edhe besimtarët e krishterë në vendin tonë.
Epitafi simbolizon vetë Zotin Jezu Krisht, të shtrirë në varr dhe rreth e qark ka gratë vajtuese, apostujt dhe tregon momentin që zbret nga kryqi, përjetimet dhe pësimet nga Zoti deri në ditën e premte, ku kisha e nxjerr Epitafin jashtë saj me solemnitet dhe vijnë besimtarët që të përjetojnë falje dhe atë që Zoti e përjetoi për njerëzimin.
“Në shumë breza për shumë vite, për një periudhë të gjatë Epitafi i vjedhur është përdorur si një element shumë i rëndësishëm në adhurimin e komunitetit ortodoks dhe merr vlera akoma më të mëdha nga shenjtëria dhe hiri që ai ka marrë nga lutjet e besimtarëve”, shpjegoi i prekur Atë Kristaq Subashi pas vjedhjes në Kishën e Shën Spiridhonit në Berat në vitin 2016.
Shqipëria ka të ngritur një autoritet publik, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK), po ashtu është pjesë e konventave ndërkombëtare për trafikimin e veprave të artit, por megjithatë nuk rezultojnë rekode të gjetjeve dhe të kthimit në atdhe të veprave të grabitura.
“Të gjitha denoncimet e administruara pranë IKRTK deklarohen si objekte të humbura/vjedhura në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore (RKPK) dhe deklarohen nga ana e Policisë së Shtetit në institucione ndërkombëtare si Interpol”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare IKRTK.
“Në IKRTK nuk administrohet asnjë notë verbale për objekte kulti të vjedhura që rezulojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, shtoi përgjigja.
Për ekspertët duhet punuar për katalogimin, dokumentimin dhe digjitalizimin e të gjitha objekteve të luajtshme që janë pasuri kulturore kombëtare, me qëllim pasjen e informacionit në kohë reale në rast se ato grabiten dhe synohet trafikimi jashtë vendit.
“Po të jetë informacioni i plotë me foto, i çohet edhe Interpolit në mënyrë që të gjurmohet edhe në vendet e tjera përveç Shqipërisë sepse vjedhësit zakonisht kanë tendencën që t’i nxjerrin jashtë në mënyrë të parregullt”, analizoi Pirro Thomo.
“Tek monumentet e rëndësishme ku ka roje, duhet të vihen edhe kamerat sepse në shumë kisha që janë restauruar ne kemi bërë edhe instalimet elektrike, kemi vendour edhe ndriçim jashtë, pra ka mundësi që të ketë imazhe”, shtoi Thomo.
IKRTK shpjegoi se janë zbuluar 3 raste vjedhjesh nga 16 të listuara zyrtarisht, të gjitha brenda Shqipërisë. Nga 18 ikonat e vjedhura në Kishën e Labovës së Kryqit, 10 prej tyre u zbuluan në një operacion policie në Tiranë në vitin 2022, ku u zbuluan mbi 4000 objekte të dyshuara si pasuri kulturore.
Gjithashtu u zbulua dera e vjedhur e Kishës së Shën Kollit në Vanaj të Fierit dhe disa pjesë nga ikonostasi që i përket Kishës së Shën Thanasit në Karavasta. Ato ishin transformuar pas vjedhjes, duke i kthyer në dollape dhe duke vështirësuar identifikimin e tyre pas kamuflimit si mobilje.
Megjithëse dyshimet janë që vjedhjet në shumë raste kanalizohen në rrjete të strukturuara të trafikut të veprave të artit, grabitësit janë edhe përdorues ose shitës të lëndëve narkotike. Në gusht të vitit 2021 Policia e Durrësit njoftoi sekuestrimin e një ikone që mendohej se i përkiste periudhës bizantine, e cila ishte vjedhur nga një kishë dhe arrestoi poseduesin e saj.
45 vjeçari me iniciale Ç. P., që banonte në Kavajë, dyshohej se do e shiste ikonën kundrejt parave, ndërsa gjatë kontrollit policia i gjeti edhe 12 kilogramë e 150 gramë lëndë narkotike “Cannabis Sativa”, për të cilën ai ishte dënuar edhe në të kaluarën.
Media Amfora pyeti për rastet prokuroritë dhe gjykatat e qarqeve Gjirokastër, Korçë, Berat dhe Sarandë, të cilat përgjithësisht për shumicën e rasteve të identifikuara nga burimet zyrtare për grabitjet e kishave, u shprehën se nuk arrinin t’i identifikonin këto çështje në sistemin e regjistrimit të rasteve nga prokuroria apo gjykata.
Gjykata e Gjirokastrës konfirmoi se nuk kishte mbërritur asnjë çështje për grabitjen e ikonës së Shën Mërisë në Kishën e Sopikut në vitin 2000 dhe as për 18 ikonat që u grabitën në Kishën e Labovës së Kryqit në vitin 2008, që u zbuluan më pas pjesërisht në Tiranë.
Për grabitjet në Kishën e Ungjillizimit në Kozarë të Beratit në vitin 2003 dhe për vjedhjen e epitafit 300 vjeçar në Kishën së Shën Spiridhonit në vitin 2016, Prokuroria e Beratit u përgjigj zyrtarisht se i kishte pezulluar çështjet deri në zbulimin e autorit.
“Fashikujt e këtyre procedimeve i kanë kaluar Drejtorisë Vendore të Policisë Berat për hetime të mëtejshme”, u përgjigj prokuroria për Median Amfora.
Megjithëse Kisha e Shën Spiridhonit në Lagjen Goricë ruhej nga një kompani private, siguria dështoi duke humbur një prej thesareve të Beratit.
“Për zbardhjen e kësaj çështje nuk është bërë mjaftueshëm sepse ne dhamë disa indicie dhe prokuroria duhej të kishte ecur më shumë në këtë drejtim. Është puna e tyre, nuk duam që të ndërhyjmë por ne bëmë gjithçka, por varet edhe nga dëshira e tyre që e kishin në dorë për ta hetuar”, tregoi i trishtuar Atë Kristaq Subashi.
“Besimtarët pyesin kur ka një gjetje, kur shohin ngjarje të tilla, thonë çfarë u bë me Epitafin tonë?! A ka ndonjë zhvillim?! Komuniteti gjithmonë është i interesuar sepse është në kujtesën e tyre ai Epitaf”, përfundoi Atë Kristaq Subashi.
/ Erjola Azizolli – Media Amfora