Operacionet policore për ndalimin e trafikantëve të veprave të artit po rezultojnë flluska me pasoja për tregtarët dhe anëtarët e komunitetit rom. Dogana Shqiptare pretendon se ka ekspertizë, por nuk ka një databazë për veprat e artit të grabitura, ndërsa në vend theksohet mungesa e ekspertëve të profilizuar në vlerësimin e tyre.
Atmosfera e vitit të ri 2024 në lagjen periferike të Fierit, që njihet si Fshati Drizë, u prish nga hapat e shpejtë të policëve të maskuar që zbarkuan në banesën e Shpëtim Kalemit, duke marrë prej andej 51 vjeçarin dhe dhjetëra “vepra arti”.
Ato që dyshoheshin si objekte me vlera historike dhe kulturore, ishin në banesën pranë shinave ku kalon linja hekurudhore Fier-Ballsh. Përveç lagjes së harruar të komunitetit rom në Fier, policia u ndal edhe në banesën e Pandeli Petanit, burri i dytë i dyshuar si trafikant i veprave të artit.
Në një konferencë pompoze për shtyp, drejtuesi i Policisë së Fierit, Lorenc Panganika dhe prokurori Elvis Alliaj, njoftuan se kishin sekuestruar 107 vepra arti të dyshuara si të trafikuara nga Greqia, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
“…ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit…”, deklaruan ata përpara gazetarëve.
Por këto operacione të policisë duket se po kthehen në flluska sapuni. Shumica e banorëve të fshatit Drizë në Fier janë shitës në atë që njihet si “tregu rom” në qytet dhe janë kthyer në burim për blerësit e apasionuar pas “sendeve të vjetra”.
“Këtu bëhen rreth 750 familje, janë 3500 banorë. I gjithë komuniteti jonë është marrë me tregti ndër vite. Marrin sende të përdorura nga greku i shesin në Shqipëri dhe nxjerrin kotheren e bukës, si gjithë të tjerët”, shpjegoi situatën kryetari i fshatit Drizë, Panajot Alushi.
Është gjynah që ta mbajnë brenda se dhe jetimët kush do i rrisi tani. Bashkëshortja është pa bukë në shtëpi. Ai ishte i vetmi që siguronte të ardhura në shtëpi”, shtoi burri për ndalimin e Shpëtim Kalemit.
Amfora zbuloi se edhe në një tjetër operacion po kaq të bujshëm, policia dështoi të ndalonte trafikantët e vërtetë të veprave të artit, duke ekspozuar mungesën e ekspertizës hetimore në njohjen e autenticitetit të tyre.
Për Suzana Varvarica-Kukën, skulptore dhe studiuese e artit, në vendin tonë ka mungesa të theksuara të ekspertëve të artit, të cilët mund të ofrojnë edhe vlerësime të thelluara.
“Mendoj se janë me numrin e gishtave të dorës, por që profesion të parë kanë studimet mbi artin dhe restaurimin, e jo si ekspert të lirë në fushat e trashëgimisë kulturore. Kanë njohje, por jo certifikimin e duhur”, shpjegoi ajo për Median Amfora.
Mungesa e njohjes dështoi operacionet policore
Një ekip i Forcës së Posaçme Operacionale të policisë u lëshua me shpejtësi në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë dhe i hoqën nga duart dy burrave 13 statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme.
“Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10.000 deri në 20.000 euro”, njoftoi Policia e Durrësit për mediat në momentin e ndalimit.
Policia zbuloi se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe të kulturës. Sipas tyre 53 vjeçari Pëllumb Leka nga Fieri, kishte përfituar nga fakti se ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si roje dhe herë si ndihmës, duke i siguruar objektet në qytetet e Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës, duke i trafikuar më pas me 56 vjeçarin Emanuel Çaço, nga Lushnja.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaroi në një përgjigje zyrtare se, “Pas vlerësimit të informacionit të përcjellë nga institucionet e varësisë së MEKI-t, në asnjë nga stafet e këtyre institucioneve nuk rezulton të ishte shtetasi me inicialet P.L.”.
Amfora zbuloi më tej se ndaj dy burrave Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar pushimin e hetimit për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kërkesë e cila ishte pranuar nga gjykata, duke e dënuar më 12 korrik Pëllumb Lekën me shërbim prove, për gjetjen e një përforëcuesi grushti, e konsideruar si mbajtje pa leje e armëve të ftohta dhe duke liruar nga akuzat Emanuel Çaçon.
“Hetimet kanë vazhduar dhe është administruar akti i ekspertimit vlerësues me ekspertë të fushës, që ka përcaktuar se objektet e sekuestruara dhe të dyshuara si vepra arti, nuk klasifikohen në tërësinë e pasurive kulturore”, arsyetoi vendimi i marrë nga gjyqtari Rexhep Bekteshi.
Ato as nuk rezultuan të vjedhura diku, por për oficerët e policisë identifikimi dhe vlerësimi paraprak i këtyre rasteve kërkon njohuri të thelluara.
“Mbaj mend që në vitin 2010-2011 kemi pasur raste të sekuestrimit të disa ikonave, tek disa të rinj që kemi ndaluar”, kujtoi për Amforën një oficer policie në pension.
“Nuk kishim asnjë informacion as unë, as ndonjë nga oficerët e tjerë të komisariatit, se çfarë periudhe i përkisnin ikonat, vlerat që mund të kishin, nuk kuptonim dot gjë nëse ishin origjinale apo kopje të tyre”, shtoi ish-oficeri nga Berati, duke mos dashur të identifikohet për shkak të marrëdhënieve me kolegët.
“Mbaj mend që drejtori ju drejtua Ministrisë së Kulturës në atë kohë dhe ata autorizuan një specialist nga muezu që erdhi bëri verifikimet e ikonave sepse e njihte fushën”, shtoi burri.
Targetimi i “Tregut të Romëve”
Në hetimin e operacionit “Ikonat”, prokurori i Durrësit, Gëzim Veizi, gjatë marrjes në pyetje të Pëllumb Lekës evidentoi se objektet i kishte blerë tek tregu i romëve për shumën 30.000 lekë dhe se më 29 mars përmes ndërmjetësimit të Emanuel Çaços do i shiste për 80.000 lekë – shifra krejt të kundërta nga sa pretendonte policia, sipas së cilës do të shiteshin për 10.000 deri në 20.000 euro.
Në qytetin e Fierit është i njohur “Tregu i Romëve për Rrobat e Përdorura”, ku anëtarët e komunitetit shesin kryesisht veshje dhe orendi të përdorura. Por edhe pse një aktivitet i ligjshëm dhe i mundimshëm për ta, kohët e fundit po përballen me akuza që targetojnë mallrat që pretendohet të jenë zhdoganuar përmes Greqisë.
Shpëtim Kalemi kishte blerë një furgon mallrash përmes një kredie dhe po tentonte ta shlyente deri në momentin e arrestimit. Por në rrugët e fshatit Drizë dallojnë me dhjetëra furgonë të përbaltur, një pjesë me targa shqiptare dhe një pjesë me targa greke.
Ardian Isaj nxiton të na fusi në oborrin e banesës dhe ende pa mbaruar fjalinë hap dyert e një veture të përmbytur nga veshjet e përdorura.
“Janë rroba të vjetra që i marrim në Greqi, i kalojmë nga greku dhe thuhet që i kalojmë kontrabandë, nuk është e vërtetë kjo”, theksoi Isaj me tone të larta.
Tregtarë të tjerë njëzëri akuzuan policinë se kishte vepruar në mënyrë të padrejtë, duke u nxituar për këtë ngjarje që sipas tyre nuk ka lidhje me trafikin e veprave të artit, por me mallra të përdorura dhe të blera në Greqi.
“Ne po mundohemi që të nxjerrim bukën, mos të ngelemi pa bukë, të ushqejmë familjet tona”, tregoi Isaj pranë veturës së tij të tejmbushur me veshje të përdorura.
Kryetari i fshatit Drizë, Panajot Alushi, e ndërpreu duke treguar përmes një video komunikimi direkt me një tregtar grek, pamjet të dyqaneve në Greqi të stërmbushura me objekte, orendi shtëpiake, piktura dhe me punime artistike.
“Këto i merrte nëpër tregje që bëheshin dy herë në javë në Manastiraqi [zonë pranë qendrës antike të Athinës], të shtunën, e të dielën. Plus dhe në dyqanet që janë të licensuara në Greqi, i merrte atje dhe i shiste”, shpjegoi Alushi.
Ata i referohen vetëm një prej dy të ndaluarve, Shpëtim Kalemit, ndërsa Prokuroria e Fierit shpjegoi zyrtarisht se, “Deri në këtë moment është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit SH.K dhe P.P, janë autor të veprës penale në fjalë”. Ata dyshohen ndër të tjera për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe të kulturës” dhe vijojnë të jenë të ndaluar.
“Bëhet zhdoganimi në doganë, skaneri, bëjnë pagesën me fatura, me të tëra dhe i shesin këtu nëpër tregjet që janë në Fier me nga 3-4 mijë, 5 mijë lekë maksimumi”, shpjegoi kryetari i fshatit për rastin e Kalemit dhe të tregtarëve të tjerë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri me dije se në 5 vitet e fundit nuk është ndaluar asnjë subjekt apo person që transportonte vepra arti, përveç një rasti që trafikonte objekte të trashëgimisë kulturore.
“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka në strukturën e saj një drejtori të specializuar për kontrollin e veprave të artit dhe objekteve të trashëgimisë kulturore. Kjo drejtori në mënyrë periodike kryen trajnime të stafit doganor në Pikat e Kalimit të Kufirit në lidhje me këtë fushë”, shpjegoi zyrtarisht autoriteti doganor.
Duke sqaruar më tej se nuk disponon asnjë databazë për obejktet e deklaruara të vjedhura dhe sipas saj këtë e menaxhon vetëm Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) – një tjetër autoritet që ka dështuar në misionin e tij në luftën kundër trafikimit të veprave të artit.
Policia e Shtetit nuk rezulton të ketë ekspertë për veprat e artit në strukturën e saj dhe sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kur policia sekuestron objekte të dyshuara si vepra arti, është prokuroria ajo që kërkon të realizohet ekspertiza.
“Praktika nga ana e MEKI-t kryhet në zbatim të vendimit të ekspertimit që përcillet nga Prokuroria, e cila ngarkon institucione të specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore të kryejnë vendimin e ekspertimit, ku me Urdhër të Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore ngrihet grupi i punës me specialistë të institucioneve që merren me tipologjinë e objekteve të sekuestruara sikurse parashikuar edhe në vendim”, sqaroi MEKI.
Për Suzana Varvarica-Kukën, skulptore dhe studiuese e artit, në Shqipëri ka mungesë edhe të një tregu të certifikuar për tregtimin e veprave të artit.
“Tregu i artit në vendin tonë nuk ekziston, atë e drejtojnë vetë artistët në studiot e tyre, duke iu shitur vepra arti amatorëve apo koleksionistëve. Apo duke u lidhur me galeri të vogla jashtë vendit. Këtu mungojnë shtëpitë e ankandeve dhe menaxherët e artit”, përfundoi Varvarica.