Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca është paraqitur mesditën e kësaj të premte në godinën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Paraqitje e Ndrecës në SPAK, vjen pasi më 25 tetor ai u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe akuza iu komunikua përmes avokatit të tij.
Ai akuzohet për rastin e rikonstruksionit të katër komisariateve në qytete të ndryshme të vendit, në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Kallëzimi për të është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku ky institucion ka konstatuar se procesi kishte patur shkelje të procedurave, dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar, si dhe ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
Bëhet fjalë për rikonstruksionet e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Hetimi për këtë çështje avancoi pas provave materiale të marra në ceularin e sekuestruar biznesmenit Gjon Radovani, i cili ka mbajtur postin si ish-zëvendës ministër pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në Shqipëri. Është pikërisht kompania e tij, “A.P.E”, ajo që fiton tenderat për rikonstruksionin e godinave të Komisariateve.
Si u zbulua abuzimi me tenderat?
Ferdinand Tarazhi, kryetari komisionit të Monitorimit në Ministrinë e Brendshme u kallëzua në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditi që ky institucion bëri për tenderat e dhënë për rikonstruksionin e komisariateve Vlorë, Mirditë, Pogradec dhe Komisariatit nr. 4 në Tiranë. Bashkë me Tarazhin, ishin kallëzuar edhe 4 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Mes tyre, edhe Ndreca.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me aktivitetin ekonomiko-financiar të saj për vitet 2018, 2019 dhe 2020. Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal,”-shkruhej në kallëzimin e KLSH që iu dorëzua SPAK-ut në korrik të vitit 2021.
Por çfarë shkeljesh gjeti KLSH në auditin e kryer 3 vite më parë?
Më 30 dhjetor 2019, BOE “De.-E”, “A.P.E” (i përzgjedhur si kandidati fitues i fazës II), plotëson kriteret kualifikuese me ofertën e tij 54,238,000 lekë pa TVSH. Po atë datë miratohet procedura e tenderit. Pasi departamenti i Financës në Ministrinë e Brendshme merr informacion për procedurën, njofton se nuk ka fonde dhe nuk mund të operohet në vijim me marrjen e angazhimeve financiare.
“Për këtë arsye i bëhet me dije Sekretarit të Përgjithshëm (pra Plarent Ndrecës) se nuk mund të vazhdojnë procedurat e lidhjes së kontratës dhe është konfirmuar se nuk të mbulohet efekti financiar të marrjes së angazhimit financiar me vlerë 54,238,000 lekë pa TVSH, deri në momentin që fondet të jenë në llogarinë e “AK”.”,”-shkruhet në raportin e KLSH. Pavarësisht lajmërimit të Financës, të nesërmen nënshkruhet kontrata e shërbimit midis BOE “De.-E”, “A.P.E”, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
“Nga auditimi tipologjive të komisariateve u konstatua keq llogaritje e kostove të ndërtimit dhe rrjedhimisht edhe kostove të projektimit. Gabimi kryesor në llogaritje është në vendosjen 2 herë të pajisjeve, duke rritur koston e ndërtimit dhe përllogaritja e tarifave është berë me TVSH, ku rrjedhimit vlera rezulton me TVSH. Ndërkohë, në formularin e njoftimit të fituesit dhe në kontratën nr. 10373/4 prot. Datë 31.12.2019, vlerat e projektimit të komisariateve janë nënshkruar pa TVSH. Për veprimet e rritjes në mënyrë artificiale ose fiktive të tarifave të projektimit nga BOE, sipërmarrësi ka përfituar padrejtësisht vlera ekomomike në dëm të Buxhetit të Shtetit. Bazuar keq llogaritjeve apo gabime të tarifave, BOE “De.-E”, “A.P.E”, jo vetëm që duhej të skualifikohej nga procedura tenderuese, ku duhej të vlerësohej me “0” pikë, por do të ndryshonte tërësisht edhe rezultati i vlerësimit, ku “St. Re.” shpk, do të ishte shpallur fitues,”-shtohet në raportin e KLSH-së.
Sipas KLSH, vlera totale e përfituar padrejtësisht është diferenca e Komisariatit Vlorë dhe Mirëditë (6,222,960 + 2,044,980) = 8,267,940 lekë pa TVSH ose 9,922 mijë lekë me TVSH.
Sipas nenit 4 të kontratës “Vlera e Kontratës”, përcaktohet vlera në lidhje me hartimin e projekt zbatimit sipas tipologjive të objekteve: 1. Drejtori Vendore Policie + Komisariat Vlorë: 21,744,370 lekë 2. Komisariati Policisë nr. 4 Tiranë: 13,533,385 lekë 3. Komisariati Policisë Pogradec: 13,153,196 lekë 4. Komisariati Policisë Mirditë: 6,807,332 lekë
Total: 55,238,283 lekë.