Një mbledhje e zakonshme e Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese për ndryshimin e ligjit “Për eficiencën e energjisë” në vitin 2021 u shoqërua me shqetësimin e shoqatave të bashkive, që detyrimet e reja për pushtetin vendor të mos mbeteshin në letër. Për herë të parë ligji i ri detyronte çdo bashki të hartonte Planin Vendor të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, me qëllim reduktimin e përdorimit të energjisë në nivel vendor, duke sjellë përmirësime të ndjeshme edhe në mjedis.
“Bashkitë dhe institucionet përkatëse ta marrin seriozisht zbatimin e këtij ligji. Ky ligj nuk duhet të flejë në zyrat dhe arkivat e bashkisë. Duhet të fillojë të zbatohet, pasi është normë, është standard”, – kërkoi me forcë në atë kohë drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali.
Por, kur kanë kaluar 3 vite e gjysmë nga hyrja në fuqi, zbatimi i detyrimeve ligjore duket i largët.
Të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se aktualisht vetëm 4 bashki kanë miratuar Planet Vendore të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, ndërkohë që 57 të tjera nuk e disponojnë ende dokumentin strategjik me politikat dhe masat për kursimin e energjisë, mbi bazën e konsumit në nivel lokal.
Planet nuk janë miratuar as nga disa nga bashkitë më të mëdha në vend, duke nisur nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri, etj., ndërkohë që disa prej Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, në përgjigjet e tyre me shkrim shfaqën mungesë njohurish mbi detyrimet ligjore që iu ngarkon ligji në fuqi.
Ekspertët kritikojnë mungesën e këtyre planeve, që janë pikënisja në drejtim të përmbushjes së objektivave kombëtare të vendosur në Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës, si dhe për arritjen e detyrimeve që ka vendi ynë në kuadër të Axhendës së Gjelbër dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata shtojnë se pasojat e moszbatimit të ligjit më së shumti i vuajnë qytetarët, pasi masat e eficiencës së energjisë lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe mirëqenien e tyre, duke kërkuar hartimin e menjehërshëm e më pas zbatimin e masave të planifikuara.
Shkelje e detyrimeve ligjore
Ndryshimet në ligjin “Për eficiencën e energjisë” hynë në fuqi në 15 prill të vitit 2021, ndërsa përcaktonin se “planet vendore të veprimit për eficiencë të energjisë duhet të përgatiteshin në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Eficiencën e Energjisë dhe me Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës”. Këto dokumente, duhet të përfshijnë politikat dhe masat për përmirësimin e eficiencës së energjisë për të gjithë sektorët që funksionojnë në nivel lokal, duke nisur që nga ndërtesat publike e private, transporti, mbetjet, uji, bujqësia etj.
“Planet janë dokumente strategjike që përmbajnë një sërë masash veprimi dhe objektivash, të cilat synojnë që të reduktojnë konsumin e energjisë, të sjellin benefite financiare dhe përfitime të aspekteve mjedisore”, – thotë Elvis Ndreka, inxhinier mjedisi dhe energjie, njëkohësisht menaxher i projektit Green Force, në kuadër të të cilit Bashkia Mirditë po asistohet për hartimin e planit.
“Hartimi i një Plani Veprimi të Eficiencës së Energjisë merr në shqyrtim të gjitha objektet, të gjitha ndërmarrjet, pajisjet apo makineritë që zotëron një bashki. Nisur nga kjo bashkitë kanë angazhim për t’i grupuar, për t’i organizuar, për të parë ku janë problematikat kryesore dhe në vijim të kësaj të mund të ndërmarrin dhe masat për ndërhyrje në pikat më nevralgjike, ku janë nevojat, ku është konsumi më i madh i energjisë dhe ku për rrjedhojë bëhen shpenzime të mëdha financiare nga këto bashki”, – shton ai.
Me përcaktimin e detyrimeve të reja, 61 bashkitë e vendit duhet t’i kishin gati Planet Vendore të Veprimit për Eficiencë Energjie brenda datës 15 prill 2022, por ky afat është shkelur nga të gjitha këto institucione.
Jashtë afateve ligjore, midis fundit të vitit 2023 dhe mesit të vitit 2024, katër bashkitë e vetme që e kanë miratuar dokumentin në Këshillin Bashkiak janë Roskoveci, Berati, Përmeti dhe Shkodra. 3 bashki të tjera, që janë Korça, Malësia e Madhe dhe Kavaja i kanë hartuar dokumentet, por ato nuk janë miratuar ende në Këshillat Bashkiakë, çka i bën të pazbatueshëm.
“Fakti që bashkitë nuk e kanë ende një plan, ndonëse disa prej tyre mund të jenë në proces, pra kanë filluar përgatitjet e mbledhjes së të dhënave, janë qartazi në një shkelje të ligjit”, – thotë Fiona Imami, eksperte e tranzicionit të gjelbër.
Për arritjen e objektivave kombëtarë të kursimit të energjisë dhe klimës bashkitë janë ndër institucionet përgjegjëse. Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës saktëson se këto objektiva synojnë uljen me 18.7% të emetimeve të gazeve me efekt serrë deri në vitin 2030, një ulje me 8.4% në konsumin final të energjisë dhe një rritje në 54.4% të energjisë së rinovueshme.
“Ne kemi një plan në nivel kombëtar. Ky plan në nivel kombëtar nëse nuk fillon të zbatohet në nivelin më afër qytetarit, aty ku ndodhin të gjithë dinamikat, atëhere nuk do të kemi një reflektimi të rezultateve të pritshme, përtej nivelit vendor. Kështu që, nga kjo pikëpamje, bashkitë janë thelbësore për të punuar dhe për të marrë masa në nivelin vendor dhe jo vetëm bashkitë si institucione”, – thotë Imami.
“Kjo duhet të zbërthehet në komunitet, në mënyrë që të gjithë së bashku si aktorë të përgjegjshëm të një shoqërie me perspektivën për të arritur disa rezultate të mundet të kapim ata indikatorë dhe përgjegjësish që kemi ndërmarrë”, – shton më tej ajo.
Në planin e saj, Bashkia Shkodër shpjegon se kontributi i saj në objektivat kombëtare të reduktimit 2030 do të jetë rreth 8%, duke reflektuar një ndikim të lartë në këtë drejtim.
Kontributi që secila bashki do të jepte në arritjen e objektivave kombëtare klimatike është i ndryshëm, por normalisht bashkitë e mëdha kanë edhe peshën më të madhe. Në krye të listës është Tirana, ku është përqëndruar numri më i lartë i popullsisë në vend, ku transporti publik përbëhet nga disa linja e ku numri i godinave publike e private është i madh. Por, sipas këtij dikasteri për hartimin e Planit të Veprimit do të kontraktohet një kompani e jashtme, ndërsa ende nuk është bërë gati dokumentacioni i domosdoshëm për procedurën tenderuese.
“Aktualisht ka nisur procesi i hartimit te dokumentacionit administrativ që i paraprin procedurës së prokurimit të këtij plani dhe parashikohet që brenda 2024 të kemi në dispozicion produktin final”, – thuhet në përgjigjen e bashkisë.
Bashkia Durrës në përpjekje për të justifikuar mungesën e planit, në përgjigjen e saj theksoi se “menaxhimi i kursimit të energjisë është një nga prioritetet e kryetares së këtij institucioni dhe se është kërkuar prej saj që projektet të jenë me eficiencë energjie”.
Bashkia Vlorë e justifikoi mungesën e planit me kompleksitetin e hartimit të tij, ndërkohë që Bashkia Elbasan nuk dha asnjë argument se përse nuk ka ndërmarrë hapat sipas legjislacionit në fuqi.
Për ekspertët, mungesa e planeve, sidomos në bashkitë e mëdha është e pajustifikueshme.
“Bashkia Tiranë ka një buxhet rreth 370 mln euro në vit, ka rreth 6800 të punësuar kështu që nuk i mungojnë as burimet njerëzore, as burimet financiare. Nuk mungon as gjetja e kapitalit human të kualifikuar në bashki të mëdha siç është Tirana, Durrësi, Vlora, etj”, – thotë Klodian Muço, pedagog dhe ekspert i financave.
“Në këto raste unë kam përshtypjen që ndoshta tendenca e qeverisjes vendore po orientohet njëlloj si tendencat e qeverisjes qendrore që në shumë raste merren një sërë masash për të treguar te qytetarët që ne po punojmë, sesa të investohen para’ në programe të caktuara, që nuk është se shikohen me sy të lirë nga qytetari çdo ditë, por janë shumë të rëndësishme për mjedisin, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve në periudhën afatgjatë”, – shton ai.
Paralelisht, të dhënat tregojnë se disa bashki as nuk i njohin detyrimet ligjore. Rastet më flagrante janë Fieri dhe Kavaja. Në përgjigjen me shkrim Bashkia e Fierit ngatërroi aktet nënligjore për rinovimin e stokut të godinave publike, që u miratuan në korrik të këtij viti, me aktet nënligjore që i hapnin rrugë zbatimit të ligjit mbi hartimin e planeve. Ndërsa, Bashkia Kavajë ndonëse ka një plan të hartuar me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile u shpreh se “bashkia nuk merret me energjinë dhe se duhej të drejtoheshim te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për këtë çështje”.
“Unë kam përshtypjen që një bashki serioze nuk duhet as ta përmendte këtë fakt. Ti detyrimet e tua ligjore i ke dhe ligji nuk e pranon “injorancën”, – thotë Muço.
Ndërkohë, në shumicë dërrmuese bashkitë përmendën mungesën e burimeve njerëzore dhe financiare, si argument për moszbatimin e ligjit.
Por sipas Muços, “në rast se bashkitë do kishin dashamirësinë apo ta shikonin si nevojë hartimin e këtyre planeve atëherë do të kërkonin eksperiencë nga jashtë apo do t’iu kërkonin institucioneve qendrore që t’iu mundësonin konsulentë të jashtëm”.
Edhe sipas Imamit, “mungesa e buxhetit për bashkitë është një lloj justifikimi për të mos ndërmarrë hapat për hartimin e planit”.
“Kjo për faktin se hartimi i planit në vetvete si një shumatore e buxhetit që kërkohet është e papërfillshme me përfitimin që këto bashki do të kenë në momentin që do të zbatohet Plani i Eficiencës së Energjisë. Mendoj që ngërçi më i madh për bashkitë është nevoja dhe koha për të grumbulluar të dhëna, ndërkohë që mendoj se bashkitë kanë deri diku kapacitete brenda tyre përmes stafeve për ta iniciuar këtë lloj ndërmarrjeje”, – thotë ajo.
Në të njëjtën linjë është edhe Ndreka.
“Mund të ketë shumë arsye nga ana e bashkive: pjesa e mungesës së stafit, kapacitetet financiare, etj., por gjithsesi mendoj që kjo duhet parë në një prizëm tjetër që ka të bëjë me përfitimet që do sillte hartimi i këtyre planeve dhe ndjekja e monitorimi i tyre në vijim”, – thotë ai.
Pasojat e mungesës së planeve
Eficienca e energjisë konsiderohet si një nga mundësitë e pakta për një zhvillim të qëndrueshëm, pa ndotur mjedisin. Përfitimet që vijnë nga aplikimi i termoizolimit në ndërtesa, ndriçimi me llamba led, sistemet teknologjike të avancuara apo transporti i gjelbër janë të mëdha për mjedisin, ekonominë dhe shëndetin. Në një raport të hartuar nga organizata mjedisore All Green Centre, ku merrej në studim një apartament në qytetin e Korçës, arrihej në konkluzionin se pas ndërhyrjeve termoizoluese, në dimër banesa do të ulte me 67% sasinë e lëndës drusore për ngrohje, emetimet në atmosferë dhe përdorimin e pyjeve për lëndë drusore. Studime të shumta tregojnë përfitime edhe nga masat e tjera të eficiencës së enegjisë.
“Në momentin që ne do të zëvendësojmë një pajisje termike, që punon me naftë, ka konsum shumë të lartë, djeg lëndë djegëse, është në varësi të çmimit që është gjithmonë i luhatur dhe konsiderueshëm i lartë, në një teknologji me panele fotovoltaike, që është një energji e pashtershme, e rinovueshme, është një ndikim i drejtpërdrejtë, si në rritjen e kursimeve, uljen e shpenzimeve të bashkisë apo reduktimin e emetimeve të CO2”, – shpjegon Ndreka.
“Përtej kësaj është edhe çështja e qëndrueshmërisë, sa i takon mirëmbajtjes së këtyre pajisjeve. Pompat termike apo shumë pompa të tjera ujësjellësi janë shumë të vjetra dhe vetëm procesi i mirëmbajtjes së tyre, duke qenë se janë të vjetra, duke qenë se kanë konsum të lartë është shumë kosto e shtuar, fuqi punëtore e me radhë”, – shton ai.
Por në këto kushtet e mungesës së dokumentit strategjik këto përfitime nuk mund të arrihen.
“Çështja e parë është kursimi i energjisë. Mungesa e një plani nuk krijon kushte të favorshme për bashkitë, për stafin, sidomos për pjesën e mirëmbajtjes, por edhe për zhvillimin e projekteve të reja. Pastaj është zhvillimi i teknologjive të reja. Që konsumi i energjisë të reduktohet duhet të bëhet zëvendësimi i pajisjve të vjetra në mënyrë të menjëhershme. Është më me leverdi që të bësh një investim të ri, pavarëissht kostos sepse koha e kthimit të investimit është shumë shkurtër”, – thotë Ndreka.
“Gjithashtu, është pjesa mjedisore që është shumë e rëndësishme. Ndikimi i drejtpërdrejtë mjedisor, ajo që preket nga çdo banor, për të pasur një konfort termik siç njihet në gjuhën teknike, që të jetë në kushte optimale në zyrën ku punon apo jeton”, – shton më the eksperti.
Në mungesë të planeve të Veprimit, në përgjigjet e tyre për “EkoSkaner” shumë prej bashkive u përpoqën të tregojnë se në territoret e tyre zbatohen projekte, që kanë në fokus eficiencën e energjisë, kryesisht në ndriçimin led apo instalimin e paneleve fotovoltaike për prodhim energjie. Megjithatë, zhvillimi pa plan i këtyre investimeve kritikohet nga ekspertët.
“Ka ndodhur në raste të ndryshme që investime të caktuara për efekt të mos monitorimit, mosplanifikimit të saktë, mospasjes së një baze të dhënash për të gjitha objektat apo nevojat e bashkive, nuk është përfituar 100% nga investimi ose në një kohë të shkurtër është dëmtuar apo amortizuar për arsye të ndryshme. Por zanafilla ka qenë mospasja e një plani masah apo plani veprimi për t’i mirëmbajtur, por edhe për të planifikuar ndërhyrje të tjera në vazhdimësi, që të jenë të qëndrueshme dhe investimet të ndihmojnë njëra – tjetrën”, – thotë Ndreka.
“Shumë ide e bukur në dukje dhe shumë prej bashkive janë krenare që e kanë bërë këtë gjë. Por, kur ti nuk investon në reduktimin e konsumit të energjisë është e kotë që shpenzon kaq shumë para’ për prodhimin. Një ndër bashkitë e jugut, nëse kalonte në llamba të reduktimit të konsumit të energjisë, fatura do të shkonte nga 100 mln lekë, në 32 – 33 mln lekë të vjetra. Vetëm nga zëvendësimi i llambave do të kursente rreth 70%. Kështu që, është më mirë që ne të investojmë në eficiencë që të reduktojmë konsumin apo është më mirë të ndërtojmë ca fotovoltaikë që të prodhojmë për të mbuluar atë 100 milionshin? Sigurisht, që nuk është e gabuar të vendosen fotovoltaikët, të kuptohemi, por duhet të ketë një plan masash konkrete që të shkojnë paralelisht”, – shprehet Muço.
“Në shumë prej bashkive të vendit vazhdohet akoma që edhe në institucione publike të përdoret druri apo ato kaldajat e vjetra me naftë për ngrohje, që nënkuptohet që ndotin. Pra, nuk është i rëndësishëm vetëm prodhimi, por duhet të rritet eficienca, që të mos vazhdohet akoma nëpër disa institucione të kemi ato muret e ndërtuar para 50 vitesh, pa marrë masa për termoizolimin apo të përdorin ato dyert që kanë ato hapësirat boshe që hyn ajri i ftohtë”, – shton eksperti.
Paralelisht, Shqipëria është firmëtare e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, që është strategji zhvillimi afatgjatë e vendeve të BE-së, e cila synon parandalimin e ndryshimeve klimatike, me qëllimin kryesor arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050. Për arritjen e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë nënshkruan Deklaratën e Sofjes mbi Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor më 10 nëntor 2020.
“Ne, prej vitesh jemi duke punuar për të aderuar në Bashkimin Evropian. Jemi prej vitesh pjesë e një marrëveshjeje për të arritur një seri indikatorësh që do të përmirësonin situatën e mjedisit në vendin tonë, por edhe me ndikimin që kjo do të ketë në rang global, edhe në rang evropian. Fakti që ne kemi pranuar të jemi pjesë e një marrëvehsjeje dhe kemi një axhendë të gjelbër të cilën duhet ta zbatojmë përmes politikave, pilarëve të ndryshëm, etj. etj. kjo do të thotë se ne nuk po bëjmë mjaftueshëm për të arritur ato objektiva dhe ato lloj përgjegjësish që kemi marrë për t’i çuar përpara. Kështu që në këtë kuadër mendoj që e para bashkitë do të duhet të nisin punën, të punojnë të mbeldhin të dhënat për të garantuar atë detyrimin ligjor, por më tepër për të punuar për të çuar një hap përpara gjithë këto marrëveshje dhe angazhime që ne kemi marrë”, – thotë ekspertja e tranzicionit të gjelbër, Fiona Imami.
Në të njëjtën linjë janë edhe Ndreka e Muço.
“Komisoni Europian këtyre bashkive iu jep një dritë jeshile për të kërkuar fonde, nëse bëjnë projekte sipas kërkesave apo sipas formës së struktuar. Përveç pjesës teorike të planit që është detyrim ligjor dhe duhet të jenë sipas një strukture të caktuar, por edhe sa i takon pjesës konkrete të ndërhyrjes së tyre në objektet ku kanë më shumë problematika”, – thotë Ndreka.
“Iu bëj thirrje të gjitha bashkive të vendit që të respektojnë detyrimet e tyre ligjore në radhë të parë dhe më pas të mendojnë më tepër për qytetarët në aspektin e dytë sepse ndikon sigurisht në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve dhe në aspketin e tretë, të japin sado pak edhe ato kontributin e tyre përsa i përket detyrimeve që kemi për integrimin në Bashkimin Evropian”, – përfundon Muço.
/ Ola Mitre / INA MEDIA