Nga Boldnews.al
Ministria e Bujqësisë ka pranuar publikisht se ende nuk ka nisur procesin e vaksinimit të kafshëve për Brucelozën, megjithëse tenderi me vlerë 380 mijë euro për blerjen e tyre është mbyllur rreth 5 muaj më parë.
Bruceloza është një sëmundje që kalohet tek njerëzit nga kafshët e imta të infektuara, nëpërmjet konsumimit të qumështit ose mishit. Pasojat e kësaj sëmundjeje janë shumë serioze për jetën e njerëzve.
Manualet shëndetësore sugjerojnë që koha më e përshtatshme për vaksinimin e kafshëve ripërtypëse për brucelozën është pranvera. Por, Ministria e drejtuar nga Anila Denaj, jo vetëm që nuk është angazhuar gjatë pranverës për këtë proces, por edhe tashmë që po përfundon vjeshta, ende nuk ka asnjë sinjal për nisjen e vaksinimit.
Situata bëhet akoma më skandaloze, duke mbajtur parasysh se pjesa më e madhe e fondeve publike për këtë tender tashmë kanë përfunduar në llogaritë e kompanisë fituese.
Tenderi i dyshimtë
Në Prill të vitit 2024, Ministria e Bujqësisë shpalli tenderin me objekt “Blerja e dozave vaksinë kundër sëmundjes së brucelozës”, me fond të përgjithshëm, për 12 muaj, 38.534.275 lekë të reja ose mbi 380 mijë euro.
Në procedurë merr pjesë vetëm një operator ekonomik, “Pegasus-Vet”, i cili paraqet ofertën fituese në vlerën 38.398.750 lekë të reja ose sa 99.9 përqind e fondit limit.
Ky tender përbën rastin tipik për ngritjen e “flamurit të kuq” të dyshimit për paracaktim, pasi në procedurë merr pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili fiton me vlerë thuajse të njëjtë me fondin limit.
Kompania fituese “Pegasus-Vet” ka tre aksionerë; Janis Karathano dhe Lefter Kalca me nga 49.5 përqind të aksioneve dhe një përqind e ka Aleksandri Kalca.
Njëri prej aksionerëve kryesorë të kësaj shoqërie, Janis Karathanos, është një emër i njohur publikisht. Ai konsiderohet si “oligarku” që është përfituesi kryesor i koncesionit të “Laboratorëve”, me kosto financiare rreth 120 milionë dollar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të publikuar në vitin 2022, sugjeroi anulimin e kontratës koncesionare të “Laboratorëve”, pasi kompania fituese, “Laboratory Netëorks” nuk plotësonte kriteret bazë për fitimin e kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë.
Ndërkohë që ajo kontratë vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pagesat për “Laboratorët” jo vetëm vazhdojnë pa asnjë ndërprerje, por biznesmeni Karathanos vijon të përfitojë të tjera fonde publike, siç është edhe rasti i tenderit të “Brucelozës”.
Kryen pagesat, por nuk ka vaksinim
Situate skandaloze e mungesës së vaksinimit të kafshëve për brucelozën rëndohet Akoma më shumë, kur të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se Ministria e Bujqësisë ka nisur pagesat për kompaninë fituese.
Sipas verifikimeve të kryera nga “Boldnews.al” rezulton se ministria e drejtuar nga Anila Denaj ka kryer një pagesë në favor të “Pegasus-Vet”, me përshkrimin “blerje vaksina e brucelozës”.
Ky transaksion është kryer në 14 Tetor 2024 dhe shuma është 4.8 milionë lekë të reja (ose rreth 50 mijë euro).