Seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj motrave Antonela dhe Mariela Berisha është shtyrë për ditën e nesërme në orën 12.00. Shkak u bë mos shoqërimi i Mariela Berishës nga blloku i sigurisë në Gjykatën e Tiranës.
Pas më shumë se dy muajsh në kërkim, Antonela dhe Marinela Berisha u vetëdorëzuan në polici mbrëmjen e kaluar. Ndaj ish-banores së BBV është caktuar masa detyrim paraqitje, ndërsa ndaj motrës së saj është caktuar “arrest me burg”.
Kujtojmë se Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berisha teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet, mbrëmjen e 6 gushtit 2024. Teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta, shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë. Para disa muajsh motra e Antonelës është ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Mariela duket se nuk e ka pranuar këtë ndarje dhe dyshon se partneri e ka tradhtuar me Klean.
Ndërkohë, Klea Prenga në një reagim në rrjete sociale pas vetëdorëzimit të motrave Berisha kërkoi drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që i kanë shkaktuar.
Klea Prenga shton më tej se nuk do ti falë për një akt të tillë duke mohuar kategorikisht që mund të ndodhë një pajtim mes tyre.
“Përshëndetje, Pas dy muajsh nga sulmi brutal që më është bërë, personat përgjegjës janë vetëdorëzuar. Disa media kanë spekuluar për një mundësi pajtimi mes nesh, por dua të jem shumë e qartë: nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjë pajtim. Unë kërkoj drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar. Nuk mund të ketë falje për një akt të tillë dhune. Shpresoj që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent, dhe që drejtësia të vihet në vend, duke më dhënë mua dhe familjes sime qetësinë që meriton çdo qytetar”, u shpreh ajo.