Nga Erisa Kryeziu
Nga gjimnazi deri në universitet, studentët shqiptarë janë të paorientuar dhe të pasigurtë për karrierën e tyre të ardhshme dhe mundësitë e punësimit, ndërkohë që kostot e përballimit të studimeve sa vijnë e rriten.
Pas tre vitesh studime në gjimnazin “Asim Vokshi” në Tropojë, Elsa Rexha ishte ende e pavendosur se cilin profesion do të zgjidhte për studimet e larta në fund të korrikut.
Ndërsa dëshironte që t’i vazhdonte studimet e larta në Tiranë, ajo ishte në dilemën e renditjes së 10 degëve në formularin A1.
“Ankth, stres kam se nuk e di dhe jam e pavendosur se ku të shkoj,”- tha Elsa për Citizens.al në fund të korrikut. Duke supozuar ofertat e tregut të punës, Elsa zgjodhi degë që anojnë nga financa, administrim biznesi dhe ekonomiku.
Mijëra studentë të tjerë përballen me të njëjtën dilemë, ndërsa janë të pasigurtë për mundësitë që u ofron tregu i punës në Shqipëri.
Përmes një pyetësori online, Citizens Channel foli me 123 studentë dhe 45 maturantë nga qytete të ndryshme të vendit. Thuajse 80% e tyre deklaruan se kanë zgjedhur universitetet publike për të studiuar.
Pyetjes se si i vlerësojnë mundësitë e tyre të punësimit pas përfundimit të studimeve, shumica iu përgjigjën “të pasigurta”. Nga pyetësori, 71.5% nuk kishin pritshmëri të larta se do të punonin në profesionin e degës që kishin zgjedhur. Nga ky grupim, 37.8% u përgjigjën se dega që studiojnë është e kërkuar, mirëpo pagesat janë të ulëta; 28.6% u shprehën se kanë zgjedhur një degë të kërkuar në treg dhe 15.3% vlerësuan se mundësitë për punësim janë të pakëta.
Rreth 10% e të anketuarve u shprehën se nuk besojnë se do të punojnë ndonjëherë në degën e tyre, ndërsa 8.2% deklaruan se pas studimeve do të shkojnë jashtë vendit, pa nisur si fillim një punë në Shqipëri.
Sipas Rigels Xhemollarit nga organizata “Qëndresa Qytetare”, pasiguria e studentëve vjen nga fakti se në Shqipëri mungon ende një praktikë e qëndrueshme që të lidhë tregun e punës me universitetet.
Xhemollari vlerëson se studentët shqiptarë janë të disavantazhuar si në sektorin privat, i ndërtuar kryesisht mbi baza familjare, ashtu edhe në sektorin publik, ku mbizotërojnë lidhjet politike.
“Sot e kemi të lidhur, por me tregun gjerman të punës dhe atë evropian,”– tha Xhemollari.
“Sektori publik është i lidhur me politikën dhe me angazhimin me forcat politike, nuk ka një tendencë që nga universiteti më të mirët të shkojnë drejt administratës publike,”– shtoi ai.
Pa këshillim dhe pa praktikë
Me një udhëzim të fundit të Ministrisë së Arsimit, duke nisur nga tetori i këtij viti 640 mësues do të marrin një rol të ri në arsimin parauniversitar në të gjithë vendin, atë të orientimit të karrierës së nxënësve dhe vlerësimit të cilësisë në shkolla.
Kjo nismë vjen në kushtet kur arsimi parauniversitar ka pasur mungesë të zyrave të karrierës dhe ku nxënësit orientoheshin nga prindërit apo shoqëria për të zgjedhur degët e tyre të studimit.
Mungesën e orientimit që në gjimnaz e konfirmojnë edhe të anketuarit e Citizens.al, ku 68% e tyre thanë se nuk kanë pasur një zyrë karrierë në gjimnaz. Rreth 40% u shprehën se këtë detyrë e kanë bërë mësuesit kujdestarë; 24% u shprehën se janë informuar nga të afërm dhe 20% janë informuar vetë qoftë edhe përmes internetit.
Gjithsesi, ekspertët e arsimit janë dyshues nëse ky pozicion i ri do të sjellë një ndryshim cilësor në orientimin e karrierës. Ndriçim Mehmeti, pedagog dhe ekspert i sistemit arsimor thotë se ky pozicion i ri i mësuesve është i paqartë, po aq sa detyra apo trajnimi i tyre.
“Jemi ende shumë mbrapa zbulimit të kërkesave, prirjeve dhe dëshirave të nxënësve që në moshë të hershme si dhe mundësive të pakëta që ka shkolla për të motivuar, nxitur dhe kultivuar këto prirje,“– thotë ai.
Edhe Rigels Xhemollarit nga “Qëndresa Qytetare” mendon se mungesa e zyrave të karrierës në gjimnaze është e dëmshme për mënyrën se si zgjedhin të rinjtë të shkojnë sot në universitet.
“Ose pyesin familjarë që nuk e kanë idenë e karrierës nga universiteti drejt tregut të punës, ose ata shohin shokët dhe bashkëmoshatarët e tyre dhe normalisht një pjesë prej tyre shkojnë në drejtime të gabuara në atë që do të donin të ishin në finale të tij,”– thotë ai.
I njëjti handikap duket se i shoqëron studentët edhe në universitet.
“Edhe universitetet sot kanë një person që quhet zyra e karrierës, por nuk është se merren me të rinjtë. Ata thjesht bëjnë statistikat se ku shkuan studentët që u diplomuan në këto universitete për t’i shërbyer universitetit dhe jo studentit,”– shtoi Xhemollari.
Problemet me orientimin e karrierës nuk janë të vetmet në universitete, ku studentët ankohen gjithashtu se mungon puna praktike për t’i aftësuar për tregun e punës.
Anisa Halaj nga Postriba e Shkodrës është studente e vitit të dytë për psikologji, por deri më tani nuk ka pasur mundësi që të bëjë praktikë.
“Ne në 3 vite kemi vetëm teori. Nuk bëjmë praktikë. Vetëm vitin e tretë kemi një herë në javë që na jep shkolla me zgjedh se ku duam të shkojmë të bëjmë praktikën. Vetëm një herë në javë në vit të tretë,”– thotë ajo.
Ndryshe nga Halaj, studenti i vitit të tretë në inxhinieri elektronike në Universitetin Politeknik, Ersid Arapi ka nisur të punojë që në vitin e dytë. Megjithatë, ai e mban një sy drejt Gjermanisë, ku mendon se profesionalisht mund të rritet shumë më tepër sesa në Shqipëri.
“Këtu tregu nuk është zhvilluar akoma si duhet. Nuk më lejon mua që të konkurroj denjësisht në tregun tim si një inxhinier i ardhshëm me një moshatar timin, që ka pasur fatin e mirë apo të keq të lindë në Gjermani dhe të ketë të njëjtin shkollim me mua,“– tha ai.
Kosto të larta
Ndërsa përballen me dilema për të ardhmen apo mundësitë e karrierës së tyre në tregun e punës, studentët në Shqipëri duhet të përballojnë kosto gjithnjë e më të larta për vitet e tyre studentore. Një pjesë e vogël e tyre përfitojnë nga sistemi i bursave ekonomike, por pagesat e tyre nuk janë as të mjaftueshme dhe as të rregullta.
Ndërkohë, rritja e qirave të banesave gjatë viteve të fundit në Tiranë është një barrë e shtuar për familjet e studentëve.
Sipas të dhënave që Citizens.al siguroi përmes pyetësorit, pjesa dërrmuese e kostove të jetesës së studentëve shqiptarë vazhdon të mbulohet nga prindërit. Mes të anketuarve, 74.5% u përgjigjën se studimet ua mundësojnë prindërit, 16.3% deklaruan se i paguajnë vetë dhe 9.2% përmes bursave shkollore.
Anisa Hala është njëra prej përfituesve të bursës ekonomike, por ajo ankohet se gjatë vitit të parë të studimit në Shkodër nuk arriti ta marrë atë asnjëherë në fillim të muajit.
“Ato vonojnë të kalojnë. Për shembull, je në tetor në shkollë, në shkurt kalojnë gjysma. Kalojnë të gjitha njëherazi, jo se kalojnë çdo muaj. Pjesën tjetër pastaj e kam marrë në korrik. Çdo vit ndodh kështu,”– thotë studentja e psikologjisë.
Për Ersid Arapin, vështirësia si student nis që me gjetjen e një shtëpie me qira. Ai tregon se shpenzimet e tij mujore i kalojnë 50 mijë lekët, ndaj edhe pse është në punë, sërish detyrohet të marrë para nga prindërit për të përballuar jetesën.
“Është pak e vështirë pjesa e gjetjes së shtëpive me qira…Jam pak i zhgënjyer kundrejt çmimeve, nuk janë në proporcion,“- thotë ai.
Edhe Dajana Xhemalaj, studente e drejtësisë në një universitet privat në Shqipëri thotë se studentët trajtohen keq kur kërkojnë një shtëpi me qira në Tiranë, ndërsa kushtet e tyre lënë për të dëshiruar.
“Nuk pyesin fare se je student, fare. Madje vendosin edhe ca kushte që nuk i kuptoj. Jo duhet të jenë vetëm dy persona, jo po çmimi nuk lëviz. Nuk po kërkoj luksin, po të paktën më jep diçka që mund të jetoj. Ka lagështirë. Ka mungesë paisjesh, për ngrohje,”-shpjegon ajo.
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” vlerëson se kostot për të përballuar studimet janë 10-fishuar përgjatë dhjetë viteve të fundit.
“Sot studenti, për shkak edhe të pozicionimit të godinave universitare është i detyruar të jetojë në qendrën e kryeqytetit, duke shpenzuar njëlloj me familjet që jetojnë në atë zonë, pasi nuk ka fasilitete, nuk ka shërbime, nuk ka ulje apo mundësi për të pasur një jetë me ekonomi të reduktuar,”-tha Xhemollari.
Sipas tij, për të lehtësuar jetesën, universiteti duhet të nxirret nga qendra, duke krijuar qendra universitare jashtë kryeqytetit.
Edhe Ndriçim Mehmeti thotë se kostot për fjetje apo ushqim janë shumë të larta, ndërkohë që mbështetja financiare që studentët marrin nga shteti vazhdon të jetë shumë e paktë.
“Kosto e studentëve edhe në fjetinat shtetërore është e lartë, pasi studenti duhet të paguajë për një krevat nga 5 mijë deri në 7 mijë lekë të reja në muaj. Akoma më e vështirë është jeta e atyre që janë me qira, pasi ne kemi kapacitete të kufizuar të fjetinave shtetërore,”– tha Mehmeti.
“Studentëve që janë në këto fjetina nuk u ofrohen as salla studimi, laboratorë apo internet falas, biblioteka etj, që të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë pa një kosto shtesë,”-përfundoi ai./ Cityzens.al