Nga Blendi Kajsiu
Populli amerikan, që shquhet për pragmatizëm, ka një shprehje që thotë “Nëse diçka nuk është e prishur mos e rregullo”. Ndaj propozimi i beftë i kryeministrit Rama për të ndërtuar një shtet Bektashi i ka çuditur të gjithë. Ofron zgjidhje për një problem që nuk ekziston. Aq më tepër në një vend si Shqipëria ku ka plot probleme që kërkojnë zgjidhje.
Duket si një propozim që ëshët bërë për të zhvendosur vëmendjen nga probleme dhe pakënaqësi themelore që ka popullata sot, siç janë pensionet, për shembull. Pasi i premtoi pensionistëve rritje marramendëse të pensioneve qeveria i ofroi atyre një rritje qesharake që i ka lënë tejet të zhgënjyer.
Ndoshta ndaj sot kryeministri Rama ka marrë përsipër të zgjidhë problemin e “shtetit bektashi”, dhe jo të pensionistëve, edhe pse nuk njihet asnjë bektashi shqiptar që ka kërkuar ndonjëherë një shtet bektashi brenda Shqipërisë, që nga Naim Frashëri e deri tek Baba Mondi.
Në këtë pikë mbështetësit e propozimit të kryeministrit do argumentojnë se nuk bëhet fjalë për të zgjidhur problemet e Shqipërisë por të botës. Shqipëria thjesht do jap një shembull që tejkalon intolerancën fetare duke përmirësuar njëkohësisht imazhin e saj. Në fund të fundit, gjithcka është PR, markë apo brand. Ç’të keqe ka?
E keqja themelore e këtij propozimi, përtej faktit evident që nuk i zgjidh dot problemet fetare të botës, është se ka potencialin ta shkatërrojë bektashizmin shqiptar si fe dhe ta njollosë edhe më shumë imazhin e shqiptarëve në botë. Mpleksja e politikës me fenë i njollos të dyja dhe nuk lartëson asnjërën.
Mjafton të shikosh shembullin e islamit politik në Iran (që një analist e kish cituar për të justifikuar propozimin e kryeministrit) për ta kuptuar këtë. Sekti shiit i Iranit ishte një fe paqësore, tolerante dhe plot kulturë për shekuj derisa u politizua gjatë revulcionit të Iranit për të prodhuar sot një Islam politik sa fundamentalist aq edhe të shëmtuar shpirtërisht dhe estetikisht.
Ngjizja e fesë me pushtetin politik nuk prodhon vecse korrupsion dhe perversitet. Skandalet shumta të Vatikanit që nga pedofilia deri tek korrupsoni financiar janë një tjetër shembull i këtij fenomeni. Arësyeja se përse për dekada qindra e mijëra fëmijë u abuzuan brenda Kishës Katolike ka të bëjë edhe me sovranitetin e saj juridik dhe administrativ. Vatikani duke përdor pushtetin e tij politik e mbuloi me dekada skandalin e pedofilisë bashkë me një sërë skandalesh të tjera financiare.
Është i rëndësishëm rasti i Vatkanit dhe i Kishës Katolike sepse kemi të bëjmë me një nga organizatat fetare më strikte, më të organizuara dhe më të dedikuara ndaj çështjeve shiprtërore që kanë ekzistuar në historinë e njerëzimit. Brenda kishës katolike ka plot priftërinj që për nga dedikimi shpirtëror dhe disiplina fetare i afrohen shenjtorëve, në mos janë të tillë. E megjithatë pushteti politik, juridik dhe financiar shpesh ka arritur të korruptojë edhe Kishën Katolike.
Përse nuk do të ndodhë diëka e tillë me shtetin bektashi? Çfarë garancie ka që në gjirin e shtetit bektashi, që do formohet nga ne shqiptarët, nuk do kemi skandale korrupsioni, prostitucioni apo pedofilie? Si do garantohet mos-kapja e këtij shteti nga krimi i organizuar dhe trafiqet e drogës? Çfarë do ndodhë nëse nesër një trafikant droge apo prostitutash përdor pashaportat diplomatike dhe territorin e shtetit bektashi?
Personalisht mendoj se nuk ekziston asnjë garanci e tillë. Përkundrazi, ekzistojnë të gjithë premisat që një shtet bektashi të shndërrohet nga një oaz i paqes dhe i tolerancës fetare në një kënetë korruptive dhe perverse. Jo sepse bektashinjtë janë njerëz të këqinj, por sepse sa më shumë pushtet politik ti japësh fesë aq më shumë ajo deformohet, duke injoruar çështjet e qiellit për tu marrë me tundimet e tokës.
Në këto kushte bektashizmi nga shembull i tolerancës do shndërrohej në simbol të korruptimit dhe kriminalizimit të gjithckaje shpirtërore nga shqiptarët. Shqipëria do njollosej ndërsa shteti bektashi do kthehej në varrin e vetë bektashizmit. Lajmi nuk do ishte toleranca fetare por korruptimi kriminal i fesë nga shqiptarët./Lapsi.al