Në fund të muajit korrik, Shëngjini u përball me zjarre masive në pyje dhe kullota, që lanë pas dëme të mëdha në natyrë. Bashkia e Lezhës konfirmon për Faktoje se flakët e zjarrit dogjën plotësisht 30 hektarë me pyje, mes tyre edhe bimësi të rrallë. Veç dëmeve në mjedis, flakët dogjën pjesërisht 3 banesa dhe 1 bar – piceri.
Fundin e korrikut, teksa masivi pyjor i Shëngjinit, që ndodhet pranë bregdetit, u përfshi nga flakët, në një sërë reagimesh në rrjetet sociale, zyrtarët publikë theksonin se situata ishte nën kontroll.
“Situata është në kontroll, kush nuk di, të na pyesë ne, se jemi në terren”, shkroi kryetari i Bashkise se Lezhës Pjerin Ndreu në Facebook më 27 korrik.
Në të njëjtën linjë reagoi tre ditë më pas edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
“(…)Në Shëngjin gjithçka është nën kontroll, turistët dhe qytetarët i janë kthyer normalitetit dhe s’ka asnjë vend për panik!” shkroi Manja në rrjetet sociale.
Ndërsa, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndante pamje nga situata festive në Shëngjin, pas ditëve të tëra “luftë” me flakët.
“Përtej problematikës me zjarret në kodrat përreth, kjo është atmosfera festive në këtë moment në Shëngjin”, ish-ministri Brendshëm, Taulant Balla.
Por teksa zyrtarët e lartë pretendonin një situatë nën kontroll, flakët e zjarrit dolën jashtë kontrollit, duke shkaktuar një katastrofë të madhe mjedisore në masivin me pyje të Shëngjinit. Faktoje udhëtoi drejt Shëngjinit më 31 korrik, për të parë nga afër shkatërrimin që la pas zjarri masiv.
Nga verifikimi në terren shihen qartë hekarë të tërë tokë dhe pyje të shkrumbuara. Po ashtu, zjarri preku edhe disa banesa aty pranë. Të gjendur në një situatë të tillë, pushuesit në zonën e “Ranës së Hedhun” lanë pushimet në mes nga frika.
Të pyetur nga Faktoje, pushues në Shëngjin treguan se fillimisht nisi një zjarr i vogël, por sipas tyre strukturat e neglizhuan, çka më pas solli një situatë katastrofike.
“Këtu fajtor, kisha thënë është shteti. Se para dy ditësh ia ka nis një zjarr i vogël dhe s’kanë ndërhyrë atëherë, por e lanë të marrë atë vrullin e madh”- shprehet një pushues nga Kosova, i cili për vite me radhë ka kaluar pushimet në Shëngjin.
Edhe punonjës pranë bizneseve në zonën bregdetare na rrëfyen se turistët u larguan për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
“Ishte një zjarr shumë i madh dhe ka bërë shumë dëme. Janë boshatisur vendet komplet, sepse kanë ikur turistët se janë trembur”- thotë një punonjës në zonën e plazhit.
Më të trembur ishin banorët e zonës që tregojnë se u ndjenë të rrezikuar për shkak të zjarrit duke u detyruar të dilnin nga shtëpitë.
“Zjarri më ka ardhur deri te shtëpia, është djeg deri afër shtëpisë ku jetoj. Më erdhi më shumë keq prej fëmijëve që duhet të dilnin jashtë, duke u djeg pisha e të gjitha”, thotë Pashuku, i cili jeton në zonën e “Ranës së Hedhun”.
Bilanci i dëmeve pas zjarrit
Për të pyetur në lidhje me pasojat që la pas zjarri në Shëngjin, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Bashkia e Lezhës bën të ditur për Faktoje se është përshkruar nga zjarret një sipërfaqe prej rreth 50 hektarë, nga këto 30 hektarë janë djegur plotësisht, ku përfshihen pisha, lis, shkurre etj.
Nga ana tjetër, AKZM thotë për Faktoje se si pasojë e zjarrit u dogjën 3.5 hektarë sipërfaqe të zonës së mbrojtur.
“Nga vlerësimet paraprake është përshkruar gjithsej një sipërfaqe prej 60 hektarë, nga kjo e djegur është vlerësuar 3.5 hektarë sipërfaqe zonë e mbrojtur”, njofton AKZM.
Më tej, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se dëmi që u shkaktua në këtë sipërfaqe të zonës së mbrojtur konsiston në djegien e pemëve (drurëve pyjorë), djegien e shkurreve, bimësisë pyjore, dëmtim të florës dhe faunës së egër.
“Sipërfaqja e Monumentit të Natyrës ‘Rana e Hedhun’ nuk është prekur nga zjarri”, sqaron AKZM.
Veç dëmeve në mjedis, Bashkia Lezhë pohon se flakët kanë djegur pjesërisht 3 banesa të banuara dhe një shtëpi të braktisur.
“Nuk ka familje që kanë mbetur pa strehë dhe janë evaukuar. Për sa i përket bizneseve, kemi të dëmtuar 1 një bar-piceri dhe shezllongë e çadra. Këto do të trajtohen nga ana jonë me ndihmë financiare”, njofton Bashkia e Lezhës.
Zjarri shkatërroi bimësi të rrallë
Jak Gjini, ekspert mjedisi i tha Faktoje se zjarri që dogji dhjetëra hektarë pyje në Shëngjin dëmtoi edhe bimë që janë në rrezik zhdukjeje në nivel kombëtar, por edhe botëror.
“Aty është peisazh i mbrojtur. Shega e egër është në nivel zhdukje në rrezik botëror. Aty janë dhe vatra me mersinë që janë shumë të rralla në Shqipëri. Është edhe një bimë tjetër që është e rrallë në këtë zone, ‘pistacia lentiscus’ dhe ‘pistacia terebinthus’ (latinisht)”- bën të ditur Gjini.
Ai thekson se duhen shumë e shumë vite që pylli të rikuperohet, pasi kemi të bëjmë me një zonë me shkëmbinj gëlqerorë.
“Ajo zonë është komplet shkëmbinj gëlqerorë, kështu që e ka shumë të vështirë për ta rimarrë veten. Pisha ka qenë e mbjellë aty dhe duhen vite e vite që të krijohet ai pyll. Kjo është një bimë që e ka mbjellë njeriu, nuk është autoktonte pisha aty. Kjo e ndërlikon pak situatën.” – argumenton ai.
Sipas ekspertit, një tjetër dëm i pallogartishëm është ai në peisazh sepse njolla e djegur rri me vite.
Edhe Olsi Nika nga “Eco Albania” thotë se djegia e kësaj sipërfaqeje ka shkatërruar përfundimisht një habitat mjaft të rëndësishëm të zonës.
“Me djegien e pyllit të pishave zhbën në mënyrë përfundimtare një habitat mjaft të rëndësishëm, që është edhe habitat prioritar për direktivat e Bashkimit Europian”, thekson Nika.
Më tej ai shton se zjarret në zonën e “Ranës së Hedhun” janë të shkaktuara nga njeriu dhe jo nga faktorë natyrorë. Sipas tij, këto zjarrvënie të qëllimshme, në shumicën e rasteve ndodhin për të krijuar hapësira të reja për ndërtim, duke vënë në rrezik të madh mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
“Në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit që ne kemi fqinj, Shqipëria bën vetëm regres në këtë pikëpamje, sepse zjarret në bregdet nuk vijnë nga natyra. Janë zjarre të qëllimshme të vëna nga dora e njeriut përgjithësisht për të krijuar hapësira të reja për ndërtim” thotë Nika.
Eksperti sqaron se sipas ndryshimeve të bëra, nëse një zonë e caktuar mjedisore dëmtohet dhe nuk përfaqëson më vlera për ruajtjen e natyrës, ajo mund të hiqet nga lista e “Zonave të Mbrojtura”.
Dhe si për ironi të fatit, planet për ndërtimin e një resorti turistik me 5 yje tek Rana e Hedhun i ka zbuluar më herët kryeministri. Në gusht të vitit të kaluar, Rama diskutonte me kryebashkiakun Ndreu mbi sfidën e transformimit të “Ranës së Hedhun” në një destinacion të turizmit me pesë yje.
“Me kryebashkiakun që vit pas viti po e kthen Lezhën turistike në Spanjën e vogël të Shqipërisë, duke diskutuar për sfidën e transformimit të Ranës së Hedhun në një destinacion të turizmit mesdhetar me pesë yje”, shkruante Rama në gusht te 2023, krah kryebashkiakut të Lezhës.
Mungesa e kapaciteteve
Në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri janë djegur mbi 162 mijë hekatarë me pyje dhe kullota. Vendi është përfshirë nga 846 vatra zjarresh, por institucionet përgjegjëse rezultojnë të paafta për t’iu përgjigjur zjarreve.
“Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse”, nxjerr në pah një raport audtimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Raporti nxjerr gjithashtu në pah edhe vjetërsinë e zjarrfikseve në shumicën e bashkive.
“Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme”, kanë gjetur ekspertët e KLSH-së.